Seanca/ Vjedhja e Bankës, Golemi dhe Ramohitaj kërkojnë veçimin e çështjes

0
119

Alma Çuka

 bsh 2Dyfishohet akuza për ish-guvernatorin. Shpërdorimit të detyrës i shtohet edhe abuzimi me tenderat. Dhjetë të pandehur pranojnë aktet e Prokurorisë. Prokuroria mbështet pjesërisht kërkesat e të pandehurve

 Të pandehurit e parë, akuzuar për “Shpërdorim detyre”, gjatë kohës që punonin në Bankën e Shqipërisë, ku si pasojë u grabitën nga Ardian Bitraj në një periudhë katërvjeçare 713 milionë lekë, pranojnë pjesërisht akuzat e Prokurorisë. Janë 15 të pandehur që po gjykohen në të njëjtin proces dhe me gjyqtar të vetëm Martin Dedën. Por nga këta 10 kërkuan gjykim të shkurtuar, tre nuk u shprehën fare për kërkesat dhe dy veçimin e çështjes. Bëhet fjalë për Elivar Golemin dhe Petrit Ramohitajn, të cilët kërkuan veçimin e çështjes nga pjesa tjetër e të pandehurve, duke pretenduar se nuk kanë lidhje me akuzat e ngritura. Ilir Dedja, Emiliano Lamçe dhe Mehdi Molla nuk paraqitën asnjë kërkesë para Gjykatës me qëllim përfitimin nga ligji. Bashkim Xhilaga në seancën e parë gjyqësore kërkoi ndryshimin e masës së sigurimit dhe gjykim të shkurtuar. Ai i tha Gjykatës se kishte probleme shëndetësore dhe nuk mund të qëndronte në kushtet e burgut, ku edhe ndihma mjekësore nuk është e nivelit të duhur. Pjesa tjetër e të pandehurve kërkuan gjykim të shkurtuar. Seanca e sotme ishte rezervuar vetëm për të shprehur kërkesat e tyre të pandehurit. Pas tyre, fjalën e mori edhe prokurori i çështjes Ramadan Troci, i cili ishte dakord pjesërisht për kërkesat e tyre. Prokurori ishte dakord me kërkesën e dy të pandehurve Elivar Golemi, ish-inspektorja e përgjithshme e Bankës së Shqipërisë dhe Petrit Ramohitaj, ish-përgjegjës i degës së Thesarit për veçimin e çështjes. Po kështu prokurori ishte dakord edhe me kërkesën e dhjetë të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ndërsa nuk ra dakord me mbrojtjen për të pranuar ndryshimin e masës së sigurimit për Bashkim Xhilagën, nga ajo e burgut në atë të shtëpisë. Tashmë është Gjykata ajo që do të shprehet për pranimin ose jo të kërkesave të të pandehurve. Kryesuesi i seancës Martin Deda, caktoi datën 4 dhjetor për t’i dhënë përgjigje pretendimeve të palëve në proces dhe më pas t’i hap rrugë shqyrtimit gjyqësor, i cili sapo ka nisur.

 

Fullani

Paralelisht me procesin gjyqësor ndaj 15 të pandehurve që janë dërguar në gjykatë, prokurori apo heton ish-guvernatorin Ardian Fullani. Dosjes së vjedhjes së bankës së Shqipërisë i është bashkëngjitur edhe ajo e tenderave të organizuar nën drejtimin e ish-guvernatorit. Prokuroria e përgjithshme konfirmon se Fullanit do t’i komunikohet akuza e shpërdorimit të detyrës me pasoja të rënda, ku sipas hetimeve të kryera rezulton se ish-guvernatori ka krijuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm për financat e shtetit. Të njëjta burime bënë me dije se në 6 tendera të zhvilluara në Bankën e Shqipërisë, Fullani është gjetur fajtor ndërsa dëmi ekonomik, përllogaritet në afro 3 milion euro, shifër kjo e cila është jashtë asaj prej 713 milion lekëve të deklaruara të vjedhura nga Ardian Bitraj. Me komunikimin e akuzës ish-guvernatori Fullani pritet të pyetet për herë të parë nga Prokuroria me pretendimet që ai ka, pas 5 muajve hetime. Me hetimet për dosjen e thesarit Prokuroria nisi procedimet ndaj 19 personave mes tyre ish-guvernatori, ish-inspektoria e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë si dhe ish-drejtori i Emisionit të Parave në Thesar. Por paçka kësaj ende grupi hetimor nuk ka arritur të hedhë dritë se ku përfunduan 713 milionë lekët të deklaruara të vjedhura prej Adrian Bitrajt ish-përgjegjësi i arkës për veprim në thesarin e bankës në Linzë. Së bashku me mbylljen e hetimeve ndaj Fullanit dhe dërgimin e dosjes në gjykatë Prokuroria konfirmon se ditët e para të dhjetorit në gjykatë do përfundojë dhe dosja për Adrian Bitrajn, Mimoza Bruzinë dhe nipin e Bitrajt, Klevis Betja. Ndërkaq, Gjykata e Tiranës ka zhvilluar këtë të enjte seancën e dytë për dosjen e Bankës së Shqipërisë ku 15 të pandehurit kanë dalë para Gjykatës, ku 10 prej tyre kërkuan gjykim të shkurtuar së bashku me ish drejtorin Dorian Çollaku, ndërsa ish-inspektorja Elivar Golemi kërkoi veçimin e çështjes nga të pandehurit e tjerë.

 

 Lezhë/ Pranga ish-shefit të Kadastrës, akuzohet për “Shpërdorim detyre”

Policia e Lezhës njoftoi gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme se vuri në pranga ish-shefin e Kadastrës së këtij qyteti. Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti bënë me dije se arrestimi u bë i mundur si pasojë e një punë operative disa mujore dhe si rezultat i një auditimi të kryer në institucionin që ka drejtuar për disa kohë. Shan Kol Gërdhata, vjeç 56, banues në Balldren, Lezhë, u arrestua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë pasi figuronte person në kërkim. Shan Gërdhata, ishte shpallur në kërkim për veprën penale të Shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Ai u kap në fshatin Balldren në lokalin e tij. Policia nuk jep detaje lidhur me akuzat, ndërsa shton se çështja i është referuar prokurorisë dhe të gjitha provat do të verifikohen.

 

 Elbasan/ Dhunon gjyshërit për pronat, arrestohet 19-vjeçari

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 19-vjeçar, pasi akuzohet se ka dhunuar fizikisht gjyshërit e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hajdaraj të Elbasanit, ndërsa sipas policisë, 19-vjeçari Alban Preçi ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy të moshuarve Xhemal dhe Rabije Preçi, pas një debati për shkak të një konflikti të hershëm pronësie. Pas dhunës së ushtruar, dy gjyshërit kanë denoncuar nipin në policinë e Elbasanit, e cila ka vënë në pranga Alban Preçin. Një vit më parë, policia arrestoi babain e 19-vjeçarit, Ilir Preçi, i cili për të njëjtin shkak ushtroi dhunë fizike ndaj dy prindërve të tij.

 

Lezhë/ Gega: Ja si na grabitën paratë me uniformë policie

Dy ditë pas grabitjes së bujshme në fshatin Kallmet të Lezhës, ku 3 persona të maskuar si policë arritën të marrin 10 milion lekë të vjetra dhe 2 mijë euro në shtëpinë e Kol Gegës, dalin të tjera detaje. I zoti i shtëpisë tregon se ata janë paraqitur tek dera si punonjës police dhe se makina e tyre kishte fenelinë. “Erdhën duke u prezantuar si punonjës policie me pretendimin se fëmijët e mi në emigrim kishin kryer një vrasje. Ata thanë se duhet të bënin një kontroll në shtëpi. Ne ua hapëm derën dhe i lejuam “të bënin detyrën”, – tregon Kol Gega. – Vetëm pasi u larguan pamë që mungonin të hollat”, – thotë ai. Në familjen Gega ishte deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, dhe kreu i kësaj force politike në Lezhë, Paulin Marku. Sipas tyre, krimi po gjen terren veprimi, pasi policia po arreston njerëz me vegla pune, ndërsa nuk arreston dot kriminelet. Nga ana tjetër, policia është shprehur se po ndjek këtë çështje me qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe vënien përpara drejtësisë të personave që grabitën qoftë edhe me uniformën e policisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency