Vendimi i UEFA-s / Blateri kritika UEFA-s, Serbi-Shqipëri nuk duhet të luhej

0
101

Drejtuesi i qeverisë botërore të futbollit ka deklaruar për ndeshjen Serbi-Shqipëri se nuk duhej të luhej në ato kushte, duke parë edhe raportet që kanë të dyja shtetet

 

Sep-BlaterPasi kanë kaluar disa kohë nga ngjarjet e ndodhura në Beograd, ai që ka komentuar mbi këtë temë është Presidenti i FIFA-s Sep Blater. Drejtuesi zviceran deklaroi se UEFA duhet të kishte shmangur shortimin e dy përfaqësueseve në të njëjtin grup, ndërsa preku temën e incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, në një intervistë të gjatë dhe shumëplanëshe për televizionin rus “Russia Today”. Në studion e gazetares Sofi Shevarnaxe, gjatë një bashkëbisedimi ku tema kryesore ishte Botërori i vitit 2018 që do të luhet në Rusi, shefi i FIFA-s u pyet dhe për çështjen e bojkotit të propozuar nga disa vende për Kupën e Botës që do të zhvillohet pas 4 viteve, si përgjigje ndaj politikës së jashte të Rusisë. Blater u përgjigj se FIFA nuk ka asnjë dyshim që Botërori do të zhvillohet në Rusi, duke u shprehur kundër idesë së bojkotit. Blater arsyetoi se politika nuk duhet të abuzojë me futbollin, por mund ta ndihmojë duke sjellë si shembull faktin se FIFA po përpiqet që Izraeli dhe Palestina të luajnë ndeshje ndërmjet tyre dhe në këtë pikë, politika mund të ndihmojë, duke sjellë edhe reagimin e gazetares ruse që preku temën e ndeshjes Serbi-Shqipëri me pyetjen. Gjithashtu, ai u pyet për ngjarjet e dhunës midis Izraelit dhe Palestinës dhe për atë çfarë ndodhi në ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke u pyetur se si këto ngjarje të shëmtuara mund të ndodhin në ndeshje, të cilat janë të organizuara shumë mirë dhe me standarde ndërkombëtare. Blater u përgjigj duke thënë: “Jo, atletët nuk e bëjnë këtë, por ata janë provokuar. Ka gjithmonë një provokim. Përndryshe ju e dini, në futboll skuadrat përfaqësuese janë ambasadorët më të mirë të vendeve, ndaj duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur vjen puna te kompeticionet dhe duhet të përpiqesh që të mos kesh ndeshje ku që në fillim ti e di se mund të ketë një konflikt. Po, në kompeticionet e FIFA-s ne nuk i vendosim Armeninë dhe Azerbajxhanin në të njëjtin grup, për të shmangur problemet”. Gazetarja këmbënguli për këtë temë, duke thënë se si ka mundësi që duke ditur klimën që ekziston në këto ndeshje, të mos vihej re gjithë ai presion i madh që u shfaq në fushë me dhunën e tifozëve serbë. Ndërsa drejtuesi zviceran u shpreh duke thënë: “Kjo nuk është një çështje e FIFA-s, por unë mendoj se tani të gjithë janë vënë në alarm për të shmangur situata të tilla në të ardhmen, pasi ne nuk duhet të krijojmë situata, ku politikanët mund të abuzojnë platformën e futbollit. Ne thjesht duhet të bëjmë të kundërtën, pasi futbolli është aty për të lidhur njerëzit”. Edhe pse i shprehur në mënyrë të kujdesshme, qëndrimi i Blaterit në një pikë është i qartë: UEFA nuk duhet të kishte lejuar Shqipërinë dhe Serbinë në të njëjtin grup. Ky qëndrim vjen në një kohë kur vendimi i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka shkaktuar në të njëjtën kohë habi dhe pakënaqësi në mbarë opinionin ndërkombëtar me vendimin e tij për t’i hequr tri pikë përfaqësueses Shqipërisë, që ishte pala e dëmtuar në Beograd. Kjo, duke pasur parasysh faktin se kuqezinjtë u bënë objekt i dhunës dhe fyerjeve raciste deri në thirrjet kolektive për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes me Serbinë.

 

 

 

 

Arsenali në garë për Shaqirin

 

Duket se përveç Liverpulit dhe Totenhemit, Arsenali është një tjetër klub i madh anglez që ka shprehur interesim për mesfushorin shqiptar të Bajernit të Mynihut, Xherdan Shaqirin. “Daily Star” shkruan se “topçinjtë” kanë shprehur interesim për reprezentuesin shqiptar të Zvicrës. 23-vjeçari duket se gjatë dimrit do të largohet nga “Allianz Arena”, për shkak se ai nuk po gjen një vend titullari në skuadrën e Pep Guardiolës. Shaqiri me “bavarezët” ka kontratë deri në verën e vitit 2016, por thuhet se lojtari dhe klubi gjerman do të ndahen në afatin e janarit. Përveç treshes së madhe angleze, Liverpul, Totenhem e Arsenal, Shaqiri kërkohet edhe nga Atletiko e Madridit dhe Juventusi, që kanë shfaqur interesin e tyre për talentin kosovar.

 

 

 

Krujf: Më vjen keq për Barcelonën, Guardiola shkon pas lekut

 

Legjenda e Barcelonës, Johan Krujf, ka deklaruar se Pep Guardiolës më shumë i ka interesuar vetvetja, sesa klubi katalanas. Krujf i bëri këto komente gjatë një ceremonie të përbashkët të klubit në nder të 40-vjetorit të ardhjes së tij në Barcelonë dhe ai ka bërë komente shumë kontraverse, sidomos për Guardiolën. “Sigurisht Guardiola shikon punën e tij. Lavire të tilla kemi pasur në shumë situata të tjera, e kemi parasysh. Mua aspak nuk më ka befasuar kalimi i Guardiolës te Bajerni dhe mosinteresimi i tij për Barcelonën”, – u shpreh holandezi. “Të shikosh Barcelonën në këtë gjende më dhemb. Problemet do të jenë më evidentë nëse nuk fitojnë ndaj Ajaksit. Do të ishte një dështim i madh. Ata janë të fortë, janë më të rinj dhe Mesi nuk mund të luajë vetëm”, – është shprehur legjenda holandeze. Më pas Krujf foli edhe për teknikun e Barcelonës. “Luis Enrique? Di që e dashuron sportin, por nuk jam brenda ndodhive në klub, kështu që nuk mund të japë këshilla”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency