Flet kreu i grupit / Paloka zbardh skenarët: Strategjia e PD-së për zgjedhjet, protestat dhe Kuvendi

0
117

vlcsnap-2012-05-11-21h08m44s1

Erneta Shevroja

Paloka: Ne s’po kërkojmë rikthimin në pushtet, por largimin e Kryeministrit. Nëse zhvillohen zgjedhje me këtë hartë territoriale, mazhoranca e ka të mbyllur 3-çerekun e garës pa nisur

 “Marrëveshje me ndërkombëtarët, ndryshe bojkoti vazhdon. Nuk ndërtohet shteti me strategji terrori. Në reformën në drejtësi, bashkëpunojmë, vetëm nëse ka vëzhgimin e partnerëve”

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka bërë të ditura qëndrimet e opozitës për çështjet më të diskutuara të aktualitetit politik në vend. Në një intervistë për gazetën “Standard”, ai tregon marrëdhëniet e ardhshme që do të mbajë Partia Demokratike me Kuvendin. Garancia e partnerëve ndërkombëtarë është kusht, tha deputeti Paloka, në të kundërt bojkoti nuk ka afat. Bojkoti i Parlamentit, thotë ai, është e vetmja rrugë që mund të përdorë opozita, përndryshe askush nuk do ta kuptonte se cila është situate reale. Qeverisjen e majtë e vlerëson si “regjim”, ndërsa Kryeministrin e cilëson si “mbret”, që harron se në sistemin demokratik ka zgjedhje çdo katër vjet. Paloka flet edhe për zgjedhjet lokale, hartën territoriale, reformën në drejtësi dhe protestat e pritshme.

 

Dy javët e fundit janë intensifikuar thirrjet e Partisë Demokratike për protesta kundër politikave të qeverisë. Është hedhur diçka konkrete për këto protesta. Kur dhe me cilën kauzë do të protestoni, pasi akuzat ndaj qeverisë janë të shumta?

Në fakt, nuk është se janë intensifikuar thirrjet e PD-së, por situata është e tillë dhe çdo ditë e më tepër po rëndohet dhe vetë qytetarët janë pritur dhe duhet të protestojnë. Pse e them këtë? E them këtë, sepse varfërisë që shtohet çdo ditë në vend, po i shtohet dhuna e kësaj qeverie. Vetëm në ditët e fundit qeveria u ka dhuruar shqiptarëve të paktën disa taksa të reja, rritje çmimi të energjisë dhe paralel me këtë edhe dhunën policore. Nga njëra anë ia merr bukën e gojës dhe nga ana tjetër u merr edhe kafshatën e fundit, të dhunojë, të arrestojë. Pra, kemi një thirrje të Ramës, “skllavit hiqi bukën, shtoji drurin, që ta mbash nën sundim”. E gjitha kjo vjen, sepse Rama përfundimisht e ka kuptuar që është i paaftë për të qeverisur, i paaftë për t’i dhënë këtij vendi të mirën dhe e vetmja mënyrë për të justifikuar mënyrën e të qëndruarit në pushtet është ajo që po bën sot. Pra, ta vendosë këtë popull nën dhunë dhe njëkohësisht ta mbajë të varfër. Sigurisht që një situatë e tillë, veçse me protesta. nuk mund të ketë as rrugë tjetër dhe as zgjidhje tjetër.

Ka një datë kur mendoni të dilni në protesta?

Jo, nuk ka. Ne jemi deklaruar që jemi të gatshëm t’u bashkohemi protestave të qytetarëve dhe ne do të presim derisa qytetarët të bëhen të vetëdijshëm se me këtë qeveri nuk mund të vazhdohet kështu. Janë ata të parët që duhet të nisin protestën, sepse është në interesin e tyre. Pra, ne do t’i bashkëngjitemi dhe do t’i drejtojmë, sepse opozita e ka edhe këtë rol. Por, nuk mund ta marrim ne iniciativën, pasi nuk është qëllimi ynë parësor rrëzimi i kësaj qeverie. Sigurisht që edhe kjo ka ardhur si një kërkesë e momentit, por kurrë nuk e kemi pasur, as protestën e parë dhe as më vonë si qëllim kryesor rrëzimin e kësaj qeverie për t’u rikthyer ne në pushtet. Ne kemi vetëm një vit që kemi ikur nga pushteti dhe nuk mund të kemi pretendimin e parë rikthimin në pushtet. Por, me atë që po bën Rama, me këtë që po bën kjo qeveri, për ne është tashmë e domosdoshme që ky Kryeministër të paktën duhet të rrëzohet, sepse është fatkeqësi për këtë vend.

Çfarë qëndrimi mban PD për aksionin e nisur kundër vjedhësve të energjisë, pasi deri tani jeni shprehur vetëm për rritjen e çmimit, gjë që kundërshtohet nga qeveria?

Së pari, për mua, ky i ashtuquajturi aksion është pjesë e një strategjie terrori dhe në vazhdim të asaj që thash më parë, që e ka përgatitur Rama. Sigurisht që ne nuk jemi kundër kapjes së vjedhësve, nuk jemi kundër eliminimit të vjedhjes së energjisë por absolutisht nuk është kjo forma e duhur dhe së dyti, qëllimi, e përsërisë, i kësaj që po ndodh nuk ka të bëjë aspak me interesin e qytetarëve e as për interesat e një strategjie të themi, për energjetikën. E vetmja gjë që synon Rama të bëjë me këtë siç ka bërë më ndërtimet të ashtuquajtura pa leje, me shembjet e tyre, siç po ndodh me gjobat, është krijimi i një strategjie terrori. Që këtë popull meqë nuk po e pasuron, meqë nuk po ia përmirëson jetesën, përkundrazi po ia shkatërron ato të mira që ka pasur, t’i vendosë nën terrorin dhe represionin e policisë. Edhe një herë e përsëris, strategjia e Ramës është që këtij populli “hiqi bukën dhe shtoji drurin, që ta mbash nën sundim”.

Në fakt, Kryeministri ka deklaruar se synimi nuk janë familjet, por bizneset që paguajnë sa një familje?

Nuk ka rëndësi kjo. Po ta shohësh, gjithçka që ka ndodhur, qoftë me prishjen e ndërtimeve me leje apo pa leje. Ky është problemi. Askush nuk është kundër lirimit të hapësirave publike, askush nuk është kundër kapjes së atyre që vjedhin energjinë, përkundrazi, të gjithë jemi për ligjin dhe për shtetin. Por ti këtë e përdor me të vetmin qëllim që të terrorizosh qytetarët, atëherë sigurisht që qëllimi është krejtësisht i kundërt. Sepse të gjitha këto janë bërë dhe po bëhen në mënyrë selektive. Edhe prishja, që në momentin që ti i prish edhe kur është me leje, edhe kur është në pronën e tij njësoj, siç ia prish atij që e ka pa leje, që në këtë moment ke vënë në terror të gjithë qytetarët. Sepse kjo do të thotë që po iu tek Ramës, nëse ti nuk i pëlqen Kryeministrit tonë, atëherë ai mund të vijë, të prishë shtëpinë, të të prishë pronën dhe ti nuk ke ku të ankohesh. Nuk ke kujt t’i qahesh dhe nuk ke çfarë të bësh. Pra, kjo i vë qytetarët nën frikën e dhunës nga policia. Kush garanton qytetarin që nuk dalin dy policë dhe të thonë Edi Paloka ka hyrë me të kuqe, hajde ta fusim në burg. Kush do t’i shpëtojë qytetarët nga abuzimet. Dhe faktet janë. Është abuzuar në rastin e Fratarit, që u arrestua me pa të drejtët për gjoja ndërtim pa leje. Ka raste të tjera me arrestimet që janë bërë përditë për vjedhje të energjisë që është e faktuar nuk ka asnjë të vërtetë brenda. Përveç faktit që ata janë kundërshtarët e këtij regjimi. Pra, gjithçka që po deklaroj është e argumentuar dhe e faktuar. Në rast se kjo qeveri do të kishte realisht synimin që të bënte diçka për qytetarët do të gjente format. Nuk ka nevojë të bëjë as shpikje, as të gjejë forma që janë përdorur vetëm nëpër diktatura, por forma që ndjek gjithë Evropa për të zbatuar ligjin, për të rregulluar marrëdhëniet midis qytetarit dhe shtetit. Por e keqja në këtë vend është që të parët që e shkelin ligjin janë qeveritarët dhe mazhoranca e këtij vendi.

Flasim për marrëdhëniet me Parlamentin. Para dy javësh mazhoranca ju ftoi në Kuvend, duke miratuar kërkesat tuaja për ngritjen e dy komisioneve hetimore…

Ne nuk kemi asnjë kërkesë ndaj Parlamentit dhe kësaj mazhorance, përveç zbatimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Komisionet hetimore që i ka miratuar të enjten e javës së kaluar nuk janë kërkesë e jona, janë detyrim kushtetues dhe për më tepër për këtë ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i detyronte deputetët e mazhorancës të ngrinin komisionin hetimor. Kemi të bëjmë me një kërkesë tonën si kusht për t’u rikthyer në Kuvend. Dhe mënyra si u soll kjo mazhorancë me këto komisione dhe me gjithë aspektet e tjera të shkeljes së Kushtetutës po vërteton atë që ne kërkojmë. Ne sot kërkojmë realisht një marrëveshje nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve me qëllim që mazhoranca të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën në këtë vend.

Kreu i Kuvendit e cilësoi të tepërt faktin që opozita kërkon ndërkombëtarët si garanci?

Sigurisht, përderisa kjo qeveri vazhdon të luajë me Kushtetutën dhe ligjet, pse u desh që komisionet të miratoheshin 6 muaj mbasi ne e kishim bërë kërkesën në Parlament. Kjo gjë nuk mund të ndodhë. Ka një rregullore. Është detyrim kushtetues ngritja e komisioneve hetimore.

Nëse qeveria nuk pranon marrëveshje me prani të ndërkombëtarëve, opozita ka një plan B?

Sigurisht. Opozita do të vazhdojë rrugën e vetme, me bojkot. Për atë që mendon se bojkoti ishte i panevojshëm, dua t’u kujtoj se ne as nuk do të dilnim nga Parlamenti, nëse ne nuk do të bojkotonim Parlamentin, atëherë reagimet që po vinë nuk do të vinin. Ai Parlament do të kthehej në një rutinë ku opozita e dhunuar në të drejtat e saj do të vazhdonte të bënte fasadën e asaj mazhorance, përveç mbylljes së gojës së opozitës nuk do të kishe gjë tjetër. Pra, do të kishim formalisht një Parlament gjoja funksional. Dhe askush nuk do të shqetësohej për atë që po ndodhte realisht në Shqipëri. Qeveria duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Pse, nuk e bënit këtë dot në Parlament?

Ne ishim në Parlament, megjithatë nuk i bëri përshtypje askujt, sepse edhe mazhoranca vetë nuk reagonte, përkundrazi intensifikoi dhunën, dhe askush tjetër nuk po shqetësohej. Praktikisht, po bëhej një gjë normale shkelja e Kushtetutës. Faktin që ne arritëm të sensibilizonim të paktën ndërkombëtarët për këto që ndodhin është arritje e këtij bojkoti. Vetëm dje, nga Bashkimi Evropian zëdhënësi tha se Shqipërisë i është rritur monitorimi lidhur me demokracinë shqiptare, është shtuar monitorimi nga BE-ja. Dhe kjo është rezultat i këtyre qëndrimeve që ne po mbajmë. Në të kundërt, askush nuk do të shqetësohet dhe gjërat do të vijonin normalisht, dhe do të gjendeshim papritur nën diktaturën e Ramës. Ju thoni pse nuk ktheheni në Parlament pas ftesës së Metës, sepse është ftesë hipokrite, sepse këta thonë po ju plotësojmë kushtet dhe ndërkohë vazhdojnë të shkelin Kushtetutën. Çfarë ndodhi në KLD-në? Çfarë po ndodh me AMA-n? Gjithë ajo që ndodhi me KLD-në me shkarkimin e dy anëtarëve është shkelje e Kushtetutës. Argumentet që u dhanë janë absolutisht justifikimi për shkeljet.

Cili është synimi sipas jush?

Është kapja e institucioneve. Çfarë ndodhi me AMA-n? Nuk vjen opozita, unë i plotësoj anëtarët vetë, edhe pse ligji nuk e lejon këtë gjë. Është e drejta e opozitës, por meqë opozita nuk do, po i plotësojmë vetë.

Nuk mendoni se të qëndruarit jashtë Kuvendit është rruga më e shkurtër dhe më e thjeshtë që keni zgjedhur? Dhe kjo ju dëmton ju si opozitë?

Absolutisht ishte e vetmja rrugë e detyruar nga mazhoranca. Ne kemi qëndruar në atë Parlament që nga dita e parë deri ditën që jemi larguar nën dhunë dhe presion. Që ditën e parë, Rama, ky i forti i qeverisë, i deklaroi opozitës se “nuk keni parë asgjë akoma”. Dhe vërtet e zbatoi atë që tha. Megjithatë, ne kemi qëndruar aty. Na janë dhunuar të drejtat, na është dhunuar gjithçka dhe ne kemi vazhduar të qëndrojmë në Parlament. Derisa erdhi në atë pikë që nuk mund të qëndronte, sepse edhe opinioni nuk po bëhej i vetëdijshëm për atë që po ndodhte. Kështu që, ne zgjodhëm bojkotin, jo vetëm për t’u larguar nga një Parlament që nuk ishte më Parlament, por edhe për të sensibilizuar ata që nuk dinin realisht se çfarë po ndodhte në Parlamentin shqiptar dhe demokracinë shqiptare.

Partia Demokratike ka çuar në Kushtetuese hartën e re territoriale me 61 njësi bashkiake. Çfarë vendimi prisni që të merret dhe sa mund të zgjasë kjo? Në rast se Kushtetuesja nuk e hedh poshtë hartën, siç keni kërkuar ju, çfarë hapi do të ndiqni?

Ne nuk dimë se çfarë mendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese. Jemi të bindur për drejtësinë e kërkesës sonë, sepse jemi të bindur që kjo e ashtuquajtur reformë vetëm ajo e duhura nuk është, për shumë arsye. Kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim harte sipas orekseve elektorale të Ramës dhe të Metës. Kanë përgatitur zona zgjedhore, në mënyrë të tillë që të kenë të lehtë fitoren në tavolinë. Nesër, nëse zhvillohen zgjedhje me atë hartë, atëherë 3-çereku i punës së kësaj mazhorance është mbyllur, sepse harta është bërë në formë të tillë, që në shumicën e këtyre zonave mazhoranca e majtë të fitojë prapë. Pra, ne nuk mund të hyjmë në një palë zgjedhje ku pothuajse gjithçka është vendosur në tavolinë. Ne kemi besim se Gjykata Kushtetuese, duke parë shkeljet e Kushtetutës që janë bërë lidhur me përgatitjen e kësaj harte, dhe minimalja është pika që qytetarët cenohen nga kjo hartë, mjafton kjo pikë për ta hedhur poshtë këtë ndarje. Ne kemi besim që Gjykata do të marrë vendimin e duhur. Por, nëse nuk do të jetë kështu, edhe ne do të marrim vendimet tona.

Do të hyni në zgjedhjet vendore, në rast se Gjykata Kushtetuese e miraton ndarjen e re të territorit me 61 njësi bashkiake?

Jo. Me ketë hartë nuk do të ketë zgjedhje.

Projekti për reformën në drejtësi pritet të nisë nga mesi i nëntorit? Kjo, edhe pa konsensusin tuaj, ka thënë Xhafaj. Si do të veproni në këtë rast? Do të kemi propozime të opozitës?

Kjo është ajo që unë thashë pak më lart, kjo mazhorancë vazhdon me arrogancën që vërtet i ka numrat në Parlament, por që lidhet edhe me natyrën e Kryeministrit të këtij vendi, i cili që në fillim e ka parë betejën politike me PD-në si luftë. Të mos harrojmë deklarimet e tij për 1 milion shpulla, 1 milion shuplaka, deklarimet se ai ka ardhur në këtë vend për të udhëhequr, të gjitha këto gjëra tregojnë se ky zotëria nuk e di çfarë është demokracia, nuk e di çfarë është pluralizmi, nuk e di që zgjedhjet zhvillohen një herë në 4 vjet për një arsye, që qytetarët të zgjedhin qeverinë që duan dhe nuk votojnë njëherë e përgjithmonë. Ramën nuk e kanë zgjedhur për të qenë mbreti i shqiptarëve dhe të bëjë si të dojë në këtë vend. Është zgjedhur për të qeverisur në bazë të atyre që ka premtuar në fushatë elektorale. Pra, kemi një arrogancë që nuk bazohet askund, përveç kokëboshësisë së Ramës. Dhe me këtë arrogancë fatkeqësisht kjo mazhorancë vazhdon dhe nën frymën e kësaj arrogance vazhdon të bëjmë reformën në drejtësi, pa pyetur opozitën, të bëjmë Kodin Zgjedhor pa pyetur opozitën dhe kjo çon vetëm në një rrugë. që mua më duket pa krye dhe pa fund. Rezultati është me pasoja për qytetarët shqiptarë, por pasojat më të rënda do të jenë për vetë Ramën.

Cilat janë sugjerimet e PD-së për reformën në drejtësi? Për çfarë konkretisht ju kundërshtoni versionin e mazhorancës për një reformë thelbësore?

Ne jemi bërë pjesë e një tryeze të iniciuar nga Presidenti, kemi paraqitur të gjitha propozimet tona. Ndërkohë, jemi të gatshëm që specialistët tanë të punojnë me specialistët e mazhorancës në një reformë të përbashkët dhe të qenësishme. Nëse vazhdohet me këtë frymë arrogance, atëherë për çfarë konsensusi mund të flasim dhe për çfarë reforme bashkërisht mund të flasim. Megjithatë, ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar: nëse reforma kryhet nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve me qëllimin e vetëm që të kemi arritje në sistemin e drejtësisë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Nëse vazhdohet me këtë rrugë që e kanë nisur, atëherë jemi në kampe të kundërta dhe gati për betejë.

 

Inspektim

Rama: Parku i Divjakës me pedonale, ndërhyrje në rrugën kryesore të plazhit të Durrësit

Kryeministri Rama inspektoi dje punimet e projektit në kuadër të planit kombëtar “Rilindje qyteteve”. Rama, i cili u shoqërua nga kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, dhe deputeti i zonës Erjon Braçe, shpreh se moratoriumi 2-vjeçar i gjuetisë ka ringjallur Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta, duke shtuar faunën e egër. Rama u ndal edhe tek investimet në këtë zonë. “Transformimi rrënjësor që po sjellim në mbështetje të fermerëve, duke pastruar gjithë kanalet vaditëse, duke pastruar gjithë kanalet kulluese, do të na japë shifra ende më entuziazmuese të eksportit”, – tha Rama. Ndërkaq, deputeti i zonës Braçe bëri të ditur se, “kemi deri tani të bëra kanale vaditëse 28.4 km që i kemi pastruar dhe kemi 8 mijë hektarë i kemi futur nën ujë”, – tha Braçe. Një ndër projektet që tashmë është në ndërtim e sipër, është pedonalja e qytetit të Divjakës dhe një shkollë e mesme. Ndërkaq, kryeministri Ram është ndalur edhe tek qyteti i Durrësit për të cilin ka njoftuar se shumë shpejtë do të ndërhyhet tek rruga kryesore e plazhit. “Çlirimi i rrugës kryesore të plazhit në DR ka çliruar një potencial të madh ripërtëritjeje urbane e mjedisore! Tani projekti i investimit”.

 

 

Vizita në Beograd

Daçiç: Ka propozime nga qeveria shqiptare që s’pranohen, Shqipëria ka bllokuar Serbinë në NATO

Ka ditë që mediat në Serbi, bazuar në deklaratat e zyrtarëve politikë, shkruajnë se nga pala shqiptare kërkohen që të diskutohen çështje, për të cilat nuk e kanë miratimin e qeverisë serbe. Dje, në një deklaratë, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, deklaroi se qeveria në Beograd ka ende çështje në diskutim dhe vizita e Kryeministrit Rama nuk është kopsitur plotësisht. Çështja në fjalë ka të bëjë me diskutime për Preshevën, vend të cilin qeveria serbe nuk dëshiron që kreu i qeverisë shqiptare ta vizitojë. “Programi i vizitës ende nuk është përcaktuar dhe ka propozime nga ana shqiptare që ende nuk janë pranuar. Ka bisedime mes Kabineteve të kryeministrave, të ndihmuar nga Ministria serbe e Punëve të Jashtme”, – deklaroi shefi i diplomacisë serbe. Ai ka akuzuar Shqipërinë se është bërë pengesë për integrimin e Serbisë në NATO. “Serbia me NATO-n është harmonizuar për programin IPAP. Kjo i ka kaluar të gjitha instancat dhe atëherë Shqipëria ka paraqitur vërejtje, ajo na ka ndalur… Nuk mund të kërkohet nga Serbia që të jemi konstruktiv dhe tani Shqiëria po aktron në kuptimin e NATO-s”, – tha dje Daçiç. Sipas tij, për Serbinë ishte shumë vështirë për të vendosur lidhje me NATO-n.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency