Rikthimi në Kuvend i opozitës / Prapaskenat e negociatave për marrëveshjen, PD kërkon si garant PE-në. Deri ku shkon e majta?

0
134

Parlamenti-Europian-300x225Gëzim Saliu

Të majtët pas votimit të komisioneve hetimore si edhe lënies së hapur të mundësisë për propozimin për dekriminalizimin e Kuvendit, s`ka ndërmend të hedhë hapa të tjerë para

Edhe pse palët duket se u afruan mes tyre, pas votimit në Kuvend nga mazhoranca të komisioneve hetimore për tatimet si edhe emërimet në administratë, qëndrimi i Partisë Demokratike vërtetoi të kundërtën sa i përket bojkotit, pasi, sipas forcës më të madhe të opozitës, thelbësore në këtë marrëveshje mes palëve duhet të jetë garancia e ndërkombëtarëve. Në këto kushte, shumica dhe pakica duken ende larg hapit që do të mundësonte rikthimin e PD-së në Kuvend, nisur edhe nga fakti se mazhoranca duket se nuk ka ndërmend të lëshojë më shumë rrugë në këtë aspekt. Ndërkaq të majtët lanë të hapur mundësinë e diskutimit të propozimit të demokratëve për dekriminalizimin e Kuvendit, gjë kjo e konfirmuar më parë nga kryeministri Rama. “Nëse opozita ka ndonjë ide konkrete, propozim apo plan konkret për sesi mund të qëmtohet në jetën e tjetrit në funksion të integritetit moral të të gjithë përfaqësuesve të popullit në këtë Kuvend, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë dhe ta diskutojmë propozimin apo planin e tyre”.

 

Demokratët kërkojnë PE-në

Vizita e kreut të PD-së, Lulzim Basha, në Bruksel, pjesëmarrës në samitin e Partive Popullore Evropiane, ka shërbyer edhe për diskutimin e varianteve me partitë simotra mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje me mazhorancën qeverisë që do të mundësonte thyerjen e bojkotit të opozitës. Kështu mësohet se pasi kryedemokrati ka informuar anëtarët e grupit kryesor politik të Parlamentit Evropian mbi antikushtetutshmërinë e kursit të mazhorancës qeverisë, ka bërë të ditur se opozita është e gatshme të rikthehet në Kuvend. Por për këtë sipas Bashës është e rëndësishme që marrëveshje mes palëve, ku mazhoranca do të zotohet për zbatimin e vendimit të gjykatave dhe Kushtetutës si edhe për pranimin e propozimit për dekriminalizimin e Kuvendit, të jetë e garantuar nga partnerët ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, demokratët kanë bërë të qartë se institucioni ndërkombëtar që kërkojnë të jetë garant i marrëveshjes është Parlamenti Evropian, pra përmes përfaqësuesve të tij për Shqipërinë. “Ne kërkojmë që kjo marrëveshje ndërmjet palëve politike të bëhet nën mbikëqyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, organizmat e Parlamentit Evropian. Kryetari i PD-së e ka bërë të qartë një gjë të tillë. Jo pa qëllim Kryetari ka qenë me një axhendë shumë intensive gjatë këtyre javëve në Parlamentin Evropian, në Bruksel, në Strasburg, në Këshillin e Evropës lidhur me sensibilizimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë mbi atë që po ndodh në Shqipëri, mbi shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës. Ky sensibilizim në mënyrë të padiskutueshme do të sjellë presionin ndaj qeverisë që të mos ecë në rrugën e shkurtër të autoritarizmit”, – ka bërë të ditur deputeti demokrat Eduard Halimi.

 

Mungesa e negociatave

Ndërkohë, burime pranë dy forcave kryesore politike kanë bërë të ditur se negociatat direkte mes palëve janë shmangur, pasi opozita kërkon me ngulm ndërhyrjen e palës ndërkombëtarë për të mundësuar marrëveshjen mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Sipas demokratëve, një marrëveshje pa bekimin e partnerëve nuk do të kishte vlerë, në kushtet kur thekson forca kryesore e së djathtës, mazhoranca ka treguar në vetëm 1 vit qeverisje se ka shkelur më shumë se një herë konsensusin e arritur mes palëve. Për këtë PD kujton rastin e votimit të ligjit për nëpunësin civil. Por për formatin e marrëveshjes me shumicën, opozita e ka shprehur tashmë variantin e saj, duke hedhur në tryezë shembullin mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës në vitin 2002. “Një marrëveshje e bërë në kohën kur mazhoranca socialiste bllokonte të gjithë numrat dhe nuk mund të bllokonte opozita në votimin parlamentar. Nëse zoti Rama kërkon të rritet politikisht në nivelin e paraardhësit të tij, unë besoj se do të kishim përpara një mundësi për të arritur një marrëveshje”, – ka pohuar Bylykbashi. Ndërkaq, ndaj kësaj kërkese, reagimi i vetëm ishte ajo e deputetit socialist Erjon Brace, i cili e kundërshtoi haptazi atë, e ndërsa mazhoranca në formë zyrtare të vetmen përgjigje kishte votimin e komisioneve hetimore të propozuara më parë nga PD-ja, duke mos u shprehur specifikisht për këtë çështje. Sipas kreut të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, pranimi i kërkesave të opozitës për komisionet hetimore vërtetoi se mazhoranca i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte, ndërhyrja e partnerëve ndërkombëtare do të jetë vendimtare për arritjen e marrëveshjes mes palëve e më pas si pasojë rikthimin e opozitës në Kuvend pas thuajse 4 muajsh bojkot.

 

 

Marrëveshja e 2002-shit

Në vitin 2002, ish-kryeministri Fatos Nano pranoi që të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi me ish-kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha nën garancinë e ndërkombëtarëve, përkatësisht ambasadorit të OSBE-së, Ahrens. Në qendër të marrëveshjes ishte nënshkrimi për krijimin e një komisioni të përbashkët parlamentar për përmirësimin e sistemit zgjedhor. Marrëveshja e asaj kohe erdhi pas muajsh të gjatë debatesh mes palëve politike dhe u realizua me ndërmjetësimin e OSBE-së.

 

 

 

28 milionë e 500 mijë USD

Marrëveshja me SHBA-në për qeverisjen e mirë, nis shqyrtimi në komisione

Qeveria amerikane ka ofruar një ndihmë financiare për Shqipërinë me një vlerë totale prej rreth 28 milionë e 544 mijë dollarë, e cila do të shpërndahet në këste përgjatë viteve 2013-2016. Për këtë qëllim, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane është lidhur më 30 shtator 2013 marrëveshja e ndihmës, e cila ka objektiv forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme. Më 30 qershor 2014 mes palës shqiptare dhe asaj amerikane, është nënshkruar ndryshimi nr. 2 i kësaj marrëveshjeje, e cila së fundi ka mbërritur për ratifikim në Parlament. Sipas këtij dokumenti, i cili do të shqyrtohet të hënën në komisionet parlamentare, palët do të zbatojnë projekte me interes të përbashkët dhe për financimin e tyre i është akorduar qeverisë shqiptare për vitin fiskal 2013, një grant që nuk e tejkalon vlerën e 9 milion e 906 mijë USD. Pjesa tjetër e kontributit total prej 28 milionë e 544 mijë USD do të jepet me shtesa dhe në bazë të disponueshmërisë së fondeve nga USAID-i. Fondet që i vihen në dispozicion qeverisë shqiptare do të alokohen në fusha si shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut, qeverisja e mirë, shoqëria civile, tregtia dhe investimet, sektori financiar, konkurrueshmëria etj.

 

 

Për progres-raportin e KE-së

Komisioni i Ligjeve nesër seancë dëgjimore me Naçon dhe Hariton

Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të zhvillojë nesër një seancë dëgjimore me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço dhe ministren e Inovacionit, Milena Harito, rreth progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Progres-raporti, i publikuar më 8 tetor në Bruksel, vlerësoi arritjet dhe reformat e realizuara deri tani duke e vënë theksin tek nevoja e thellimit të luftës kundër krimit e korrupsionit, te reforma në sistemin gjyqësor dhe te rivendosja e një dialogu politik të qëndrueshëm mes mazhorancës dhe opozitës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency