Ceremonia/ Përurohet “Elbasan Arena”, së shpejti pista olimpike

0
141

“Elbasan Arena” ka hapur dyert zyrtarisht dhe në ceremoni ka qenë presidenti i FSHF-së, Armando Duka, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

elbasan arena Dje është bërë edhe përurimi zyrtar i stadiumit më modern në vend “Elbasan Arena”. Një projekt, i cili nisi për shkakun se “Qemal Stafa” nuk plotësonte më kushtet e duhura, ndërsa tani kemi një impiant që mund të na përfaqësojë denjësisht. Përurohet “Elbasan Arena”, shtëpia e re e kombëtares kuqezi. Në ceremoninë e përurimit të impiantit të ri sportiv me kapacitet 12.800 vende ishte prezent Kryeministri i vendit Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla, kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini, si dhe Presidenti i FSHFsë Armand Duka, i shoqëruar nga krerët më të lartë të institucionit të futbollit. Pasi takoi trajnerin e Kombëtares Xhani de Biazi, i cili e prezantoi me futbollistët e kombëtares, Kryeministri Rama u drejtua te pika e penalltisë, ku goditi një 11-metërsh, duke i shënuar portierit të kombëtares kuqezi, Etrit Berisha. Më pas, Rama dha një intervistë në transmetimin live të Supersport në mikrofonin e Dritan Shakohoxhës ku pasi shfrytëzoi penalltinë e shënuar ndaj Berishës për të aluduar në lidhje me zërat mediatikë për një sëmundje të tij me fjalët: “Ndoshta Berishën e gënjeu mesi im që i shënova”, – u shpreh: “Në këtë stadium shpresoj që të mund të vijnë sa më shumë familjarë, ky është vetëm fillimi. Kemi arritur një objektiv që nuk e besonim se do ta arrinim, së shpejti këtu do të ndërtohet edhe pista olimpike”. Fusha e Elbasanit do të jeta e vetmja në Shqipëri që do të përmbushë kriteret e UEFA-s. Ëndrra e shqiptarëve për të parë kombëtaren e tyre të luajë në një stadium modern duket drejt realizimit. Elbasan Arena, ka ndërruar pamje, që edhe pse ende nuk ka përfunduar të la pa fjalë. Në impiantin e ri do të ketë mjedise ku do të ofrohen shërbime për tifozët gjatë pushimit të ndeshjeve. Përveç pjesës së tribunave, ku numri i tifozëve pritet të jetë rreth 11 mijë, do të ketë edhe përmirësim të tapetit të blertë. Një ndryshim rrënjësor do të pësojnë edhe dhomat ku skuadrat përgatiten para ndeshjeve. Në impiantin e ri çdo gjë është menduar deri në detaj, nga tualetet e deri të siguria e tifozëve në rast rreziku. Risia e këtij stadiumi është se për herë të parë hyrja në të do të jetë në mënyrë elektronike. I gjithë stadiumi do të funksionojë mbi bazën e të gjitha kritereve dhe rrethimi do të jetë i veçantë dhe hyrje-daljet do të jenë sipas kushteve të UEFA-s. Nuk do të ketë më prerje biletash, por çdo gjë do të jetë elektronike. Projektorët e rinj do të jenë sipas kritereve të UEFA-s, me forcë ndriçimi 1600 luks, ndërkohë që në pjesën anësore të fushës nuk do të mungojë edhe ekran i madh elektronik i cili kap shifrën e 100 mijë eurove. Një rikonstruksion total do të pësojë edhe parkingu rreth e rrotull stadiumit. Ndërsa kapaciteti i të cilit duhet të jetë 400 makina gjatë ndeshjeve ndërkombëtare. Në këtë stadium do të luhen edhe ndeshjet e skuadrave që kalojnë në turet e kupave të Evropës.

 

Serbia refuzon shqiptarët në “Marakana”, së shpejti zyrtarizmi i vendimit

Serbia shkon drejt një mospranimi në bllok të të gjithë tifozëve shqiptarë për ndeshjen e 14 tetorit, të paktën duke u bazuar në deklaratën e dhënë së fundmi nga komisari për Sigurinë në Federatën Serbe, Milivoj Mirkov, për sajtin serb “Alo.rs”. Mirkov ka deklaruar për faqen në fjalë se tifozët shqiptarë nuk do ta ndjekin ndeshjen Serbi-Shqipëri që do të luhet në Beograd, duke shtuar se shumë shpejt ky vendim do t’i komunikohet zyrtarisht edhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithmonë duke iu referuar asaj që shkruan “Alo”, Mirkov ka deklaruar se këtë të mërkurë është zhvilluar një takim mes Ministrisë Serbe të Punëve të Brendshme dhe Federatës Serbe të Futbollit është cituar pozicioni i Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila ka refuzuar për të përmbushur kërkesën e serbëve për të furnizuar emrat dhe mbiemrat e tifozëve që do të disponojnë biletat e akorduara për ndeshjen. Mirkov në deklaratën e tij gjithashtu ka shtuar se Federata Shqiptare nuk dëshiron të marrë përgjegjësitë për tifozët kuqezinj. Në këtë mënyrë serbët kanë dalë në përfundimin se kërcënohet siguria në shtetin e tyre nga një përplasje e mundshme e tifozëve, prandaj nuk është e mundshme të garantohet siguria e duhur. Është kjo deklarata e Komisarit të Sigurisë në Federatën Serbe Mirkov, i cili vetëm pak ditë më parë kishte deklaruar se i ishte lënë afat deri të premten FSHF-së për të dërguar gjeneralitetet e tifozëve kuqezinj që do të udhëtojnë drejt Beogradit duke saktësuar se në stadium do të pranoheshin vetëm tifozët që disponojnë një pasaportë të Republikës së Shqipërisë dhe që janë rezidentë në Shqipëri duke përjashtuar në këtë mënyrë tifozët kosovarë apo ata të diasporës. Tani madje siç bën të ditur “Alo”, serbët kërkojnë nga FSHF edhe kthimin pas të 1125 biletave që i kanë akorduar për tifozët shqiptarë duke pretenduar që Federata Shqiptarë t’u komunikojë tifozëve shqiptarë që të mos udhëtojnë kot drejt Serbisë. Gjithsesi vlen për t’u përmendur se pavarësisht deklaratës së zyrtarit të Federatës Serbe, vendimi përfundimtar për mospranimin e tifozëve i takon Ministrisë Serbe të Punëve të Brendshme që në një rast të tillë duhet të ngrejë duart lart duke pranuar se nuk mund të garantojë sigurinë. superport.al

 

 Strotman qëndron te Roma

Bosi i Romës, Xhejms Palota, ka përsëritur vendosmërinë e klubit për mbajtjen e Kevin Strotman, i cili është shënjestër e Mançester Junajtid. “Djajtë e kuq” thuajse e kanë kuptuar se italianët nuk po e lejojnë holandezin, prandaj planifikojnë të ofrojnë 12 milionë euro për mesfushorin e Realit të Madridit, Sami Kedira. Ndërsa Palota ka konfirmuar edhe një herë se klubi romak nuk është i interesuar që ta lejojë largimin e 24-vjeçarit. “Nuk do të ndodhë. U kam thënë gazetave se duhet të ndalojnë së shpenzuari letër. Nuk jemi të interesuar për shitjen e Kevinit”, – ka thënë ai për mediat angleze.

 

 Hajnce: Di Maria te katër më të mirët në botë

Ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit dhe Realit të Madridit, Gabriel Hajnce beson se Angel di Maria është një prej katër lojtarëve më të mirë në botë. 26-vjeçari kaloi në “Old Traford” në një marrëveshje prej 75 milionë eurosh në gusht, e ai ka arritur të bëjë impakt qysh në fillim te djajtë dhe Hajnce ka deklaruar se për këtë ka një arsye. “Gjithçka që them për Di Marian nuk është e mjaftueshme. Për mua, ai është një prej katër lojtarëve më të mirë në botë. Ai tashmë ka arritur një nivel fantastik dhe ka arritur te një klub fenomenal që do ta shikojë shumë mirë. Mendoj se të gjithë kanë nevojë për kohë për t’u adaptuar, sidomos në Ligën Premier. Ju duhet që të adaptoheni në klub dhe Di Maria e ka bërë këtë”, – u shpreh Hajnce.

 

Barcelona, nëse largohet nga La Liga, luan në Francë

Drejtuesit e Federatës Spanjolle janë shprehur se Barcelona duhet të largohet nga La Liga, në rast se Katalonja shpall pavarësinë. Derisa po flitet për një referendum në muajin e ardhshëm, i cili mbështet nga Ksavi dhe Zherard Pike, Javier Tebas ka deklaruar se klubi katalanas nuk do të lejohej të luajë në elitën e futbollit spanjoll në rast se ndodh pavarësia. Tebas ka shpjeguar se ligjet spanjolle lejojnë vetëm një territor jo-spanjoll që të marrë pjesë në sistemin e ligës spanjolle, ndërsa ajo pozitë tashmë është e plotësuar nga FC Andorra (nga Andorra). “Nëse Katalonja bëhet e pavarur, nëse marrim për konsideratë Ligjin e Sporteve që do të zbatohej nga pjesa tjetër e Spanjës, Barcelona nuk do të lejohej të luajë”, – ka theksuar Tebas në një konferencë për shtyp. Mungesa e “blaugranëve” në La Liga, do ta dobësonte dukshëm konkurrencën në këtë kampionat. Spekulohet se nëse ndodh largimi nga liga spanjolle, Barcelona do të bëjë gara në Ligë 1 të Francës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency