Arsimi, në eksperiment apo në emergjencë për reformë

0
170

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiDitët e fundit, si në asnjë rast tjetër, vëmendja nuk ishte tek ndërtimet pa leje, as tek energjia, por tek arsimi. Tematika e arsimit doli në pah prej deklarimeve më të fundit të Kryeministrit. Prej fillimit të punës së kësaj qeverie e deri pak ditë më parë, kemi dëgjuar në mbledhje e raporte dhe së fundi në konferencën e jashtëzakonshme të Tiranës për arsimin, një konstatim të panjohur më parë: Arsimi ka probleme.

 

Cilat ishin problemet më “të spikatura” nga qeveria e re në arsim?

Më kujtohet se kur ministrja Nikolla bëri mbledhjen e parë, premtimi më i madh i saj i përsëritur dhe i stërpërsëritur disa herë në një fjali ishte: “Forca të punojmë bashkë të gjithë. Nuk ka ndryshuar asgjë, vetëm se është bërë një rotacion i natyrshëm politik”. Vetëm pak ditë më vonë, ministrja do ta kuptonte që ishte nxituar disi në premtimin që nuk kishte këllqe ta mbante dhe tha: “Nuk e dija që arsimi kishte kaq shumë probleme”. Pra, në njëfarë mënyre, kreu i arsimit në Shqipëri ishte kaq e shqetësuar, sa linte të nënkuptonte se sektori që ajo kishte marrë përsipër të drejtonte, ishte në gjendje emergjence. Duke e konsideruar si të tillë gjendjen, mori edhe masat e duhura për ta vënë në binarë këtë punë. Prej tetorit deri në nëntor u amendua udhëzimi për emërimin e drejtorit të institucionit arsimor publik, nëndrejtorit dhe mësuesit. Pastaj prej fundit të nëntorit e deri në dhjetor një tabor njerëzish të udhëhequr nga eminenca gri e ministres ndërmori një tur inspektimesh në kundërshtim me ligjin dhe kënaqi pasionin e tij dhe urdhrin e shefes së tij për pushimin nga puna të 38 drejtuesve të arsimit në rrethe. Arsyet? Punonjës arsimorë të tepërt, emërime jo në përputhje me ligjin etj. Për t’iu përgjigjur emergjencës së arsimit, më datë 27 nëntor, 34 punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u jepet letra se a janë dakord të jenë në listë pritjeje. Natyrisht, duke qenë shumë urgjent spastrimi i radhëve në MAS, përgjigjja kërkohej, po në datë 27 nëntor ora 12:00. Por stafi i ri i Ministrisë u tregua i kujdesshëm, për të mos i qëruar menjëherë, duke i dhënë kohë për tri javë. Njerëzit duhet të reflektonin në kushtet e urgjencës, të ndërronin mendje e parti, të afroheshin me partitë e koalicionit qeverisës (dihet që në këto raste LSI-ja është më e dhimbsur se të tjerët) dhe doemos të bënin ndonjë qokë të vogël. Kur u spastruan edhe radhët e Ministrisë, në kushte emergjente, u zgjodhën shefat e rinj të arsimit në rrethe, me konkurse model, që jazëk atij që nuk i bënë përshtypje. Kryeministri shkoi të uronte shumicën e atyre që u zgjodhën (pavarësisht se nja tre a katër u hoqën për motive që nuk i di askush) dhe nuk na tha asnjë fjalë për mësues tepër, pa formim përkatës, licencim apo më mirë linçim të mësuesve etj. Ende nuk ishte radha. Ishim në dimër dhe gjërat duheshin marrë më ngadalë. Ishim para statusit dhe duhet ta kishim mirë me Evropën.

 

Mirëpo ç’ndodhi në pranverë – verë 2014?

Duke e pasur me shumë merak arsimin, Kryeministri mblodhi mësuesit më të mirë në 7 mars. Në këtë ditë të bekuar të mësuesve, ai i befasoi këta të fundit, duke u treguar taktikën e qeverisë me krimin: “Po shpejtojnë të lajnë hesapet ca kriminelë, se ne jemi të vendosur të zbatojmë ligjin”. Shprehje më inkurajuese për punën e mësuesit në ditën e tyre nuk kishte dhe nuk mund të gjeje dot. Meqenëse drejtorët e arsimit në rrethe i kishte vendosur,  të gjithë drejtorët armiq të qeverisë së mëparshme ishin ndërruar, Kryeministri i vendit gjeti edhe pak kohë, për të bërë të njohur punën e qeverisë kundër krimit. Ama arsimi nuk është se mbeti prapa. Në muajin maj të këtij viti, në sallën kryesore të Universitetit të Arteve, në një dekor dhe skenar të kuruar deri në detajin më të fundit, na u paraqit një broshurë me emrin “Reforma e sistemit arsimor parauniversitar, raporti paraprak”. Autorë dhe jo të tillë na treguan se sa keq kemi ecur deri tani, çfarë ka ndodhur, si do të bëhemi njësh me Kosovën e më pas me Evropën, se si ishin hedhur e po tërhiqeshin litarët e ligjit e të tjera si këto. I punuar bukur, pavarësisht nga ndonjë shtrembërim i vogël i gjuhës shqipe, kishte edhe afatet e veta, se si do të rregullohej arsimi deri në 2021. Pasi mbaruan punë edhe me këtë raport, në pranverë, na dhanë edhe një tjetër lajm të mirë, se do të bënin maturën më të mirë, pasi më përpara, teza “është shitur, rezultatet kanë qenë të manipuluara etj”. Si provim të parë vunë gjuhën e huaj, me të cilën maturantët mbetën të kënaqur pa masë nga nota e marrë pa shumë lodhje e më pas provimet e tjera. Kur masat e marra (si gjithnjë për herë të parë) shumë të mira prodhuan një rezultat katastrofik në matematikë, kryetarja e Maturës Shtetërore e gjeti edhe armikun, e brendshëm dhe të jashtëm. Armik i brendshëm ishte mësuesi jokompetent, klientelist, që bënte kurse dhe nuk bënte orë të rregullt mësimi. Po ashtu “bashkëpunëtorë” të tij ishin maturantët dhe nxënësit, që nga shefja e MSH u cilësuan “lopë ripërtypëse”, sepse nuk dinin se si t’i merrnin dijet dhe t’i shprehnin ato. Armiku i jashtëm ishin prindërit dallaveraxhinj, që kërkonin të përfitonin nga kopjet. Mirëpo kjo histori u mbyll shpejt, siç ndodh rëndom në Shqipëri, ku “çudia më e madhe zgjat tri ditë”. Për “t’i mbyllur rrugën korrupsionit të qeverisë së mëparshme”, u deklarua se nuk do të ketë formularë A3. Në atë fund muaji korriku, kërkova publikisht në media që qeveria të jepte shpjegimin pse kufizonte mundësitë e kandidatëve për studentë”, duke eliminuar në mënyrë arbitrare formularin A3. Qeveria e ndodhur e papërgatitur për këtë gafë të Ministrisë e urdhëron këtë të fundit të tërhiqet nga budallallëku i vet.

Kur edhe kjo marrëzi jo e fundit u duk se u kalua, problemet duket se nuk kishin të sosur për Ministrinë e Arsimit. Universitet private të mbyllura e bënë për leshko Ministrinë, sepse nuk po dorëzonin dokumente edhe pas thirrjeve të dëshpëruara të ministres. Në një proces befasues, po të pritur prej atyre që e dinë se si ligji është Maliq, disa universitete u mishëruan dhe u futën në listën e bardhë. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi fjalën e fundit do ta japë kompania e huaj akredituese.

 

Vjeshta problematike

Qeveria, e cila vonoi të shpallte kuotat dhe tarifat, pasi e mbajti për një kohë të gjatë lajmin e mirë, më në fund e shpalli. Për universitetet u rritën tarifat, u ulën kuotat dhe kujtuan se studentët do ta pranonin pa nxjerrë as më të voglin zë. Madje, kishte nga ata që prisnin. Ata do të duartrokisnin qeverinë dhe do t’i thoshin: “Ju lumtë që po na garantoni cilësinë!” Mirëpo studentët ua prishën terezinë, u çuan në mbrojtje të interesave të tyre dhe qeveria u detyrua të zbythej. Mirëpo shumë interesante është mënyra se si u justifikua e gjithë kjo tërheqje. Një kolegu im, pedagog i njohur, më shkruan për këtë çështje, duke cituar zëvendësministrin e arsimit Arbjan Mazniku. “E tha vetë Mazniku në një interviste: “Vendimet që merren sepse vijnë nga mendimet fillestare që krijohen në kokën e ministrave e zëvendësministrave për çështje të caktuara, nëse janë gabim, duhet të korrigjohen”. Pra, marrim vendime e i bëjmë ligje e VKM, po e hëngri populli, ia fusim sa krahu, po nuk e hëngri e bën revoltë, e ndryshojmë ligjin e VKM-së brenda ditës. S’ka problem fare. Kjo tregon papërgjegjshmërinë totale të këtyre injorantëve që kanë zaptuar zyrat e shtetit, që kujtojnë se çdo ditë mund të bësh ligje e VKM si të dojë qejfi. Mjafton kjo thënie që në Evropë të mos ulesh më në zyrat e shtetit”.

Për të shuar ndonjë keqkuptim dhe rebelim të popullit, mendon vetë Kryeministri. Në pak ditë shpall aksionin e energjisë dhe atë të arsimit. Shkelësve të energjisë u dha pesë ditë kohë, të arsimit deri në dhjetor. Shkelësit e energjisë dhe të arsimit kanë të njëjtin fat, ndjekjen penale. Kryeministri, tani që kaluan rreth dy muaj nga fillimi i mësimit dhe një vit e po kaq muaj nga qeverisja e tij, u kujtua të thoshte se sa ishin arsimtarët pa arsim përkatës, që jepnin jashtë profilit, që ishin tepër. Duke ngrysur fytyrën, hutoi dhe vuri nën zap gjithë sallën me pyetjet e tij inteligjente, që askush nuk u kthente dot përgjigje. Duke folur për net pa gjumë të atij vetë dhe prindërve që çojnë fëmijët në shkollë, mallëngjeu të pranishmit, që me siguri edhe sot nuk i zë gjumi. Por shefi i qeverisë harroi të na shkoqiste ca gjëra të vogla: Si po ecën projekti i lançuar prej tij për: Futjen e shahut në kurrikulën mësimore; për tabletat; shkollat komunitare, për investime të gjera në arsim, për shumë e shumë gjëra. Nuk na tha dot se a kanë shkuar apo janë ende në shtëpi fëmijët e familjes Selimi në Vlorë, që u digjnin duart me cigare në mjediset e shkollës, meqenëse janë edhe të zonës së tij elektorale. Cilat janë përpjekjet që do të zbatohen në këtë vit apo të ardhmen për zgjerimin e ambienteve sportive, meqenëse u rritën orët e edukimit fizik?

Por Kryeministri dha një lajm nga më të mirët: Të gjithë mësuesit do të licencoheshin. S’ka rëndësi se a ke një diplomë të titulluar për mësuesi, nuk ka rëndësi as se çfarë thotë ligji. Rëndësi ka vullneti i shefit të madh, që ne duhet ta kthejmë në aksion.

Nga paraqitja e këtyre fakteve dhe shumë të tillave të lind një pyetje e natyrshme: A është arsimi në eksperiment apo në emergjencë për reformë?

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency