Apelojnë njerëzit e akuzës /  “Prokurorëve t’u garantohet mbrojtja fizike përpara se t’u rrezikohet jeta”

0
168

url

Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë dënon dhunën ndaj prokurorit Ervin Beqiri në burgun e Lezhës nga i burgosuri Mariglen Përgjini

Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë dënon dhunën e ushtruar ndaj prokurorit Ervin Beqiri brenda mjediseve të burgut të Lezhës.

Me anë të një deklarate, kryetari i kësaj Shoqate, Shkëlqim Hajdari, i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrë masa për t`iu garantuar siguri maksimale prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore, kur ata ndodhen në mjediset e institucioneve të paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit.

“Duke marrë shkak nga ky rast i paprecedent, i bëjmë thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrë masa nëpërmjet përmirësimit të akteve nënligjore, për t`iu garantuar siguri maksimale prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore, kur ata ndodhen në ambientet e institucioneve të paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit, gjatë përmbushjes së detyrave të tyre funksionale. Raste të tilla duhet të ndëshkohen në mënyrën më të ashpër ligjore, pasi akti i djeshëm është dhunim i hapur i përfaqësuesit të shtetit”, – thuhet në deklaratën e Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.

Sipas kreut të Shoqatës, dhuna e fizike ndaj prokurorit Beqiri nuk është një rast i izoluar, pasi kohët e fundit prokurorët po përballen me presione verbale nga individë, grupe të strukturuara kriminale madje dhe segmente të ndryshme të politikës. Ngjarja e djeshme e dhunës fizike nuk është një rast i izoluar, pasi kohët e fundit prokurorët po përballen me presione verbale nga individë, grupe të strukturuara kriminale madje dhe segmente të ndryshme të politikës. Referuar këtyre ngjarjeve, shoqata kërkon ngritjen e një trupe policore për mbrojtjen e jetës së prokurorëve, pasi mbrojtja e deri tanishme nuk është funksionale.

“Ngjarje të kësaj natyre e bëjnë të domosdoshme që prokurorët të kenë një trupë policore sigurie, pjesë përbërëse e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, pasi procedura aktuale e marrjes nën mbrojtje të prokurorëve nuk është funksionale. Prokurorët që kryejnë hetime për vepra penale me rrezikshmërisë të lartë duhet t’iu garantohet mbrojtja fizike përpara se atyre t’u rrezikohet jeta. Sfidat e prokurorëve në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkojnë mbështetje të gjithanshme, nga aktorët dhe faktorët e brendshëm, si dhe ato ndërkombëtarë që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, – vijon deklarata e Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.

Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, në përfundim të saj, u bënë thirrje prokurorëve “që të vijojnë të kryejnë funksionet e tyre ligjore me përkushtim, objektivitet, pavarësi, ndershmëri dhe jashtë ndikimeve të çfarëdo lloji. Hetimi dhe gjykimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri, i shërben integrimit sa më të shpejtë të vendit tonë në BE. Shoqata siguron opinionin publik se prokurorët janë të përgjegjshëm dhe të vendosur për të përmbushur misionin e tyre ligjor”.

Reagimi i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë erdhi pasi një prokuror i Lezhës u godit me grushte dhe shkelma nga një i dënuar për vrasje në burgun e Shënkollit në Lezhë. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë në korridorin e burgut teksa prokurori po shkonte të takonte në qeli dy të burgosur të tjerë. Mariglen Përgjini nga fshati Manati e Lezhës i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e një të riu në janar të vitit 2013, është hakmarrë ndaj prokurorit Ervin Beqiri, duke e dhunuar fizikisht, pasi ky i fundit sipas tij kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite burg, pa të drejtë. Pas ngjarjes së ndodhur Prokurori Beqiri ka bërë kallëzim penal në organin e akuzës ndaj Përgjinit si dhe ndaj dy gardianëve të cilët e shoqëronin atë, me pretendimin se nuk kanë ndërhyrë në kohë për të shmangur incidentin.

Nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mësohet gjithashtu është bërë e ditur me urdhër të prokurorisë janë arrestuar shefi i sigurisë në Burgun e Shën Kollit si dhe katër gardianët që kanë qenë në turn, ndërsa ka nisur një hetim i hollësishëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ambientet e burgut. Mariglen Përgjini akuzohet për vrasjen e Maltin Shtjefnit dhe plagosjen e Ergys Nikës ngjarje e ndodhur me 10 janar të vitit 2013 në një lokal në superstradën Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimi të Shën Kollit. Pas shpalljes në kërkim nga policia e Lezhës si autor i ngjarjes Përgjini u vetëdorëzur në polici dy javë më pas, kjo sipas tij për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes pasi nuk ishte ai autor i vrasjes. Ndonëse ai kishte paraqitur prova dhe fakte që nuk e implikonin në vrasjen e Maltin Shtjefnit, duke akuzuar një tjetër person si autor të këtij krimi kjo nuk është marrë parasysh nga organi i akuzës, duke dhënë pretencën me 20 vite burg. Pas shumë seancave gjyqësore dhe me shumë tensione brenda në sallë gjykata e ka dënuar Përgjinin me 7 vite burg për ngjarjen e ndodhur. Ndërkohë Gardianët e arrestuar në Shën Kollë janë në dërguar në komisariatin e Laçit, në pritje të masës së sigurisë.

 

 

Tre lihen të lirë

Gjykata, arrest me burg për dy gardianët e burgut

Gjykata e Laçit ka dhënë masën e sigurisë për 5 gardianët e burgut të Shënkollit në Lezhë pas dhunimit të prokurorit Ervin Beqiri. Togat e zeza për tre prej gardianëve kanë vendosur masën “Detyrim paraqitjeje”, ndërsa për dy të tjerë “Arrest me burg”. Të lirë janë lënë Kol Deda, oficer në burg, Astrit Reci dhe Pjerin Ndoj të dy gardianë. Ka qenë prokurori Ervin Beqiri ai që ka bërë kallëzimin ndaj gardianëve të këtij burgu, pasi kur ka shkuar në ambientet e këtij burgu, me qëllim që të takonte një të dënuar tjetër, në ambientet e ajrimit është ndeshur me të dënuarin për vrasje Mariglen Përgjini, i cili me pretendimin se prokurori i kishte dhënë një dënim shumë të rëndë, e ka goditur me grusht në sy të gardianëve, të cilët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë.

 

 

Unioni i Gjyqtarëve zgjedh kryetarin e ri

Unioni i Gjyqtarëve, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar dje, zgjodhi kryetarin e ri, Gerd Hoxha. Gjithashtu gjatë mbledhjes janë zgjedhur dhe strukturat drejtuese të unionit. Gerd Hoxha shërben aktualisht si gjykatës pranë Dhomës Penale të kryeqytetit dhe vjen në këtë post pas largimit të Ervin Metallës. Pas zgjedhjes dhe të strukturave drejtuese të Unionit Gerd Hoxha u shpreh se Unioni do të jetë më pranë gjyqtarëve dhe i hapur për qytetarët. Gjithashtum sipas kreut më të ri të Unionit, Gerd Hoxha, “Unioni mbetet streha e profesionistëve dhe dënon çdo shkelje që bëjnë gjyqtarët në dhënien e drejtësisë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency