Topi i Artë/ Shpallen kandidaturat për lojtarin më të mirë, 6 gjermanë në listë

0
146

Kandidaturat për Topin e Artë kanë sjellë mjaft surpriza për sa u përket emrave të përfshirë. Favoritë për të fituar titullin janë Ronaldo dhe Mesi, teksa nuk përjashtohet edhe mundësia e njërit prej lojtarëve gjermanë

 topi i arteTrofeu më i rëndësishëm në karrierën e një lojtari është Topi i Artë. Ndër më prestigjiozët e që ka një përfshirje shumë të madhe dhe gëzon një interes të madh nga gjithë opinioni sportiv. Dje dolën edhe kandidaturat e këtij viti që do t’i japë një prej 23 emrave prestigjin për të qenë më i miri në botë. Shumë lojtarë të rinj janë në listë, ku mund të përmendin emra si Xhejms Rodrigez, Mario Gëtze apo Tibo Kurtua, ndërsa Juventusi përfaqësohet me Pol Pogbanë. Ndërsa në krahun tjetër nuk mungojnë ata që kanë vite që janë në këtë listë si Leo Mesi apo dhe Kristiano Ronaldo. FA dhe “France Football” zbulojnë listën me 23 finalistët për trofeun më prestigjioz në aspektin individual, “Topi i Artë 2014”. Kandidatët u përzgjodhën nga votimet e kapitenëve, trajnerëve të ekipeve kombëtare dhe nga një juri e specializuar, ndërsa ceremonia e dorëzimit të trofeut do të zhvillohet në datën 12 janar 2015 në Zyrih të Zvicrës. Në datën 1 dhjetor, organizatorët do të zbulojnë emrat e tre lojtarëve finalistë, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave. Duke shfletuar mes emrave bien në sy disa detaje pikante; 6 janë lojtarët nga kombëtarja gjermane, Filip Lam, Mario Gëtze, Toni Kros, Tomas Myler, Manuel Nojer e Bastian Shvajnshtajger, ndërsa për Italinë ky është një tjetër vit i errët, pasi në listë nuk ka asnjë futbollist nga Gadishulli Apenin. Mançester Junajtid, Mançester Siti, Paris Sent-Zhermen dhe Juventus kanë vetëm nga një lojtar, ndërsa mungesa më e madhe në pamje të parë është ajo e Luis Suarezit, i cili zhvilloi një sezon fantastik me skuadrën e Liverpulit, por kafshimi i Kielinit duket se ka peshuar shumë në votat për uruguajanin. Një tjetër mungesë e madhe është edhe Frank Riberi, i cili u rendit i treti në garën e vitit të shkuar, ndërsa Robert Levandovski, Arturo Vidal e Miralem Pjaniç janë gjithashtu disa nga emrat që nuk figurojnë te lista e 23 finalistëve, edhe pse vijnë nga një sezon pozitiv. Një shuplakë të madhe merr Barcelona me Dani Alveshin, Zherard Pikenë, Serxho Buskets dhe Ksavi Hernandez jashtë 23-shes, ndërsa nga Premier Liga, Uejn Runi e Robin van Persi mbeten jashtë. Në hierarkinë e Juventusit, Pogba kalon Andrea Pirlon, sepse francezi e shikon veten mes 23 më të votuarve, ndërsa Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi mbeten dy favoritët e kësaj gare që do të finalizohet në mesin e muajit janar. Interesant është edhe fakti se Atletiko Madrid që luajti finalen e Ligës së Kampioneve, nuk përfaqësohet me asnjë lojtar. Ndërsa një pjesë e rëndësishme është edhe kandidatura për trajnerin më të mirë. Emra si Guardiola apo Ançeloti janë favoritë, ndërkohë në “pole position” duket të jetë Hoakim Lëv, duke qenë se arriti të fitonte edhe Kupën e Botës.

 

Lista me emrat e kandidatëve

Gareth Bale, Karim Benzema, Diego Costa, Thibaut Courtois, Cristiano Ronaldo, Angel Di Maria, Mario Goetze, Eden Hazard, Zlatan Ibrahimovic, Andres Iniesta, Toni Kroos, Philipp Lahm, Javier Mascherano, Lionel Messi, Thomas Mueller, Manuel Neuer, Neymar, Paul Pogba, Sergio Ramos, Arjen Robben, James Rodriguez, Bastian Schëeinsteiger, Yaya Toure.

 

Lista me trajnerët kandidatë

Carlo Ancelotti (Real Madrid)

Antonio Conte (Juventus/Itali)

Pep Guardiola (Bayern Munich)

Juergen Klinsmann (SHBA)

Joachim Loeë (Gjermani)

Jose Mourinho (Chelsea)

Manuel Pellegrini (Manchester City)

Alejandro Sabella (Argjentinë)

Diego Simeone (Atletico Madrid)

Louis van Gaal (Holandë/Manchester United)

 

Superliga Shqiptare, e pastër nga trukimet e ndeshjeve

Për herë të parë në katër sezonet e fundit, Superliga Shqiptare pas fazës së parë i ka shpëtuar radarit të UEFA-s dhe deri tani asnjë nga 45 ndeshjet e luajtura nuk është përfshirë në dosjet e sfidave të dyshuara. Për trukim, institucioni i lartë i futbollit evropian përpilon raporte gjatë çdo fundjave në kampionatet e kontinentit. Radari është një platformë teknologjike sipas së cilës një zyrë e posaçme në Nion verifikon shumat e luajtura në kompanitë e basteve për të gjitha ndeshjet evropiane dhe në rast se e njëjta strukturë konstaton se për ndeshje të veçanta janë luajtur shuma të pakontrolluara në favor të së njëjtës shenjë finale atëherë ajo sinjalizon federatën përkatëse, duke e konsideruar të njëjtën ndeshje si një opsion real për të hapur një trukim të nevojshëm. Kampionati shqiptar ka qenë në qendër të këtij radari për sasinë e ndeshjeve, sidomos dy sezone më parë, por me sa duket, gjatë këtij edicioni klubet shqiptare janë ndërgjegjësuar, duke mos preferuar që financimet të vijnë më nga burime të paligjshme që dëmtojnë imazhin dhe lojën.

 

Bejl: I nderuar për çmimin

Pas shpalljes së kandidaturave për lojtarin më të mirë uellsiani Gareth Bejl shprehu kënaqësinë për përzgjedhjen. Galaktiku është për herë të parë në këtë listë dhe kjo është një arritje mjaft e madhe, duke pasur parasysh që ka vetëm një vit Reali i Madridit. “Jam i nderuar që gjendem në listën e ngushtë për Topin e Artë këtë vit krahas kaq shumë lojtarësh të klasit botëror. Ju uroj fat të gjithëve!”, – ka shkruar uellsiani në “Twitter”.

 

Guardiola: I lumtur për nominimin e gjashtë lojtarëve

Ish-tekniku i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se është i lumtur që gjashtë lojtarë të skuadrës së tij janë në mesin e 23 futbollistëve për çmimin Topi i Artë. FIFA ka publikuar listën e lojtarëve që do të kandidojnë për ta fituar çmimin e lojtarit të vitit. Mario Gëtze, Filip Lam, Tomas Myler, Manuel Nojer, Arjen Roben e Bastian Shvajnshtajger, janë lojtarët e Bajernit që konkurrojnë për çmimin prestigjioz. Tekniku spanjoll mendon se gjashtë lojtarët e tij e meritojnë të jenë pjesë e kësaj garë. “Ne jemi shumë krenarë për këto nominime. Jam shumë i lumtur me performancën e këtyre lojtarëve në ekipin tim, por edhe në ekipin kombëtar”, – ka thënë trajneri spanjoll.

 

Blater: Çmimi për Mesin, negativ

Një polemikë e madhe pësoi dhënia e titullit për lojtarin më të mirë të Botërorit për Lionel Mesin. Këtë mendim ka edhe Blater, që i bashkohet listës së atyre që mendojnë se çmimi duhej t’i jepej ndonjë futbollisti të kombëtares gjermane, e cila u shpall kampione bote apo edhe Xhejms Rodrigezit, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i garës. “Mendoj se vendimi për t’i dhënë Mesit “Topin e Artë” të Botërorit nuk ishte i drejtë. U çudita shumë kur mora në dorë zarfin që kishte në brendësi emrin e Mesit të firmosur nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s. Kur u kërkova shpjegime anëtarëve të Komitetit për këtë vendim, ata më thanë se morën në konsideratë vetëm 10 futbollistë që luajtën në finalen e madhe të “Maracana”-së që u zhvillua mes Argjentinës dhe Gjermanisë”, – është shprehur Blater.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency