Komedia në Preshevë

0
249

Josif Papagjoni

Shfaqja-Ku...-Cka...2Nga data 10 gjer në 15 nëntor në Preshevë u zhvillua Festivali i Komedisë, edicioni i 11-të, por edhe 20-vjetori qyshkur ai e nisi udhën. Çelja e këtij festivali përkoi me vizitën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe delegacionit që e shoqëronte atë nga Beogradi në Preshevë. Krejt media dhe syri i shqiptarëve tek ai qytet e Lugina mbarë, pas 68 vjetësh mungese, qe e drejtuar tek ardhja “historike” e një Kryeministri shqiptar në ato troje etnike. Teksa zbrisja nga hoteli drejt shtëpisë së kulturës së qytetit, “Abdulla Krashnica”, vura re rrjedhën e njerëzve që derdhej si lumë nga lart-poshtë drejt qendrës, ndërsa anash milicë të shumtë serbë, të vëmendshëm, korrekt e të ftohtë. Kamerat e vendosura nëpër shtyllat e elektrikut ishin syri dhe ankthi i shtetit fqinj që gjithçka të shkonte mirë, sidomos pas atij droni fluturues mbi stadium. Punonjës të tjerë të shërbimeve sekrete me kufje në vesh e rroba të ngjyrave të ndryshme më dukeshin të tensionuar, lëvrinin andej-këndej. Zura një vend pranë shtëpisë së kulturës me mikun tim prof. Nebi Islamin dhe si gjithë qytetarët dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës ndiem edhe ne “avullin” e atdhetarizmit brenda qenies sonë që s’dihet se si e se pse të pushton në kësi rastesh e të krijon një ndjenjë të mirë. E pra po atë ditë, pasi kryeministri u largua, turmën e madhe pritëse të shqiptarëve e zëvendësoi një tjetër “turmë”, tanimë ndryshe, të themi jo “atdhetare”, por “artdashëse”, jo jashtë në shesh por brenda në sallë: publiku i qytetit. Në këtë entuziazëm startoi pra edhe festivali i komedisë në Preshevë me shfaqjen e saj hyrëse, dramën e njohur “Emigrantët” të Slavomir Mrozhek të Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica”, me regji të Afeida Boriçi Mehmetit.

Paçka se kjo dramë është vënë në skenë rëndom nga trupa të ndryshme teatrore, gjithsesi u pa kujdesi për të sjellë relieve njerëzore në situata ankthi ekzistencial të dy personazheve, i pari një punëtor emigrant që gjithë kohës zhgërryhet në punë e kursen gjer edhe ushqimin duke ngrënë konserva qeni për të realizuar ëndrrën e tij, ngritjen e një shtëpie në vendin prej nga vjen, ndërsa i dyti një emigrant politik, shkrimtar, njeri i ideve, për të gjetur lirinë e munguar, atë të krijimit dhe atë të ndërgjegjes, të cilat në vendin e tij komunist, Poloni, i qenë privuar. Por, ani pse në një vend Perëndimor ku liria ekonomike e politike është e legjitimuar, të dy nuk e prekin dot lumturinë, përkundrazi po të dy janë të dëshpëruar, të parealizuar, dështakë, mjeranë, gati për t’i dhënë fund jetës së tyre. Po pse? Sepse motivet për të jetuar kanë shteruar, motivet që i japin qëllim njeriut dhe e përplotësojnë, që e lumturojnë atë. S’ka as kënaqësi, as lumturi, ka veçse ankth ekzistencial, çjerrje e utopisë dhe lumturisë së rrejshme; ka po aq një tjetërsim sfilitës si dhe një trishtim mortor. Këto theksa ideorë erdhën mirë nga shestimi regjisorial i Afeidës, që e trajtoi materien letrare, tashmë klasike të Mrozhekut, me delikatesë, jo dhe pa humor por i një gjuhe ky disi burleske, që mund të vetëpërmbahej për të ruajtur strukturën dhe stilin e vetë dramës si të tillë. Spikati në shfaqje posaçërisht loja dramatike e me spikama psikologjike e Musa Isufit.

Teatri i qytetit të Tetovës erdhi me pjesën satirike “Për pushtet jap…2”. Ishte një pjesë e strukturuar në një situatë rituali, që përsëritej nga episodi në episod, veçse duke e ngritur në një shkallë më lart postin në hierarkinë e pushtetit. Ideja e sundimit të administratës nga militantë të paaftë e të pashkolluar që blejnë diploma universitetesh e zënë karriget e shtetit, si dhe sherret gjer në marrëzi duke u gërgatur e rrahur për dreq njëri kundër tjetrit ishte produktive. Ajo arriti të dëshmojë një realitet që, për fat të keq, shfaqet si çiban i qelbëzuar në meset e klasës politike shqiptare në Maqedoni, por edhe gjetkë. Gjithsesi regjisori, njëkohësisht dhe autori i tekstit, Burhan Amiti, mund ta shmangte përsëritjen thuajse ritualistike të tekstit, sidomos të situatës së përsëritshme nga njëri te tjetri, duke u përpjekur për të futur aty ca më shumë ngjarje të një kahu tjetër, pasi gjetja fillestare konsumohet. Sakaq, e parapëlqyer për t’u luajtur nga aktorët në zhargon me qëllim për të vjelë më shumë humor, mendoj se herë-herë tipi i ligjërimit gjuhësor mund të ndryshonte gjegjësisht ngritjes së shkallës hierarkike të personazheve. Duhet thënë se shfaqja kishte shumë mëri e zemërim ndaj përçudnimeve të klasës politike dhe teprimeve të saj në hapësirën shqiptare në Maqedoni.

Teatri i Kumanovës erdhi me një tekst interesant të Ray Cooney “Mbledhje në parlament” me regji të Sulejman Rushtit. Publiku kundroi aty falë një rruge të tërthortë krejt pisllëkun që gjendet këmbëve të politikanëve të lartë anglezë, aferat politike, korrupsionin, zvetënimin moral, kurthet dhe prapaskenat e ndyra, sikundër shpotinë kundruall gjësendeve që përtej rëndomtësisë, bartin edhe cene e mangësi karakteri në personazhe të ndryshëm. Regjia ndërtoi një shfaqje energjike, plot ritëm, shpesh edhe me detaje e gjetje të bukura (kujtojmë lojën me kinse të vdekurin, trajtuar me një pantomimë plastike joshëse e me humor). Por ritmi ndonjëherë kthehej në vetëqëllim, duke zbehur pa dashje mundësinë e një perceptimi më të qetë të domethënieve e nënshtresave kuptimore të tekstit elegant. Është luajtur mirë me keqkuptimet e vazhdueshme, me ndryshimet e sjelljes së aktorëve që shkaktoheshin nga të papriturat, me ngacmimet erotike që krijonin një atmosferë të hareshme, por jam i idesë së mizanskena, ndoshta edhe për mungesën e hapësirës, shpesh krijonte papastërti, përplasje, hapje e mbyllje dyersh e dritaresh pa fund. Spikatën për lojën e tyre dhe realizimin e roleve origjinalë aktorët Musa Isufi (fitues çmimi), M. Abazi, Q. Nuredini, Sh. Islami etj.

“Trangullat” quhej pjesa e shkruar nga Jahi Jahiu vënë në teatrin “Dodona” të Prishtinës nga regjisori Agim Selimi. Një tekst që ndjek paradigmën letrare të çmitizimit, përzier me ngjyrime të spekulacionit folklorik, me përdorimin e të folurit në një zhargon të rëndë, duke realizuar një tallje gjithë mllef ndaj gjithë skotës së njerëzve të bjerrë që e tundin kartën e patriotizmit veçse sa për t’u gjendur në korin e përgjithshëm, por që në fakt, tinëz, bëjnë punë të mbrapshta, biznese fitimprurëse me pushtuesin serb dhe hajni të paskrupullta në kurriz të luftës çlirimtare. Shuplaka e autorit është vërtet e fortë dhe e pamëshirshme për gjithë këta krimba të kamjes përmes hajdutërisë dhe shtirjes prej patriotësh, duke qenë tinëzak e të rrezikshëm. Ndoshta këtu J. Jahia mund të hapte më shumë vend në tekst dhe peripecinë dramatike, e përfaqësuar nga i vëllai i heroit, një delenxhi i paskrupullt e një personazh i skalitur, me shumë mbartje mesazhore, duke rrudhur situata të panevojshme që shpesh përsëriteshin si ajo e raportit të biznesmenit me sekretaren apo të besuarin e vet, me qëllim që të kishim një zhvillim më të mbrothët të subjektit për ta thyer gjithsesi situatën pak a shumë të njëjtësuar fillim-mbarim. Nga pikëpamja regjisorisale, përpos punës së mirë që ishte bërë me aktorët dhe krijimin e karaktereve, si dhe disa mizanskenave me humor (skena e shkalles, pirja e çajit mbi tavolinë etj.), jam i mendjes se duheshin shmangur qëndrimet e përballshme me spektatorin pa ndryshuar një kohë të gjatë; po ashtu edhe shfrytëzimi i disa mundësive të ofruara nga dekori, siç qenë kutitë me “vaj”, me të cilat mund të krijoheshin mjedise të ndryshme për veprim e vendosje aktorësh.

Teatri “Metropol” u paraqit me dramën e Armando Borës “Ata vijnë pa trokitur”, i cili ishte edhe regjisor. Vlera e njëmendtë e shfaqjes besoj se qe loja mjaft e bukur e Alfred Trebickës, e një kahu emocional e me përbirime të thella e të vështira në psikën e tronditur të personazhit të tij. Fitues i çmimit të aktorit më të mirë, ai u shqua për një përjetim të thellë, i cili ndonëse në situata të skajshme ankthi e pritjeje për t’u arrestuar, nuk e humbte kthjelltësinë e veprimit, sidomos të marrëdhënies jo thjesht me partneren, por gjerësisht me gjithë komponentët që e krijojnë atë: situatën, kohën, procedeun dramaturgjik (atë që quhet edhe perspektivë e mendimit), ngjarjen posaçërisht. Aktori krijoi një lidhje të besueshme e të kahut dramatik me aktoren tjetër Rozi Kostani, e cila mundësoi një aktrim emocional, duke i bërë përgjithësisht të lexueshme motivet e brendshme të sjelljes, ankthin e saj, përjetimin dhe gjestin e kuptimshëm. Regjia përdori teknikat brehtiane në tëhuajtjen nga personazhi, ose vendosjen e tyre në funksion të personazheve të imagjinuar, fiktivë, qoftë dhe të atyre vetë por në tjetër status, ndonëse kjo teknikë nuk ishte e vijueshme dhe e shfaqur si koncept tërësor. Kam shkruar enkas për këtë shfaqje në faqet e kësaj gazete andaj dhe nuk zgjatem më tutje, duke mbetur i mendjes se motivet e ankthit, frikës, tmerrit, si dhe pritshmëritë e një arrestimi, mund të ishin edhe më të thelluara. Dëshira për ta universializuar tekstin e për ta sjellë semantikën e personazheve dhe situatës së tyre gjer në ditët tona, nuk u dëshmua me tregues të qartë tekstualë, sidomos teatrorë, më të drejtpërdrejtë, duke mbetur pra vetëm si dëshirë.

Teatri “Migjeni” i Shkodrës erdhi me një version të ri skenik të komedisë së mirënjohur të Oskar Uajlldit “Rëndësia për të qenë Ernesto”. Kryekreje më duhet ta them se shfaqja më la mbresë të mirë, së paku, në tri gjëra: së pari, pastërtia e lojës së aktorëve, duke sjellë figura të jetësuara brenda parametrave realistë, duke respektuar stilin e rafinuar të komedisë, duke u dhënë hov e sharm situatave lodërtare e plot kurthe komike, por pa e tepruar me to, përkundrazi duke e nënkuptuar humorin që buronte syresh natyrshëm e vetiu, në “udhën e vet”; së dyti, gjuha e shqiptuar brenda standardit të shqipes. Ishte hera e parë që nga aktorët shkodranë hasja në një shqipe të pastër e të bukur. Dikur kjo trupë ka vuajtur nga mungesa e përvetësimit të standardit të artikulimit të shqipes, por tani fjala rridhte bukur e hijshëm në gojën e aktorëve shkodranë. Dhe këtu vij te shkaku i tretë i pëlqimit, ndonëse jo i parametrit mirëfilli estetik e artistik: pjesëmarrja e artistëve të rinj me praninë e një fryme pse jo të re, të çiltër; pamë fytyra rinore, që edhe bukuri e freski i dhanë peformimit, sikurse edhe energji artistike. Jozef Shiroka e Sara Smaja, Nikolin Ferketa e Ina Morina, Simon Shkreli e Ergys Bamçi, krahas aktoreve me përvoje si Rita Gjeka, Merita Smaja dhe Enver Hyseni. Teksti i përkthyer bukuri nga Zef Zorba, mua më dha shijen e mirë të shqipes, e cila është plotësisht e aftë të rindërtojë struktura të ndërlikuara gjuhësore, jo thjesht leksikore por edhe sintaksore tejet të vështira të stilit letrar të Oskar Uajlldit. Shfaqja u vlerësua edhe si më e mira në festival.

Është e disata herë që jam në këtë festival të komedisë në Preshevë. Ndjehem mirë aty jo thjesht nga respekti dhe mikpritja e njerëzve tej e tej, por edhe sepse ndjej gëzim që aty, në atë qytet e ato vise përtej kufirit, bujtin artistët shqiptarë të gjithë hapësirës sonë Shqipëri-Kosovë-Maqedoni dhe garojnë me njëri-tjetrin, duke i dhënë preshevarëve kënaqësi estetike, kureshtje, por edhe krenari, sidomos të rinjve që mbushnin përditë sallën – këtë shpresë të pavdekur të qenësisë sonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency