Dyshime për 11 raste të tjera/ Pranga drejtorit dhe dy mjekëve të burgut të Rrogozhinës

0
238

I dhanë leje një të dënuari, i cili pasi doli nga burgu, tentoi të vriste një person në zonën e plazhit në Durrës

burgu i rrogozhinesParaditen e së premtes policia ekzekutoi vendimet e Gjykatës së Durrësit për shtetasit Ferdinand Doksani, 49 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i burgut Rrogozhinë, si dhe dy mjekët e këtij institucioni. Hetimet ndaj Ferdinand Doksanit dhe dy mjekëve, Aldo Konda e Fatri Hate, kanë nisur pas një denoncimi të bërë pranë Prokurorisë së Durrësit pak kohë më parë. Hetimi për këtë abuzimi ka të bëjë me dhënien e lejeve shpërblyese për persona të dënuar për krime të rënda. Rasti më i fundit është shënuar në verë, kur Ferdinand Doksani me raportin e mjekëve të burgut të Rrogozhinës, i kanë dhënë leje një të dënuari, i cili pasi ka dalë nga burgu, ka tentuar të vrasë një person në zonën e plazhit. Ndërkohë, nga hetimet e prokurorisë, mësohet se edhe në disa raste të tjera, dy mjekët me miratimin e drejtorit të burgut falsifikonin raporte mjekësore për të mbështetur dhënien e lejeve për të burgosurit, kundrejt përfitimeve personale. Sqarohet se pas punës së bërë nga dy mjekët të burgosurit dhe të afërmit e tyre paguanin shuma të konsiderueshme parash dhe dijeninë për këtë kishte dhe drejtuesi i institucionit. Ndërsa të dënuarit paguanin shuma të majme për lejet e fituara. Hetimet e nisura pas denoncimit të bërë në prokurori kanë çuar në dokumentimin e të paktën 11 rasteve të dhënies së lejeve në mënyrë të padrejtë.

 

Ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës

Seksioni kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës kreu dje paradite ekzekutimin e vendimeve te Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës të datës 2.10.2014 për shtetasit, Ferdinand Doksani, 49 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i IEVP Rrogozhinë, Aldo Konda, 26 vjeç, banues në Fier, mjek pranë IEVP Rrogozhinë dhe Fatri Hate, 46 vjeç, banues në Durrës, mjek pranë IEVP Rrogozhinë. Pas një hetimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, mësohet se gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Ferdinand Doksani, 49 vjeç, me detyrë drejtor burgut të Rrogozhinës (Institutit të Ekzekutimit të Veprave Penale-IEVP), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, si edhe për dy mjekë të këtij institucioni, shtetasit Aldo Konda 26 vjeç dhe Fatri Hate 46 vjeç, të akuzuar të veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” nga personat që kanë për lëshimin e tyre. Ky është arrestimi i dytë për Ferdinand Doksanin, i cili qe arrestuar edhe në vitin 2012 për abuzime me tenderët e skrapit në kohën kur ishte drejtor i Azotikut në Fier. Një vit më parë, pas arratisjes së famshme të një grupi të dënuarish nga burgu i Drenovës, Doksani u paralajmërua nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço për largim nga puna.

 

I burgosuri del me leje, kryen tjetër krim

Lidhur me arrestimet e tre zyrtarëve të IEVP Rrogozhinë, mësohet se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin pas një ngjarje të rëndë të ndodhur në muajin korrik në Durrës, ku shtetasi Sh. M., i dënuar, për “vrasje me dashje” ka marrë leje nga burgu dhe ka kryer një tjetër vepër të rëndë penale (“vrasje”, e cila ka mbetur në tentativë) në zonën e Plazhit, në Durrës. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, Prokuroria e Durrësit ka tërhequr praktikën nga burgu i Rrogozhinës, për të hedhur dritë, mbi mënyrën se si e ka përfituar lejen ky person i dënuar. Nga studimi i akteve ka rezultuar se i dënuari ka përfituar leje, me pretendimin se nëna e tij ishte e sëmurë. Ky pretendim vërtetohej, sipas tij, nga një epikrizë e Spitalit Rajonal të Durrësit. Kjo epikrizë, e cila siç rezultoi nga hetimi ishte tërësisht e falsifikuar, është vërtetuar edhe nga mjekët e burgut të Rrogozhinës, Aldo Konda dhe Fatri Hate, të cilët kanë deklaruar në dokumentet përkatëse se kanë kryer verifikimet e nevojshme. Krahas falsifikimit të mjekëve, në këtë rast, edhe drejtori i burgut ka shpërdoruar detyrën, pasi, sipas udhëzimit të ministrit të Drejtësisë nr. 103, datë 14.2.2014 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta personave të dënuar me burgim”, përcaktohet se “…për të dënuarit që kanë më shumë se 5 vite burg për të vuajtur, nuk do të miratohet leje e veçantë pa shoqërim…”. Në rastin e personit të dënuar Sh. M., i dënuar me 8 vjet burgim, nga të cilat ka kryer vetëm dy, nuk është respektuar ky detyrim, pasi, krahas falsifikimit të dokumenteve, ky shtetas nuk mund të përfitonte leje ose, nëse do t’i akordohej, duhej të ishte i shoqëruar. Sipas Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Durrësit, rezulton se të dënuarit Sh. M., i është akorduar leja dhe nuk ka qenë i shoqëruar, gjë që provohet lehtësisht nga fakti se ai, gjatë ditëve të lejes nga burgu, ka kryer një tjetër vepër të rëndë penale, për të cilën është aktualisht në hetim.

 

Të arrestuarit 11 raste të dyshuara shkeljesh

Nisur nga konstatimi për këtë rast, Prokuroria e Durrësit ka zgjeruar hetimin për rastet e tjera të dhënies së lejeve shpërblyese në këtë institucion. Burime të prokurosh së Rrethit Gjyqësor të Durrësit, bënë të ditur më tej, se në bazë të hetimit rezulton se, në të paktën 11 raste gjatë periudhës prill-korrik 2013, këta zyrtarë, në shkelje të detyrave të tyre, kanë dhënë leje shpërblyese për të dënuar që nuk u takon leja e akorduar, për shkak të veprës së rëndë penale për të cilën janë dënuar dhe koha e dënimit që u ka mbetur për të vuajtur. Nga këto veprime hetimore ka rezultuar se, përveç rastit të personit të dënuar Sh. M., edhe në të paktën 10 raste të tjera, drejtori i burgut dhe dy mjekët, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës (drejtori) dhe falsifikimit të dokumenteve (dy mjekët) kanë akorduar leje shpërblyese për të shtetas të burgosur që nuk mund të përfitonin nga kjo e drejtë dhe nëpërmjet dokumenteve mjekësorë të falsifikuar.

 

 Të arrestuarit

Ferdinand Doksani, 49 vjeç, banues në Tiranë, drejtor i IEVP Rrogozhinë, akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Aldo Konda, 26 vjeç, banues në Fier, mjek pranë IEVP Rrogozhinë, akuzuar për “falsifikim dokumentesh”.

Fatri Hate, 46 vjeç, banues në Durrës, mjek pranë IEVP Rrogozhinë, akuzuar për “falsifikim dokumentesh”.

 

Rastet e lejeve shpërblyese në kundërshtim me ligjin

– I dënuari Sh. M., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet burgim

– I dënuari A. K., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 2 muaj 15 dite

– I dënuari T. K., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet burgim

– I dënuari N. L., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 1 muaj 12 dite burgim

– I dënuari K. N., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet 3 muaj 17 dite

– I dënuari K. N., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet 1 muaj 7 dite

– I dënuari R. M., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vjet 7 muaj 13dite

– I dënuari A. Ll., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 7 muaj 7 dite

– I dënuari Dh. H., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet 28 dite

– I dënuari M. D., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vjet 5 muaj 3 dite

– I dënuari Y. Sh., i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vjet 22 dite

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency