Sot protesta/ Basha: Flasim me zërin e bashkuar të qytetarëve, në shesh kundër varfërisë dhe padrejtësisë

0
111

Erneta Shevroja

 Pas turit të takimeve me qytetarët, kreu i opozitës me të rinjtë për të dhënë mesazhin e protestës kundër keqqeverisjes

basha me te rinjteTakimin e fundit para protestës së sotme dhe thirrjen për pjesëmarrje të gjerë, kreu i opozitës zgjodhi ta bënte me të rinjtë. Kryetari i Partisë Demokratike u takua dje me dhjetëra të rinj për të dhënë mesazhin se sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbej” është “momenti historik për të bashkuar protestën e çdo shqiptari që po vuan nga keqqeverisja e Edi Ramës dhe Ilir Metës.” Sipas kryeopozitarit, të gjithë shqiptarët kanë arsye për të protestuar sot. Protesta, sipas tij, do të flasë me zërin e bashkuar të qytetarëve kundër papunësisë, varfërisë, mjerimit, rritjes së taksave, rritjes së çmimit të energjisë, të çmimit të naftës etj. Protesta e sotme, arsyeton Basha, do ta detyrojë qeverinë të zmbrapset nga “kursi i shkatërrimit të ekonomisë, të rritjes së taksave, të rritjes së energjisë elektrike, të rritjes së tarifave për studentët, të thellimit të varfërisë e mjerimit”.

Kryetari Lulzim Basha u shpreh se opozita nuk ka rrugë tjetër përveç të protestojë. Mbasi ka kryer takimet dhe bashkëbisedimet me qytetarët e qyteteve të ndryshme nga veriu në jug, Basha u shpreh se gjendja e tyre është shumë e vështirë. U mungon puna, nuk kanë ku të ankohen dhe qeveria nuk ka asnjë perspektiv për të përmirësuar jetesën e njerëzve të këtij vendi. “Në fakt, protesta është e vërteta e Shqipërisë, kudo nga Jugu në Veri. Njerëzit në qytete, në lagje, në fshatra, në sipërmarrje, në familje, aty ku mblidhen, ku flasin e bisedojnë, qajnë hallet me njëri-tjetrin, prekin shpirtin e protestës, flasin me zërin e protestës dhe të revoltës popullore. Kudo në Shqipëri ndihet mjerimi, hidhërimi, zemërimi, padrejtësia, ankesat, akuzat, për gjendjen e rëndë në të cilën po kalojnë sot shqiptarët. Në protestë është e gjithë Shqipëria. Në protestë janë qindra, mijëra qytetarë Shqiptarë, që kanë humbur vendet e tyre të punës dhe nuk kanë asnjë perspektivë për shkak të politikave brutale, shterpë dhe të gabuara të qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës”, – deklaroi kreu i opozitës. “Parimi i politikave të Ramës dhe Metës, sipas kryeopozitarit është “bjeri popullit, shtrydhi qytetarët. Eshtë një qeveri që i trajton njerëzit si skllevër dhe jo si pjesëtarë apo si bashkaksionerë në një shoqëri të drejtë ku gjithsecili merr një peshë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, – deklaroi Basha.

 

Kush duhet të protestojë, sipas Bashës

-Në protestë janë mijëra e mijëra që kërkojnë, kanë pritur dhe presin për vende pune dhe nuk shohin asnjë perspektivë me këtë qeveri.

-Në protestë janë qindra mijëra qytetarë që ndihen dhe janë të mashtruar dhe të braktisur nga premtimet elektorale të bujshme të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

-Shpirti i protestës ndihet tek të gjithë ata që nuk i harrojnë premtimet për 300.000 vende pune dhe nuk shohin asnjë shpresë, asnjë dritë në fund të tunelit. Nuk harrojnë premtimet për legalizimet falas por shohin goditje selektive, prishje selektive, legalizime selektive dhe korruptive. Premtime për shëndetësi falas e që paguajnë ditë për ditë fatura më të majmura e ryshfete, për gjënë më të shtrenjtë të njeriut, shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

-Në protestë janë fermerët që pritën më kot premtimin për subvencione dhe mbështetje dhe që sot po iu kalben produktet në fusha e që jo vetëm nuk nxjerrin dot bukën e gojës

-Në protestë të përditshme të shpirtit janë ato nëna të cilat me lot në sy e kanë ta pasigurtë bukën e gojës për fëmijët e tyre, ata baballarë që numërojnë kacidhet

-Në protestë të përditshme të shpirtit janë ata fëmijë, të rinj dhe të reja që janë prekur në gjënë e tyre më të shtrenjtë, në sigurinë, në shenjtërinë e vatrës, e shtëpisë, e familjes së tyre dhe që shohin dëshpërimin e prindërve të tyre që sa vjen e rritet pa asnjë perspektivë, pa asnjë shpresë, pa asnjë dritë në fund të tunelit për të ardhmen dhe për të nesërmen

 

 Selami: Protesta do të ballafaqojë Kryeministrin me zhgënjimin e popullit

Partia Demokratike do të ballafaqojë nesër Kryeministrin me realitetin e hidhur dhe zhgënjimin e thellë që ka krijuar në popull që pas 23 qershorit. Ky është thelbi i protestës që opozita do të mbajë në sheshin “Skënderbej”, në orën 12:00. Eduard Selami, në një intervistë për “News 24” u ka bërë thirrje dje qytetarëve pa dallim, veçanërisht socialistëve të zhgënjyer, të marrin pjesë në këtë protestë për t’i dhënë të kuptojë Kryeministrit se realiteti i premtimeve të pambajtura nuk është një telajo, të cilën mund ta fshijë kur nuk i pëlqen. “Ne do të jemi në shesh për qytetarët. Nuk i trembemi pushtetit kur të vijë koha, por tani do të ngremë zërin e qytetarëve, sepse në këto momente, më të zhgënjyerit janë socialistët e thjeshtë, të cilët kanë mbetur në rrugë për shkak të premtimeve të pambajtura”. I pyetur nëse PD-ja mbron shkelësit e ligjit, vjedhësit e energjisë, ndërtuesit e paligjshëm, Selami u shpreh: “Ne nuk jemi pro askujt që shkel ligjin, jemi parti e shtetit ligjor, por ne kundërshtojmë abuzimin me ligjin, sepse ky vend ka vuajtur nga kjo. Nuk mund t’u shkosh njerëzve në mes të natës, t’i terrorizosh, t’u presësh dritat se s’kanë paguar faturat, kur ata nuk kanë mundësi t’i paguajnë, sepse janë familjarisht pa punë. Nëse gjatë fushatës premtuan se nuk do të kishte rritje të çmimit të energjisë, atëherë si mund të gënjehen kështu qytetarët?!”, – tha më tej ai. Ndërkaq, Selami pohoi se Kryeministri ka një përqasje të kaluar ndaj realitetit. “Është mentaliteti i tij se realiteti është një telajo që mund ta fshijë kur nuk i pëlqen. Por jo, ai nuk mund t’u rrëshqasë përgjegjësive; Kryeministri nuk e sheh se rënia ekonomike po e paralizon ekonominë. Ndaj, nesër, pritshmëria është për një protestë masive, në të cilën ndoshta nuk do të jenë të gjithë qytetarët, por me mendje dhe zemër do të jenë aty dhe ata që nuk kanë mundësi të vijnë. Nuk pres të jenë 2 milionë, por ata do jenë të përfaqësuar”.

 

 Kryeministri ironizon: Protesto që drita të vidhet direkt nga ndriçimi publik

Kryeministri Edi Rama, ndonëse ka qenë i kufizuar në reagimet e tij për protestën e opozitës, dje nuk e ka shmangur një të tillë. Shefi i qeverisë, nëpërmjet një postimi që e kishte ilustruar edhe me një fotografi, ironizoi protestën e demokratëve, duke u shprehur se mbështet vjedhësit e energjisë dhe abuzuesit e ligjit. Fotografia paraqet një banesë me një shtesë të jashtëligjshme, ku është shfrytëzuar një llambë publike për të bërë ndriçimin. “Protesto që mos të prishen të tilla ndërtime në Tiranë dhe që drita të vidhet direkt nga “oxhaku” i ndriçimit publik!”, – ironizoi Kryeministri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency