Turi i takimeve/ Qytetarët, Bashës: Shkodra më keqë se kurrë, më 22 nëntor të ngrihemi të gjithë

0
115

Gëzim Saliu

“ Papunësi, taksa të larta, pasiguri dhe falimentim, qeveria na ka braktisur”

Basha ne ShkoderShkodra është në gjendjen më të keqe  të saj, ku mbizotëron papunësia, situata e rrënuar ekonomike dhe pasiguria fizike e individit. Kështu u shprehën qytetarët e ndryshëm shkodranë në takimet që zhvilluan me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, në kuadër të turit që ky i fundit po zhvillon në çdo qendër urbane. Banorët i shprehën kryedemokratit, shqetësimin e tyre për nivelin e lartë të papunësisë, braktisjen nga qeveria dhe gjendjen e vështirë që po kalojnë. Sipas tyre, ndërsa krimi kërcënon çdo ditë jetën dhe pronën , policia është e zënë me gjithfarë pune, përveç sigurisë së qytetarëve. Ndërsa të rinjtë shohin si të vetmen shpresë largimin nga Shqipëria, biznesi është gati të shpallë falimentimin për shkak të taksave të larta dhe gjobave korruptive. Mbështetur mbi të gjitha këto shqetësime, qytetarët shkodran i kanë bërë të ditur kreut të opozitës se protestat janë e vetmja zgjidhja e kësaj çështje, duke theksuar se më 22 nëntor pjesëmarrja e tyre në tubimin në Tiranë para kryeministrisë do të jetë e lartë.

 

Reagimet

Në cdo zonë të qytetit, ku kreu demokrat ndaloi në takimet e tij në Shkodër, qytetarët shprehnin shqetësimet e tyre për probleme të ndryshme që janë shfaqur gjatë këtij viti. “Nuk e mbajmë mend ma keq se këtë vit. Ky popull  asht duke shku poshtë e ma poshtë përditë”, tregoi një shkodran. “Përnatë e lusim Zotin, ishalla s’njehim në nade çfarë hallesh e stresesh kena. Pa drita, pa dreq, pa bukë, veç vijnë e kërkojnë lek, lek, lek, lek, lek. Ku me i marrë?!”, theksoi një tjetër qytetar. Shqetësimet e qytetarëve kishin lidhje edhe me aksionin e prishjes së ndërtimeve të INUK, ku një prej tyre pohoi se,: “Ai po na çmend, po na ban me zemër, me tension, tuj prish tana shpiat e Shkodrës e te tan Shqipnisë. Ai veç tuj ba qef për vete e tan ai grupi i vet”. Mes të gjithë banorëve, nuk mungoi thirrja për tu ngritur në protesta, duke e cilësuar këtë mjet si të vetmen formë reagimi ndaj mazhorancës, e cila sipas tyre po keqqeveris vendin. “Po si populli nuk çohet në kamë, se nuk ka ba kush ça po ban ky. Këtu nuk shifet kurrfarë perspektive për mirë”, tha një shkodran. “Tashi ky don me na çu edhe dritat, edhe taksat e duqanit, edhe taksat e makinave, e don me na çu gjithçka. Ky vetëm kur të dojnë të na varin….. Duhet me u çu tan populli e këtij duhet me ia ba sikur ia kane ba në ’91”, u shpreh i revoltuar një tjetër qytetar. Ndërkaq në zonat rurale, banorët pohuan se nuk kanë marrë asnjë subvencion, ndonëse iu është premtuar kjo gjë në fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit nga ana e Partisë Socialiste. Disa prej tyre theksuan se u kanë ndërprerë dhe shkollën fëmijëve, pasi nuk kanë asnjë mundësi financiare për ti çuar në shkollë.“Kërkon drita, kërkon taksa, kërkon ujë, kërkon tana po ai a ka ndonjë detyrim ndaj nesh?!”, tha një qytetar që priti Bashën në takimin e tij në këto zona. “Unë jam vetë i 6-të pa punë, pa asigja në botë. Ça me ba?! Me u çu në protestë e me i lujt pipat dhe me i ba ça të mundena”, apeloi një qytetar tjetër në këtë zonë. Ndërsa një banor, duke komunikuar me kryedemokratin nënvizoi se,: “sot të jesh i bindur se 30% e kësaj popullsie po bahen gati me marrë azil në Gjermani, në Francë e kudo”. Mbështetur mbi të gjitha këto shqetësime e probleme të ngritura, qytetarët shkodranë theksuan në takimin me kreun e PD-së së protestat nuk duhet të ndalen derisa edhe qeveria të ndryshojë politikën e saj ose ndryshe nëse nuk vepron në këtë formë, ajo duhet të largohet nga pushteti pasi sipas tyre asnjë nga premtimet e fushatës elektorale nuk është përmbushur.

 

Sindikatat i bashkohen/ Nga 22 nëntori nis në Tiranë vala e protestave, do të shtrihet në çdo qytet

Bashkimi i Sindikatave ftoi dje qytetarët që të bëhen pjesë e protestës së 22 nëntorit në Tiranë, kundër rritjes së çmimit të energjisë, mosrritjes së pagave dhe pensioneve dhe vendosjes së taksave të reja. Kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja tha se nga 22 nëntorit do të zhvillohen protesta masive në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Sindikalistët të ciëlt do të mbështeten në prostetën e 22 nëntori nga opozia, deklaruan se janë edhe kundër rritjes së moshës së daljes në pension. Sipas tyre, qeveria nuk ështëkonsultuar me grupet e interesit per asnjë nga vendimet që ka marrë. Prej diaa ditëësh ën turine e takimeve të zhvilluara në qytetate, kryedemokrati Basha i ka bërë thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e protestës më 22 nëntor. Dy ditë më parë, demokratët nisën përgatitjen për një protestë sa më të fuqishme para kryeministrisë, ku kryedemokrati mblodhi deputetët dhe krerët e degëve të Partisë Demokratike, për të marrë masat e organizimit. Mësohet se demokratët dhe qytetarët shqiptarë do të protestojnë më 22 nëntor, jo vetëm kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por edhe kundër rritjes së taksave, papunësisë, pasigurisë së rendit në vend dhe rrënimit të ekonomisë së tyre. Prej kohës,  PD-ja ka paralajmëruar se do të mbështesë çdo iniciativë të qytetarëve për protesta, pasi kjo sipas opozitës është rruga e vetme për të kundërshtuar qeverisjen e deritashme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency