Ndihma për 7 vite/ BE jep 649.5 milionë euro për Shqipërinë. Füle vjen të hënën në Tiranë për dialogun e Lartë

0
114

Gëzim Saliu

selia e KE Takimi KE-Shqipëri mbahet para publikimit të raportit të progresit më 8 tetor, në tryezë edhe opozita

 BE mbështet financiarisht përpjekjet për reforma në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi për shtatë vitet e ardhshme. Financimi i rënë dakord vitin e kaluar shkon në 11 miliardë euro dhe do të realizohet nëpërmjet instrumentit të ri IPA 2. Kështu, pritet që Shqipëria do të marrë deri në vitin 2020 një shumë prej 649.5 milionë eurosh, ku përkatësisht në vitin 2014 do të marrë 83.7 milionë euro, në vitin 2015 do të marrë 86.9 milion euro, në vitin 2016 do të marrë 89.7 milionë euro, në vitin 2017 do të marrë 92.9 milionë euro e ndërsa nga viti 2018 deri në vitin 2020 vendi ynë do të përfitojë 296.3 milionë euro. Ndërkaq, autoritetet në vendet përkatëse kanë identifikuar fushat kryesore, të cilat do përfitojnë nga kjo ndihmë. Ndihma financiare do të synojë prioritetet strategjike për vendet që dëshirojnë të bashkohen me BE-në, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe investimeve rajonale dhe territoriale. Fushat kyçe përfshijnë qeverisjen dhe reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe mbështetje për rritjen ekonomike dhe konkurrencën. “Kjo ndihmë është një lajm shumë i mirë për rajonin dhe zgjerimin. Kjo do të ndihmojë të mbështesë ato vende me një perspektivë evropiane për zbatimin e reformave që do të ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët, të ndihmojë ata të ecin përpara në rrugën e tyre për BE-në dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes fqinjëve”, – tha komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Füle. Duke siguruar vazhdimësinë me ish-fondet IPA, instrumenti i ri IPA 2 do të veprojë me procedurë të thjeshtuar për të lehtësuar qasjen në financim për përfituesit dhe duke e lejuar atë që të jetë më tepër e orientuar drejt rezultatit, fleksibël dhe të përshtatura për nevojat e veçanta. Një grup i përcaktuar mirë i treguesve dhe synimeve do të lejojë monitorimin e të saktë dhe vlerësimin e programeve. Në këtë ndihmë financiare të BE-së bie në sy fakti se Maqedonia deri në vitin 2020 do të marrë një shumë 664.2 milionë euro, ndërsa Serbia gjatë kësaj periudhe do të marrë 1,508.0 euro.

 

Vizita e Füles

Ndërkaq, ditën e hënë në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes në raundin e katërt të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE pritet të mbërrijë komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle. Lajmi u bë i ditur dje nga zëdhënësi i Füles, Peter Stano, sipas të cilit në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Në të njëjtën kohë edhe opozita ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj. Ky takim vjen para publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë, i cili do të prezantohet më 8 tetor të këtij viti dhe është i pari që mbahet, pasi Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në BE. Lidhur me bilancin me të cilin shkon Shqipëria në takimin dialogut të e nivelit të lartë kësaj here, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ka theksuar në një prononcim për mediat disa ditë me parë se “do të diskutohen të gjitha arritjet, që ka pasur vendi, do të diskutohet vazhdimësia e reformës në drejtësi që është një nga pikat kryesore, por edhe vendimmarrja deri në hapjen e negociatave”. Në dialogun e nivelit të lartë, opozita pritet të përfaqësohet ashtu si edhe në takimin e kaluar, nga kryetarja e Komisionit të Integrimit, deputetja demokrate Majlinda Bregu, si edhe nga deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani. Ndërkohë, pjesë e takimit, krahas Kryeministrit Rama dhe ministres së Integrimit Gjosha, do të jenë edhe ministri i Jashtëm, ai i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, prokurori i Përgjithshëm etj.

 

 Selia blu e cilëson skandal/ PD: Bushati shmangu fjalën e Presidentit Nishani në Asamblenë e OKB-së

Tensionet mes qeverisë dhe opozitës shkojnë në SHBA, ku u mbajt dhe sesionin i 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Përmes një daljeje publike nga selia blu, deputeti demokrat Aldo Bumçi theksoi se fjalimi i kreut të shtetit është bojkotuar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. “Dje (dy ditë më parë) ka ndodhur një skandal shumë i rëndë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bojkotuar në mënyrë të turpshme, të pajustifikueshme dhe të paprecedentë, fjalimin e Presidentit të Republikës, njëherësh kryetar i delegacionit shqiptar në OKB. Ndërkohë që Presidenti i Republikës u drejtohet të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, duke adresuar sfida që nga lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, deri tek njohja e mëtejshme e Kosovës dhe integrimin Evropian të Shqipërisë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk denjon të qëndrojë në sallë në detyrim dhe respekt të vendit dhe postit që ai perfaqëson. Këtë sjellje rrugaçërore ministri Bushati mund t’ia kishte kursyer vendit të tij në sytë e të gjithë botës, duke cenuar rëndë imazhin e vendit”, – u shpreh Bumçi. Më tej, deputeti i PD-së tha se kjo sjellje e kryediplomatit shqiptar është në dëm të imazhit të vendit. Nisur nga kjo, ai kërkoi një reagim të menjëhershëm të Kryeministrit Rama për këtë ngjarje. “Nëse ky gjest është rezultat i papërgjegjshmërisë personale të Ditmir Bushatit, atëherë Kryeministri Rama duhet të reagojë pa humbur kohë. Përndryshe është vetë Kryeministri që ka urdhëruar këtë skandal në forumin më të lartë të diplomacisë botërore”. Presidenti Bujar Nishani mbajti dy net më parë, pas mesnate, fjalimin e tij në sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency