Tirana dënon dhunën/ Rama: Flamuri, alibi e dhunës dhe e racizmit serb

0
113

edi rama flamuriRama: S’kemi lidhje me shëmbëlltyrën e së shkuarës, do të jemi lokomotiva e transformimit të rajonit

Kryeministri: Do të shkoj në Beograd, futbolli, jo mjet i politikës

Kryeministri Edi Rama dënoi dhunën e ushtruar ndaj lojtarëve të kombëtares sonë nga ana e tifozëve serbë, ndërsa u shpreh se vendi ynë ka krijuar distancë nga e shkuara konfliktuale dhe vizita e tij zyrtare në Beograd nuk do të anulohet. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Rama shprehu keqardhje edhe për qëndrimet dhe deklaratat e ulëta të autoriteteve serbe dhe tha se futbolli nuk mund të bëhet mjet i politikës.

“Që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe i gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët”, deri në minutën kur djemtë tanë dolën nga stadiumi nën një trysni të madhe psikologjike, përveçse edhe nën një dhunë të pashembullt antisportive. Unë mendoj që edhe në këtë rast, ne si shqiptarë duhet të ndihemi mirë që nuk kemi asnjë lidhje me çka u shfaq në formën e vet më të egër dhe në formën e vetë më negative, si një shëmbëlltyrë e së shkuarës, që ne jemi të vendosur ta lëmë pas dhe që ne e dënojmë duke qenë të bindur se futbolli nuk mund të bëhet instrument i politikës dhe se politika e shteteve nuk mund të udhëhiqet se çfarë ndodh në një fushë futbolli”, – tha Rama.

“Askush nuk u ndie i provokuar nga shfaqja e atij flamuri në atë moment, por fatkeqësisht edhe autoritetet e larta serbe thonë se janë ndier të provokuar. Kjo është thjesht dhe vetëm për të shprehur keqardhjen e thellë”, – vijoi Kryeministri Rama që ndodhet në një vizitë në Amerikë.

 

Alibia për vëllain

Kryeministri Rama dha edhe një përgjigje për të gjitha pretendimet e mediave serbe, që pretendonin se avionin fluturues mbi stadium kontrollohej nga vëllai i tij, Olsi Rama. Kreu i qeverisë tha se edhe kjo është një alibi për të fshehur urrejtjen e tyre. “Përsëri keqardhje dhe përsëri shprehje e një ndjenje mjaft keqardhëse për të gjithë ata që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që tregon përpjekjen për t’u kacavjerrë e për t’u kapur tërësisht pas një alibie të montuar dhe për ta përdorur atë si një gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë mbi të cilën u shfaq urrejtja dje në stadium”, – tha Rama ndërsa shtoi se keqardhje edhe një herë për qëndrimet e autoriteteve serbe. Për Kryeministrin, “Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të bien në këtë nivel, ne do te jemi lokomotiva e rajonit”.

 

Dhuna në stadium, Bushati: Daçiç nuk ishte i disponueshëm për takim

Edhe kryediplomati Ditmir Bushati dënoi dhunën ndaj lojtarëve të kombëtares mbrëmjen e së martës në Beograd nga tifozët serbë, ndërsa bëri të ditur se pala serbe ka refuzuar të bisedojë në lidhje me atë që ndodhi. Bushati qartësoi se dhuna në stadium nisi para se në fushë të valëvitej flamuri me Shqipërinë etnike dhe dy figurat e mëdha të historisë, Ismail Qemali dhe Isa Botelini.

Në një qëndrim zyrtar, kryediplomati Bushati u shpreh se tifozët serbë fyen futbollistët e kombëtares që në minutat e para kur këndohej himni i kombit. Gjithashtu, kryediplomati shtoi se tifozët serbë kanë fyer dhe ofenduar edhe të ftuarit që ndodheshin në tribunën VIP të stadiumit “Partizani”, në Beograd. “Tifozët përdhosën himnin tonë kombëtar në prani të autoriteteve më të larta të shtetit serb, duke lëshuar thirrje urrejtjeje dhe fyese ndërsa kombëtarja jonë këndonte himnin”, – tha Bushati. “Madje, tifozët serbë, poshtë tribunës VIP, përsëriten gjeste të ulëta dhe thirrje të tilla. Më pas tensioni i kalojë situatës, duke hedhur banderolat”, – vijoi Bushati ndërsa bëri një pasqyrim të asaj që ndodhi që në minutat e para.

 

Daçiç refuzon të komunikojë

Ministri i Jashtëm Bushati ka kërkuar bisedime me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, por ky i fundit ka refuzuar të komunikojë në lidhje me dhunën e tifozëve ndaj lojtarëve të Kombëtares sonë. “Kam kërkuar një takim të drejtpërdrejtë me homologun serb, por nuk u realizuar për shkak të mosdisponibilitetit nga pala serbe”, – ndërsa bëri të ditur se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët.

 

Sporti dhe politika kanë vija të ndara

Para se Kryeministri Rama të reagonte, kryediplomati Bushati bëri të qartë se incidentet e dhunshme në stadiumin e Beogradit nuk do të ndikonin në vendimin e vizitës së Kryeministrit Rama në vendin fqinj. Bushati tha se politika dhe sporti kanë vija qartësisht të ndara, ndërsa theksoi se Shqipëria ka një rol për të luajtur në rajon. “Sa i përket vizitës së Ramës në Beograd, qëndrimi i qeverisë shqiptare është i qartë, sporti, politika dhe huliganizmi të kenë vija të qarta të ndara. Qëllimi i qeverisë shqiptare dhe i vizitës së Kryeministri në Serbi i kthjellët, por në të njëjtën kohë të gjitha mundësitë janë të hapura. Shqipëria ka një rol promovues të stabilitetit të rajonit”, – tha Bushati.

 

Olsi Rama: Komplot i thurur, nuk e komandova unë dronin

“Komplot i thurur” i quajti vëllai i Kryeministri, Olsi Rama, pretendimet se ai ka qenë personi që ka komanduar dronin me flamurin në stadiumin “Partizani” në Beograd. Në një prononcim mbrëmjen e djeshme për agjencinë amerikane të lajmeve “CCN”, vëllai i kreut të qeverisë tha: “Jam shumë i neveritur nga pretendimet e përfshirjes sime në komandimin e dronit. Është një komplot i thurur që dhe një shkrimtar thriller do të kishte pasur vështirësi të sillte idenë që u vu re gjatë përplasjes Serbi-Shqipëri”, – tha Olsi Rama. Ai ka sqaruar se ka qenë duke bërë fotografi nga tribuna VIP e stadiumit ku u shfaq papritur flamuri shqiptar. Olsi Rama u akuzua nga autoritetet më të larta serbe si autori i ‘provokimit” të dhunës në stadium.

 

Nishani, vlerësime futbollistëve: Rrezikuan në emër të dinjitetit të flamurit

Presidenti Bujar Nishani priti në Presidencë mbrëmjen e djeshme përfaqësues të ekipit të futbollit dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit. Nishani shprehu vlerësim të madh për futbollistët e kombëtares, duke thënë se ata rrezikuan për dinjitet dhe simbolikën që mbartin ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë. “Ata rrezikuan shumë në emër të dinjitetit dhe simbolikës që mbartin ngjyrat e flamurit kombëtar si shenjë e identitetit dhe integritetit shqiptar. Ne, shqiptarët, dimë të jemi të virtytshëm pa qenë shovenë, dimë të sfidojmë rrethanat, të vetëdijshëm në përkatësinë tonë evropiane dhe në sjellje po aq dinjitoze. Ne besojmë se sporti dhe kultura duhet t’i afrojnë më shumë popujt”, – tha Presidenti.

 

PD: Rast i humbur për Serbinë, nuk tregoi shkëputje nga ekstremizmi

Partia Demokratike e ka vlerësuar si një rast i humbur nga ana e Serbisë për të treguar shkëputje nga ekstremizmi i së shkuarës. Deputeti Aldo Bumçi tha se ndeshja e futbollit mes kombëtares sonë dhe asaj serbe mbrëmë në Beograd ishte një rast i humbur nga fqinji ynë për të dëshmuar shkëputje nga ekstremizmi i dhunshëm i së shkuarës. Po ashtu, një rast i humbur për të dëshmuar vizion evropian dhe vullnet për të ecur përpara. Ndërkohë, Partia Demokratike përgëzoi lojtarët tanë të kombëtares, që shkuan në Beograd për të luajtur futboll, dhe ia dolën të mbronin deri në fund jo vetëm vlerat sportive, por edhe simbolin kombëtar.

 

Bashkia e Tiranës/ Kombëtarja merr titullin “Mirënjohja e Qytetit”

Bashkia e Tiranës i akordoi ekipit kombëtar të futbollit titullin “Mirënjohja e Qytetit”, ndërsa Balaj, Hysaj, Salihi e Vajushi u shpallën qytetarë nderi të Shkodrës pas ndeshjes historike që u luajt në fushën e Beogradit. Titujt u akorduan ditën e djeshme. “Kam nderin dhe privilegjin t’i akordoj kombëtares shqiptare të futbollit titullin “Mirënjohja e Tiranës”, me motivacionin: “Përfaqësoi dhe mbrojti denjësisht simbolet kombëtare, duke na dhënë nder dhe bërë krenarë për dinjitetin dhe qytetarinë e treguar, në një situatë aspak miqësore dhe të tensionuar”, – shkroi Basha në profilin e tij në “Facebook”.

 

Shpend Ahmeti fton kombëtaren në Prishtinë, thirrje Ramës: Mos shko në Beograd

Ndeshja mes ekipit shqiptar dhe serb u komentua edhe nga kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ftoi kuqezinjtë të vizitojnë Prishtinën dhe t’u bashkohen festave për ndeshjen e zhvilluar në Beograd dhe mbrojtjen që futbollistët u bënë simboleve të kombit. Gjithashtu, Ahmeti përsëriti thirrjen që Kryeministri Rama të mos realizojë vizitën zyrtare në Beograd. “Shfrytëzoj rastin që publikisht në emër të Komunës së Prishtinës t’i ftoj të vijnë në Prishtinë sa më shpejt. Do të gëzonin shumë njerëz. Për fund, ashtu siç edhe ia thashë në takim Kryeministrit Rama, po e them prapë, dhe tani jam edhe më i bindur për këtë – Mos shkoni në Beograd”, – shkruante kreu i Komunës së Prishtinës në Facebook.

 

Vuçiç: Jemi provokuar, presim të na kërkoni falje

Ndërsa Kryeministri serb, Aleksanër Vuçiç, tejkaloi çdo pritshmëri në deklaratat e tij në lidhje me incidentet e rënda që ndodhën në Beograd në ndeshjen Shqipëri-Serbi. Vuçiç komentoi se shqiptarët kishin planifikuar provokimet me flamurin dhe kërkoi që pala shqiptare të kërkojë falje “të madhe”. “Ata donin të shkelnin krenarinë tonë dhe një bandë zyrtarësh falsë shqiptarësh të cilët treguan një distancë të qartë mes nesh”, – tha Kryeministri serb duke vijuar: “Qëllimi i ekstremistëve ka qenë të tregonin se Serbia është një vend jotolerant ndaj diversitetit dhe për të poshtëruar të gjithë qytetarët e saj. Serbia pret një falje të madhe nga pala shqiptare”, – tha Vuçiç dhe theksoi se Serbia është e gatshme të rifillojë bisedimet, në mënyrë që të përmirësohet bashkëpunimi. “Unë shpresoj se ne do të arrijmë të kapërcejmë këtë situatë që është përgjegjësi e palës shqiptare. Unë nuk shoh asnjë gabim në gjuhën serbe. Ky është një rast shumë i qartë, por ne patjetër duhet të flasim me njëri-tjetrin dhe për të përmirësuar marrëdhëniet tona”, – tha Vuçiç. “Ne kemi nevojë për më shumë diskutim dhe mirëkuptim më të ndërsjellë”, – u shpreh Vuçiç në një intervistë për mediat serbe.

 

Nikoliç: Shqipërisë do t’i duhen shekuj të bëhet vend pa urrejtje ndaj serbëve

Në prag të vizitës së Kryeministrit Rama, Presidenti serb tregohet edhe më i ashpër në deklarata. Tomisllav Nikoliç ka komentuar se “pasi u vranë përpjekjet për të ndërtuar miqësi të mirë mes Serbisë dhe Shqipërisë, është e dukshme që Shqipërisë do t’i duhen dekada, në mos shekuj, për t’u bërë një vend normal, pa urrejtje ndaj Serbisë”.

Edhe Presidenti serb i gjeti arsyet e dhunës nga ana e huliganëve serb në stadium tek flamuri shqiptar që u valëvit me dron. Ai është shprehur se kjo është bërë me qëllim e vetëm për të provokuar dhunë në Serbi dhe për të destabilizuar rajonin. “Qëllimi i dukshëm i atyre që organizuan dhe kryen planin e dronit, i cili valëviti Shqipërinë e Madhe ishte për të provokuar dhunë në Serbi, dhe një përpjekje për të destabilizuar të gjithë rajonin”, – ka deklaruar kreu i shtetit serb Nikoliç.

 

 Një mesazh për Nikoliçin e Vuçiçin: Serbia do më shumë se shekuj për t’u bërë evropiane

Treguan se ende jetojnë me të shkuarën. As më pak edhe as më shumë, por vetë Presidenti dhe Kryeministri serb vërtetuan dje me zë dhe figurë se janë ata që realisht nuk duan dhe as e kanë pasur ndonjëherë si qëllim ecjen dhe përparimin e rajonit në paqe, përmes bashkëpunimit me shqiptarët. “Premtimet” e vetëm pak kohëve më parë të kreut të qeverisë serbe, Vuçiç, në konferencën e Berlinit për një Ballkan në paqe, duket se u shkrinë së bashku me etiketimet si banditë, zyrtarë falsë apo ekstremistë. Po për cilët ishin këto deklarata, kur në tribunën VIP nga pala shqiptare ishin thjesht të afërm të lojtarëve, gazetarë dhe zyrtarë të FSHF-së? Cilët janë ekstremistët këtu z. Vuçiç? E ndërsa kreu i shtetit serb, Nikoliç, shkoi edhe më larg duke e cilësuar ngritjen e një flamuri mbi kokat e 32.000 serbëve si një “vrasje” të përpjekjes për të ndërtuar miqësi të mirë midis dy vendeve. Sipas tij, ky akt tregoi se “Shqipërisë do t’i duhen dekada, në mos shekuj, për t’u bërë një vend normal, pa urrejtje ndaj Serbisë”. Po nëse vetëm për një flamur në qiellin e stadiumit ne qenkemi një shekuj larg vendit normal evropian, në cilin stad mund të jetë një vend që thërret në stadium “vritini shqiptarët”, që ulërin në sharje gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar të skuadrës “mike”, që kap në grushte e shqelma me mbështetje policore lojtarët e ekipit rival, që djeg flamurin e NATO-s dhe fanellat e lojtarëve? Cili vend në Evropë, por edhe më gjerë i bënë këto akte në thjesht në një ndeshje futbolli? Për këtë, a mund të na jepni përgjigje z. Nikoliç? Sigurisht që ju do vazhdoni me idenë e skenarit të parapërgatitur nga shqiptarët, me etiketimet që më shumë ngjasojnë me ato të kohës së luftës sesa të një vendi që ka marrë statusin në BE dhe pret të hapë negociatat e anëtarësimit, me fjalorin e urrejtjes nacionaliste apo edhe me kërcënimet e tilla si ai i Kryeministrit Vuçiç që ftoi shqiptarët të vinin në Serbi “për të parë drone të vërteta”. Por përfundimi sigurisht që nuk mund të ndryshohet. Për “Ata” u vërtetua se “e shkuara” jeton me “të tashmen”, nuk mund të ndahen prej saj, e kanë të pamundur të jetojnë me fqinjin shqiptar si mik, nuk mundet t’i përshtaten një ere të re që po fryn në Ballkan, thjesht nuk munden…

 

Redaksionale

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency