Një nismë e vonuar për fasonet…

0
183

Ervin Kaduku

 –  Ndërsa vende si Serbia dhe Maqedonia përjashtojnë nga taksat për një periudhë nga 3 deri në 5 vjet çdo investitor të ri në sektorin me fason dhe që punëson më shumë se 300 individë

fasonettt_1 Nisma e qeverisë për kthimin në vlerën 5% të tatimit mbi fitimin në sektorin e prodhuesve me material porositësi është e vonuar në kohë. Këtë e pohojnë vetë operatorët në këtë sektor të tregut. Rishikimi i taksave për këtë sektor ishte parashikuar në paketën fason, të publikuar nga qeveria gjatë muajit prill të këtij viti, megjithatë tatimi mbi fitimin vazhdoi të mbetej 15%, ashtu sikur edhe për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, ku qeveria Rama “rilindi” me një taksë të sheshtë 50 për qind më të lartë se më parë, duke ndikuar në rëndimin e situatës së krizës ndër subjektet.

Kryetari i dhomës së fasonistëve, Gjergji Gjika, tha dje se fondi i krijuar nga kthimi i vlerës mund të nxisë punësimin, si edhe hartimin e politikave për zhvillimin e sektorit. Por Gjika thotë gjithashtu se, që sektori me fason të jetë konkurrues, qeveria duhet të zbatojë politika fiskale të njëjta me ato të rajonit. Pasi vende si Serbia dhe Maqedonia po tërheqin investimet e huaja.

Nisma e kompensimit të tatimit mbi fitimin konsiderohet si e vonuar në kohë, pasi në vendet e rajonit kjo taksë është në nivelin e 10%. Ndërsa vende si Serbia dhe Maqedonia përjashtojnë nga taksat për një periudhë nga 3 deri në 5 vjet çdo investitor të ri në sektorin me fason dhe që punëson më shumë se 300 individë.

 

Vendimi

Me anë të një vendimi të posaçëm, marrë në mbledhjen e së mërkurës, qeveria vendosi mbështetjen e sektorit privat të llojit fason, duke i rikthyer tatim-fitimin prej 5%. Fondi i krijuar përmes këtij vendimi prej 250 milionë lekësh, do t’i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndërkohë që shuma që do të derdhet në këtë fond do të përcaktohet në mënyrë vjetore nga Ministria e Financave, u njoftua zyrtarisht.

Risia tjetër e kësaj skeme është se ajo do të shërbejë si boshti i një iniciative më të gjerë, pasi synimi është që atij t’i shtohen të gjitha linjat e financimit nga donatorë të brendshëm e të jashtëm që operojnë në fushën e nxitjes së punësimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale.

Industria fasone është ndër më të rëndësishmet në vendin tonë, e cila punëson deri në 100 mijë persona.

 

Politika

Nisur nga një vëmendje e veçantë që ka shprehur LSI, si forcë politike, për sektorin e fasoneve, që punëson një numër kaq të madh qytetarësh shqiptarë në zona me papunësi të lartë, një përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionin për Ekonominë ka dalë këto ditë kundër vijës qeveritare, duke kërkuar që favoret e fermerëve për sigurimet shoqërore t’i përfitojnë edhe punonjësit e fasonëve. Duke iu drejtuar ministrit të Mirëqenies Sociale, Erjon Veliajt, deputeti Përparim Spahiu kërkoi që pjesë e amnistisë të ishte edhe industria fason.

“Falja e kamatëvonesave është kërkesë kryesore, por që nuk u mor parasysh në paketën fason”, tha Spahiu. Kjo ngjalli një reagim mospërfillës nga ana e anëtarit të kabinetit Rama. “Kemi bërë një ligj për faljen e kamatëvonesave që ka të bëjë me të vetëpunësuarit në fshat. Duke qenë se në industrinë fasone ata nuk janë të vetëpunësuar, por janë të punësuar, për sa kohë që rrogat paguhen, automatikisht paguhen edhe sigurimet, ndryshe quhet punë në të zezë. Jo vetëm s’e kemi bërë, por as s’ka qenë nevoja, sepse automatikisht dikush do të duhet të kishte shkelur ligjin. Me Inspektoratin e Punës, kur kemi pasur raste që kanë punuar në të zezë, kemi proceduar siç parashikon ligji”, deklaroi ministri Veliaj.

Qendrimi i distancuar ndaj industrisë fason u mbështet edhe nga kreu i Komisionit për Ekonominë, Erjon Braçe, i cili shprehu qëndrim kundër këtij propozimi nga LSI, duke argumentuar se qeveria e ka favorizuar biznesin fason, i cili po lulëzon në sajë të financimeve të shtetit.

 

 BSH, pesimiste për arritjen e shifrave të synuara këtë vit

Rezultati i dobët i aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë të vitit ka ndryshuar pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë mbi objektivin e rritjes ekonomike të këtij viti, prej 2.1%. Vlerësimet e reja të sugjerojnë se rritja ekonomike e këtij viti do të jetë lehtësisht mbi nivelin e regjistruar një vit më parë dhe më të ulëta se objektivi. Në gjashtëmujorin e parë të vitit ekonomia është rritur me 0.5 për qind, ndërsa në fund të vitit 2013 ekonomia shënoi një rritje vetëm 0.4%. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, kushtet monetare stimuluese, reduktimi i primeve të rrezikut, rritja e besimit të agjentëve ekonomikë dhe përmirësimi i ekonomisë botërore, pritet të mbështetin një rritje më të shpejtë gjatë tremujorëve në vijim. Gjithsesi, rreziqet që shoqërojnë këtë skenar mbeten në kahun rënës. Pasiguritë në lidhje me zgjedhjet që nisën që në zgjedhjet elektorale të vitit 2013 priten të veniten, si dhe priten hyrje të kapitalit të huaj nga institucionet financiare ndërkombëtare të cilat do të kanalizohen kryesisht në pagesat e borxheve të qeverisë ndaj sektorit privat.

Prodhimi bujqësor, duke supozuar kushte normale klimaterike, është projektuar të rritet çdo vit me mesatarisht rreth 4.4% për periudhën e ardhshme 2014-2017, me një kontribut mesatar në rritjen e PBB-së me rreth 0.9 pp në vit. Prodhimi industrial, duke përfshirë industrinë nxjerrëse dhe atë të prodhimit, parashikohet të rritet mesatarisht me 6.1% në vit për periudhën afatmesme 2014 – 2017, duke kontribuar mesatarisht me 0.7 pikë përqindje në vit në rritjen e parashikuar të PBB-së për çdo vit. Ndërtimi, për vitin 2014 parashikohet të vijojë me një rënie, ndonëse më e moderuar se vitet e shkuara, ndërsa parashikohet të kthehet në norma pozitive të rritjes për vitet 2015, 2016 dhe 2017. Mesatarisht ndërtimi parashikohet të rritet në terma reale me 1.5% gjatë vitit 2014-2017, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e përgjithshme të aktivitetit ekonomik me një mesatare prej 0.1 pp në vit. Shërbimet janë parashikuar të rriten mesatarisht me 2.7% në vit gjatë periudhës afatmesme 2014-2017, duke kontribuar mesatarisht me 1.4 pp në vit në rritjen e përgjithshme ekonomike. Kontributi kryesor pritet të vijë nga shërbimet e tjera. Tregti, hotele dhe restorante gjithashtu priten të kenë një kontribut në rritje gjatë gjithë horizontit kohor të ardhshëm.

Bazuar në parashikimet e mësipërme të kërkesës dhe ofertës agregate, skenari bazë i paraqitur parashikon një rritje reale të PBB-së prej 3.0% në vitin 2015, 4.0% në vitin 2016 dhe 4.5”% në vitin 2017.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency