I dënuar me 12 vite burg/ Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, kapet 39-vjeçari në krevatin e një spitali privat

0
166

Alma Çuka

 policia-tirane-600x441Shoqërohej nga një person i armatosur dhe i pajisur me kartë avokati. Operacioni nga seksioni kundër narkotrafikut. Sekuestrohet një pistoletë me mulli dhe 11.50 euro

 Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e policisë, teksa ishte duke kryer një vizitë mjekësore në një prej spitaleve private. Burime të policisë së kryeqytetit bëjnë më dije se vunë në pranga shtetasin Lulzim Ademi, 39 vjeç, akuzuar dhe dënuar nga drejtësia me 12 vite burg për pjesëmarrje në organizatat kriminale, me qëllim trafikun e lëndëve narkotike. Policia njofton se operacioni është kryer në fshehtësi të plotë dhe për të arritur deri tek personi në kërkim i janë dashur informata të shumta, të cilat i ka siguruar në rrugë operative. Gjatë operacionit bëhet e ditur se është vënë në pranga edhe një person tjetër, i cili është kapur me armë zjarri.

 

Operacioni

Bëhet e ditur se gjatë operacionit të zhvilluar nga sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me seksionin kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 11.500 euro, disa karta krediti, një kartë avokati dhe një celular. Specialistët e sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë marrë informacion se në një spital privat në Tiranë kishte shkuar për të kryer vizitë mjekësore një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Personat, të cilët njoftuan policinë e njihnin shumë mirë personin e shpallur në kërkim. Madje, burime të policisë saktësojnë se ndihmë të madhe kanë dhënë dhe mjekët e spitalit ku kishte shkuar për vizitë i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mbi bazën e këtyre informacioneve, specialistët e sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Specialistët e seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të kërkuar në një nga dhomat e spitalit privat.

 

Dënimi

Lulzim Ademi, vjeç 39, banues në Tiranë, ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Breshia, Itali, me vendimin nr. 251/2012 SIEP, datë 7.2.2012, e ka dënuar me 12 vjet e tre muaj burg për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim lëndësh narkotike”. Në momentin e kapjes së këtij shtetasi në dhomën e tij, u kap dhe u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Enver Curri, vjeç 47, banues në Tiranë, i cili në momentin e arrestimit ka kundërshtuar forcat e policisë. Këtij shtetasi gjatë momentit të arrestimit në çantë iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me mulli model “Ruger”, e mbushur me fishekë, 23 preje 500-she euro, gjithsej 11.500 euro, një kartë avokati me emrin e tij dhe disa karta krediti.

 

 Aksidenti/ Përplasen nga një makinë, humbin jetën nënë e bijë, plagoset dhëndri

Rruga e Kombit ka shënuar paditen e djeshme aksidentin e radhës. Nënë e bijë mbetën të vdekura në vend, teksa një makinë, e cila udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara, i përplas dhe më pas largohet. Aksidenti ndodhi tek rrethrrotullimi i Repsit dje pasdite. Mjeti që drejtohej nga Mersin Allaraj, pasi u përplas me trafikndarësen, mori para edhe tre persona që po qëndronin në anë të rrugës. Viktima e parë ishte Gjyste Tusha, 18 vjeçe, kurse rrugës për në spital humbi jetën edhe Marte Tusha. I plagosur në këtë ngjarje mbeti edhe Pashk Gjoka. Drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga të dhënat e policisë mësohet se viktimat janë nënë e bij, ndërsa i plagosuri është dhëndri i familjes Tusha. Pas largimit nga vendi i ngjarjes, policia njofton se po punon për kapjen e autorit të këtij aksidenti, të cilin tashmë e ka identifikuar.

 

Incidenti/ Kërcënoi me armën e shërbimit, procedohet punonjësi i SHISH-it

Policia nisi procedim penal për një punonjës të Shërbimit Informativ, i cili kërcënoi me pistoletën e shërbimit një qytetar. Burime pranë uniformave blu thanë se oficeri me iniciale S. S., banues në Yzberisht, debatoi ashpër me një 49-vjeçar në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Nga të dhënat e policisë bëhet me dije se oficeri i shërbimit ka qenë në gjendje të dehur, kur është konfliktuar me Astrit Lokën dhe në debat e sipër ka nxjerrë pistoletën, duke kërcënuar me jetë 49-vjeçarin. Fatmirësisht, oficeri 31-vjeçar është ndaluar nga persona të tjerë që e shoqëronin.

 

Përplasja/ Nuk i bindet urdhrit për të ndaluar, aksidenton policin e Qarkullimit Rrugor

 Një punonjës i Policisë Rrugore është aksidentuar në Durrës. Lajden Kadilli, drejtuesi i një makine, të cilës polici Shkëlqim Çuka i kërkoi të ndalonte, nuk u bind, por përkundrazi e përplasi motorin ku ndodhej efektivi i Policisë Rrugore dhe u largua. Pas kësaj ai u largua pa i dhënë ndihmën e nevojshme policit, por u ndalua pak më vonë nga patrulla e policisë. I plagosuri u dërgua për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur para Prefekturës së Durrësit, ndërsa nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. I dyshuari si autor i ngjarjes është Lajden Kadilli, i cili pak kohë më parë ka aksidentuar edhe një punonjës tjetër policie.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency