Reagimi/ Kumbarot dhe Çuli, një përgjigje: “S’kemi konflikt interesi!” Shfaqja jepet në Teatër

0
134

Violeta Murati

Hervin-Culi-300x154Janë pyetur nga “Standard” ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, dhe regjisori Arben Kumbaro, vëllai i ministres: A ka konflikt interesi financimi i projektit të regjisorit dhe e vërteta e kostos së veprës?! Përgjigjet pak ndryshojnë nga fjalët të quajtura “spekuluese”: Është projekti më i shtrenjtë në TK, po konflikt interesi nuk ka. Versioni i regjisorit: Projekti është aprovuar katër vite më parë nga MK, nuk e di koston; versioni i drejtorit të TK: E ftova vetë Kumbaron, vepra në buxhetin e 2015-ës, kostoja 3.2 milionë lekë; versioni i Mirela Kumbaros: Regjisori është në të drejtën e tij, sipas rregullave

 Të gjitha fjalët që i quajnë “spekulime”, një ditë më parë, i kanë hedhur poshtë treshja: regjisori Arben Kumbaro, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në fakt, rrjetet sociale po kthehen në një kontribuues të informacionit edhe këtu, si pjesa më e ndjeshme, e hapur dhe pa frikën e të shprehurit mbi fenomenet! Fjala është për projektin më të shtrenjtë të sezonit, të regjisorit Arben Kumbaro, i cili është vëllai i ministres së Kulturës dhe “spekulantët” e kanë quajtur këtë si konflikt interesi. Të gjithë do të mendonim kështu, të paktën me ligj. Ose, së paku, vetë këta, për shembull regjisori Arben Kumbaro, në një takim për teatrin të organizuar nga Ministria nuk foli kur iu drejtuam për “mendim”, me përgjigjen se është në “konflikt interesi”, arsyeja: “Jam vëllai i ministres!” E quajti, pra, konflikt interesi këtë rast, të fliste për Teatrin!

Shfaqja e Kumbaros, sipas sezonit teatral 2014-2015, do të ketë premierën më 13 mars 2015 – “jo me buxhetin e këtij viti”, – tha Çuli. Hedh poshtë fjalët se ka koston prej 6 milionë lekësh të reja, ndërkohë që gjithë buxheti i Teatrit është 10 milionë lekë. Drejtori i TK-së thotë se, sipas preventivit, projekti kushton 3.2 milionë lekë dhe se nuk ka asnjë konflikt interesi! Edhe regjisori Arben Kumbaro dha versionin e tij, duke treguar për “Standard” se nuk ka dijeni për koston, se ky është një projekt i miratuar nga Ministria 4 vjet më parë. S’tha kështu as ministrja, as Çuli! Sipas tyre, versioni zyrtar është: ky projekt është ftesë që Çuli i ka dërguar Kumbaros, i është propozuar bordit – ky si duket, deri tani, rezulton kukull! Kjo marrëdhënie e ngushtë, dhe me ironinë brenda, mbyllet nga ministrja Kumbaro: “Regjisori është në të drejtën e tij… projekti ka kaluar sipas procedurave dhe rregullave”.

Megjithatë, të mbledhur një natë më parë në hollin e Teatrit Kombëtar për të prezantuar “arritjen” normale, kalendarin e sezonit artistik, treshes së mësipërme iu kuptua shqetësimi prej “rrjeteve sociale”, duke e trajtuar si një hiç. Këmbëngulja jonë, sa të vërteta ka në këtë “hiç” nuk rezultoi aq “hiç”! E para, e vërtetë se vepra e regjisorit Kumbaro është nga më e shtrenjta që po vihet në Teatër; e dyta, se është konflikt interesi kjo nuk ha diskutim, pavarësisht se propozimi e ftesa buron nga drejtori i Teatrit; e treta, nëse për ministren e Kulturës çdo gjë është bërë sipas rregullave dhe ligjeve, e mendon jo drejt! Ja pse: Ministria e Kulturës në Tiranë qysh në ardhjen e demokracisë vazhdon funksionimin “parti-shtet”, një sistem i qartë për aq kohë sa artistët rreshtohen politikisht e marrin financime për kahje partish. Rasti i regjisorit Kumbaro është krejt i pastër. Për tetë vite pushtet të PD-së, ky regjisor ka ngjitur në skenë vetëm një vepër me paratë publike. Ky është edhe argumenti që jep Çuli për të mos lënë të “vdesë” ky talent, sepse këtu regjisorë e aktorë kanë vetëm një shans: ose me parti, ose në rrugë të madhe! Pra, sistemi teatror në këtë rast nuk do fjalë: me paratë publike pritet radha e pushtetit.

Prandaj, themi se ministrja e Kulturës e ka “jo të drejtë” mendimin e saj, në të kundërtën qysh në ardhjen në krye të dikasterit do të kuptonte më mirë rolin e Ministrisë, pra shërbesën që ky institucion ka për kulturën, në pak fjalë: një ekuilibër mes krijuesve dhe produktit artistik, e kjo nënkupton rëndësinë që merr për të ekuilibruar konkurrencën në treg.

Pra, është një kurbë krejt tjetër, nëse do t’i duhej ministres të ishte “në rregull”! Ajo nuk është vënë në krye të Ministrisë të raportojë si sukses ngritjen e një kalendari artistik apo diku tjetër të veprojë si drejtoreshë teatri – pra nuk ka vetëm targetin t’u marrë kompetencat drejtorëve, që i ka nën varësi! Ministria e Kulturës ka nën varësi institucionet publike të kulturës dhe si e tillë, i duhet t’i menaxhojë, por nga ana tjetër i duhej të kishte një platformë konkrete, strategji se ç’do të bëhet me këtë treg, e jo thjesht të nxiste heqjen e njerëzve nga puna dhe zëvendësimin e tyre me urdhëresa politike.

Deri tani, ministrja Kumbaro nuk ka artikuluar në asnjë rast se ç’do të bëhet me “tregun” e teatrit, sa ka stimuluar ngritjen e kompanive private teatrore, sa teatro gjallojnë në kryeqytet, ç’po bëhet me politikat e sponsorizimit etj., etj…?! Me një telefon është shumë lehtë të bësh zap Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operas, Galerinë, Muzeun, por sa ballafaquese bëhen këto institucione publike në një konkurrencë private?! Laku i të varfrit në kulturë ende nuk është hequr prej grykës së politikës dhe në Teatër duket e largët dita kur të mos flitet më për aktorë e regjisorë rrogëtarë, të punësuar e njerëz të hequr nga puna.

Duket se nuk ndryshon gjë as fakti se drejtori i ri i TK ka aplikuar strukturën me kontrata, për aq kohë sa këto mbushen sërish me njerëz, të cilët kanë “qëndruar në shtëpi” tetë vite të shkuara, edhe pse mund të jenë talente apo të rinj. Në të kundërt nuk ka pse ankohen, nëse nuk realizuan projekte teatrore, se pritën të ndërrohej qeveria, kur diferencën e bën Ministria e Kulturës, nga rrjedhin paratë e pushteti!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency