Financat/ Dështojnë dy taksa kryesore dhe investimet

0
142

Ervin Kaduku

min financave Kryeministri Edi Rama, duke folur të mërkurën e javës së kaluar për vendimin e qeverisë lidhur me rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin në vazhdim, theksoi se është hera e parë që prej disa vitesh që ky buxhet rishikohet në rritje. Pa u ndalur në pasaktësinë e këtij pohimi, nga tabelat shoqëruese të aktit normativ, që tashmë ka mbërritur në Kuvend, duket qartë se nevoja për rishikim ka ardhur në radhë të parë nga defekti i administratës fiskale, e cila ka dështuar në detyrën e saj për të grumbulluar dy taksa bazë, si dhe i pjesës tjetër të administratës shtetërore, që ka dështuar në realizimin e investimeve të planifikuara.

Si pasojë, në buxhetin e ndryshuar tashmë nga qeveria janë rishikuar në ulje të ardhurat nga tatimfitimi (përkatësisht 21.9 miliardë lekë, apo 4.8% më pak) dhe ato të akcizës (44.5 miliardë lekë, apo rreth 8% më pak se plani i fillimvitit).

Të ardhurat nga tatimfitimi janë rritur me rreth 35% për 8-mujorin, por duke mbetur shumë larg planifikimit fillestar për një zgjerim prej 50%, aq sa u rëndua dhe barra e kësaj takse në fillim të vitit (nga 10% në 15%). Akoma më negative është performanca e akcizës që deri për periudhën 6- mujore ishte në rënie, për t’u kthyer në një tendencë të lehtë rritëse në dy muajt e mëpasshëm.

 

Akciza

Të ardhurat gjithsej nga akciza për periudhën janar-gusht arritën në rreth 24.85 miliard lekë, 5.9 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, por duke qenë ndjeshëm nën nivelin e pritshëm, me rreth -14.9 për qind më pak. Të dhënat mbi akcizën pasqyrohen të përmbledhura në tabelën e mëposhtme, lidhur me akcizën e paguar dhe zhdoganimet e mallrave te forta. Të gjitha mallrat e forta rezultojnë me rënie të ndjeshme kundrejt 8 mujorit të një viti më parë (përveç karburanteve, tek e cila ka ndikuar dhe rënia e prodhimit vendas). Tek birra kjo ecuri pasqyron pjesërisht faktorin sezonal si dhe rritjen e prodhimit vendas, që në sasi zëvendëson birrën e importit. Ndërsa ajo që bie më shumë në sy është importi i cigareve, që ka rënie të ndjeshme (krahasuar me mesataren e 8 mujorit gjatë 5 viteve të fundit është sasia më e vogël e importuar, me 1779 tonë cigare). Kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar është importuar 13.5% më pak.

Nga 1 janar 2014, hyri në fuqi ligji për rritjen e masës së akcizës së cigareve me 20 lekë/paketa. Operatorët ekonomikë i paraprinë rritjes së nivelit të akcizës së cigareve me rritjen e importeve në muajin dhjetor 2013 në masën 174%, krahasuar me dhjetorin 2012, duke krijuar stok për muajt e parë të vitit 2014.

 

Importi i “mallrave të forta” në periudhën Janar-Gusht

 

Emërtimi20102011201220132014
Karburante (ton)323,204285,063271,076277,660295,815
Cigare (ton)2,5771,9372,2482,0561,779
Birra (000 litra)25,75522,49921,99220,75118,821
Kafe (ton)

 

3,7774,2674,8494,7424,656
Rritja në për qind     
Karburante11.3-11.8-4.92.46.5
Cigare-2.8-24.816-8.5-13.5
Birra-3.3-12.6-2.3-5.6-9.3
Kafe-15.11313.6-2.2-1.7

 

 

 

Tatimfitimi

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 18.3 miliard lekë për periudhën janar-gusht, ose -5.9 për qind më pak se periudha e një viti më parë dhe me realizim të planit për vitin 2014 në masën 98.23 për qind. Ky zë ka ecur mirë për periudhën 8-mujore 2014 me një minus prej vetëm 0.33 miliardë lekë. Ecuria e mirë e kësaj takse bazohet në faktin se në këtë zë përfshihen disa taksa, ku më e rëndësishmja dhe më me peshë në totalin e kësaj takse është tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi. Nga 1 janari 2014, tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi u ul për rreth 97% të totalit të të punësurave në të gjithë vendin, politikë kjo e cila solli një kosto negative në të ardhurat nga kjo takse, të vlerësuara me minus 1.5 miliard lekë (tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi).

Përgjatë 8 muajve të parë të vitit 2014 vërehet se pavarësisht nga negativiteti në të ardhura i kësaj takse, në sajë të mirë-administrimit tatimor, të gjithë zërat e tjerë të tatimit mbi të ardhurat personale kanë pasur një trend rritës në krahasim me 7-mujorin 2013, të tilla si: tatimi mbi dividendin dhe aksionet është rritur me 20%; të ardhurat nga tatimet në burim janë rritur me 14%; të ardhurat nga shitja e pasurisë së paluajtshme janë rritur me 74%, ndërsa tatimi mbi interesat është ulur me rreth 17% në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar, si rezultat kjo edhe i rënies së normave të interesit.

 

Investimet

Shpenzimet kapitale, në vijim të monitorimit për periudhën janar-gusht 2014 dhe pas analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj, është konstatuar një mosrealizim i theksuar në investimet me financim të huaj, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele të kënaqshme.

Në bazë të raportit 8-mujor të realizimit të investimeve publike, investimet me financim të brendshëm paraqiten në një nivel realizimi prej rreth 47 për qind, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar me masën 33 për qind. Në total, niveli i realizimit të investimeve paraqitet në nivelin 40.5 për qind të planit. Kështu, në nivel sektori:

Me një nivel të lartë mosrealizimi paraqitet sektori i transportit, ku vetëm për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, në përputhje me pritshmërinë e realizimit deri në fund të vitit, është propozuar një ulje e limitit të financimit të huaj në masën 7.360 milionë lekë.

Ministria e Shëndetësisë, ka gjithashtu një mosrealizim të lartë të investimeve me financim të huaj për të cilën është propozuar një pakësim në planin fillestar në masën 958.3 milion lekë ose rreth 79 për qind të planit fillestar.

 

Me mosrealizim rezultojnë gjithashtu:

Ministria e Punëve të Brendshme 167 milionë lekë;

Ministria e Arsimit dhe Sportit 310 milionë lekë;

Ministria e Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave 890.5 milionë lekë;

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë 516.5 milionë lekë;

Ministria e Drejtësisë 750 milionë lekë.

 

Në total, mosrealizimi i investimeve me financim të huaj për të gjithë Ministritë dhe Institucionet buxhetore përllogaritet në vlerën 11.2 miliardë lekë. Shkaqet kryesore të mosrealizimit të investimeve me financim të huaj lidhen kryesisht me parashikimet tejet optimiste të ministrive për realizimin e projekteve me financim të huaj, si dhe mosmarrjen në konsideratë të procedurave që aplikohen për projektet me financim të huaj. Sa më sipër, duhet të shërbejë si një përvojë dhe një mundësi për të përmirësuar procesin e planifikimit të investimeve me financim të huaj për vitin e ardhshëm dhe në vijim.

 

Prishja e marrëdhënieve me biznesin

Rezultatet treguan se rritja e taksave që godasin direkt biznesin, jo vetëm që nuk u shoqëruan me një përmirësim të të ardhurave në buxhet, por ndikuan psikologjikisht te ky i fundit, që frenoi investimet, me efekt direkt në rritjen e punësimit dhe zgjerimin ekonomik.

Me ekonominë që më në fund duket se po jep sinjale për një rritje të lehtë, politika e taksave të rritura nuk bëri gjë tjetër veçse e bëri më të brishtë këtë rritje. Negativisht ndikoi dhe mosrealizimi i shpenzimeve kapitale, ndërsa kthimi i detyrimeve të prapambetura, që eci me ritme të shpejta në maj-korrik, pritet të ngadalësohet në pjesën e dytë të vitit, duke bërë që start-i i 2015-s të nisë nga një pozicion më i pafavorshëm sesa pritej dhe shpresohej nga të gjithë në fillim të këtij viti.

 

Fillon zyrtarisht ndërtimi i gazsjellësit TAP

Ndërtimi i Korridorit Jugor të Gazit, që nis nga Azerbajxhani për të përfunduar në Itali, në të cilin bën pjesë dhe projekti TAP, shënoi dje nisjen zyrtare të punimeve me një ceremoni në Baku (Azerbajxhan), në të cilën mori pjesë edhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Përveç pjesëmarrjes në ceremonitë e organizuara për 20-vjetorin e “Kontratës së Shekullit”, sikurse njihet fillimi i punës në zonën e madhe gazmbajtëse, në nisjen zyrtare të punës për ndërtimin e Korridorit Jugor të Gazit morën pjesë një numër drejtuesish të lartë të shteteve pjesëmarrëse në këtë projekt gjigant gazsjellësi.

“Korridori Jugor i Gazit” është një nga sistemet e gazit me vlera multidimensionale, me gjatësi mbi 4.000 km, ku tubacionet përshkojnë 7 vende, përfshirë shumë kompani energjie. Projekti i madh i këtij Korridori përbëhet nga disa projekte të veçanta energjetike, të cilat së bashku përfaqësojnë një investim të përgjithshëm rreth 45 miliardë USD. Këto projekte janë: fusha Shah Deniz 2 me shpime pusesh dhe prodhim detar gazi në Detin Kaspik; zgjerim i impiantit të përpunimit të gazit në Terminalin e Sangaçalit në bregun e Detit Kaspik në Azerbajxhan; tre projekte gazsjellësish: Gazsjellësi i Kaukazit të Jugut (SCPX)-Azerbajxhan, Gjeorgji, Gazsjellësi Trans Anatolian (TANAP)-Turqi dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP)-Greqi, Shqipëri, Itali. Projekti i Korridorit Jugor të Gazit përfshin zgjerimin e rrjetit italian të transmetimit të gazit dhe mundësi për lidhje të tjera me rrjetet e gazit në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Perëndimore.

Gjurma e TAP-it nëpër Shqipëri është rreth 210 kilometra në tokë dhe 60 km në ujërat territoriale shqiptare në detin Adriatik. Tubacioni nis në Bilisht-Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik, 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, 9 stacione valvulash bllokimi, ndërsa është planifikuar një stacion tjetër afër Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliardë metra kub (bcm).

Në zonat malore ku do të kalojë ky tubacion, do të ndërtohen afërsisht 58 km rrugë të reja dytësore, 44 km ekzistuese do të përmirësohen, do të rehabilitohen 50 ura dhe do të ndërtohen dy të reja. Këto punime planifikohen të nisin në vitin 2015.

 

 Sllovakët sigurojnë pagesën e kompanisë CEZ Group

Sigurohet garancia bankare për kredinë që do të marrë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi dje marrëveshjen për sigurimin e garancisë bankare për një kredi të OSSHE prej 86 milionë euro. Zëvendësministri i Financave, Erion Luçi, theksoi se kjo marrëveshje është bërë tashmë me një bankë sllovake. Ndërsa zëvendësministri i Energjetikës Ilir Bejtja sqaroi se është paguar kësti i parë i dëmshpërblimit për CEZ.

Sipas tij, impakti i kësaj kredie në buxhetin e shtetit është zero, thjesht kërkohet garancia si mbulim. Sipas marrëveshjes, termat kryesorë të negociuar janë, garancia 86 milion euro, periudha e disponibilitetit 3 muaj nga data e kësaj marrëveshjeje, tarifa e përpunimit 0.15 % e shumës së garancisë për çdo vit. Ndërkohë kostot e kësaj garancie do të mbulohen nga buxheti i OSSHE.

Propozimi i paraqitur nga Vscobecna Uverova Banka a.s. e Sllovakisë, nëpërmjet Intesa Sanpaolo Bank Albania, pas një procesi të gjatë negociimi, plotësonte kushtet e specifikuara në marrëveshjen e mirëkuptimit dhe kohën e lëshimit e konfirmimit të garancisë brenda datës 31 korrik 2014. Në ofertën e paraqitur nga kjo bankë përcaktohet edhe kushti i lëshimit të garancisë ndërmjet Vscobecna Uverova Banka a.s. dhe OSHEE-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency