Bllokohen pagat e shqiptarëve, tatimorët planifikojnë për veten e tyre 53 milionë euro shpërblime!

0
177

Ervin Kaduku

para-kazanma-yontemleriTë dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se ngadalësimi i ekonomisë e ka zbritur në vlera minimale rritjen e pagave të shqiptarëve. Për vitin 2013, paga mesatare në ekonomi arriti në 52.150 lekë, në rritje me 2.5% krahasuar me vitin paraardhës. Por, nëse zbresim normën vjetore të inflacionit, rritja reale e pagës mesatare është rreth 0.6%. Kjo normë e rritjes është shumë e ulët krahasuar me vitin 2012, kur paga mesatare u rrit me 7.3% në terma nominalë dhe 4.9% në terma realë.

Por, ndërkohë që pagat gati mbeten në vend për 99% të shqiptarëve, administrata shtetërore mendon që të rezervojë për vete një shifër gjigande për shpërblime. Kështu, Drejtoria e Tatimeve do të ketë rreth 7.5 miliardë lekë në dispozicion për shpërblime personeli gjatë vitit 2015. Kjo, nëse do të realizohet parashikimi buxhetor në mbledhjen e të ardhurave për vitin e ardhshëm. Referuar një prej ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore që është depozituar në Kuvend, deri në 2 për qind të të ardhurave tatimore të mbledhura do t’i lihen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për t`u përdorur për shpërblime stimuluese të personelit të administratës tatimore dhe për investime për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së mbledhjes të të ardhurave.

Në relacionin e projektligjit thuhet se nuk janë ndryshuar kriteret që duhet të plotësojë punonjësi i administratës tatimore për të përfituar shpërblimin stimulues sipas këtij neni, por është përcaktuar se rregullat për dhënien e shpërblimeve dhe miratimin e investimeve do të miratohen jo më me udhëzim të ministrit të Financave, por me vendim të Këshillit të Ministrave.

Masa që do t’i akordohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në dispozicion për shpërblime stimuluese të personelit dhe për investimet do të përcaktohet çdo vit nga ministri i Financave me urdhër të posaçëm. Për vitin 2015, të ardhurat tatimore janë parashikuar të rriten me 42 miliardë lekë, duke arritur nivelin 377 miliardë lekë.

 

Rënia

Me zbehjen e ritmeve të rritjes ekonomike, tregu i punës po shfaq dobësi, të shprehura si në rritje të papunësisë, ashtu edhe në frenimin e rritjes së pagave. Sipas anketës së forcave të punës, papunësia mesatare, për popullsinë në moshë pune, vitin e kaluar arriti në 15.6%, shifra më e lartë e shtatë viteve të fundit.

Këto shifra tregojnë se kërkesa e dobët konsumatore dhe rritja modeste e prodhimit kombëtar i kanë ulur stimujt për rritjen e punësimit dhe pagave në ekonomi. Një shenjë që nuk premton rimëkëmbje të shpejtë të punësimit është norma shumë e ulët e inflacionit, që gjatë gjithë këtij viti po qëndron poshtë objektivit të Bankës Qendrore dhe për Tetorin arriti nivelin 1.4%. Inflacioni në këto nivele nuk premton rritje të shpejtë të prodhimit, punësimit dhe pagave në ekonomi. Të dhënat e Instat tregojnë se dy sektorët me pagën më të lartë mesatare janë arsimi afro 59 mijë lekë dhe shëndetësia me afro 53 mijë lekë.

Ndër degët e ekonomisë ku mbizotëron punësimi në sektorin privat, pagën më të lartë e ka industria, me afro 50 mijë lekë. Paga më e ulët mesatare regjistrohet në sektorin e ndërtimit, me rreth 43,400 lekë.

 

Ulen depozitat

Në një kohë, kur qeveria po bëhet gati të rritë normën e taksimit të interesave për depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në bankë, rënia e normave të interesit ka ulur depozitat në lekë me 0.9% dhe depozitat me afat në valutë ulen 3.4%. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në raportin e politikës monetare të tremujorit të tretë, tregojnë se agregati i gjerë monetar M3 (para gjithsej) ka reflektuar ecuri të dobët të depozitave totale, me një rritje vjetore prej 1.5%, e ndikuar nga tkurrja e depozitave në lekë për 4 muaj radhazi. “Krahasuar me një vit më parë, depozitat në lekë janë 0.9% më pak. Në veçanti, gjatë muajve korrik dhe gusht, rreth 3 miliardë lekë të këtyre depozitave janë zhvendosur në depozita mbi dy vjet, të cilat nuk përfshihen në treguesit monetarë, shkruhet në raport.

Banka e Shqipërisë thotë se kjo sjellje është nxitur nga rënia e normave të interesit në maturitetet tradicionale. E njëjta sjellje vihet re edhe për depozitat në valutë, ku, si rezultat i rënies së ndjeshme të normave të interesit, depozitat me afat kanë shfaqur rënie vjetore prej 3.4%.

Gjithashtu, bën me dije Banka Qendrore, zhvendosje drejt depozitave pa afat apo atyre mbi dy vjet është vënë re edhe për depozitat në valutë. Rritja mesatare mujore e këtyre të fundit për periudhën korrik-gusht rezultoi rreth 2 miliardë lekë. Ndërkohë, depozitat në valutë, në total janë rritur me 5.2%, të mbështetura nga rritja e ndjeshme e depozitave pa afat.

Banka e Shqipërisë shprehet në raportin e politikës monetare të tremujorit të tretë se “niveli i parasë jashtë bankave mbetet i lartë edhe për muajin shtator 2014, duke mos shfaqur sezonalitetin e pritur, duke e çuar paranë jashtë bankave në 29.7% të M2 (pothuajse paraja: paraja jashtë bankave+depozitat me afat)”.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat në sistemin bankar kanë rënë me 2.9 miliardë lekë në muajin shtator, nga të cilat 1 miliard ishin nga depozitat në lekë dhe pjesa tjetër, 1.9 miliardë, ishte rënia e depozitave në valutë. Duke përjashtuar efektin e kursit të këmbimit, tkurrja mujore e depozitave në valutë ishte 6.4 miliardë lekë, duke mbajtur parasysh se efekti i kursit ishte i papërfillshëm.

Rënia e depozitave në lekë i referohet tkurrjes së depozitave të bizneseve dhe zhvendosjes së depozitave të individëve në maturitete më të lart se dy vjet. Sipas të dhënave të bankës, në muajin shtator, rritja e depozitave në lekë me afat mbi dy vjet e individëve ishte rreth 1 miliard lekë, ndërkohë që investimet e individëve në letra me vlerë mbeten të pandryshuara nga muaji gusht. Në krahasim me fundin e vitit 2013, depozitat me lekë, me afat, janë rritur me rreth 7.6 miliardë lekë, kurse investimet e tyre në letrat me vlerë të qeverisë janë rritur me rreth 8 miliardë lekë.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, ashtu si dhe Shoqata e Bankave, shpjegojnë se rënia e depozitave në valutë vjen nga tkurrja e depozitave të bizneseve, publike dhe private. “Gjatë muajit shtator, nuk ka pasur ndryshim të depozitave me afat mbi dy vjet apo rritje të investimeve në letra me vlerë në valutë të qeverisë. Në krahasim me fundin e vitit 2013, këto dy zëra janë rritur përkatësisht me 3.2 dhe 10.2 miliardë lekë”, – raporton BSH.

Sipas burimeve nga BSH, në terma vjetorë, rritja e depozitave u ngadalësua sërish në 1.4%. Rritja vjetore e depozitave në valutë u ngadalësua në 3.4%, ndërkohë që tkurrja e depozitave në lekë u thellua në 2.2%.

Lidhur me depozitat, sipas maturiteteve, Banka vëren se vazhdon spostimi i depozitave nga me afat në depozita pa afat.

 

 Konfindustria: Paketa fiskale rrit barrën e taksave, bie ndesh me ligjin për buxhetin

Konfindustria vlerëson se masat e paketës fiskale, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, do të jenë të pamjaftueshme për të mbështetur arritjen e synimeve të mirëpritura, të parashikuara në ligjin për buxhetin 2015, si rritjen ekonomike prej 3% të PBB, uljen e borxhit publik dhe deficitit buxhetor. Pengesë e ndjeshme për arritjen e synimeve të ligjit për buxhetin 2015 paraqesin edhe pengesat ligjore të paarsyetuara, për zhvillimin e industrisë së ndërtimit dhe industrisë së riciklimit.

Konfindustria shpreh shqetësimin, paraqitur zyrtarisht vendimmarrjes politike, se rritja e të ardhurave buxhetore, në kushtet e një fshehjeje fiskale të lartë, prej afër 50% të PBB, duhet të mbështetej – dhe ishte plotësisht e mundur – në miradministrimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo në politikën e rritjes së taksave dhe tatimeve, sikurse është parashikuar në tërësi në ligjin për buxhetin 2015. Rëndesa në vazhdimësi e barrës fiskale brenda 1 viti me 50% i tatimeve mbi fitimin, dividendin, të ardhurat personale, qiratë, etj., ul fuqinë konkurruese të ekonomisë shqiptare në rajon për investimet e huaja, rrit trysninë për shtim të evazionit fiskal, rrit kostot e prodhimeve vendore, ul fuqinë blerëse të konsumatorëve, nuk mbështet rritjen ekonomike dhe të ardhurat buxhetore të parashikuara.

Konfindustria mbështet disa prej masave fiskale të parashikuara në paketën shoqëruese të ligjit të buxhetit 2015, si p.sh ulja e rentës minerare dhe naftës për industrinë prodhuese vendore, paketa për bujqësinë, me kusht marrjen e masave shoqëruese për formalizimin e saj.

 

 Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë, një retorikë boshe

Dita e festës kombëtare, që festohet si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ofron mundësinë për të shikuar se në ç’nivel janë marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. Por, me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë politike për krijimin e një tregu të përbashkët Kosovë – Shqipëri, duket se marrëdhëniet ekonomike në mes këtyre dy shteteve mbeten simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare eksport – import, thonë ekspertët e çështjeve ekonomike. Sipas të dhënave kosovare të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, nga viti 2005 deri në vitin 2013, shuma e përgjithshme e importeve nga Shqipëria në Kosovë ka arritur mbi 581 milionë euro, kurse eksporti nga Kosova në Shqipëri kap shumën mbi 235 milionë euro. Numri i kompanive nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë është 689 kurse numri i të punësuarve të deklaruar është mbi 3000. Ndërkaq, numri i bizneseve kosovare që operojnë në Shqipëri është afër 400. Vlera e investimeve direkt nga kompanitë më pronarë shqiptarë të Shqipërisë në Kosovë është 104 milionë euro.

Ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se nëse merren për bazë shifrat në mes dy shteteve vërehet një rritje e vazhdueshme e shkëmbimeve tregtare, por në strukturën e këtyre shkëmbimeve nuk ka ndonjë përmbajtje që identifikon ndonjë ofertë të begatshme.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime dhe Studime “STRAS”, për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka forma të qarkullimit të kapitalit, investimeve të ndërsjella, por në shumicën e rasteve te shkëmbimet tregtare eksport – import dominojnë metalet, respektivisht hekuri mbeturinë (skrap).

“Sado që duket që numri i kompanive të Kosovës në Shqipëri apo e kundërta është i madh, më shumë është shifër që mashtron se sa prezanton realitetin e vërtetë. Me qenë se janë ndërmarrje të vogla nuk kanë ndonjë qarkullim dhe shpesh janë fiktive. Kështu që krejt ky bashkëpunim pa marrë parasysh betimeve qeveritareve, nënshkrimeve të dokumenteve nuk ka ndonjë nivel të avancuar”, thekson Rexhepi.

Bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë ekziston vetëm në aspektin politik, kurse në aspektin ekonomik paraqiten barriera të ndryshme, konsideron eksperti tjetër për çështje ekonomike, Milazim Abazi. Sipas tij, mungon vullneti politik i të dy qeverive që të rritet bashkëpunimi ekonomik. “Edhe qeveria e Shqipërisë por edhe ajo e Kosovës duhet të punojnë më shumë të hiqen barrierat formale që kanë në mes vete. Ne duhet të krijojmë patjetër një zonë të lirë doganore në mes Prishtinës dhe Tiranës zyrtare dhe t’i shkrijmë kufijtë ekonomikë në mes vete”, thekson Abazi.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi thotë se shkak i moszhvillimit të këtij integrimi ekonomik mbeten barrierat doganore në mes këtyre dy shteteve. Ai thotëse ambienti i biznesit duhet të jetë i njëjtë si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë, madje sipas tij, duke eliminuar të gjitha barrierat administrative, doganore dhe jo doganore. “Meqenëse për kundër të gjitha këtyre ‘mrekullive’ që flasin qeveritë e të dyja vendeve, ne kemi rastin kur bllokohen mallrat e Kosovës në rrugëtim të Shqipërisë apo edhe e kundërta. Çka do të thotë se nuk mjafton vetëm vullneti dhe deklarimi por duhet shumë në mënyrë operative të iu qasemi këtij problemi”, shprehet Rexhepi.

 

 Dyfishohet importi i qepëve, prodhimi kalbet në fusha…

Ndërkohë që tonelata me qepë të prodhuara në vend kalben dhe mundi i fermerëve barazohet me zero, vendi ynë dyfishon importin e këtij produkti. Qepa është produkti bazë që përdoret masivisht në gatim dhe që fermerët shqiptarë duke u favorizuar nga kushtet klimatike, kanë mundësi të prodhojnë për të përmbushur kërkesën vendase. Mungesa tregut dhe e një linje ambalazhimi ka bërë që shumë herë ky produkt të groposet pasi ka mbetur stok.

Edhe Ministria e Bujqësisë nuk ka investuar në ngritjen e magazinave frigoriferike për ruajtjen e tyre, pasi subvencionet më të mëdha janë përqendruar në mbjelljen e kulturave të reja. Nga ana tjetër shifrat zyrtare të këtij institucioni për 9-mujorin e vitit 2014, tregojnë thuajse një dyfishim të importit të qepëve në vendin tonë.

Konkretisht, për periudhën janar-shtator janë importuar 7.000 tonë qepë në vlerën e 270 milionë lekëve, nga 4600 tonë që janë importuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetë fermerët, kryesisht në Qarkun e Korçës, e kanë ngritur disa herë si shqetësim se tregtarët preferojnë të marrin prodhimet nga Kosova dhe Maqedonia, duke i lënë stok prodhimet vendase.

Kjo gjë përveçse dëmton së tepërmi financiarisht vetë fermerët të cilët nuk përfitojnë as koston e këtij produkti, dëmton gjithashtu edhe konsumatorët të cilët e blejnë atë më shtrenjtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency