E vërteta që UEFA pa, por nuk respektoi, Nikolla: Kemi ende për të bërë

0
176

10644466_1481576248782338_319286514485801962_o

Erneta Shevroja

Menjëherë pasi ministrja e Sportit publikoi pamjet filmike, Kryeministri Rama e shpërndau në profilin e vet në “Facebook”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, beson se “lufta” me Komisionin Disiplinor të UEFA-s nuk ka përfunduar për të fituar drejtësinë për ndeshjen e zhvilluar më 14 tetor në Beograd, ku futbollistët e kombëtares shqiptare u dhunuan dhe qeveria evropiane e futbollit vendosi të dënonte Shqipërinë. Në një video 15-minutëshe, me tekst anglisht, gjermanisht dhe shqip, ministrja Nikolla u bëri thirrje shqiptarëve të shpërndajnë sa më shumë filmimet në mjetet e tyre të komunikimit për të treguar padrejtësinë që ndodhi në stadiumin e Beogradit. Videon në fjalë e shpërndau edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, në profilin e vetë në “Facebook”.

Mesazhi për Evropën

Videon, me të cilën Federata Shqiptare e Futbollit u mbrojt tek UEFA, mund ta shohë çdo shqiptar dha ta shpërndajë atë, në mënyrë që të gjithë të bëhen dëshmitarë të asaj që UEFA nuk dëshironte të shikonte. Në 15 minuta sekuenca të titruara në anglisht, gjermanisht dhe shqip, pasqyrohet tmerri që panë futbollistët në stadium, ku turma tifozësh thërrisnin “Vritini shqiptarët” dhe shkelje të tjera të bëra nga ekipi serb. Me titullin “Dy pyetje që të gjithë duhet t’ia bëjnë UEFA-s” ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, shprehet se është “tronditur” nga vendimi i së premtes i UEFA-s, por shton ajo “kemi ende për të bërë”.

“Në video është dokumentuar e vërteta që UEFA mundi ta shihte dje (të premten) pa mundur ta respektojë, për të respektuar Fair Play-n dhe vetveten! Por këtë të vërtetë bota nuk e ka parë, përveçse në disa copëza shumë të vogla që edhe ato u sfumuan nga hutimi i çuditshëm pas një kukulle fluturake me një banderolë. Prandaj shpërndajeni sa të mundni përmes internetit në drejtim të çdo gazete, televizioni, federate futbolli, klub futbolli nëpër Evropë e botë”, – shkruan Nikolla bashkëngjitur me videon. “Postojeni në çdo adresë ku mendoni se dikush duhet ta shohë këtë të vërtetë dhe të bashkohet me ne në bindjen se vendimi i djeshëm i UEFA-s ka cenuar drejtësinë, Fair Play-n dhe Respektin që UEFA i promovon aq shumë. Ndajeni përmes Facebook-ut tuaj këtë videodokument të realizuar ekskluzivisht për Komisionin Disiplinor të UEFA-s, me të gjithë yjet e futbollit evropian dhe me çdo futbollist që ndiqni në rrjetet sociale”, – bëri thirrje ministrja. Numri 1 i sportit ka shprehur bindjen se nuk është momenti për t’u dorëzuar ndaj padrejtësisë. “Pa rënë në batakun e urrejtjes, mllefit, dëshpërimit që verbon shikimin, por pa heshtur. Pa u tërhequr përballë padrejtësisë. Duke bërë këtë, shumë shpejt UEFA do të kuptojë se janë shumë më tepër sy e veshë, sesa sytë dhe veshët e shqiptarëve, të cilët do të presin të shohin e të dëgjojnë si do t’i shkojë halli drejtësisë së munguar në këtë ditë të trishtueshme për Fair Play-n në Evropë dhe për drejtësinë në gjirin e UEFA-s!”, – mbyll fjalën e saj ministrja e Sportit.

 

Rama shpërndau videon

Kryeministri Rama, që e dënoi vendimin e padrejtë të Komisionit të Disiplinës ndaj futbollistëve dhe lojës që zhvilluan, ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së ministres. Brenda minutave të para, kreu i qeverisë shpërndau videon.
Pamjet filmike

Përmbajtja e pamjeve filmike nis me mbërritjen e futbollistëve kuq ezi në Beograd, që u pritën me thirrjet e zakonshme të serbëve “Kosova është Serbi”. Por ky është momenti më pak i dhunshëm në video. “Vritini shqiptarët”, thirrje raciste në kor nga mbi 30 mijë tifozë, përdhosje e himnit kombëtar, dhunë ndaj kuqezinjve, goditje nga policia serbe, kontrolle të imtësishme në çantat e tyre për dronin, shkeljet për të mbrojtur futbollistët serb. Këto janë disa nga episodet e dhunës që përjetuan futbollistët e kombëtares në ndeshjen e ndërprerë me Serbinë mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd. Futbollistët në stadium u pritën me “Vritini shqiptarët” në një kohë kur kuqezinjtë këndonin himnin. Përdhosja e himnit kombëtar të Shqipërisë dhe djegia e flamurit të NATO-s ku Shqipëria është anëtare e saj. Kur djemtë e kombëtares sonë po i afroheshin portës serbe, tifozët nisën të hedhin fishekzjarrë në stadium, ndërkohë që thirrjet antishqiptare nuk pushuan asnjë minutë. Momenti kulmoi në stadium u valëvit flamuri me Shqipërinë etnike që drejtohej me dron. Tifozët serbë vërshuan në stadium për të marrë flamurin, që tashmë ishte në duar të djemve kuqezi. Kjo u kushtoi kuqezinjve, pasi huliganët serb iu vërsulën futbollistëve shqiptarë me mjete të forta për t’i goditur. Por, përveç tifozëve, në dhunë morën pjesë edhe policët që duhet të mbronin futbollistët tanë nga sulmi. Në video janë edhe disa fotografi, ku shihen qartë shenjat tek djemtë nga dhuna. Dhuna e serbëve ndaj lojtarëve duket më së miri nga shenjat që ata kanë në trupin e tyre. Në fund pasqyrohet kontrolli i imtësishëm në çantat, dhomat dhe tualetet e kuqezinjve në kërkim të dronit. Me videon 15-minutëshe Federata Shqiptare e Futbollit është mbrojtur pranë UEFA-s në kërkim edhe të 3-pikëshit, që iu dha kombëtares serbe. Ndërkohë, FSHF-ja u gjobit edhe me 100 mijë euro gjobë.

 

 

Vizita në Beograd

Berisha: Rama, obsesiv për vizitën, shtyrja e 6-të i duket fundi i botës

Ish-kryeministri: Pengesë ndër më kryesoret në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve është albanofobia, si forma më e vjetër, më e konsoliduar e racizmit të serbëve

Dje ish-kryeministri Sali Berisha dha një arsyetim të gjatë mbi ngjarjet që ndodhen në fushën e futbollit në Beograd, gjatë dhe pas ndeshjes së dhunshme. Në një status në “Facebook”, fillimisht Berisha ka dhënë arsyen kryesore që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë për vite me radhë nuk janë fqinjësore. “Në vlerësimin tim, pengesë ndër më kryesoret në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve është albanofobia, si forma më e vjetër më e konsoliduar e racizmit të serbëve, dhe jo vetëm e atyre, ndaj shqiptarëve”, – shkruan Berisha.

Në vijim, ish-kreu i qeverisë së djathtë thotë se Kryeministri Rama është kundërshtuar plot 6 herë për të kryer një vizitë në kryeqytetin serb. Sipas Berishës shtyrja e 6-të që i bëhet Kryeministrit, i duket këtij të fundit si fundi i botës. “Këto ditë një polemikë e gjerë ka shpërthyer në media, dhe jo vetëm në media, në Shqipëri, por edhe në Serbi mbi dështimin e gjashtë të radhës së vizitës obsesive të Ramës në Beograd me datë 22 tetor, kësaj radhe, për shkak të ngjarjeve në stadiumin e Beogradit. Një mendim kërkonte që vizita të mos bëhet ose të shtyhet sine die; opinioni tjetër kërkonte që vizita të bëhej dhe të mos shtyhej. I këtij qëndrimi ishte vetë Rama, i obsesuar dhe me nerva të lodhura nga pesë shtyrje të mëparshme të vizitës së tij. Me sa duket, kjo shtyrje, e gjashta me radhë, atij i dukej fundi i botës; të tretët mendonin se vizita duhet shtyrë ndër ta dhe vetë mikpritësi Vuçiç, i cili shfrytëzoi zhvillimet e 14 tetorit dhe në përgjigje të deklaratave të Ramës se ai do bënte vizitën në datën e caktuar u shpreh në mënyrë fyese se nuk kishte vendosur nëse do ta priste apo jo Ramën më 22 tetor dhe se këtë vendim do ta merrte gjatë fundjavës. Në gjuhë diplomatike, kjo do të thoshte “mos hajde se nuk ta kam ngenë”, – shkruan Berisha në profilin e vet në “Facebook”. “Me ambiguitetin e tij, Vuçiç i thoshte Ramës ‘nuk do të pres ose për të të pritur duhet të më thonë partnerët’. Dhe vizita nuk u bë në datën e caktuar dhe që donte Rama, por u shty, natyrisht siç vendosi Vuçiç, i cili në këtë rast, fitoi dhe vlerën e koncesionit që bëri ndaj të mëdhenjve që i kërkuan që vizita të bëhej. Por kësaj radhe, vizita e caktuar me datë 10 nëntor është vizitë e ndërmjetësuar dhe si rregull nuk e ka bishtin mbrapa, pra është pa shtyrjen tjetër të radhës”, – vijon Berisha, duke analizuar në vijim të gjitha vizitat që Serbia ia ka shtyrë Kryeministrit Rama.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency