Komentet dhe analiza/ Mediat e huaja: Kosova përplas Shqipërinë dhe Serbinë

0
139

Mediat ndërkombëtare në pasqyrimin e takimit janë përqendruar tek momenti i konferencës mes dy liderëve, Rama dhe Vuçiç, dhe tek përplasja për shtetin e Kosovës

VUCIC I RAMAMediat ndërkombëtare i kanë kushtuar hapësirë takimit pas 68 vitesh të dy kryeministrave,shqiptar dhe serb. Elementi që i bashkon të gjitha shkrimet është fakti që të gjithë e kanë cilësuar përplasjen për Kosovën si një incident diplomatik. Gazeta prestigjioze amerikane “The Washington Post” ka shkruar se dy rivalët e Ballkanit e kanë pasur të vështirë për të shkrirë akujt mes tyre. “Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u angazhuan për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet mes tyre dhe të fokusoheshin në dëshirën e përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por shkrirja e akujve mes dy rivalëve të Ballkanit nuk zgjati as deri sa konferenca e përbashkët për shtyp”. Në vijim agjencia e lajmeve ka evidentuar marrëdhëniet e tensionuara “për dekada të tëra, kryesisht mbi Kosovën, të cilën Serbia e konsideron si djepin e shtetësisë dhe fesë së saj dhe asnjëherë nuk e ka pranuar pavarësinë e saj”.

“Washington Post” shton më tej se deklarata e Ramës se “pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se sa më shpejt të njihet, aq më shpejt ne mund të ecim përpara”, ndezi një reagim të fortë të Kryeministrit serb Vuçiç. “Unë nuk e prisja këtë provokim”, – reagoi me zemërim Vuçiç, shkruan “The Washington post”. “Ç’lidhje ka Shqipëria me Kosovën”. Kosova nuk është pjesë e Shqipërisë dhe kurrë nuk do të jetë. Realiteti është se Kosova është pjesë e Serbisë”, – citon prestigjiozja amerikane për reagimin e kryeministrit serb, pas fjalës së Ramës. Në vijim, “The Washinfton Post”, citon fjalën e kryeministrit Rama që u shpreh se Tirana nuk do të ndihet e provokuara nga asnjë deklaratë të Vuçiçit në rast se ky i funfit i përgjigjet pozitivisht ftesës së homologut shqiptar.

“Kosova qëndron në mes në takimin historik të dy udhëheqësve”, me këtë titull “Reuters” ka shkruar për takimin e dy kryeministrave. “Lideri serb e ai shqiptar përplasen për Kosovën. Konferenca u kthye në një përplasje televizive. Serbia e konsideron Kosovën djep të kombit, ndërsa vizita e Ramës shënohet 68 vjet pas asaj të ish-liderit komunist Hoxha”, – shkruan “Reuters”. Në vijim “Reuters” është përqendruar në bisedën e tensionuar mes dy liderëve për realitetin që lidhet me pavarësinë e shtetit të Kosovës. “Serbi-Shqipëri: përplasje mes Ramës dhe Vuçiç për Kosovën”, – shkruan agjencia italiane e lajmeve “Ansa” në versionin e saj online. Për “Ansa”-n, konferenca e shtypit mes dy kryeministrave në Beograd, ishte një incident diplomatik, “pavarësisht se vizita e Ramës është historike”. Agjencia italiane më pas raporton se deklaratat e Ramës për Kosovën, ndezën reagimin e ashpër të Vuçiç për deklaratën e bërë sipas tij nga kryeministri shqiptar për Kosovën.

Agjencia britanike e lajmeve “BBC” në shkrimin e saj shkruan se edhe pse ky takim ishte parashikuar si një rast për të shtensionuar situatën që u shkaktua në ndeshjen e futbollit në 14 tetor, kjo nuk ndodhi. Ajo vë në dukje se kjo vizitë historike është parë si një përpjekje për të lënë mënjanë ndasitë pas ndërprerjes së ndeshjes së futbollit të 14 tetorit, por gjakrat u ndezën kur Rama tha se pavarësia e Kosovës ishte e pamohueshme dhe duhet të respektohet dhe kur kryeministri serb u përgjigj se ky ishte provokim.

Po në këtë pikë janë përqendruar edhe media të tjera të huaja. Kështu, e përditshmja turke “Hurriyet” në titullin e saj thotë: “Kryeministrat shqiptaro-serbë përplasen për Kosovën gjatë një vizite historike”. Në vijim ka pasqyruar deklaratat e tensionuara mes dy kryeministrave lidhur me realitetin e shtetit të Kosovës. Britanikja “ABC News” në titullin e saj kryesor shkruan se tensionet mes Shqipërisë e Serbisë nuk janë zbehur dhe kjo u vërtetua gjatë konferencës për shtyp të dy kryeministrave. “Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë u zotuan të hënën të linin mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për t’u përqendruar në dëshirën e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por qetësia midis dy palëve ballkanikë nuk ka zgjatur as sa një konferencë për shtyp”. “Vizita historike e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd u shndërrua në një duel verbal mes tij dhe Vuçiçit. Më së shumti mosmarrëveshje kishte rreth çështjes së Kosovës”, – shkruan “Deutsche Welle”, duke vijuar se të dyja palët shpresonin të përdornin këtë takim për të hapur një kapitull të ri në marrëdhënien e tyre të trazuar, por që një gjë e tillë qartësisht nuk ndodhi.

 

Thaçi: Tani e tutje nuk do të ketë moskomunikim mes vendeve

 Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar vizitën e homologut të tij në shqiptar në Serbi si një hap të menduar mirë si dhe reflektim nga ana e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. “Mendoj se është një mesazh edhe për krejt rajonin se nuk do të ketë tani e tutje moskomunikim të vendeve të ndryshme apo të kryeministrave”, – deklaroi Thaçi. “Vlerësoj se përmirësimi apo ndërtimi i raporteve normale ndërshtetërore Shqipëri-Serbi është reflektim edhe për frymën evropiane euroatlantike të rajonit. Shqipëria si vend i NATO-s natyrisht ka përparësitë e veta në këtë drejtim. Kështu që unë shpresoj dhe inkurajoj edhe kryeministrin Rama, edhe kryeministrin Vuçiç që me angazhimin e tyre të tregojnë rolin e tyre që ju takon edhe për vendet e tyre, por edhe për rajonin në përgjithësi”, – u shpreh Thaçi.

 

Vizita, Fajon: Hap i guximshëm për të ardhmen e rajonit

 Deputetja sllovene e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, e ka cilësuar vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd historike dhe si një hap i guximshëm për të ardhmen e sajonit. Në një postim në rrjetin social “Twitter”, eurodeputetja Fajon shkruan: “Vizita e Ramës në Beograd është historike dhe një hap i guximshëm për të ardhmen e rajonit. Përshëndes vizitën e Kryeministrit Rama në Serbi”, – shprehet Fajon.
Bostinaru: Moment historik për të dy vendet

Zëvendëspresidenti i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Victor Bostinaru, e ka cilësuar vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Beograd, si historike për të dyja vendet. Vizita sipas Bostinaru, është një hap shumë i rëndësishëm për paqen e gjithë rajonit. “Unë mirëpres vizitën në Beograd sot, të kryeministrit, Edi Rama. Ky është një moment historik për të dy vendet, Shqipërisë dhe Serbisë, dhe një hap i rëndësishëm drejt pajtimit të gjithë rajonit. Ballkani Perëndimor ka nevojë për bashkëpunim dhe stabilitet dhe kjo mund të arrihet vetëm me vullnetin e fortë të këtyre dy aktorëve relevantë rajonalë, Shqipërisë dhe Serbisë. Unë besoj në vullnetin dhe guximin e kryeministrit Rama”, – theksohet në deklaratën e Bostinaru.

 

Zëdhënësja e Ashton/ Koçijançiç: Vizita e Ramës pikë kthese për dy vendet

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi përbën një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve.  Kështu deklaruar mbrëmjen e djeshme Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE Federica Mogherini, për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.  “Ne presim që dy liderët të tregojnë vendosmëri dhe kurajo politike për t’u përballur me të ardhmen pas shumë vitesh trazira, duke ristabilizuar marrëdhëniet”, tha Koçijançiç.  Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane ka theksuar më tej se, vizita e kryeministrit Rama përbën një kontribut të ri në dialogun rajonal, mes vendeve të Ballkanit perëndimor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency