Reforma në drejtësi / Vishaj: Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese të zgjidhen nga populli

0
153

saimiri

Erneta Shevroja

Vishaj kundër propozimit të ministrit të Drejtësisë: Pse Gjykata e Lartë nuk mund të ndërfutet në KLD

 “Problemi më i madh që ka sistemi është varësia nga politika. Prokuroria është sistemi më i dobët i drejtësisë, duhet ndërhyrje urgjente”

 

Ndërkohë që reforma në drejtësi është kthyer në qendër të debatit aktual mes palëve politike në vend, ekspertët e fushës paraqesin variantet se si mund të ndryshojë sistemi. Nisur nga fakti se kjo reformë përbën sfidën më të madhe të Shqipërisë përkundrejt Bashkimit Evropian, në kuadër të aspiratës evropiane për anëtarësim në BE, kjo e fundit ka bërë të ditur se është thelbësore përfshirja në proces e ekspertëve, juristëve si edhe partnerëve ndërkombëtarë. Po ku konsiston realisht kjo reformë? Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë Shqiptarë, Saimir Vishaj, në një intervistë për gazetën “Standard” bën të ditur pikat kryesore, mbi të cilat duhet të ndërhyhet në sistemin e drejtësisë. Sipas avokatit penalist, ndërhyrjet duhet të fillojnë nga Gjykata Kushtetuese deri tek organet më të ulëta të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, mendimi i tij është se gjyqtarët më të lartë nuk duhet të zgjidhen nga Kuvendi, por nga populli. Problemi më i madh që ka sistemi i drejtësisë sot është varësia nga politika e në këtë pikë duhet fokusim më i madh. I pyetur për propozimin e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naco, për ndërfutjen e Gjykatës së Lartë brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Vishaj shprehet se ky është një hap i gabuar, pasi do të krijohet mbivendosje institucionesh. Kreu i Avokatëve Penalistë flet për Shkollën e Magjistraturës, për emërimet e gjyqtarëve, për problemet që ka KLD-ja, për korrupsionin, modelin që mund të ndiqet, duke shprehur edhe një koment lidhur me deklaratën e Kryeministrit Rama për “kancerin” e drejtësisë.

 

Si i komentoni tryezat që organizohen nga institucionet, Presidenca dhe Ministria e Drejtësisë, për reformën në sistemin e drejtësisë? Besoni se do të japin një rezultat konkret?

Çdo tryezë duhet përshëndetur, pavarësisht se kush e inicion, ndaç faktori politik ose aktorët që janë drejtpërsëdrejti pjesëtarë të sistemit të drejtësisë. Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë mbështet tryezat e iniciuara nga dy forcat politike në praninë e Presidentit të Republikës. Jemi në moment që tryezat duhen përshëndetur, nuk ka rëndësi se kush i inicion President apo dy forcat politike. Një gjë është e rëndësishme që nëse do të flitet për reformë në drejtësi nuk mund të bëhet asnjëherë në mënyrë të njëanshme, por reforma në drejtësi kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve. Pra, nuk ka reformë me pjesëmarrjen e një pale por duhet të gjithë pakët dhe aktorët që e prekin këtë lloj drejtësie.

 

Po prezencën e ekspertëve të huaj?

Nuk bëhet reformë në drejtësi vetëm me një mendim ekspertësh, qoftë brenda vendit apo ekspertë të huaj. Që të bësh një reformë me këtë lloj drejtësie që është katandisur sot në Shqipëri, duhet një strategji, një strategji ku të jenë të pranishëm aktorët shqiptarë, por edhe të huaj. Dhe të dy këta lloj ekspertësh, vendas dhe të huaj, duhet t’ia paraqesim faktorit politik, të jenë të pranishëm në parlament sepse çdo lloj reforme do të ketë detyrimisht ndryshime kushtetuese. Nuk mund të perceptohet reforma në drejtësi pa një reformë në Kushtetutë, e cila kërkon votat e mjaftueshme, por nuk ka rëndësi numri i votave por mendoj që të gjithë aktorët politik duhet të jenë të pranishëm dhe të japin dakordësinë e tyre për këtë reformë.

 

Po sa i përket mendimit të ekspertëve vendas?

Ne me mendimet tona do të jemi pjesë e strategjisë, sepse kemi në radhët tona ekspertë, me mbi 30-40 vite eksperiencë në fushën e drejtësisë dhe mendimet e e tyre do të jenë të vyera në çdo tryezë, në çdo konferencë që do të organizohet, pse jo dhe me shkrim atje ku do të ngrihet grupi për strategjinë kombëtare. Mendoj se nëse nuk do të funksionojë një grup, qoftë të ngritur nga parlamenti apo nga Ministria e Drejtësisë nga gjithë faktorët mendoj që kjo reformë nuk do të përfundojë as për një muaj, as për gjashtë muaj, e as për një vit. Kërkon një kohë të caktuar që këto gabime që janë bërë këto 24 vite do të kërkojë të pakën 1 ose 2 vite kohë. Reforma në drejtësi nuk është arnim, ne aktualisht kemi ligje por problem është tek zbatimi. Si do të gjejmë rrugë për zbatim, që do të thotë të krijojmë besueshmëri tek gjykata ku sot nuk ka më besim, sepse 80-90 për qind të vendimeve janë të cenueshëm dhe prishin ose ndryshojnë në sfond të lartë drejtimi. Ne sot në Evropë mbajmë numrin më të lartë të vendimeve të ankimuara në Gjykatën e Strasburgut, ku 125 vendime presin zgjidhje dhe 125 vendime të cilat cenojnë drejtpërsëdrejti qeverinë shqiptare ose Ministrinë e Drejtësisë. Problemi i gjyqësorit është se asnjë gjyqtar nuk ndien përgjegjësi, sot kemi gjyqtarë të papërgjegjshëm, për të cilët shteti shqiptar është dënuar miliona euro. Pra, gjyqtari nuk ndien asnjë përgjegjësi për atë vendim që ka bërë, ka shkelur minimum të drejtat procedurale ose të drejtat e njeriut.

 

Vendimet kalojnë nga një shkallë në një shkallë tjetër dhe të krijohet përshtypja sikur nuk mbarojnë kurrë?

Në çështjet civile ka pambarimisht harresë, që do të thotë mund të ketë çështje që kërkuesi ka vdekur. Një proces civil iniciohet nga një padi ose kërkuesi. Kërkuesi mbas 20 vitesh mund të këtë vdekur dhe vendim e merr trashëgimtari i parë ose i dytë. Kjo është skandaloze, ndërkohë që në penale ka një afat procedural nga 1 vit deri në 3 vjet, ku me gjithë Gjykatën e Lartë, të cilat me ndryshimet e reja që priten në Kodin e Procedurës Penale do ta ulin akoma ritmin e gjykimit të proceseve penale, ndërsa në proceset civile kërkohet patjetër një reformë, sepse të gjykosh një çështje 3, 5 vjet, 10 vjet ku barrën e provës e ka kërkuesi yt është anomalitet i gjykatave shqiptare. Sepse, personi që do të iniciojë një gjyq, duhet të çojë që në seancën e parë të gjitha provat, t’i thotë gjykatës ‘unë kam këtë pretendim’. Provat dhe nuk mund t’ia lë asaj në gjykim, shkallë e parë, shkallë e dytë mbas dy vjetësh dhe të rikthehet përsëri çështja. Ndaj asnjë gjyqtari, të cilit i prishen vendimet deri më sot, nuk kemi parë të nisë ndonjë procedim disiplinor. Kjo është anormale.

 

Ku duhet të ndërhyhet fillimisht? Cila është hallka që kërkon ndërhyrje urgjente?

Për mua është prokuroria. Prokuroria është sistemi më i dobët i drejtësisë, pasandaj edhe avokatia ka problemet e veta dhe gjyqësori ka problemet e veta. Ne, nëse flasim për reformë në drejtësi, pikërisht këta njerëz janë. Duhet një reformë në mentalitet, ndryshime të ligjit që prek të gjithë aktorët e sistemit, prokurori-avokat-gjyqtar, zyrat e ndërmjetësimit, të cilët bashkërisht do të bëjnë të mundur që njerëzve t’u rikthehet besimi tek drejtësia. Ne aktualisht sot kemi një Gjykatë të Lartë dhe gjykata Kushtetuese të cilat po marrin rolin e gjykatave të themelit. Kjo është njëra anë, që Gjykata e Lartë ose Gjykata Kushtetuese të gjykojë çështjen në themel. Që do të thotë që zbehin rolin e dy gjykatave të shkallëve më të ulëta. Unë mendoj që duhet të fillohet që tek emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së të Lartë nga një komision i ngritur me ekspertë. Mendimi im është që gjyqtarët e lartë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë të zgjidhen nga populli. Nëse do të zgjidhet nga populli, atëherë nuk do të kenë më varësi nga politika. Ne duhet të shpëtojmë drejtësinë në politika, ky është mesazhi që japim. Duhet ta shpëtojmë, në mënyrë që qoftë një deputet, president një kryetar partie të mos ketë më në dorë që të caktojë një gjyqtar. Këtë duhet ta zgjedhë populli në bazë të karrierës që ka gjyqtari, në bazë të figurës profesionale dhe karrierës së tij. Nëse ne do të kemi një Gjykatë të Lartë, një Gjykatë Kushtetuese të fortë, atëherë detyrimisht do të kemi edhe gjykata të nivelit më të ulët më të forta. Por, duke parë që gjykata e shkallës së parë dhe shkallës së dytë shikojnë nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, që për të njëjtin fakt mbajnë disa qëndrime, atëherë edhe këto degjenerojnë në koncepte të tyre. Ne themi sot ka korrupsion. Ka korrupsion si në gjyqësor, si në prokurori si dhe në avokati. Problem i madh është edhe paaftësia. Ne kemi gjyqtarë, të cilët nuk kanë një bibliotekë, nuk kanë një libër, nuk lexojnë, nuk japin vendimet e tyre me standardet evropiane.

Kjo vjen sepse janë emëruar nga politika?

Po, janë emëruar nga politika e ndihen të sigurtë dhe japin një vendim me burgim të përjetshëm në një faqe e gjysmë. Japin një vendim për zgjidhjen e një prone me mijëra hektarë në një faqe e gjysmë, duke e ditur që do të krijojnë konflikte.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka thënë se duhet të ndërhyhet në ligjin themeltar, në Kushtetutë, dhe në ligjet e Gjykatës së Lartë. Si e komentoni ju këtë hap?

Nuk ka reformë në drejtësi pa ndërhyrë në Kushtetutë, sepse nëse ne do të shikojmë si mund të zgjidhen gjyqtarët e lartë, atëherë për gjyqtarët e lartë duhet të ndryshohet Kushtetuta. Nëse do të hidhen disa mendime, që do të zgjidhen nëpërmjet komisionit ose drejtpërdrejt nga populli, duhet të ndryshohet Kushtetuta, sepse aktualisht Kushtetuta ka përcaktuar qartë që një gjyqtar i lartë zgjidhet me dekret të presidentit, mbasi merret mendimi dhe pëlqimi i Parlamentit. Pra, nëse jemi vetëm në këtë hallkë, duhet të ndryshojë Kushtetuta, ashtu siç duhet të ndryshojë mandati i gjyqtarit të lartë. Të mos këtë mandat 9-vjeçar, por duhet të ndryshohet mandati i Gjykatës së Lartë, në mënyrë që t’u jepet të drejtë të gjithë gjyqtarëve që të bëjnë rotacionin e duhur. Pra, duhet të shkurtohet mandati, njëkohësisht Gjykata e Lartë të jetë gjykatë karriere, të jenë gjyqtarë, të cilët kanë një karrierë qoftë në gjykatën e shkallës së parë, shkallës së dytë ashtu dhe avokatët që plotësojnë kriterin e përvojës 15-20 vjet.

Po propozimin që Gjykata e Lartë të përfshihet brenda KLD-së dhe kreu të ketë pothuajse të njëjtat kompetenca, si e komentoni?

Absolutisht jo. Ky është gabim, sepse vetë Gjykata e Lartë, për aq kohë sa ka anëtarin e saj në KLD, përfaqëson denjësisht këtë Gjykatë. Unë jam i mendimit që Gjykata e Lartë të jetë gjykatë stacioni, pra për çdo lloj çështjeje, vendimi ose qëndrimi duhet të jetë praktikë për gjykata e ulëta. Për aq kohë sa Gjykata e Lartë ka përfaqësuesin e vet në KLD, nuk mund të merret kjo kompetence e institucionit kushtetues, sepse KLD është institucion kushtetues. Nuk mund të përfshihet një institucion kushtetues brenda një institucioni të tjerë kushtetues. Pra, ka mbivendosje të institucioneve.

Pra, ju jeni kundër kësaj apo jo?

Po, unë jam kundër. Nuk mundet që të ketë dy kryetarë, nuk mund të mbivendosen dy institucione. Madje, ne jemi që edhe për kryetarin e Gjykatës së Lartë të ketë rotacion, siç e ka Gjykata Kushtetuese, nuk mund të kemi ne për 9 vite një kryetar të gjykatave. Dhe kryetari i gjykatave duhet çdo dy vjet, çdo tre vjet të ndryshohet. Duke bërë rotacion çdo dy vjet, çdo tre vjet brenda radhëve të Gjykatës së Lartë do të sjellë një risi. Ne këtu e shohim reformën në drejtësi nga kryetari deri tek anëtari më i thjeshtë. Së pari, të ulim vitet; së dyti, mënyra e zgjedhjes së kryetarit dhe; së treti, mënyra e zgjidhjes së gjyqtarit brenda radhëve, me rotacion, jo më nga Parlamenti dhe presidenti, por vetë gjyqtarët të zgjedhin kryetarin e tyre.

Ka një model që duhet të merret parasysh në reformimin e drejtësisë, një model që mund të përshtatet dhe të japë rezultate?

Modeli i Kosovës. Modeli mund të përafrohet minimalisht me Kosovën. Kosova vërtet ende nuk ka shtet, ka një demokraci shumë të brishtë, por ka sistemin gjyqësor që me ndihmën e të huajve këto fenomene që kemi ne sot në Shqipëri nuk janë ( EULEX). Unë mendoj që prania e gjyqtarëve të huaj, duke eksperimentuar në disa gjykata, të cilat janë të rëndësishme ose janë gjykata karriere në Shqipëri do të ishte një zgjidhje. Sado ligje të nxjerrim ne, sado të bërtasim gjithë ditën reforma në drejtësi, këta njerëz janë, ky brumë është. Së dyti, kemi Shkollën e Magjistraturës, që për në është një hap mbas viteve 2000. Siç solli risi, solli dhe paaftësi. Nuk mund të bëjmë ne një gjyqtar 25-vjeçar, 22 mbaron juridikun, 3 vjet Shkolla e Magjistraturës dhe 25 vjeç, gjyqtar. Pra, duhet të plotësohet edhe kriteri i moshës. Duhet një moshë e caktuar për të qenë gjyqtar, pasi të kalojë disa etapa. Prandaj, ne si shoqatë kemi sugjeruar që mosha të jetë 35 vjeç për femrat dhe 40 për meshkujt.

 

Çfarë mendoni për KLD-në?

Dihet që KLD-ja ka shumë problem, por problem më i madh është me tre anëtarët që zgjedh parlamenti. Tri anëtarët që zgjedh Parlamenti në kundërshtim me 9 anëtarët që zgjedh Konferenca Gjyqësore mbrojnë interesat e Parlamentit. Çfarë ndodh, në moment që Parlamenti zgjedh 3 anëtarët e vet, këta humbasin çdo lloj lidhjeje me Parlamentin, pra nuk japin më llogari para Parlamentit që i zgjedh dhe ky është precedent i rrezikshëm. Kjo do të thotë se pavarësisht se KLD-ja është institucion i pavarur, kjo nuk do të thotë që i duhet të ketë pavarësi edhe nga vetë organi që e zgjedh. Ti do të japësh llogari përpara një institucioni, sepse aktualisht është krijuar një precedent i rrezikshëm: unë jam institucion i pavarur, organi që më zgjedh është Parlamenti dhe ne të tre që jemi zgjedhur nga Parlamenti nuk pranojmë të shkojmë. Ky është i gjithë problemi, tre anëtarët nuk pranojnë të shkojnë para Parlamentit ose Komisionit të Ligjeve që të raportojnë për problemet që ka KLD-ja. Mendimet e Kuvendit duhet të përcillen tek KLD-ja. Pra, tre anëtarët nuk pranojnë të shkojnë në Parlament jo më të raportojnë, ky është një precedent i rrezikshëm, për mua kjo është shkelja më e madhe që kanë bërë tre anëtarët KLD-së.

 

Kryeministri ka thënë se sistemi i drejtësisë është i prekur nga kanceri, si e shihni ju këtë përcaktim?

Absolutisht është një thënie e saktë. Kanceri në shoqërinë shqiptare është korrupsioni në drejtësi. Ka korrupsion në mjekësi, por në sistemin e drejtësisë është shumë më i ndjeshëm, shumë më i madh. Fakti që 125 vendime janë prishur nga Gjykata e Strasburgut tregon që në Shqipëri ka rënë alarmi. Në Angli një vendim të ketë Gjykata e Strasburgut ndaj shtetit anglez, mblidhet gjithë Parlamenti. Kurse në Shqipëri ky lloj kanceri që është për shkak të korrupsionit apo të paaftësisë, nuk ka asnjë përgjegjës, janë 125 vendime në një shtet me 3 milionë banorë.

 

 

 

 

 

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë

 “Shtim i numrit të gjykatësve në Administrative, mosha e pranimit për magjistratët të rritet me dy vjet”

Hoxha: Sfidë, ligji “Për statusin e karrierën e gjyqtarëve”. Reformimi i kodeve të procedurave të gjykimit në fushën administrative, civile dhe penale”

 

Ndërkaq, kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gerti Hoxha, na bën të ditur propozimet e tij. Për gazetën “Standard”, Hoxha flet për karrierën e gjyqtarëve, për Gjykatën Administrative, që ka mungesë personeli dhe mbingarkesë pune, për studentët e Shkollës së Magjistraturës etj. Më poshtë kemi paraqitur propozimet e Unionit të Gjyqtarëve për institucionet në kuadër të reformës në drejtësi.

  1. Përmirësimi i sistemit të rekrutimit dhe karrierës së gjyqtareve të të gjitha niveleve, duke i dhënë rol parësor formimit profesional dhe integritetit moral nëpërmjet një parimi të thjeshtë natyror: zgjedhje – përzgjedhje – elitë. Do të jetë një ndër sfidat kryesore të Unionit bërja e ligjit “Për statusin dhe karrierën e gjyqtarit”. Ky ligj do të përcaktojë në mënyrë objektive të drejtat, detyrat, kohën dhe sasinë e punës që duhet të përballojë një gjyqtar, kushtet e punës, trajtimin financiar dhe material personal dhe familjar të gjyqtarëve, gradat sipas aftësisë dhe eksperiencës, etj. Në këtë mënyrë, do t’i jepet fund emërimit dhe promovimit subjektivist të gjyqtarëve. Nëse kërkojmë standarde të dhënies së drejtësisë si në vendet e BE-së, atëherë duhet që së paku gjyqtarët të kenë standarde të përafërta trajtimi dhe karriere me homologët e tyre në këto vende, standarde të cilat, për fat të keq, sot nuk janë të barabartë as me shtete në lufte e me probleme të theksuara fisnore e fetare.

 

  1. Rekrutimi i studentëve të Shkollës së Magjistraturës, që do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, do të duhet të bëhet mbi baza dhe kritere sa më objektive; duhet rritur me të paktën dy vjet mosha e pranimit të kandidateve për magjistratë. Së fundi, duhet rikthyer praktika e mirë e para disa viteve, e stimulimit të studentëve më të mirë të drejtësisë, sipas së cilës studentët më të mirë të kenë të drejtë të emërohen në gjykatat dhe prokuroritë më të mira të vendit (Tiranë, Durrës).

 

  1. Forcimi i mekanizmave të kontrollit, duke shkuar drejt rritjes së cilësisë së kontrollit nëpërmjet shkallëve të sistemit gjyqësor, dhe jo nga inspektorate jashtë sistemit si dhe duke kërkuar përzgjedhjen e personave, që do të ushtrojnë kontroll mbi gjyqtarët, sipas kritereve objektive të personave sa më të formuar, me një përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor. Kjo arrihet duke stimuluar juristët (gjyqtarë dhe prokurorë) me përvojë, për të punuar si inspektorë dhe një nga stimujt është edhe promovimi i tyre në shkallët më të larta të sistemit gjyqësor. Së dyti, forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi gjyqtarët është edhe eliminimi i dualizmit në kontrollin e tyre. Së treti, duhet rregulluar sa më parë procedura e ankimimit të masave disiplinore të dhëna nga KLD-ja ndaj gjyqtarëve. Sistemi aktual i ankimimit të këtyre masave në Gjykatën e Apelit është problematik në rrafshin kushtetues, pasi emërimi dhe karriera e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit është funksion kushtetues i KLD-së. Për pasojë, nuk mund të flasim për një gjykim nga një gjykatë e paanshme dhe e pavarur.

 

  1. Reformimi i kodeve të procedurave të gjykimit në fushën administrative, civile dhe penale. Nëse kërkohet shpejtësi dhe cilësi në gjykime, atëherë duhet të ndryshojmë rregullat, të cilat normojnë procesin gjyqësor, për ta bërë atë më të shpejtë dhe më cilësor.

 

  1. Duhet urgjentisht të shtohet numri i gjyqtarëve në gjykatat administrative, veçanërisht në Gjykatën Administrative të Apelit. Duke qenë se kjo është një gjykatë e vetme për gjithë Shqipërinë, fluksi i madh i çështjeve për gjykim ka bërë që kjo gjykatë pothuajse të asfiksohet dhe të humbasë një ndër objektivat kryesorë të krijimit të këtyre gjykatave, që është shpejtësia. Është e pamundur që t’u kërkosh 7 anëtarëve të kësaj Gjykate të gjykojnë nga 20 apo më shumë çështje në ditë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency