Vendimi/ Apeli hedh poshtë kërkesën e Vllaznisë dhe Tiranës

0
147

Kriza e dy skuadrave duket se do të vazhdojë pasi Apeli e ka hedhur është hedhur poshtë kërkesa për të rikthyer tifozët e tyre në stadiumet e tyre

traziratProblemet duket se do të vazhdojnë për Vllazninë dhe Tiranën. Dy skuadrat që me dhunën e tifozerive shëmtuan futbollin shqiptar do të qëndrojnë për një kohë të gjatë pa mbështetjen e tyre nga tifozët. Kjo, pasi asgjë nuk ndryshoi në vendimin e Apelit dhe kështu skuadrat do ta luajnë pjesën më të madhe të sezonit në Kategorinë Superiore pa praninë e tifozëve. Pas dhunës mes dy tifozerive në stadiumin “Loro Boriçi”, Komisioni nuk ka pasur asnjë hapësirë për të falur të dyja skuadrat, edhe pse drejtuesit e dy klubeve, pak ditë më parë zhvilluan një takim dypalësh për të ulur gjakrat. 15 ndeshje pa tifozë për Tiranën dhe 10 për Vllazninë janë vendimet e Komisionit të Disiplinës që u konfirmuan nga Apeli pas mbledhjes së këtij Komisioni ditën e hënë. Në këtë mënyrë, marrin fund shpresat e dy shoqërive për të rikthyer tifozët në stadium brenda një afati të shkurtër, çka mund të ndikojë edhe në ecurinë e tyre sezonale. Përveç mungesës së tifozerive për numrin e ndeshjeve të paracaktuara nga Disiplina, Tirana duhet të bëjë pa mbështetjen e tifogrupit “Tirona Fanatics” për të gjithë sezonin. Menjëherë pas publikimit të këtij vendimi ka ardhur edhe reagimi zyrtar i klubit kryeqytetas. “Komisioni i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Disiplinës për mbylljen e dyerve të stadiumit për 15 ndeshje të KF Tiranës. Një vendim absurd le në fuqi një mase absurde. KF Tirana do të reagojë shumë shpejt për këto padrejtësi që po i bëhen klubit, skuadrës, tifozëve dhe qytetit”, – thuhet në komunikatën e shoqërisë bardheblu në rrjetin social “Facebook”. Ndërsa në faqen zyrtare në këtë rrjet social të Vllaznisë ky vendim i Apelit konsiderohet si i çuditshëm. Deri në këto momente, Tirana dhe Vllaznia kanë luajtur nga dy ndeshje me dyer të mbyllura. Në derbin e kryeqytetit mes bardhebluve dhe Partizanit, asnjë prej skuadrave nuk pati mbështetjen e tifozëve në “Qemal Stafa”, duke bërë që një sfidë e tillë si rrallëherë të zhvillohej pa praninë e dy prej tifozerive më të zjarrta në vend. Kujtojmë se gjithë kjo situatë erdhi gjatë ndeshjes së luajtur në “Loro Boriçi”. Pas përfundimit të ndeshjes, situata midis dy tifozerive nisi të bëhej edhe më e nxehtë. Duke përfituar nga numri i ulët i policëve, të dyja tifozeritë e skuadrave filluan të përplaseshin me njëra-tjetrën, duke shkaktuar kështu edhe disa të plagosur nga të dy krahët. Kjo sfidë nuk prodhoi lojë, por vrer dhe kjo nuk bën mirë, por i ul pikë futbollit shqiptar që prej vitesh është viktimë e të tilla ngjarjeve. 24 herë kampionët e Shqipërisë ishin më të interesuarit që ky pezullim të hiqej këtë javë. Kjo, pasi ndeshja e radhës është ajo ndaj Skënderbeut. Një sfidë me domethënie të veçantë në këto sezonet e fundit, pasi “ujqërit e dëborës” ka qenë ata që kanë sunduar kampionatin. Një përballje që vë përballë të shkuarën më të ardhmen. Kjo nuk mund të anashkalohet nga bardheblutë që e vlerësojnë në maksimum këtë ndeshje dhe do të donin në kundër korçarëve dhe mbështetjen e tifozëve të tyre. Vllaznia nga ana tjetër e ka akoma rrugën e vështirë pasi pavarësisht se ka marrë fitore këto dy javët e fundit kalendari ne javët e ardhshme nuk parashikohet i lehtë.

 

 Rojs nuk rinovon, Reali favorit

Mediat angleze dhe gjermane raportojnë se Marko Rojs ka refuzuar të negociojë rinovimin e kontratës me nënkampionin e Bundesligës. Kontrata aktuale e 25-vjeçarit skadon në vitin 2017, mirëpo BVB dëshiron t’ia vazhdojë në mënyrë që të largojë interesimin e klubeve të shumta. Në verën e ardhshme aktivizohet klauzola e tij prej 25.5 milionë eurosh dhe padyshim se shumë klube janë të gatshme ta paguajnë atë. “DailyStar” njofton se klubet angleze – Mançester Junajtid, Arsenal dhe Liverpul, janë vënë menjëherë në alarm, mirëpo burimet thonë se vet futbollisti dëshiron të transferohet te Reali i Madridit.

 

 Shqipëria në 18 nëntor luan kundër Italisë

Një miqësore feste për Shqipërinë, pasi në 18 nëntor do të luajë kundër Italisë. Negociatat e nisura në fundjavë mes dy federatave janë konkretizuar këtë të hënë, me FSHF që ka konfirmuar miqësoren për kuqezinjtë. Sfida ishte parashikuar që do të luhej në Firence, por me vendimin e ri do të luhet në “Tardini” të Parmës. Italia ishte i vetmi emër i madh në futbollin evropian ndaj të cilit Shqipëria nuk kishte luajtur asnjëherë në nivelin e kombëtares A. Gjithçka e pati zanafillën nga një bisedë e përbashkët e trajnerit italian të kuqezinjve me homologun e tij Antonio Konte, ndërsa më pas hynë në lojë dhe federatat, të cilat bën të mundur marrëveshjen. Kolumbia ishte gjithashtu një tjetër emër, me të cilin Italia po parashikonte të luante një miqësore, në këtë datë të lirë të FIFA-s, por fitorja e arritur nga Shqipëria me Portugalinë bindi drejtuesit italian se kuqezinjtë ishin kundërshtari i duhur për t’u përballur me 18 nëntor. Kjo miqësore do të jetë një “vitrinë” shumë e mirë dhe për imazhin e përfaqësueses sonë, që do të zërë sërish faqet e para të mediave ndërkombëtare pas triumfit ndaj Portugalisë.

 

 Zubizareta: Mesi dhe Nejmari, të mrekullueshëm

Drejtuesi i klubit katalanas, Andoni Zubizareta, është shprehur se Nejmari dhe Lionel Mesi janë lojtarë të jashtëzakonshëm. Dyshja shkëlqyen gjatë vikendit me brazilianin që shënoi “hat-trick” dhe me argjentinasin që shënoi dy herë, për të mposhtur Granadën me rezultat 6-0. “Të dy janë lojtarë të jashtëzakonshëm, të cilët bëjnë aq shumë për të luajtur futboll të mirë dhe kjo është për të mirën e skuadrës”, – ka thënë ish lojtari Barçës. 52-vjeçari po ashtu është shprehur i kënaqur për mënyrën se si janë përshtatur nënshkrimet e verës dhe shpreson se Luis Suarez do të ketë të njëjtin fat. “Lojtarët që kanë arritur gjatë verës ia kanë dalë mirë. Ne duhet ta vendosim edhe Luis Suarez, koha e të cilit do të vijë së shpejti. Ne vazhdojmë të rritemi dhe të mësojmë”, – ka thënë Zubi.

 

 Henderson mbron Xherardin

Xhordan Henderson ka deklaruar se kritikat ndaj Stiven Xherardit këtë sezon janë krejtësisht të paarsyeshme. Kapiteni i “redsave” është identifikuar si faktor për fillimin e dobët të sezonit nga Liverpuli, por ai shënoi gol në barazimin 1-1 ndaj Evertonit dhe në mbrojtje të tij ka dalë edhe mesfushori Xhordan Henderson. “Stiveni ende është një prej më të mirëve në Premier Ligë. Nuk ka dyshime për kualitetin e tij. Shumë skuadra kanë vendosur një person që do ta mbulojë plotësisht atë, që tregon se sa i mirë ai është. Nuk mendoj se ai meriton ndonjë kritikë. Ai ka qenë lojtari më i mirë të cilin kjo ligë e ka pasur një kohë të gjatë dhe ende është”, – ka thënë Henderson.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency