Rrëfimi i Ramës/  E vërteta e drekës me Vuçic, pse do i jepja sërish çelsin Bregovicit

0
145

Kryeministri: Jemi të gatshëm të ulemi me PD-në, nëse do ketë ministër që fut duart ë xhepat e shqiptarëve do të duhet të arrestohet e burgoset

edi rama ke top story sokol balla nentor 2014Kryeministri i vendit Edi Rama komentoi dje në emisionin “Top Story” në TCH të gazetarit Sokol Balla vizitën e tij dy ditore në Beograd, ku foli edhe lidhur me drekën me kryeministrin Vuçic. Po ashtu, kreu i qeverisë foli edhe lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje me PD-në, për deklaratat e kryeprokurorit për hetimet ndaj ministrave dhe ish-ministrave si edhe për aksionet e policiësë për ndërtimet pa leje dhe vjedhjen e energjisë

 

Shumica e ka quajtur një dron të dytë, por u duk që deklarata solli befasi dhe zemratë tek Vuçiç, por ka patur zëra edhe në Shqipëri nëse ishte e nevojshme një deklaratë e tillë në këtë moment?

Ata që pyesin a ishte e nevojshme do t’u thoja, parafytyroni vetëm që një Kryeministër i Shqipërisë shkon në Beograd pas 68 vjetësh dhe në konferencën e shtypit duke përmendur Kosovën, çfarë do thoshte?!

 

Reagimet e para të fjalëve të Vuçiç në konferencën për shtyp, linin të kuptohej se ai ndjehej jo vetëm i provokuar, por edhe i fyer, gati-gati si i prerë në besë. A ishte Kosova pjesë e bisedës kokë më kokë për gati 1 orë që ju patët me të?

Dikush ma bëri këtë pyetje dhe citoi kryeministrin serb të prerë në besë. Unë di që besa është një institucion shqiptar, nuk e di që e kanë edhe serbët. As kemi dhënë ndonjë besë, as mora besë kështu që nuk preva njeri në besë. Do ishte prerje në besë e shqiptarëve që unë në Beograd të mos bëja atë apel që bëra dhe është shumë e habitshme kjo pjesa që ata ndjehen të provokuar dhe po ta shikojmë është një institucion viktimologjie që serbët e kanë ngritur ndër vite. Kanë folur si të provokuar edhe kur bënin hatara, ndjehen të provokuar kur shikojnë një flamur, kur shikojnë një zog, kur shikojnë kryeministrin e një vendi tjetër që thotë atë që mendon. Unë besoj që koha e provokimeve ka mbaruar dhe këto sjellje i përkasin të shkuarës.

 

Pas konferencës ju vazhduat me një pjesë të delegacionit, hëngrët drekë bashkë. Na thoni diçka më shumë se më thanë që gjërat ishin qetësuar andej nga fundi?

Nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë prova që nuk është e pamundur që të diskutojmë në cështje konkrete edhe pasi ndodh ajo që ndodhi që për serbët u pa dhe u jetua si një hata e madhe, ndërsa për mua është absolutisht bërja e detyrës nga ana ime dhe thënia e një të vërtete që edhe kur dhemb bën mirë. E vërteta është një ilaci i hidhur, por shëron, gënjeshtra e ëmbël por të sëmurë.

 

Deklarata juaja për Kosovën dhe Preshevën, janë konsultuar me Ministrin e Jashtëm, për më tepër me partnerët tanë ndërkombëtarë?

Ne kemi për cdo cështje të kompetencave të qeverisë një kulturë pune në skuadër dhe për vizitën është punuar në skuadër. Ministria e Jashtme ka mbajtur barrën kryesore të përgatitjes së vizitës, ashtu si dhe gjithë pjesët e tjera të lidhura me sigurinë dhe padyshim që nuk është se ishte një fjalë e improvizuar, por e menduar e konsultuar dhe e shkruar në cdo fjali me vetëdijen më të plotë. Me ndërkombëtarët nuk kemi patur pse të konsultohemi sepse nuk shkova aty si Sekretar i OKB-së, por si Kryeministër i Shqipërisë.

 

Deklarata e Lisbonës e Fatos Nanos se Kosova duhet të jetë në një shtet me kryeqytet Beogradin, në takimin e Kryeministrit të asaj kohe, Nano me Sllobodan Millosheviç.

Së pari në rast se i referohemi një deklarate duhet edhe konteksti i një kohe, kohë që janë të  lashta në historinë që lëviz me një shpejtësi shumë të madhe. Një deklaratë e bërë në një kohë kur Kosova Republikës si shtet i pavarur ishte një opsion që nuk ishte një i hapur dhe i vendosur përballë palës tjetër as në Kosovë. Jemi në kushte të tjera. PS në histori, historia do të tregojë shumë gjëra që sot nuk janë të ditura. Ka qenë një mbështetje aktive e clirimit dhe e pavarësimit të Kosovës.

 

Në emër të koherencës, nëse do të ishit sot, do t’i jepnit çelsin e Tiranës Goran Bregoviç?

Po

 

Për çfarë arsye?

Për të njëjtën arsye që e kam bërë që s’ka lidhje me ato që u thanë por me ato që ne jemi. Pse jemi sot më mirë se ç’kemi qenë ndonjëherë në këtë rajon ku historikisht jemi parë si qënie të dorës së dytë dhe thellë-thellë mospajtimi i të tjerëve, dhe posaçërisht i mikpritësve tanë lidhet me faktin që ju duket çudi që shqiptarët nuk janë më ata që kanë qenë dhe që akoma më keq janë parë sikur kanë qenë. Ne si komb, si popull, kemi arritur të jemi në lartësinë e disa vlerave dhe parimeve që na kanë sjellë këtu. S’kemi kërkuar asnjëherë atë që nuk na takon dhe kemi bërë dallimin mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalisti është dikush që e do shumë vendin e vet, por që urren të tjerët. Patrioti është dikush që do vendin e vet, por do edhe të tjerët.

 

Shumica nuk donte të thoshit ato që thatë…

Shumica ka qenë kundër ose skeptike dhe pjesa që thoshte ‘duhet shkuar’ ishte pakicë. Ka raste kur shumica është pro dhe kundër, por rëndësi ka që të bëjë atë që duhet dhe jo të ndjekë humoret e momentit. Nuk është kështu siç thoni ju.

 

Megjithatë, thuhet se kur rritet nacionalizmi, kjo bëhet për të anashkaluar situatën e dobët ekonomike…

Prisni pak, se përmendët Luizën. Luiza ka ardhur tek unë atë ditë dhe jemi takuar pak pas mesditës, kemi biseduar për atë që ndodhi dhe më ka thënë se ‘do të jap dorëheqjen’. Deri në atë moment që ma ka thënë, as ka pasur idenë se çfarë po thuhej në rrjete sociale apo ku di unë se çfarë. Por më ka shpjeguar se e shihte këtë si rrugën për të mos lënë asnjë alibi apo shteg për abuzim në funksion të procesit të drejtësisë. Besoj se kjo e vërtetë vlen të përsëritet për të respektuar një nënë fatkeqe dhe një familje fatkeqe. Ndaj tyre u hodh padrejtësisht baltë, ndërkohë që djali meriton ndëshkim shembullor për atë krim makabër. Nuk mund t’i hidhet baltë një gruaje që kontribuon në këtë shoqëri dhe një familjeje që jeton në kushte shumë modeste nga të ardhurat e një krijimtarie, në një apartament të kohës së vjetër. E them këtë pasi ndihem i fyer për reagimet që nuk janë të denja për një shoqëri që i thotë vetes ‘europiane’ e ku përgjegjësitë janë të ndara qartë.

 

Përdorimi i gjithë atyre forcave të policisë ju duket normale?

Po për çfarë është policia? Për të ngrënë fara, për të marrë ryshfete dhe për të pirë birra? Provoni hidhni një lopatë llaç në Paris, por ju vjen menjëherë policia dhe atje ju fusin jo në komisariat, por në çmendi. Ju thoni për shtet policor, shtet policor për çfarë? Kush do t’i mbrojë njerëzit që respektojnë ligjin? Ç’taksirat kanë njerëzit që nuk futen dot në shtëpi pse iu ka dalë mamuthi i lagjes dhe iu ka zënë rrugën? Kjo do të vazhdojë dhe është për turp për mënyrën se si opozita bëhet zëdhënëse e atyre që kanë ndërtuar pa leje në zemër të autostradës. Si mund të pranojmë ne të vazhdojmë me këtë Shqipëri të rrugëve me aksidente? Ishim në Serbi për shembull, nuk ekziston që të ecësh në rrugë dhe të të futen nga të katër anët njerëz e makina për shkak të ndërtimeve pa leje. Dhe ata thonë pse i prishim! Ata kanë bërë krimin që i kanë lejuar një pejsë dhe që tani duhen marrë taksa për t’i shpronësuar.

 

Para një jave kisha në studio kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili tha se po heton intensivisht një ministër të qeverisë tuaj dhe se rezultatet e hetimit do bëhen publike. Jeni në dijeni të kësaj dhe ç’do bëni nëse ndodh?

Nuk jam në dijeni të kësaj. Por mund t’ju them se jo vetëm që nuk do ta ndaloj, por do mbështes çdo veprim të prokurorisë për t’i vënë prangat çdo zyrtari të lartë, i djeshëm apo i sotëm, nëse e ka bërë veten për të shkuar prapa hekurave. Sepse kështu nuk shkohet më. Përgjegjësia është vetjake. Një ministër duhet të ndihet i nderuar që ka shansin t’u shërbejë njerëzve, por nëse e përdor detyrën për të futur duart në xhepat e njerëzve, sigurisht që meriton të hetohet, arrestohet dhe të burgoset.

 

Një koment për thirrjet e opozitës për protesta masive, sidomos kundër rritjes së çmimit të energjisë…

Shqiptarët e kanë shumë të freskët kohën kur opozita e sotme ishte në pushtet dhe ditën kur mezi pritën të kishte zgjedhje të lira, që t’i mbushnin kutitë me një votë qartësisht për ndryshim. Problemi ynë është se ne nuk kemi opozitë. Ne kemi dy qeveri: një të zgjedhur nga populli dhe një të hequr nga populli, që sillet si qeveri në mërgim, nuk merr pjesë në Parlament dhe lufton regjimin me deklarata. Mungon vetëm Radio Londra për të dhënë intervista dhe të hyjnë aleatët që të largohet qeveria këtu. Thonë se nuk pranojmë komisionet hetimore, ua kemi dhënë siç i donin, vendet i kanë të lira, le të vijnë. Pastaj thonë ‘nuk vijmë sepse na rrahën’, është një ngjarje e shëmtuar për të cilën janë marrë masa. Në atë Parlament janë vrarë e janë thyer dhëmbë. Kjo i ka ndodhur njërit që sot është në opozitë. Prokuroria ka vënë nën akuzë një deputet të shumicës dhe prokuroria po punon. Tani, çfarë duan këta, që ne të pushkatojmë deputetët? Flasin për të inkriminuarit, i kemi thënë ejani nëse keni një propozim konkret për të bërë një ligj të veçantë për njerëzit që kandidojnë, të marrim një zotim apo diçka tjetër. Por jo. Çdo deputeti që futet në PS, natyrisht atyre të rinj dhe jo veteranëve, i është kërkuar dëshmia e penalitetit. Ajo që kanë bërë në të kaluarën nuk është puna jonë, por ne jemi gati të ulemi me ta. Ata thonë jo, mirë. Shkojnë dalin tek ndërtimet selektive, ato janë ndërtime që i kanë hipotekuar këta pas zgjedhjeve, kur po iknin. I kanë hipotekuar me lekë, se ndryshe s’bëhej.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency