Projektligji/ Drafti për pensionet e minatorëve, ulet mosha, rriten përfitimet

0
169

“Projektligji është parashikuar si skemë e fondeve profesionale, do të ketë edhe një kontribut shtesë, i cili do të jetë 2% nga vetë punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi, pra 5% shtesë kontribute”

minatore ne miniereNga 1 janari 2015, minatorët e nëntokës do të dalin në pension në moshën 55-vjeçare, nga 60 që është aktualisht. Gjithashtu parashikohet që periudha e sigurimit për minatorët do të jetë 30 vite, nga të cilat 12 vite e gjashte muaj duhet të jenë punë nën tokë. Drafti është prezantuar në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese. “Ky projektligj bëhet për rregullimin e pensioneve dhe ky parashikohet të jetë një ligj i veçantë, ku mosha mesatare e pensionistëve nga 60 vjeç të bëhet 55 vjeç, pra ulja e moshës së pensionit. Periudha e sigurimit e përgjithshme parashikohet të jetë 30 vjet nga të cilat 12 vjet e gjashtë muaj të jenë në minierë në tokë. Totali i përfituesve është 3840 pensionistë. Kjo kategori nuk duhet të jetë ekonomikisht aktive, as e vetëpunësuar, përveçse vetëpunësimit në bujqësi”, – tha relatorja Esmeralda Shkjau në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Nga ndryshimet që sjell ky draft i ri parashikohet që të përfitojnë rreth 3840 minatorë. Në skemë pritet të përfitojnë persona të tjerë të cilët me ligjin aktual nuk kanë marrë pagesën e duhur. Drejtori i drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore dhe Pagave në MMSR Astrit Kuka tha se ulja e moshës së pensionit është kërkuar edhe nga sindikatat, për shkak të vështirësive që ka sektori i minierave, kushtet e vështira që ndikojnë në shëndetin e punonjësve, ndërsa shtoi se për këtë projektligj janë marrë dhe mendimet e grupeve të interesit, sikurse është shfrytëzuar dhe eksperienca ndërkombëtare në këtë fushë. “Në vitin 2001, është nxjerrë një ligj për trajtimin e veçantë të punonjësve në miniera në nëntokë, janë 3400 persona që nuk përfitojnë. Meqenëse është një ligj për trajtim të veçantë financiar masa e përfitimit është e ulët, 9 mijë lekë në muaj dhe këta persona kanë 12-13 vjet që vazhdojnë në këtë skemë. Projektligji është parashikuar si skemë e fondeve profesionale, gjithashtu është parashikuar të ketë edhe një kontribut shtesë, i cili do të jetë 2% nga vetë punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi, pra 5% shtesë kontribute. Ky projektligj plotëson disa kritere dhe nga pikëpamja sociale dhe efektet financiare janë të përballueshme”, – tha gjatë fjalës së tij Astrit Kuka. Projektligji parashikohet që të ketë një efekt shtesë në buxhetin e qeverisë rreth 310 milionë lekë në vit.

 

Si përfitohet me ligjin aktual

Ligji nr. 8685, datë 9.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë”, përcakton pension të veçantë për minatorët. Sipas këtij ligji përfitojnë punonjësit, të cilët kanë punuar në miniera, nëntokë. Përfitojnë të gjithë ata personat që kenë punuar për një periudhë jo më pak se 11 vjet e gjysmë nëntokë dhe të kenë periudhë të përgjithshme jo më pak se 23 vjet punë. Përfitojnë ata individë që nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike. Masa e përfitimit për këta punonjës do të jetë e barabartë me 60% të bazës së vlerësuar. Në rastet kur për llogaritjen e bazës së vlerësuar mungojnë dokumentet, masa e përfitimit do të caktohet në nivelin e përfitimit minimal, i cili përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave; lidhur me këtë përfitim, nuk procedohet në vijim, pasi në ligj është parashikuar një datë kufi e paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit deri më 31 mars 2001.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency