I arratisuri nga burgjet greke/ U kap me armë në Tiranë, dënohet 5 vjet e 4 muaj Ilir Kupa

0
144

Sonila Mesareja

ilir kupa ne gjykate Para verdiktit të dhënë, i pandehuri kërkon mëshirë nga Gjykata: Më lini të rris dy fëmijët e mi, armën e mbaja për vetëmbrojtje

Gjykata e Tiranës shpalli dje vendimin dhe dënoi me 5 vjet e katër muaj heqje lirie Ilir Kupën, një prej të arratisurve nga burgu i Trikallasë në Greqi. Akuza e ngritur ndaj tij ishte vetëm për “Armëmbajtje pa leje”. Megjithatë, ky vendim nuk dihet nëse do të pasohet ose jo nga një ekstradim i mundshëm i Kupës drejt shtetin fqinj ku e pret një dënim prej 50 vjetësh heqje lirie. Vendimi i Gjykatës erdhi disa minuta pasi i pandehuri Kupa kishte thënë fjalën e tij të fundit, ku kërkonte mëshirë nga Gjykata, duke e justifikuar mbajtjen e armëve si mënyrë mbrojtjeje nga policia greke që kërkonte ta vriste pa paralajmërim, siç bëri me shokët e tjerë të arratisur bashkë me të.

 

Mbrojtja

“Armët i kam mbajtur vetëm nga frika, se do të më vriste policia greke. Pas arratisjes nga burgu, policet na qëlluan pa paralajmërim. Unë arrita të hyj në Shqipëri nga Saranda dhe kërkoj nga Gjykata të më japë mundësi të rri në liri, pasi dua të rris dy fëmijët e mi. Shteti grek më ka burgosur mua, vëllain dhe babain padrejtësisht. Kërkoj mëshirë nga ju”. Edhe avokati mbrojtës pretendoi një masë më të butë për klientin e tij. Më herët, një seancë më parë, Prokuroria kërkoi dënimin me 8 vjet burg për Ilir Kupën. Në momentin e arrestimit, në fund të janarit atij iu gjeten dy pistoleta në makinën ku iu vunë prangat.

 

Letra

Greqia kërkon me çdo kusht që Ilir Kupa të ekstradohet. Kësaj radhe nisma nuk është e organit të akuzës së këtij shteti, por e dy deputetëve të Parlamentit grek, të cilët u janë drejtuar dy ministrave me një letër, ku u kërkohet llogari për ecurinë e procedurave për ekstradimin e Kupës drejt shtetit fqinj. Në letrën drejtuar dy ministrave më 25 korrik të këtij viti dhe bërë publike nga disa media greke online, dy deputetët u kujtojnë dy drejtuesve të këtyre institucioneve vrasjen e padrejtë të rreshterit, George Andritsopoulou nga të arratisurit e burgut të Trikallasë, të cilët i cilësojnë gangsterë shqiptarë. Më pas rendisin faktin e ndjekjes së suksesshme dhe neutralizimin e shumë prej tyre nga policia greke, si dhe faktin që Ilir Fatmir Kupa arriti të arratisej në Shqipëri. Më pas ata thonë se ai u arrestua kohët e fundit nga autoritetet shqiptare për krimet e kryera në vendin e tij. Më pas shtrojnë pyetjen mbi këta kriminelë shqiptarë që kryejnë krime në vendin e tyre, të cilët janë edhe të shpallur në kërkim nga drejtësia greke. Me frikën e lirimit të Kupës nga autoritetet e drejtësisë shqiptare, dy deputetët sqarojnë edhe përgjigjen që kanë marrë lidhur me përgjigjen që Interpol Athina ka dhënë për Prokurorinë e Apelit Athinë lidhur me lirimin e Kupës. Ata shprehen se kanë mësuar se autoritetet shqiptare nuk e ekstradojnë Kupën për shkak të mungesës së një marrëveshje mes dy shteteve. Nisur nga kjo përgjigje, deputetët pyesin se “si ka mundësi që kriminelët shqiptarë të kryejnë krime në vendin e tyre dhe të gjejnë strehë në vendin e tyre të origjinës? Si mundet që fqinji ynë, të cilin qeveria greke e ka mbështetur në përpjekjet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndalon autoritetet e drejtësisë greke të veprojnë ndaj një personi që ka kryer krime në vendin tonë? Çfarë masash do të marrë Ministria e Punëve të Jashtme për këtë rast të shtetit shqiptar dhe jo vetëm kaq?”

 

Takimi/ Naço, ambasadorit francez: Modeli francez në vlerësimin e punës së gjyqtarëve

Modeli francez pritet të propozohet nga ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, për vlerësimin e punës së gjyqtarëve. Kjo ide iu bë e ditur edhe ambasadorit të ri francez në vend, Bernard Fitoussi, gjatë një takimi që pati dje me z. Naço. Sipas burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, mësohet se gjatë takimit ministri Naço ka prekur të gjitha problematikat e drejtësisë shqiptare, duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit diplomatit të ri francez, në veçanti në fushën e trajnimeve dhe në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Duke i uruar suksese në detyrën e re, ministri Naço e falënderoi diplomatin për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve nga ana e shtetit francez për Shqipërinë në aspekte të ndryshme gjatë rrugës së zhvillimit të vendit tonë. Ai gjithashtu e informoi rreth vizitës në Francë, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme dhe duke vlerësuar pritjen që autoritetet më të larta i kanë bërë delegacionit shqiptar. “Gjatë vizitës mora mbështetje në lidhje me hapat e hedhura nga Shqipëria drejt realizimit të aspiratave evropiane. Ne kemi nevojë për ndihmën dhe asistencën tuaj në drejtim të gjykatave administrative, më konkretisht për trajnimin e gjykatësve dhe administratës së këtyre gjykatave. Një nga qëllimet e vizitës lidhej edhe me përfitimin e eksperiencës më të mirë të sistemit të drejtësisë franceze, veçanërisht përsa i takon sistemit francez të vlerësimit të gjyqtarëve”, – u shpreh ministri Naço. Ministri e ka informuar ambasadorin edhe për organizimin e një konference ndërinstitucionale për reformën në drejtësi, duke shprehur besimin e tij se pas kësaj konference reformimi i sistemit gjyqësor do të bëhet mbi një emërues të përbashkët dhe me përfshirjen e të gjithë aktorëve. Nga ana e tij, ambasadori i Francës, Bernard Fitoussi, i shprehu ministrit të Drejtësisë admirimin e tij për kurajon me të cilën po përballon sfidat në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se reforma në drejtësi ishte një kusht vendimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Duke u ndalur në tematikat e prekura nga ana e ministrit, ambasadori Fitoussi ka shprehur dakordësinë e tij lidhur me rëndësinë e së drejtës administrative, duke e cilësuar atë si një kod nderi mes qytetarëve dhe shtetit, si dhe një gur themeli për ngritjen e shtetit të së drejtës. “Jam i gatshëm t’ju ofroj ndihmën time në dhënien e ekspertizës ndaj sfidave që lidhen me ecurinë e punës në gjykatat administrative në Shqipëri. Franca gjithashtu, mund t’ju vijë në ndihmë edhe nëse i referoheni eksperiencës së saj lidhur me fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi ajo ka një legjislacion mjaft të mirë e të konsoliduar në këto fusha”, – garantoi ambasadori Fitoussi. Sipas ambasadorit, edhe fusha e të drejtës së biznesit është një tjetër sektor ku mund të merret mbështetje dhe ekspertizë, ndërsa vuri në dukje një interes serioz të investitorëve francez ndaj vendit tonë. Një pikë tjetër së cilës ambasadori i kushtoi mjaft vëmendje gjatë diskutimit ishte edhe rëndësia e aksesit të qytetarëve në drejtësi. Në lidhje me këtë temë, ministri Naço e informoi ambasadorin se për aksesin në drejtësi është menduar seriozisht në hapat e reformës të hedhura deri tani. Ambasadori Fitoussi e ka ftuar ministrin Naço që së bashku me stafin e tij të nisin hartimin e një plani pune apo kalendari bashkëpunimi në terma konkretë, duke e ftuar që të ketë besim se mbështetja e shtetit francez do të jetë e pakursyer.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency