Superliga Shqiptare/ Duro nuk e shikon derbin pa tifozë, Magani harron humbjen ndaj Laçit

0
143

Tekniku i të kuqve nuk e koncepton derbin pa të dyja tifozeritë, ndërsa Magani i ka këshilluar të tijtë të harrojnë humbjen e Laçit dhe të shikojnë përpara

shpetim duro Sfida midis Tiranës dhe Partizanit sa vjen edhe bëhet më e nxehtë. Kësaj radhe ka qenë trajnerët ata që janë shprehur sfidën dhe për gjërat që i shqetësojnë parapara kësaj sfide. Një ndeshje, e cila duhet të menaxhohet mirë nga dy trajnerët, të cilët kanë shumë eksperiencë në këtë drejtim dhe po arrijnë të bëjnë gjithçka para sfidës në mënyrë që të kenë një rrugë të sigurt drejt fitores. Duro pranoi se ndaj bardhebluve mund të ketë edhe ndryshime në formacion duke parë se kjo gjë është një taktikë e përdorur nga trajneri për ta bërë skuadrën më të parashikueshme. Sipas tij i vetmi problem për skuadrën për momentin është mungesa e Shabanit që krijon mungesë te ekipi. Gjithashtu, sipas Duros, u shpreh se në konferencë se ishte e pamundur që derbi të luhej me tifozë. Sipas tij, ky derbi nuk do të jetë si të tjerët, pavarësisht se futbollistët e kuq do të bëjnë maksimumin në fushë për të marrë fitoren. “Unë në fakt nuk prisja që derbi të luhej me tifozë, sepse edhe nëse komisioni i Apelit do të mblidhej, nga 15 ndeshje që është dënuar Tirana nuk mund të kishte një ulje të tillë të masësh ndëshkimore që sfida e radhës të luhej me tifozë. Sigurisht që pa tifozë nuk është e njëjta gjë, sepse prania e tyre i motivon vetvetiu futbollistët. Ne do të futemi në fushë me synimin për të marrë maksimumin”. Fakti që Partizani vjen pas tri fitoreve radhazi ndërsa Tirana pas humbjes në Lac, sipas ish-trajnerit të Shkëndijës së Tetovës nuk i bën të kuqtë favoritë. “Nuk mund ta them kurrsesi se jemi favoritë, sepse derbi i anashkalon problemet që mund të kenë skuadrat. Ky derbi i ka të tre rezultatet brenda”. Ndryshimet mund të jenë të vogla, por ajo që më shqetëson më shumë mua është mungesa e Shabanit, i cili ka vuajtur disa dëmtime në fillim të sezonit. Është një lojtar që unë e preferoj shumë”. Ndërsa në fund foli duke ironizuar një deklaratë të bërë nga ish lojtari të kuqve Demiri i cili u shpreh një ditë më parë se Nexhipi nuk po trajtohet ashtu siç duhet. “Nëse Demiri na ka nisur punën e trajnerit, jepini nr tim të telefonit që të më japë këshilla, nëse vazhdon të luajë akoma, nuk ia vlen ta ul nivelin e bisedës dhe të komentoj ato që ai ka thënë”. Ndërsa për Maganin ka më shumë punë pasi derbi me Partizanin e gjen Tiranën në një moment të vështirë të sezonit, ku janë disa faktorë që kanë ndikuar negativisht në psikologjinë e skuadrës. Fillimisht ngjarjet e “Loro Boriçit”, që u reflektuan më pas me dënimin e kryeqytetasve me 15 ndeshje pa tifozë, dhe së fundmi humbja e parë sezonale në Laç, kanë krijuar një atmosferë zymtë, që mund të kalohet vetëm në rast suksesi me të kuqtë. Trajneri Gugash Magani, i cili nuk i kurseu kritikat pas disfatës me kurbinasit, u kërkoi futbollistëve të tij para seancës së radhës stërvitore të ruajnë qetësinë dhe ta harrojnë sa më shpejt atë që ka ndodhur në javën e fundit. Tekniku peqinas u shpreh para tyre se derbi është një sfidë e hapur, kur mundësitë për sukses janë 50 me 50, ndaj është shumë e rëndësishme që të ruhet përqendrimi. Në fushë nga minuta e parë prite të luajë edhe Elis Bakaj, që u dënua nga Disiplina me dy ndeshje pezullimin. Lojtari i rritur në akademinë e Partizanit do ta shlyejë takimin e mbetur me gjobë, pasi nuk dëshiron ta humbasë këtë superpërballje të javës së 6-të, që ka një domethënie të veçantë për të.

 

Guardiola: Më intereson loja, jo kreu

Tekniku bavarez Pep Guardiola ka deklaruar se nuk është e rëndësishme nëse Bajerni i Mynihut është në krye të tabelës, por për të më e rëndësishme është mënyra e lojës. Kampionët e Gjermanisë fituan 4-0 ndaj Paderbornit në ndeshjen e zhvilluar në “Allianz Arena”, duke u ngjitur në krye të tabelës me 11 pikë. “Luajtëm shumë mirë, sidomos gjatë 25 minutave të para. Mbi të gjitha unë jam i kënaqur me lojën tonë të përmirësuar. Tani jemi në krye të tabelës, por për mua ky fakt nuk ka shumë rëndësi. Ajo që vlen më shumë është mënyra se si luajmë”, – ka thënë Guardiola.

 

 Lacio refuzoi 20 milionë euro për Kandrevën

Mediat italiane raportuan se Lacio raportohet se kishte refuzuar një ofertë në vlerën e 20 milionë eurove nga Atletiko Madridi për Antonio Kandreva. Kampionët e Spanjës ishin një nga skuadrat që u lidhën me një transferim të mesfushorit, edhe pse Lacio insistonte ta mbajë atë pasi sapo kishte kompletuar edhe blerjen e edhe gjysmës tjetër të kartonit të tij që ishte pronë e Udinezes. “Corriere dello Sport” raporton se ata kishin paguar 15 milionë euro për gjysmën e tij, duke e çuar kështu vlerën e tij në mesin e 30 deri në 35 milionë euro. Pasi ka siguruar 27-vjeçarin me kontratë të re, mediat italiane thonë se skuadra nga Roma kishte refuzuar edhe një ofertë në vlerën e 20 milionë eurove që kishte ardhur nga Atletiko për të gjatë verës. Skuadra spanjolle kishte ofruar 16 milionë euro si fillim dhe katër milionë të tjera në formë të shtesave.

 

 Navas: Kasijas, i madh, por nuk frikësohem

Navas është shprehur se do të bëjë çdo gjë që të konkurrojë me Iker Kasijasin për postin e portierit kryesor te Real Madridi. Kostarikani debutoi me fanellën e “Los Blancos” në ndeshjen kundër Elches, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 5-1 dhe ai është i vendosur që të mos e lë të qetë kapitenin. “Është privilegj të luaj në këtë stadium. Është diçka shumë e veçantë dhe diçka që e kam dashur gjithmonë. Po mësoj shumë në këtë skuadër, sot bëra një hap shumë të veçantë në karrierën time. Shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë dhe të siguroj sa më shumë minuta dhe t’i ndihmoj skuadrës për të fituar. Kasijas ka statistika mahnitëse të Realit të Madridit”, – ka theksuar Navas. 27-vjeçari u transferua në “Santiago Bernabeu” këtë verë për 11.2 milionë euro.

 

 Ançeloti: Ronaldo, i pabesueshëm

Trajneri i galaktikëve, Karlo Ançeloti, ka lavdëruar Kristiano Ronaldon pas fitores 5-1 ndaj Elche në “Santiago Bernabeu”, duke deklaruar punën madhe që bën Kristiano Ronaldo. Portugezi gjeti rrjetin katër herë për të çuar në nëntë numrin e golave të shënuar në katër takime të La Liga këtë sezon. “Kristiano nuk pëlqen të luajë me shpinën e kthyer nga goli, ai dëshiron të kërkojë hapësira nga krahu për të qenë me fytyrë nga goli. Lëvizjet që ai bën janë shumë të shpejta dhe kjo është arsyeja se pse golat vijnë si befasi. Ai gjithmonë është në vendin e duhur pasi ai ka një dhunti unike për lëvizje. Ai kishte nevojë për një kohë për të punuar; e ka bërë këtë me disiplinën dhe profesionalizmin që ka. Është në formë shumë të mirë fizike, i motivuar dhe po shënon shumë gola”, – ka thënë italiani.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency