Akuza për pedofili/ Arrestohet kryepeshkopi i Vatikanit

0
175

Alba Kepi

Josef Wesolowski Për herë të parë në historinë e Vatikanit, arrestohet një prelat i lartë e ky fakt ndodh brenda mureve të Selisë së Shenjtë. Akuza ka të bëjë me pedofilinë, abuzime seksuale me të mitur dhe i arrestuari është ish-nunci (ambasador) apostolik, përfaqësuesi diplomatik i Selisë së Shenjtë në Republikën Dominikane, polaku Josef Wesolowski.

“Arrestimi është kryer nën kërkesën personale të Papa Francescos”. Kështu pohoi në deklaratën publike, drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit At Federico Lombardi, duke bërë të ditur se faktet e abuzimeve seksuale ishin aq të rënda sa shtynë Atin e Shenjtë të kërkoj përshpejtimin e procesit gjyqësor ndaj prelatit të lartë.

Ish-nunci Josef Wesolowski kishte marrë më parë dënimin kanonik në shkallë të parë, i cili qe reduktuar nga shteti laik i zyrës së inkuizicionit për abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, duke i limituar lëvizjet me qëndrim të detyruar brenda shtetit të Vatikanit. Kundër këtij vendimi, Josef Wesolowski kishte bërë apel e prej muajsh pritej gjykimi. Më 23 shtator në orën 15:00, prelati i lartë polak është thirrur nga zyrat e Gjykatës së Vatikanit e në orën 17:00 është arrestuar. Ka qenë Papa Francesco që si kurrë më parë, ka kërkuar përshpejtimin e gjykimit ndaj kësaj çështjeje, për shkak të rasteve mjaft të rënda të abuzimeve seksuale ndaj të miturve e të kryera gjatë kohës së qëndrimit të Josef Wesolowski në territorin e Republikës Dominikane.

Vetë Papa Francesco ka komentuar se një rast i tillë kaq i dhunshëm duhet përballuar pa asnjë vonesë, me ashpërsinë e drejtë e të nevojshme, me vetëbesimin e plotë të përgjegjësisë nga ana e institucioneve që janë pjesë e Selisë së Shenjtë.

Hetimi ndaj dyshimeve për abuzime seksuale nga ish kryepeshkopi polak kanë nisur nga Republika Dominikane e me raste që përfshijnë një periudhë kohore prej vitit 2008-2013. Ka qenë gazetarja dominikane Nuria Pera, e cila pas investigimeve të kryera ka bërë publik faktet se Josef Wesolowski mashtronte fëmijë në një plazh të Santa Domingos, duke i paguar për të kryer me ta raporte seksuale, madje frekuentonte një zonë të Santa Domingos e njohur për prostitucionin minoren. Më 23 gusht 2014, nën firmën e gazetares Laurie Goodstein, “New York Times” publikon një reportazh me dëshmi të fëmijëve e akuza direkte ndaj prelatit të lartë polak dhe fakte konkrete se si fëmijët mashtroheshin e abuzoheshin. Në këtë reportazh thuhet se si fëmijët dominikanë e quanin mes tyre kryepeshkopin polak “italiani”, për shkak sepse fliste spanjisht me një theks italian. Vetëm pasi mediat lokale kishin shpërndarë fotografinë e tij ata kishin marr vesh identitetin e vërtetë të Josef Wesolowski, si ambasador i Vatikanit në vendin e tyre. Francis Aquino Aneury tregon se ishte 14 vjeç kur e kishte takuar Wesolowski në plazh, më 2010. “Ai kishte këpucë të shndritshme e më ofroi para për akte seksuale, – thotë ai, – më jepte gjithnjë e më shumë e, edhe pse ndihesha keq, pranoja, kisha nevojë për ato para. Herën e parë më pagoi 10 dollarë. U rikthye pas gjashtë javësh duke më dhënë 25 dollarë për një akt seksual. Por ai kërkonte gjithnjë e më shumë kohë të kalonte me mua. Madje, arriti të më paguante edhe 135 dollarë, një palë atlete e një orë. Kështu vazhdoi për tre vjet rresht”.

Sipas prokurores së qarkut në Santa Domingo, znj. Reynoso, janë identifikuar katër fëmijë të moshës 12-17 vjeç, me të cilët ish-ambasadori i Vatikanit ka kryer abuzime seksuale, por mendohet se numri është shumë, shumë më i lartë. Rasti më i rëndë është i një fëmije që sot është 17-vjeçar e që vuan nga epilepsia. Qysh në moshën 13-vjeçare Josef Wesolowski abuzonte seksualisht me të në këmbim të medikamenteve mjekësore të domosdoshme për shëndetin e fëmijës. Prokurorja e çështjes, znj. Reynoso, është shprehur muaj më parë se “Josef Wesolowski ka abuzuar duke shfrytëzuar varfërinë e skajshme të fëmijëve, sëmundjet e tyre, por këta fëmijë, familjet e tyre, shoqëria dominikane kanë të drejtën legjitime për ta parë atë nën gjykimin e një jurie, por jo si diplomat, por për atë çka ai është në të vërtetë, një keqtrajtues, dhunues i fëmijëve”.

Mes dëshmive kundër ish-ambasadorit të Vatikanit, rreshtohet dhe deklarata e një ish-bashkëpunëtori të tij, i cili ka pohuar se i kishte prokuruar fëmijë për raporte seksuale.

Kryepeshkopi Josef Wesolowski ka një karrierë të gjatë diplomatike pranë Selisë së Shenjtë. Qysh prej vitit 2008 ishte përfaqësues i Vatikanit në Republikën Dominikane, e i pezulluar më gusht të vitit 2013, duke u rikthyer në Romë, për shkak të dyshimeve mbi abuzimet seksuale të kryera me të mitur. Asambleja e Doktrinës së Fesë e ka pushuar nga shteti klerikal për krimin e pedofilisë, pas dënimit në shkallë të parë të gjykimit. Josef Wesolowski i datëlindjes 1948 bëhet pjesë e trupit diplomatik të Selisë së Shenjtë në mars 1980, me misione të kryera në Afrikën Jugore, Japoni, Kosta Rikë, Indi, Zvicër, Danimarkë e së fundi në Republikën Dominikane. Papa Gjon Pali II në vitin 2000 e konsakroi Kryepeshkop, më vitin 2002 u emërua nunc në vendet e Azisë Qendrore e më pas më 2008 u nominua nunc i Republikës Dominikane.

Në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare si Republika Dominikane ashtu dhe Polonia, vendi i origjinës së ish-nuncit, po hetonin dokumentacionin përkatës ndaj kësaj çështjeje dhe Prokuroria e Varshavës kishte kërkuar informacione për statusin legal të Josef Wesolowskit. Autoritetet e larta të Vatikanit, duke shfrytëzuar dhe imunitetin diplomatik të ish-kryepeshkopit Wesolowski, pati kërkuar gjykimin kanonik ndaj tij nga ana e Asamblesë për doktrinën e fesë.

Çështja “Wesolowski” është cituar rdhe në raportin e fundit të publikuar në maj të 2014-ës nga komiteti i OKB-së kundër torturave, duke akuzuar Vatikanin se nuk kishte reaguar në mënyrën e duhur ndaj abuzimeve seksuale nga ana e eksponentëve të lartë të klerit. Ky raport përmbante nëntë rekomandime për Vatikanin e njëri prej tyre i drejtohej në mënyrë specifike çështjes së Josef Wesolowski. Në të shkruhej se “për sa i përket çështjes së kryepeshkopit Josef Wesolowski, ish-ambasador i Vatikanit në Republikën Dominikane, ose do të ekstradohet në Porto Riko, ose duhet t’i nënshtrohet një procesi penal në Vatikan, sepse nuk mund t’i njihet imuniteti”.

Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ish-kryepeshkopi Josef Wesolowski nuk do të burgoset në qelitë e Xhandarmërisë së Vatikanit, por do të jetë në arrest shtëpie në ambientet e kolegjit të burgjeve, pranë selisë së Gjykatës së Vatikanit, brenda mureve të këtij shteti. Ky arrestim është një demonstrim i hapur i linjës së tolerancës zero ndjekur nga Papa Francesco ndaj fenomenit të pedofilisë, këtij skandali që ka përfshirë prej vitesh Selinë e Shenjtë. Ndaj autorëve të abuzimeve me fëmijë nuk do të ketë asnjë lehtësim e kjo vlen dhe për dy peshkopë të tjerë që aktualisht janë nën proces për të njëjta akuza, por që identiteti i tyre mbahet ende anonim.

Pak kohë më parë, Papa Francesco ka pritur në rezidencën e tij Santa Marta në Vatikan, gjashtë viktima të pedofilisë e ku ka kërkuar falje për të gjithë ata priftërinj e peshkopë që kanë përlyer kultin e sakrilegjit, duke i krahasuar si “masa të errëta”. Por Papa Francesco ka kërkuar falje edhe për mëkatet e kryera nga krerët e Kishës Katolike që nuk ka reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj denoncimeve për abuzime, nga ana e familjarëve apo dhe nga vetë viktimat.

Gjithashtu, Papa Francesco ka vendosur ngritjen e një Komisioni Papal për mbrojtjen e minorenëve, koordinuar nga kardinali i Bostonit Sean Patrick O’Malley. Në këtë organizëm bën pjesë edhe një viktimë e pedofilisë, irlandezja Marie Collins, me mundësinë e pranimit dhe të anëtarëve të rinj, po viktima të pedofilisë. Në datat 4-5 tetor pritet të zhvillohet mbledhja e radhës e këtij Komiteti, me vendime e propozime të rëndësishme, sidomos pas arrestimit të pak orëve më parë të ish-ksryepeshkopit Josef Wesolowski.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency