Bankat po “gjuajnë” me përmbarues 1 miliard dollarë pasuri të shqiptarëve

0
155

Ervin Kaduku

para –  Ishin vendosur si kolateral nga qytetarët dhe bizneset e vendit për të marrë hua për blerje shtëpish, pajisjesh, kredi konsumatore, shkolle, shëndeti apo pushimesh, si dhe për të paguar pagat e punonjësve

 Bankat e nivelit të dytë po “bëjnë kërdinë” mbi debitorët e tyre, që nuk janë të rregullt në pagesat e kësteve të kredive të marra. Deri në gjysmën e parë të vitit 2014 sistemi bankar shqiptar kishte në proces ekzekutimi afërsisht 19.2 për qind të portofolit të të gjithë kredisë së dhënë nga sistemi bankar (bankat tregtare). Të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave tregojnë se kreditë me probleme mbeten në nivele relativisht të larta rreth 24 për qind, me luhatje shumë të vogla përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të sistemit bankar detyrimi me urdhër ekzekutimi në fund të tremujorit të dytë të vitit ishte rreth 107.9 miliardë lekë (rreth 1 miliard dollarë amerikanë) nga e cila pjesën kryesore 76 për qind e zënë kreditë e mara nga bizneset dhe vetëm 24 për qind kreditë e mara nga individët.

Referuar sektorëve të ekonomisë sektori më problematik për mosshlyerjen e kredive mbeten ndërtimi ku vlera e detyrimit me urdhër ekzekutimi zë 20.5 për qind të totalit dhe më pas vijnë tregtia, riparimi automjeteve dhe artikujve shtëpiakë me 16.5 dhe industria përpunuese me 13.7%.

Procesi i mbledhjes së kolateralit ka patur disa përmirësime të lehta pasi të dhënat tregojnë se niveli i detyrimit të mbledhur ka arritur në 27.4 për qind në terma relativë të vlerës së detyrimit në urdhrin e ekzekutimit dhe është 1 pikë përqindje më i lartë se në mars 2014 dhe 7.8 për qind më e lartë se një vit më parë.

Shkaqet që kanë sjellë përmirësmin e mbledhjes së kolateralit lidhen kryesisht me ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile që u bënë efektive në shtator 2013 të cilat kishin si qëllim kryesor lehtësimin e procedurave ligjore dhe të ekzekutimit duke minimizuar hapësirat ligjore që ishin në Kod për ekzekutimin.

Pas ekzekutimit të kolateraleve bankat kanë përfituar 52.1% aktive fikse, 38.7% cash dhe 9.3 për qind kombinim cash me aktive fikse.

 

Si do të eliminohen kreditë e këqija

Fshirja e kredive të këqija nga bilanci i bankave është një proces që nisi në pjesën e dytë të vitit të kaluar dhe po vazhdon intensivisht nga bankat. Ai është vlerësuar pozitivisht nga Banka e Shqipërisë, duke qenë se, ndër të tjera, kreditë që konsiderohen të humbura dhe po fshihen nga bilancet e bankave kanë arritur në gati 60% të totalit të huave të pakthyera në afat, apo rreth 440 milionë euro. Përmes fshirjes së kredive të këqija parashikohet që niveli i tyre të zbresë në 17% të totalit, duke përmirësuar situatën e sistemit dhe duke lehtësuar bankat për të kredituar më shumë individët dhe bizneset. Procesi që pritet të zgjasë për një periudhë njëvjeçare do të mundësojë fshirjen e kredive të këqija nga bilancet e bankave, duke i lehtësuar ato nga pagesat e detyrimeve tatimore për këto shuma, si dhe lehtësimin nga niveli i lartë i kredive të këqija. Bankierët theksojnë se i gjithë ky është një proces thjesht kontabilizimi bankar dhe nuk ka asnjë efekt tek individët, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të presin për një falje të kredive që nuk i kanë kthyer bankave. Ky proces mendohet si i nevojshëm, pasi do të pastronte bilancet e bankave nga kreditë me probleme të bartura nga e kaluara, për të cilat është i panevojshëm pasqyrimi i tyre. Fshirja e tyre në asnjë rast nuk nënkupton heqjen e detyrimit të kredimarrësit për të shlyer detyrimet e tij, apo amnistinë për to. Edhe pas fshirjes së kredisë nga bilanci, detyrimi i kredimarrësit mbetet në librat e bankës si një llogari ekstra kontabël, si dhe në Regjistrin e Kredive në Bankën e Shqipërisë. Por ndërkohë që bankat presin zhvillime pozitive në frontin e kredive me probleme, kreditimi i mëtejshëm duket se vuan nga një kërkesë e dobët, e lidhur pjesërisht edhe me paqartësinë mbi rregullshmërinë e investimeve të ndërmarra apo licencimin e aktiviteteve ndryshme.

 

Rriten investimet nga privatët

Investimet private i janë rikthyer rritjes gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për tetëmujorin importi i makinerive dhe pajisjeve kishte vlerën e 62.1 miliardë lekëve, në rritje me 8.2% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Importi i makinerive dhe pajisjeve është treguesi kryesor i tërthortë për ecurinë e investimeve private në ekonomi. Rritja e tyre konfirmohet edhe nga përmirësimi i kredisë për investime dhënë biznesit. Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, kredia për investime në fund të Korrikut kishte vlerën e 92.8 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5.5%. Investimet private janë një ndër elementët kryesorë përbërës të kërkesës agregate, së bashku me konsumin, shpenzimet publike dhe eksportet neto.

Përveç investimeve private, këtë vit rritja ekonomike po mbështetet nga një përmirësim i konsumit, siç tregojnë rritja e shitjeve me pakicë, e importeve dhe e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kërkesa më e mirë konsumatore ka nxitur edhe rritjen e investimeve të sipërmarrjeve. Edhe shpenzimet publike janë në nivele të larta, por për efekt të shlyerjes së detyrimeve të papmbetura, ndërsa realizimi i investimeve të reja është në nivele të ulëta.

I vetmi element që po jep efekt negative në rritjen ekonomike është pozicioni i jashtëm, ku rritja e importeve dhe ngadalësimi i rritjes së eksporteve e ka ulur kontributin e këtij segmenti. Pritshmëritë e institucioneve të specializuara janë që rritja ekonomike në tremujorin e dytë të vitit të jetë më e lartë se niveli prej 1.65% i tremujorit të parë.

 

 Hyn në fuqi ligji për kredinë sllovake që zgjidh problemin me CEZ

Sllovenia Všeobecná úverová banka, a.s. dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania sh.a. janë dy bankat që kanë garantuar shumën prej 86 milionë euro, që OSHEE duhet t’i japë CEZ për zgjidhjen e marrëveshjes mes kësaj të fundit dhe qeverisë shqiptare.

Është botuar në Fletoren zyrtare ratifikimi i marrëveshjes së e garancisë sovrane dhe e zhdëmtimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, bankës Vseobecna Uverova Banka, a.s. (VUB), Sllovaki, dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, sh.a., për kundërgarancinë e bankës Vseobecna Uverova Banka, a.s., Sllovaki, për marrëveshjen e garancisë bankare ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., dhe bankës Vseobecna Uverova Banka, a.s., Sllovaki, dhe për marrëveshjen e huas ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, sh.a.

Sipas një marrëveshjeje pajtimi e lidhur më 23 qershor 2014 ndërmjet, “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” sh.a. dhe kompanisë çeke CEZ a.s., OSHEE sh.a. mori përsipër t’i bëjë disa pagesa CEZ-it në datat e specifikuara në marrëveshje, për një shumë prej 86 milioë euro (pa interesa).

Bazuar në garancinë bankare dhe zhdëmtimin VUB, cilësinë e tij si garantues, dhe CEZ-i, në cilësinë e tij si përfitues VUB-i merr përsipër të garantojë pagesa të caktuara që OSHEE sh.a. i ka CEZ-it. Sipas Marrëveshjes së pajtimit, me marrjen e kërkesës së parë me shkrim nga CEZ-i që deklaron që OSHEE sh.a. nuk ka bërë pagesën përkatëse sipas Marrëveshjes së Pajtimit dhe pagesa përkatëse ka mbetur e pashlyer pas skadimit të afatit të zbatueshëm pa pagesa.

Ndërsa Intesa bie dakord t’i ofrojë OSHEE sh.a. një mundësi mbitërheqjeje si instrument kredie që i jepet OSHEE sh.a.vetëm për qëllimin e përmbushjes së detyrimeve të caktuara të pagesës sipas Marrëveshjes së Pajtimit.

Edhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka vendosur të lëshojë këtë Garanci Sovrane “Mbi aprovimin e garancive qeveritare” në favor të VUB-it dhe ISBA-së, me qëllim që: i) të rigarantojë detyrimet e garancisë dhe zhdëmtimit të VUB-it sipas Garancisë Bankare, si dhe të garantojë përmbushjen me saktësi nga OSHEE sh.a. të detyrimeve të pagesave sipas Marrëveshjes së Lëshimit të Garancisë Bankare dhe Marrëveshjes së Huas; dhe ii) të zhdëmtojë, si i detyruar primar, VUB-in dhe ISBA-në ndaj çdo kostoje, humbjeje ose detyrimi as VUB-i dhe/ose ISBA-ja mund të pësojë në përmbushje të detyrimeve të tyre sipas Garancisë Bankare dhe/ose Marrëveshjes së Huas, përkatësisht.

Qeveria shqiptare i hoqi licencën kompanisë çeke CEZ (që bleu operatorin e shpërndarjes së energjisë në vitin 2008 për 106 milionë euro) në janar 2013 për mospërmbushje të kushteve të investimit. Palët ranë dakord në qershor 2014 të zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim, duke shmangur në këtë mënyrë arbitrazhin, teksa qeveria shqiptare pranoi të paguajë një dëmshpërblim prej 95 milionë euro, përfshirë interesat.

 

 Samit rajonal në Athinë për naftën e gazin

Në Athinë po zhvillohet samiti i tretë ballkanik i naftës dhe gazit për vendet e Adriatikut. Në konferencë marrin pjesë kompani të pranishme në tregjet e hidrokarbureve, por edhe ato që shfaqin interes për të investuar e që janë nga Greqia, Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Serbisë, Bosnjë – Hercegovinës, Bullgarisë, Sllovenisë, Italisë dhe Rumanisë.

Samiti synon të njohë pjesëmarrësit me kuadrin legjislativ dhe rregullator fiskal në lidhje me kërkimin dhe prodhimin hidrokarbur, si dhe projektet aktuale dhe të planifikuara për të ardhmen në këtë sektor.

Në samit Shqipëria përfaqësohet nga zyrtarë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe AKBN. Drejtor Ekzekutiv i AKBN-së Dael Dervishi në diskutimin e tij me temë “Lehtësirat që ofron legjislacioni shqiptar për kërkimin dhe zhvillimin e hidrokarbureve” i njohu pjesëmarrësit me situatën aktuale të kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve, tiparet kryesore të territorit shqiptar në lidhje me këtë sektor, historikun e licencimit, si dhe kuadrin ligjor shqiptar për kërkimin dhe zhvillimin.

 

 Doganat, më mirë se vjet, por plani realizohet me vështirësi

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh sot në analizën e punës 12-mujore të Drejtorisë së Doganave se “arkëtimi i 18,9 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar dhe se pjesa më e madhe e të ardhurave janë nga akciza, nuk është lajm i ri, lajmi sipas tij është që qeveria po realizon objektivat sipas premtimeve”.

Ai theksoi se pas 5 vitesh është hera e parë që ka një rishikim buxheti me rritje. Shqipëria nuk ka ndonjë rritje galopante. Dua të sqaroj një keqkuptim, opozita morri taksën mbi vlerën e shtuar. Këto trende flasin për një fakt domethënës që ekonomia po rritet në sajë të biznesit dhe që administrimi në tatime e dogana për artikullin e TVSH-së është çështje miradministrimi. Unë kam guxuar ta artikuloj dhe guxoj që këto janë para që shkonin në xhepin familjarëve ose bizneseve pranë qeveritarëve”, – u shpreh ministri Cani. Ai theksoi se biznesi është motori i ekonomisë. “Biznesi të bëhet edhe më agresiv në vërejtje”, – u shpreh Cani.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili e ka cilësuar një lajm të mirë për biznesin rritjen e të ardhurave nga doganat. Ai theksoi se marrëveshja me FMN-në do të jetë shpëtim për financat. Peleshi kërkoi që biznesi të bëjë presion për t’u korrigjuar. Me tej ai vlerësoi edhe reformën për thjeshtimin procedurave doganore.

“Thjeshtimi i procedurave eshte mënyra më e mirë për të shmangur korrupsionin në dogana. Jemi të gjithë shqiptarë, kemi marrë të gjithë të njëjtin ajër, kulturë dhe mentalitet, kemi të njëjtat vlera kulturore, ndryshmin e përbën sistemi. Nëse do ndryshojmë sistemin do vendosim sundimin e ligjit. Përshëndes punën e filluar për Kodin e ri Doganor dhe thjeshtimin e procedurave dhe dixhitalizimin e punës në dogana. Sfida e vërtetë fillon në 2015, kur nuk duhet të krahasohemi me qeverinë e kaluar, por me vetveten”, – u shpreh Peleshi.

 

 FMN: Ekonomia globale, me ritme mediokre

Ekonomia globale po shkon drejt një rritje ekonomike mediokre, me rritje të borxheve dhe të papunësisë. Ky është paralajmërimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që i bën thirrje qeverive të krijojnë vende të reja pune, të investojnë në infrastrukturë dhe të reformojnë politikat fiskale.

Shefja e FMN-së, Christine Lagarde deklaroi se, në mënyrë të veçantë, Eurozona është më në rrezik për shkak të rritjes së dobët ekonomike, që shoqërohet me një papunësi të lartë dhe inflacion të ulët. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po performojnë shumë mirë, pavarësisht rimëkëmbjes më të dobët që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërsa plani “Abenomics” në Japoni po jep efekte, pavarësisht se ekonomia e tretë më e madhe në botë ka rënë me 7.1% gjatë periudhës së krizës.

Vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, vijnë përpara takimit të vjeshtës që zhvillohet javën e ardhshme. Lagarde bëri thirrje për ndërmarrjen e politikave të guximshme në mbështetje të ekonomisë, pasi rimëkëmbja është shumë e dobët edhe pas 6 vitesh që nga koha kur shpërtheu kriza financiare globale. Analistët parashikojnë se në takimet e javës së ardhshme, FMN do të ulë vlerësimin për rritjen ekonomike globale për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm.

“Detyra jonë kryesore është të ndihmojmë ekonominë globale që të ndryshojë ritëm, pasi deri më tani rritja ka qenë zhgënjyese, e brishtë, e pabarabartë dhe e rrethuar me rreziqe”, – deklaroi Lagarde.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency