Tirana e përgjakur/ Masakra komuniste e vjeshtës `44

0
408

Alba Kepi

kulle_tanku_gropeSpeciale/ Shoqata “Tirana” përkujton 400-vjetorin e themelimit administrativ të qytetit

Shoqata “Tirana” përkujton 400-vjetorin e themelimit administrativ të qytetit me një tjetër ngjarje të rëndësishme, promovimin e librit “Tirana e përgjakur”, të autorit tiranas Bedri Alimehmeti. 12 vjet nga publikimi i parë, autori rikthehet me një ribotim të dytë të veprës, më e përpunuar në detaje dhe më e pasur në dokumentacionin historik. Ndërsa e gjithë Shqipëria luftonte përkrah aleatëve për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, në Tiranë, grupe partizane me urdhër të Enver Hoxhës kishin nisur një luftë të dytë, eliminimin fizik të fuqisë intelektuale, patriotike, sociale e ekonomike të qytetit, deri në pushtimin e plotë politik të tij. “Tirana e përgjakur”, thotë autori, lindi si një domosdoshmëri për të plotësuar atë boshllëk historik, të harruar qëllimisht për dekada e që përshkruan ngjarjet e vjeshtës së vitit 1944 në jetën e këtij qyteti.

“Tirana e përgjakur” është një poemë dhimbjeje shkaktuar nga masakra komuniste nëpër lagjet, rrugicat, shtëpitë e Tiranës. Ato u lanë me gjakun e të pushkatuarve nga e gjithë Shqipëria. Të gjithë nacionalistë e atdhetarë të përkushtuar që lidheshin nga një ideal i përbashkët; antikomunizmi. Në korrespondencën e atyre ditëve mes Gogo Nushit e Kristo Themelkos, dëshmohet qartë se urdhëruesi i këtyre vrasjeve qe Enver Hoxha. “Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 veta, – shkruan Gogo Nushi. – Unë i njoh ata dhe asnjëri prej tyre nuk meritonte të vritej”. Kristo Themelko i përgjigjet: “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka urdhëruar, që kur të hynim në qytet t’i spastronim elementët “e rrezikshëm”.

“Tirana e përgjakur” me fakte, ngjarje, materiale arkivore e njerëzore zbardh këtë moment të gjakshëm të një qyteti që dhunën se kishte dashur kurrë. Janë ditët e një lufte civile që me gjak e terror sanksionoi për dekada rresht diktaturën më të egër komuniste në Evropë. “Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët duke pasur besimin e plotë edhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit…” (AQSH Fondi 14, Dosja 2/a)

“Tirana e përgjakur” është romani i jetës kushtuar familjeve autoktone tiranase që në atë vjeshtë të mbrapshtë qanë pushkatimin e njeriut të tyre të dashur e nisën kalvarin e persekutimit komunist, në burgosje, internim e torturë psikofizike. Klerikë, profesionistë, tregtarë, pronarë, artizanë, ushtarakë e intelektualë të mendjes e të penës nuk u kursyen asnjë. U pushkatuan poshtërisht pa një gjyq, pa një faj, pa një shkak, në emër të paburrnisë, në emër të urrejtjes, në emër të diktaturës së vdekjes.

“Që Tirana të mos ketë më një Natë të dytë Shën Bartolomeu. Që të nderohet kujtimi i të pushkatuarve nga komunistët, atë vjeshtë terrori në rrugët e qytetit tim dhe i të gjithë familjarëve të tyre që për gjysmë shekulli qenë shënjestra e dhunës së diktaturës komuniste, ndaj e shkrova këtë libër”, – thotë autori i tij, Bedri Alimehmeti.

“Tirana e përgjakur u promovua në sallën e Akademisë së Shkencave paraditen e së martës, datë 25 nëntor 2014.

 

“Tirana e Përgjakur” Bedri Alimehmeti

VRASËSVE U SHTROHET TRYEZA E DARKËS (!)

 Tre liceistë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla

“Tefta Tashko Koço” quhet në Tiranë rruga, që del nga sheshi “Avni Rustemi” dhe vijon përgjatë deri tutje në afërsi të godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vite me parë, më saktë ndoshta do të ishte të thoshim në atë kohë kur qyteti zuri të rritej nga pikëpamja urbane kjo rrugë quhej “Pisha”, emërtim ky që rëndom vijojmë ta dëgjojmë edhe sot. E pikërisht mbi gurët e kalldrëmit të kësaj rruge, në terrin e natës së largët të 28 tetorit 1944, hapat e rëndë të një patrulle partizane, prishën qetësinë e asaj mbrëmjeje tiranse, që dalëngadalë po i ndihte krahët ngrohtësisht mbi qytet. Banorët e rrugës të terrorizuar mbajtën frymën nën ankthin e pritjes, se ku do të ndaleshin.

Me afrimin e forcave partizane në rrethinat e kryeqytetit, lajmet që qarkullonin brënda tij ishin nga më tronditëset. Gjithsesi atë natë, rrapëllima e hapave të rëndë mbi kalldrëm u sos përpara portës së shtëpisë së Ymer Dërhemit, ku banonte me qera Akil Sakiqi, oficer i ushtrisë kombëtare shqiptare, që gjatë gjithë kohës kishte shërbyer në kufi dhe në sektorin e prapavijës.

Akil Sakiqi kishte vite që ishte vendosur me banim në Tiranë, ndërkohë ishte lindur në vitin 1907 në Dibër të Madhe. Familja e tij, për t’i shpëtuar dhunës dhe reprezaljeve të shovinistëve serbë, fillimisht u vendos me banim në Turqi. Por nga dashuria e madhe për dheun e të parëve, prindët e tij vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Duke u stabilizuar përfundimisht në Tiranë. Akili, djalë i zgjuar i etur për t’i pasuruar e përsosur sa më shumë dijet, pasi përfundoi shkëlqyeshëm Liceun e Korçës, kreu me rezultate të shumë të larta edhe Akademinë Ushtarake në Romë të Italisë, në degën e Rojës së Financës. Pas kësaj kthehet në atdhe dhe punon me përkushtim e devotshmëri së pari në Durrës, më pas në Shkodër etj.

Pushtimin fashist të Italisë së Duçes më 7 prill të viti 1939 e priti me indinjatë të thellë e urrejtje të madhe. Madje, bashkë me mikun e tij Myftar Jegenin dhe oficerë të tjerë atdhetarë. luftuan kundër agresorëve fashistë. Dëshpëruar keqas, ngaqë nuk arritën ta zmbrapsnin pushtuesin, u veçua nga gjithçka, duke mos u përzier fare me asnjë parti politike dhe përfundimisht u mbyll në jetën e tij civile.

Natën e 28 tetorit të vitit 1944, kur partizanët e armatosur deri në dhëmbë trokitën në shtëpinë e tiransit zemërbardhë Ymer Dërhemi, nuk kishin punë fare me të zotin e shtëpisë. Destinacioni i demonëve të kuq kishte qenë Akil Sakiqi, që në ato çaste po darkonte me miqtë e tij Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën, që të tre oficerë të karrierës, bashkënxënës që në Liceun e Korçës.

Me që ishin duke ngrënë, Akili që i donte dhe i respektonte shumë zakonet e mrekullueshme shqiptare, i fton mysafirët e paftuar të asaj nate të uleshin e të hanin bashkërisht në tryezën e shtruar. Tek demonët e kuq babëzia e mbushjes së barkut, ishte e njëjtë me atë të etjes për të shuar jetë njerëzish. Ndaj pa ngurrimin më të vogël zunë vend në tryezën bujare të familjes Sakiqi dhe hëngrën sa u zhdëpën. E zonja e shtëpisë kishte gatuar mrekullisht. Vallë kush e di se sa herë e ka mallkuar atë çast më vonë ajo zonjë e fisme, tek është kujtuar, që u ka shtruar për të ngrënë vrasësve të të shoqit, atyre që do ta vishnin përjetësisht me të zeza dhe do ta rropatnin ndër vite për të rritur jetimët.

Haram iu qoftë buka që u dhe ti moj nënë e dhembshur. Farmak iu bëftë dhe i helmoftë ei zezoftë të gjithë brez pas brezi, këta gjakpirës bukëshkalë.

Pas largimit të terroristëve, në dhomën ku po rrinte Akil Sakiqi bashkë me dy miqtë e tij Nazmi Uruçin e Fahri Dabullën, hyri edhe i zoti i shtëpisë Ymer Dërhemi. Me mprehtësinë që e karakterizonte ai kishte arritur të nuhaste diçka jo të mirë, madje, ishte i bindur plotësisht, që gjakpirësit do të ktheheshin sërish, ndaj me qetësi i këshilloi të largoheshin përkohësisht nga aty. Por, Akili dhe shokët nuk e ndjenin veten aspak fajtorë, ngaqë nuk kishin bërë asnjë të keqe, faj apo krim qoftë vendosën të qëndrojnë. Aq më tepër iu duk i drejtë ky vendim, kur jo vetëm nuk kishin bërë ndonjë padrejtësi, por përkundrazi e kishin ndihmuar luftën aktivisht.

Por pas kësaj, kur akrepat e orës po i afroheshin dymbëdhjetës, në portën e shtëpisë u dëgjuan trokitje. Hienat ishin kthyer sërish për të rrëmbyer gjahun. Nuhatja e plakut të mirë Ymer Dërhemi kishte qenë e saktë. Pas kësaj patrulla partizane i mori të tre me vete, teksa vetëm njëri prej tyre kishte pëshpëritur nëpër dhëmbët e krimbur sloganin vdekjeprurës: “Ju kërkojnë në komandë për një sqarim”. Dhe ishin po ato njerëz, që vetëm pak orë më parë ishin ngritur barknginjur nga tryeza e asaj shtëpie shtruar bujarisht e zemërplot.

Pas kortinkave te dritares e trishtuar në kulm, me shpresën se do të kthehej shpejt, zonja e shtëpisë e ndoqi të shoqin me sy plot ankth bashkë me dy shokët e tij, deri sa i përpiu terri i natës, tutje poshtë rrugës që varej bregut të Lanës, tek mulliri, pa e ditur dhe pa i shkuar aspak nëpër mend se ishte kjo hera e fundit që e shihte. Aty duke pritur me ballin mbështetur mbi xhamin e ftohtë e gjetën rrezet e para të diellit, që feksën si të trembura përmbi Dajt. Dhe Akil Sakiqi me të dy shokët e tij liceistë Nazmi Uruçi e Fahri Dabulla nuk u kthyen kurrë më. I pushkatuan po atë natë më 28 nëntor të vitit 1944.

Ashtu si Akil Sakiqi edhe Nazmi Uruçi ishte nga Dibra e Madhe. Bashkë kishin studiuar në Liceun e Korçës. Edhe Fahri Dabulla po ashtu kishte qenë liceist i Korçës. Që të tre Enver Hoxha i kishte njohur si nxënës të shkëlqyer në mësime, si atdhetarë të flaktë dhe si njerëz të respektuar, të ndershëm e korrektë. E pikërisht për këto veti, të cilat ai i urrente në mënyrë patologjike, i futi në listat e zeza të vdekjes.

 

BURRAT LUFTOJNË E VDESIN VETËM PËR ATDHE”

Ismail Agë Petrela (1890-1944)

“Nigjo ktu mër çun, – më thoshte shpesh im gjysh, – Tirona ka pas gjith herës burra t’ mençëm. Burra me men, qi ia ka pas zili gjith Shqipnia. E nji prej ktyne ka qenë Ismail Agë Petrela. Burrë që i peshojte e i zejte vend llafja. Nacionalist katërqinkaratsh, qi e dojte me shpirt e me zemër Tironën ene Shqipnin. Pse nuk iu shkojte mbas fijes ene pse ja kishin frykën, e qërun kto t’ kuqt, sa futën komën m’ Tironë.

 

“Shtini, – iu tha Ismail Aga vrasësve në çastin kur po e pushkatonin te hotel “Bristol”, – burrat nji herë vdesin”!

Ja, këto ishin fjalët e fundit të Ismail Agë Petrelës, sipas tregimit autentik të gjyshit tim, të nderuarit e të paharruarit Reshit Alimehmeti.

I tillë burrë trim ishte Ismail Agë Petrela, bir i një prej familjeve më të njohura tiranase. I mëkuar që së vogli me ndjenjat e thella të atdhetarizmit shqiptar, njeri me horizont të gjerë kulturor, nacionalist demokrat në shpirt e mendime, që konsideronte të shenjtë luftën për liri e atdhe. Ndaj edhe gjithë jetën e tij ia kushtoi pikërisht kësaj çështjeje madhore.

Ismail Agë Petrela ishte një ndër përkrahësit e parë të Fan Nolit në revolucionin e 1924-ës, në luftën për një Shqipëri demokratike e të përparuar, mbi bazën e principeve europiano-perëndimore. Në këtë aspekt pa dyshim ka ndikuar edhe qëndrimi prej disa kohësh në Francë, gjatë specializimit në një kurs farmaceutik, ku takimet e vazhdueshme me personalitete të njohura për atë kohë; si edhe rënia në kontakt me idetë e reja e përparimtare, gjithsesi krijuan te personaliteti i tij bagazhin e domosdoshëm për t’u hedhur me guxim në jetën politike të atdheut.

Jo pak, por disa herë si kundërshtar i regjimit të atëhershëm, u internua edhe u burgos. Si pjesëmarrës në lëvizjen e Fierit, u dënua me vdekje. Por kurrën e kurrës Ismail Agë Petrela nuk u përkul, nuk u thye e nuk u zmbraps nga rruga që kishte nisur. “Sa herë shkonin dhe e arrestonin xhandarët, – tregojnë bashkëkohësit e tij, – askush nuk guxonte ta çarmatoste Ismail Agën.”

Kurse shkrimtari ynë i shquar, Petro Marko, në kujtimet e tij, duke folur për Ismail Agë Petrelën, tregon: “Ai ishte i internuar në Porto Romano. Bashkë me disa shokë të rinj shkonim për ta takuar. Bile i patëm propozuar që me ndihmën tonë të arratisej që andej. Por nuk pranoi dhe na tha: “Burrat nuk arratisen. Ata luftojnë e vdesin vetëm në atdhe”.

Dëshpërimi më i madh i jetës së tij ishte pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Madje, enkas për luftimin ndaj pushtuesve, ai krijoi çetën nacionaliste, veprimtaria e së cilës shtrihej kryesisht në Elbasan e në Tiranë. Por ndikimi i saj përfshinte gjithë Shqipërinë e Mesme. Luftimet e çetës së Ismail Agë Petrelës kundër pushtuesve italianë, janë të njohura dhe kanë mbetur përjetësisht në historinë e popullit tonë, ashtu si edhe komandanti i saj i paepur.

Për këtë kontribut të vyer në luftën kundër fashizmit të çetës së Ismail Agë Petrelës, bëhet fjalë edhe në rezolucionin e Konferencës së Pezës më 16 shtator të vitit 1942. Madje jepen edhe vlerësimet përkatëse si për luftimet e suksesshme të çetës, ashtu edhe për komandantin e saj, që ishte një ndër pjesëmarrësit kryesorë në atë konferencë, si nacionalist i pavarur, bashkë me katër tiranas të tjerë: Myslym Pezën, Halim Begenë, Kamber Qafmollën dhe Ramazan Jaranin.

Dhe nuk ishte e rastësishme pjesëmarrja e Ismail Agë Petrelës si delegat në Konferencën pluraliste të Pezës, por qe ai qëndrim i paepur e burrëror, edhe në situatat më të vështira për kombin, pikëpamjet demokratike përparimtare e nacionaliste dhe, mbi të gjitha, reputacioni i madh, që gëzonte ai në të gjithë trevën e Tiranës, që e bënë të domosdoshme praninë e tij. Por, përpos kësaj, në Konferencën e Pezës duhej edhe besa e tiranasit të shquar, Ismail Agë Petrela.

Dhe me besën e dhënë si nacionalist, ai vazhdoi të luftonte kundër fashizmit. Por besa e dhënë në Pezë nuk zgjati shumë. Ndesh me vendimet e marra atje, zunë të binin mjaft nga veprimtaritë, që zhvillonin e ushtronin forca të caktuara politike në zona të ndryshme të vendit, veprime këto që nuk i shërbenin më bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, ideje e feje në luftën kundër pushtuesve fashistë.

Por, edhe pse i dëshpëruar keqas nga situata e krijuar, Ismail Agë Petrela me shpirtgjerësinë e një tiranasi zemërbardhë i la mënjanë e menjëherë mosmarrëveshjet e krijuara. Për të interesi i atdheut ishte jo vetëm i shenjtë, por mbi gjithçka. Ndaj u bashkua me mendimin e shumë intelektualëve nacionalistë e demokratë për një bashkim mbarëshqiptar kundër pushtuesve, për një Shqipëri përfundimisht të lirë, demokratike e etnikisht të bashkuar.

Këtij qëllimi sublim i shërbeu edhe mbledhja e Mukjes, pjesëmarrës në të cilën ishte edhe komandanti Ismail Agë Petrela, delegat nacionalist i pavarur, rreshtuar pranë forcave balliste. Çeta e tij, së bashku me çetat e Abaz Kupit, Hysni Lepenicës e Myslym Pezës do të siguronin mbarëvajtjen e punimeve të kësaj mbledhjeje historike për fatet e kombit.

Por, edhe pse Ismail Agë Petrela i firmosi me zell e dëshirë vendimet e dala nga mbledhja e Mukjes, ideja e bashkimit mbarëkombëtar e pati jetën shumë të shkurtër. Platforma e saj nuk u pranua nga komunistët. Konfliktet e provokuara enkas për shkatërrimin e gjithçkaje, që u arrit në Mukje, acarimet e kontradiktat midis forcave nacionaliste dhe Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar për zbatimin e vendimeve të marra në mbledhjen e Mukjes, çuan në fillimin e luftës midis tyre, sidomos në zonat e jugut.

I zhgënjyer krejtësisht përpara kësaj situate, Ismail Agë Petrela, duke mos e dëshiruar kurrë vëllavrasjen, edhe pse shumë personalitete të nacionalizmit shqiptar i luteshin, vendos përfundimisht të ndërpresë veprimtarinë luftarake të çetës që drejtonte. Më pas, i entuziazmuar nga lajmi se Tirana e tij e shtrenjtë po çlirohej, lë Pezën dhe niset për të marrë pjesë në festën e fitores. Disa ditë para se të niste terrori i komunistëve në Tiranë, e lajmërojnë që të largohet nga qyteti i tij i dashur. Edhe pse i thanë, që Enver Hoxha u ka dhënë urdhër forcave partizane që po luftojnë për çlirimin e kryeqytetit, të organizonin raprezalje, burgosje dhe eliminime të kundërshtarëve politikë, Ismail Agë Petrela nuk u tut fare nga ky lajm, por qëndroi i qetë në shtëpinë e tij në mes të Tiranës, deri në mesnatën e 12 nëntorit të vitit 1944, kur doli për herë të fundit nga dera e saj, pasi e thirrën për një “sqarim”. Vallë, nuk pritej derisa të zbardhte dita, kaq urgjent ishte problemi? Nuk mund të pritej jo vetëm drita e ditës, por as edhe katër apo pesë ditë sa të çlirohej Tirana për ta gjykuar këtë njeri, nëse kishte bërë krime, apo ishte fajtor?!… Jo kurrsesi! Ismail Agë Petrela duhej eliminuar sa më parë. Fantazma e komunizmit i trembej autoritetit të këtij intelektuali të madh, që zotëronte gjuhët frënge e italiane, i frikësohej reputacionit të tij, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë e mesme. Bisha komuniste e parandiente humbjen në përballjen me dialogimin e tij të mençur, asaj i tundeshin themelet vetëm nga një fjalë e vetme e komandantit legjendar. E si të mos e quash politike vrasjen e Ismail Agë Petrelës?!…

 

VRASJE Në SAUK

Histori e dhimbjes gjysmëshekullore: Selim Brahja

Askush tjetër veç dorës vrastare të një komunisti nuk do të guxonte të zbrazte armën në pragun e xhamisë, në derën e Allahut e shtëpisë të së madhnueshmes Perëndi! Veç një komunist, që i bindet verbërisht urdhrave të murtajës së kuqe, që me kthetrat e saj si tentakulat e një oktapodi e mban të mbërthyer në lëngun e zi të krimit. Komunisti s’e përmban veten për të mos e shkrehur armën, edhe kur përpara tij gjendet një hoxhë i thjeshtë, njeri i Zotit.

I gjithë Sauku shtangu tek dëgjoi krismat që vinin nga xhamia. Ishte 31 gushti i vitit 1943, dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit. Si ishte e mundur; krisma në xhami?!… Kush kishte qëlluar mbi hoxhën e fshatit, Selim Brahjen, që e lau me gjak truallin mbi të cilin bashkëfshatarët shkelnin përpara se të hynin në xhami, për t’iu lutur Zotit?!…

Nuk ishin pak jo, jo! Shumëkujt ndoshta mund t’i duket e pabesueshme, por vrasësit ishin plot shtatë veta. Një togë për ekzekutimin e një njeriu të vetëm! Shtatë burra për të vrarë një njeri të Zotit! Batare plumbash mbi trupin e një kleriku të ndershëm e të devotshëm, që tek falte pesë vaktet, nuk harronte kurrsesi t’i lutej Zotit edhe për Shqipërinë. Shtatë vetë me shalle në kokë, kryen krimin dhe, posi gjarpërinj, rrëshqitën e u zhdukën shkurreve e drizave për t’u shpëtuar plumbave të pushkëve të djemve të Selim Brahjes: Isufit, Selmanit, Tahirit e Nuredinit, që i ndoqën këmba-këmbës.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency