Masa / I kërkoi seks të miturit, “arrest me burg” Maksim Liços

0
208

maksim lico dje ne gjykate

Sonila Mesareja

Denoncimi nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, 50-vjeçari në gjykatë me katër akuza. Braktiset në gjykatë nga familja, Liço: Kurthi nga konkurentët e mi të shoqatave

I kërkoi seks të miturit në këmbim të të mirave materiale, para dhe shkollim. Gjykata e la në burg 50-vjeçarin e njohur si drejtues të shoqatës “Jetimët në fokus”, ndërsa edhe dje familjarët e tij nuk kanë qenë të pranishëm në gjykatë duke e braktisur atë. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjyqtari Asim Vokshi, në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, caktoi masën e “arrestit me burg” për shtetasin Maksim Liço, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën”, “Ngacmimi seksual”, “Prostitucion” dhe atë të” Shpërdorimit të detyrës”. Para gjykatës, Liço ka kërkuar një masë më të butë, për shkak të gjendjes shëndetësore, por edhe faktit se e vetmja provë që disponohet është një kasetë e emisionit, për të cilën u shpreh se “është një kurth që shoqata të tjera jetimësh ma kanë bërë”. Ai mohoi para gjykatës akuzat e prokurorit Karanxha, ndërsa avokatja e tij Vjollca Pustina u shpreh se gjykata duhet të bazohet në prova dhe jo në ndjeshmëri publike në caktimin e masës së arrestit. Avokatja kërkoi caktimin e masës burg me afat, me qëllim që Prokuroria të sigurojë prova për që të mund të fajësojë klientin e saj.

Hetimi

Hetimi për këtë shtetas ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Tiranës, pas publikimit të një emisioni investigativ në televizionin Top Channel. Nga veprimet paraprake janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky shtetas, në cilësinë e drejtuesit të një shoqate për ndihmën e të miturve, duke shfrytëzuar pozicionin e tij dhe pozitën e vështirë ekonomike të disa jetimëve, ka kryer marrëdhënie homoseksuale. Nga disa prej rasteve të evidentuara deri më tani, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Liço mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të mitur. Nga hetimi, janë kryer dyshime të arsyeshme se ky shtetas mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të mitur në të paktën dy raste. Këto marrëdhënie dyshohet se janë kryer në këmbim të ndihmesës ekonomike. Sipas akuzës, vlen për t`u theksuar se fondet e shoqatës së drejtuar nga shtetasi Liço u jepeshin falas të miturve, por ky shtetas dyshohet se, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si kryetar Shoqate, si edhe duke pasur fonde, ka përfituar nga gjendja e rëndë ekonomike e një fëmije jetim. Të miturit, dyshohet se, duke u nisur nga gjendja ekonomike kanë pranuar që të kryejnë marrëdhënie homoseksuale me Maksim Liçon. Pra, sipas akuzës, Liço i ka kërkuar një të mituri kryerjen e sjelljeve me natyrë seksuale, duke krijuar një mjedis degradues, poshtërues dhe ofendues për të miturin. Ai ka shpërdoruar detyrën publike (mbrojtja e të miturve), dhe ka përfituar favor seksual, duke kryer më pas marrëdhënie homoseksuale. “Ai paratë e shoqates duhet që t`ia jepte falas fëmijës dhe jo kundrejt përfitimit homoseksual. Ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar edhe detyrën e tij si drejtues i Shoqatës “Jetimët në Fokus”” thuhet në akuzën e lexuar para gjykatës nga prokurori Ervin Karanxha. Sipas tij, ka dyshime se ky shtetas ka abuzuar edhe me një fëmijë tjetër te mitur, për të cilin po punohet për identifikimin dhe që ka dyshime të arsyeshme e të bazuara ne prova se ky shtetas ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal. Shtetasi Maksim Liço ka dhënë shpërblim për kryerjen e marrëdhënieve seksuale, kështu që sipas akuzës, në këto kushte ka kryer edhe veprën penale të “Prostitucionit” të parashikuar nga neni 113/2 i Kodit Penal (ka dhënë lekë në shkëmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale). Në përfundim të akuzës, prokurori Karanxha evidentoi se ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se shtetasi Maksim Liço ka kryer katër veprat penale, përkatësisht të “Marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyren”, «Ngacmimi seksual», “Prostitucionit” dhe të “Shpërdorimit të detyrës”.

Shoqata, roli

Shoqata “Fëmijët në fokus” drejtohet nga shtetasi Maksim Liço. Qëllimi i kësaj shoqate është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve jetimë dhe e interesave të tyre, edukimin dhe shkollimin e tyre. Kjo shoqatë merr donacione nga burime të ndryshme si dhe nga bankat me qëllim ndihmën ndaj fëmijëve. Nga hetimet rezulton se kjo shoqatë është regjistruar si person juridik me vendimin e datës 28.12.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane dhe kryetari i saj është shtetasi Maksim Liço. Ky shtetas ushtron autoritet publik pasi kontribuon me fonde në ndihmë të fëmijëve jetimëve dhe me probleme sociale. Pra e thënë me fjalë të tjera, shoqata e drejtuar nga shtetasi Maksim Liço duhet të mbrojë jetimët dhe qëllimi i saj është ndihma ndaj jetimëve dhe nuk ka si qëllim fitimin material apo seksual, por vetëm mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

 

Akuzat

“Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën”

“Ngacmimi seksual”

“Prostitucion”

”Shpërdorimit të detyrës”

 

Lazarat

Kultivues të hashashit, arrestohen 2 persona të shpallur në kërkim

Dy persona të shpallur në kërkim nga policia, pas ndërhyrjes në Lazarat, janë vënë në pranga ditën e djeshme nga blutë e Gjirokastrës. Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj nga aksioni i policisë në Lazarat për asgjësimin e kanabisit, policia vijon aksionin për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga kjo zonë për kultivim të bimës narkotike. Gjatë kontrollit të sotëm policia e Gjirokastrës bën me dije se ka arrestuar Sulo Toto të cilit gjatë kontrollit në operacionin e muajit qershor iu gjet në banesë një bidon me vaj hashashi 5 litra. Po gjatë ditës së djeshme mësohet se është arrestuar edhe Ramis Toto pasi në tokën e tij, gjatë operacionit të qershorit, u gjetën të mbjella  85 bimë narkotike.

 

Durrës

Kapen me 100 kg kanabis, arrestohen 2 persona, një në kërkim

Një grup i trafikut të lëndëve narkotike është goditur mëngjesin e djeshëm nga policia e Durrësit. Operacioni u finalizua me sekuestrimin e një sasie prej 100 kilogramëve Canabis sativa, arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një të treti. Të arrestuarit janë Bekim Demaliaj, 22 vjeç, dhe Erjon Gjinlija, 31 vjeç, banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim Sokol Hajdinaj, banues po në qytetin bregdetar. Demaliaj dhe Gjinliaj u arrestuan në afërsi të “Urës së Gjoles”, teksa në automjetin e tyre u gjet sasia e lëndës narkotike, ndërsa personi i shpaluar në kërkim mësohet se është furnitori. Goditja e këtij grupi erdhi pas një hetimi disamujor të prokurorisë së Durrësit. Ndërkaq, blutë e qytetit bregdetar vijojnë punën për ndalimin e personit të shpallur në kërkim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency