Me dyer të mbyllyra/ Kërkesa zyrtare në ERE, çmimi i ri i energjisë me 12.32 lekë për KW

0
125

Ervin Kaduku

NEWS0491 –  Dje u zhvillua me vonesë të dukshme seanca dëgjimore e Entit Rregullator me përfaqësuesit e Shpërndarjes; kërkuan rritje 40 për qind!

Qeveria-pronare e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike paraqet kërkesë në ERE për rritje në masën 40 për qind të çmimit të energjisë, duke filluar nga viti 2015. Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë ka shqyrtuar dje me dyer të mbyllura kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes për ndryshimin e tarifave energjetike. Në mbledhjen e zhvilluar, u kërkua vendosja e një çmimi të ri në vlerën e 12.32 lekë për kilovat-orë, si edhe heqja e fashës së parë mbrojtëse prej 7.7 lekë për kilovat-orë. OSHEE ka argumentuar se funksionimi i sistemit me dy tarifa rrit abuzimet në rrjet.

Bien ë sy fakti se, edhe pse është pranuar shqyrtimi i kërkesës së OSHEE, ajo është dorëzuar me vonesë pranë ERE-s. Data e fundit për dorëzimin e rishikimit të tarifave nga ana e operatorëve ishte 15 shtatori dhe duket se këtë limit kohor e ka respektuar vetëm Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Bordi i Komisionerëve të ERE ka nisur procedurat e rishikimit të tarifave, ndërsa vendimi do të merret gjatë muajit dhjetor.

Në këtë mënyrë, Kompania e Shpërndarjes së Energjisë ka zyrtarizuar kërkesën për rritjen e çmimit që konsumatorët do të duhet t’i paguajnë asaj, duke nisur nga 1 janari i vitit 2015. Kërkesa e rritjes së çmimit të energjisë me 5 lekë më shumë ose 40% të çmimit aktual argumentohet nga kompania e shpërndarjes, si një mesatare, në mënyre që të gjithë abonentët të paguajnë njësoj, duke i dhënë fund kështu abuzimeve të mëdha. Aktualisht klientët familjarë paguajnë 7.7 lekë për kilovat orë nëse konsumojnë nën 300 dhe mbi këtë bllok çmimi është 13.5 lekë. Nëse bëhet mbledhja, çmimi mesatar pa fasha që do të duhet të paguajmë, duhet të jete 10 lek për kilovat-orë, pra më i vogël se ai qe kërkon OSHEE.

Disa javë më parë edhe Korporata Elektroenergjetike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë kërkuar rritje të tarifave që OSHEE paguan për energjinë që merr dhe linjat që përdor nga këto kompani.

 

Ndryshimi

Me heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kilovat-orësh, automatikisht 76% e familjeve do të paguajnë më shumë. Përllogaritjet për tre nivele konsumi familjar nxjerrin në pah se ato me konsum më të lartë do të paguajnë më pak se aktualisht. Një zhvillim i tillë rrezikon të nxisë konsumin, në një kohë kur të gjitha vendet e zhvilluara po synojnë të ulin konsumin e energjisë. Plani i qeverisë për të hequr fashën e mbrojtur prej 300 kilovat-orë në muaj dhe vendosja e çmimit mestar të dy tarifave aktuale, rrit automatikisht faturën mujore për të paktën 76% të familjeve shqiptare.

Raporti i fundit i Entit Rregullator të Energjisë i përket vitit 2013 dhe nënvizon duke e quajtur domethënës faktin se 76.3% e familjeve shpenzojnë deri në 300 kilovat-orë në muaj. Me çmimin e pritshëm prej 10-10,5 lekë për kilovat-orë, çdo familje që konsumon 300 kilovat-orë do të paguajë 840 lekë më shumë në muaj.

Në tri nivele të ndryshme konsumi të përllogaritura, vërehet se do të paguajnë më tepër shumica dërrmuese e familjeve. Kështu, me ndryshimet në çmim, edhe ato që konsumojnë 440 kilovat-orë energji në muaj do të kenë një faturë mujore mbi 550 lekë më të shtrenjtë. Ndërsa për një konsum prej 680 kilovat-orësh paguhen afërsisht 300 lekë më pak në muaj, krahasuar me tarifat aktuale.

Me planin për të hequr fashën, rëndohet ekonomikisht pjesa dërrmuese e familjeve, por nuk nxitet as kursimi i energjisë. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, vitin e kaluar shumë familje tentuan të mos konsumojnë më shumë se 300 kilovat-orë dhe numri i atyre që ulën konsumin për t’u futur brenda kësaj fashe u rrit me 1%.

 

Variantet

Nuk përjashtohet mundësia që presioni i opozitës dhe i qytetarëve të bëjë të mundur që ERE të mos miratojë kuotën e kërkuar nga OSHEE, por një variant më “të butë”. Atëherë, ka një numër varantesh. Nëse çmimi i ri do të jetë 8.5 lekë për një kilovat-orë, për familjet që ndodhen aktualisht në fashat e konsumit nga 200 në 600 kilovat-orë, krahasuar me skemën aktuale, barra rritet për familjet me konsum të ulët energjie dhe lehtësohet për ata që konsumojnë mbi 350 kilovat-orë në muaj. Për një familje me konsum 250 kilovat-orë, fatura rëndohet me 240 lekë në muaj, ndërsa për një familje, që konsumon 600 kilovat-orë ajo ulet me 1.512 lekë në muaj krahasuar me atë që paguhet sot.

Nëse çmimi bëhet 9.5 lekë, rritja për familjet me konsum të ulët është edhe më e fortë, ndërsa fasha e atyre që preken zgjerohet, duke përfshirë të gjitha familjet me konsum deri në 400 kilovat-orë në muaj. Mbi këtë nivel fatura ulet.

Në fund është varianti nëse Enti vendos që çmimi i ri të jetë ai i kërkuari: 10.5 lekë. Ky nivel çmimi e rrit shumë barrën për të gjitha familjet me konsum deri në 550 kilovat-orë në muaj dhe e lehtëson për ata që janë mbi këtë nivel konsumi. Për një familje që konsumon 300 kilovat-orë, rritja është 1.008 lekë në muaj, ndërsa për një tjetër me konsum 600 kilovat-orë, fatura ulet me 72 lekë në muaj.

 

Premtimet dhe realiteti

Mes të tjerash, shqiptarët duhet të kujtojnë premtimin e Kryeministrit Rama gjatë fushatës elektorale, për lehtësimin e faturës energjetike të familjeve shqiptare. Por, kjo po përfundon në një premtim fals.

Energjia e prodhuar në kaskadën e Drinit, në fakt, del me koston minimale prej 1 leku për kilovat-orë, por shqiptarëve kjo energji mendohet t’u shitet me 10.5 lekë. Për më tepër, konsumatorët, ndërsa do të paguajnë 10.5 lekë për konsumin familjar, do të vijojnë të paguajnë indirekt një çmim edhe më të lartë për institucionet buxhetore, të cilat financohen nga taksat e tyre. Nëse pi një kafe kudo në Shqipëri, brenda çmimit të asaj kafeje ke edhe koston e energjisë elektrike të harxhuar për të, plus, TVSH-në e energjisë. Në fakt, deri tani, sistemi me dy tarifa ka qenë gjithmonë politikë penalizuese për konsumin e lartë. Ky konsum në mënyrë paradoksale tani tolerohet, madje nxitet nga veprimi që pritet. A është një zgjidhje e tillë në një vijë me problematikën që po has sistemi në vend? Dhe, për më tepër, ku shkoi “vëmendja” e qeverisë “Rama” për të lehtësuar të varfrit dhe për të ngarkuar më të pasurit financiarisht? Më këto veprime synohet qartë të rritet barra për më të varfrit, të cilat janë ata që konsumojnë më pak energji elektrike!!

 

Gjashtë subjekte në garë për rivierën e Jugut dhe korridorin Tiranë-Durrës

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka hapur konkursin ndërkombëtar për rehabilitimin e vijës bregdetare të jugut dhe korridorin ekonomik Tiranë-Durrës.

Në fazën e parë të garës kanë marrë pjesë 30 skuadra, nga të cilat janë përzgjedhur 6 prej tyre, që kanë bërë prezantimet e projekteve përkatëse. Konkretisht për vijën bregdetare jugore, bëhet fjalë për rehabilitimin e segmentit të Orikumit, Sarandës dhe Himarës.

Në kushtet kur infrastruktura rrugore është e amortizuar dhe pa një plan të mirëfilltë zhvillimi, vënia në zbatim e projekteve fituese do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e turizmit dhe përmirësimi e jetesës për banorët e këtyre zonave.

Pas prezantimeve, juria në bashkëpunim me përfaqësues vendorë të këtyre zonave, do të bëjnë përzgjedhjen e projekteve fituese, të cilat më tej do të zbatohen në terren.

 

Panariti: Të angazhuar për t’u dhënë vlerë të shtuar eksporteve

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka marrë pjesë dje në takimin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Dhoma Britanike e Tregtisë me temë “Fuqizimi i fermave familjare”. Aktiviteti synon të theksojë rëndësinë e zhvillimit të Bujqësisë në Shqipëri; duke nxjerrë në pah një klimë mundësish mbi eksportin, investimet në këtë fushë, ndërgjegjësimin me fermat familjare dhe duke krijuar një mundësi për t’u bashkuar me palët e interesuara për të ndërtuar një platformë të përbashkët për zhvillimin e bujqësisë familjare. Gjithashtu të pranishëm në takim ishin: Kompani, organizata dhe sipërmarrës privat me interes në fushën e bujqësisë familjare, donatorët ndërkombëtarë si USAID, GIZ etj. Në fjalën e tij, ministri Panariti theksoi domosdoshmërinë për ndërtimin e infrastrukturës së domosdoshme, për t’i dhënë vlerë të shtuar eksporteve shqiptare. “Mendoj se për sa i përket klimës së investimeve, unë kam biseduar me Kryetarin e Dhomës, por edhe me përfaqësues të tjerë  të Dhomës së Tregtisë Britanike për mundësirat që kanë në Shqipëri për investimet britanike në fushën e bujqësisë dhe veçanërisht në fusha prioritare siç janë zgjerimi i sipërfaqeve me sera për kultivimin e perimeve të freskëta, natyrisht investime në pikat e përpunimit dhe grumbullimit për t’i dhënë vlerë të shtuar eksporteve bujqësore, pasi nuk ia vlen vetëm të eksportosh, por edhe të eksportosh më vlerë të shtuar, që është një gjë që akoma është e mangët dhe investitorët e huaj janë të ftuar, që në partneritet me institucionet publike të ndërtojnë infrastrukturën e domosdoshme për t’i dhënë vlerë të shtuar eksporteve shqiptare”, – tha ministri Panariti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency