Pikat e karburanteve/ Nafta ulet me 20%, karburantet në Shqipëri refuzojnë të ndryshojnë çmimin  

0
160

Çmimi i naftës duhet të ulej me 8 lekë për litër, por deri ditën e djeshme asnjë pikë karburanti në Shqipëri nuk e ka ndryshuar çmimin. Gjatë viteve, kur çmimi i naftës është rritur në tregjet botërore, rritja është pasqyruar menjëherë në tregun shqiptar

karburant Çmimi i naftës pëson ulje drastike në të gjitha tregjet botërore. Nga 106 dollarë për fuçi që u shit në muajin korrik, aktualisht nafta po shitet me 85 dollarë për fuçi ose rreth 20% më pak. Ky ndryshim sipas ekspertëve botërorë pritet të ndikojë direkt në uljen e çmimit të naftës në të gjitha vendet. Por pavarësisht kësaj uljeje kaq të fortë në rend dyshifror, në tregun e brendshëm çmimi i naftës në Shqipëri nuk ka rënë me asnjë lek. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT-i, nga korriku deri në shtator, çmimi mesatar me pakicë i naftës dhe benzinës nuk ka shënuar asnjë rënie, por është luhatur i pandryshuar në rreth 183 lekë për litër në rang vendi. Kjo tendencë vazhdon edhe përgjatë këtij muaji, siç konfirmohet nga evropian “Fuel Prices”, një agjenci që publikon çmimet me pakicë të karburanteve për gjithë vendet e Evropës. Njëra nga arsyet se pse tregu nuk reflekton uljen e çmimeve lidhet me kursin e këmbimit të dollarit, pasi nafta blihet në monedhën amerikane.

 

Çmimi

Të dhënat tregojnë se ky faktor nuk shpjegon dot as gjysmën e efektit të rënies së çmimit në bursa. Pasi, nëse në bursa nafta ka rënë me 20 për qind gjatë tre muajve të fundit, sipas Bankës së Shqipërisë për të njëjtën periudhë, dollari është forcuar me vetëm 8 për qind. Sipas përllogaritjeve, edhe duke marrë parasysh zhvlerësimin e lekut ndaj dollarit, sërish çmimi i naftës duhet të ishte ulur me të paktën 8 lekë për litër në pikat me pakicë. Kjo nuk është hera e parë kur tregu i karburanteve nuk reflekton uljen e çmimeve. Madje, në më shumë se një rast, për shkak të dyshimeve për abuzim, ai është vënë nën hetim. Por deri më tani, institucionet publike kanë dështuar të mbrojnë qytetarët kostot abuzive. Qoftë autoriteti i konkurrencës apo edhe ministria e financave, e cila sipas ekspertëve duhet të hetojë të gjitha transaksionet në treg nga dogana deri tek pakica.

 

Historia e rritjes së çmimit

Në gjithë rruzullin tokësor çmimi i naftës është rritur mesatarisht me 0.13 dollarë amerikan për litër çdo dy vjet. Në vendin tonë nafta vlerësohej me 0.43 dollarë amerikanë për litër në vitin 1998, pra rreth katër herë më pak se në vitin 2012 ku çmimi i naftës shënon plot 1.79 dollar amerikan për litër. Çmimi i naftës ka ndjekur një trend rritës thuajse përgjatë gjithë harkut kohor 1998-2012. Interesant paraqitet trendi rritës e zbritës i çmimit të naftës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Në kёtё kontinent çmimi i naftës është më i ulëti krahasuar me gjithë kontinentet e tjera. Në vitin 2012 çmimi i naftës në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore shënon 0.43 dollar amerikan për litër, ndërkohë që kontinenti me vlerën më të lartë Evropa dhe Azia Qendrore e tregton naftën me 1.78 dollar amerikan për litër. Kjo për faktin që të parët janë prodhues, ndërsa të dytët konsumatorë të këtij hidrokarburi.

 

Studimi/ Uji në shishet plastike rrezikon shëndetin

Hulumtimet kanë treguar që uji në shishe fsheh gjurmë të baktereve, fluorideve, kimikateve. Marketingu për përshkrimin e ujit në shishe shpesh përdor fjalët i freskët, i paprekur, natyral, ndonëse fshihen informatat për kualitetin e vërtetë të ujit të tillë. Megjithatë, për shkak të problemeve të shpeshta me ndotjen në disa vitet e fundit ka pasur më shumë se qindra raste të largimit të ujit në shishe nga tregu. Për dallim nga uji i rubinetit i cili testohet qindra herë në ditë dhe i cili është nën mbikëqyrje të përhershme nga prodhuesit e ujit, në shishe nuk kërkohet të japin të dhëna për kualitetin e tij. Tregu i ujit në shishe nuk është i rregulluar, ndërsa FDA-ja nuk ka juridiksion mbi të për ç’arsye as publiku nuk është i njoftuar me të dhënat për burimet dhe mënyrën e prodhimit të ujit të tillë. Rreziqet që fshihen prapa konsumimit të ujit në shishe janë përtej anës së tij praktike. Sipas të dhënave të grupit punues për mjedisin, për prodhimin vjetor të ujit në shishe janë të nevojshme aq vajra sa janë të nevojshme të mbushen me lëndë djegëse rezervuarët e një milion automobilave. Kur vjen në duart e konsumatorëve, vetëm një nga pesë shishe riciklohet edhe kështu ndotet edhe më shumë mjedisi. Hulumtimet kanë treguar që uji në shishe fsheh gjurmë të baktereve, fluorideve, kimikateve, përcjell koha.net. Sado steril të jetë procesi i mbushjes së ujit, pasi që ai ruhet në plastikën e cila lehtazi mban aroma dhe baktere, uji në shishe nuk është kurrë i pastër sa duhet.

 

 Vendimi/ MAS, 84 bursa për shkollën profesionale në Shkodër

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e djeshme dhënien nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e 84 bursa studimi për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, për vitin shkollor 2014-2015, nga të cilat 24 bursa studimi për nxënësit e viteve përgatitore dhe 60 bursa studimi për nxënësit e viteve të para. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, në mbështetje të kritereve ekonomike dhe rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant. Vlera e bursës do të jetë 96 560 lekë në vit për çdo nxënës dhe do të shërbejë për shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Vlera e bursës do të paguhet, për çdo nxënës, pranë bankave të nivelit të dytë. Efektet financiare për mbulimin e këtyre bursave të përballohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila kalon fondin në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency