Rekurs në Gjykatën e Lartë/ Tre të arrestuarit e vjedhjes së BSH-së kërkojnë lirinë

0
152

ardian fullani duke hyre ne gjykate apeliPas përfundimit të rivlerësimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit për të pandehurit e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, tre prej tyre kanë çuar dokumentacionin për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Burime pranë Gjykatës së Lartë bëjnë të ditur se rekurs kanë bërë Petrit Ramohitaj, Klevis Bejtaj (nipi i Bitrajt) dhe Myzejen Belba, ndërsa pritet në ditët në vazhdim që të depozitohet dokumentacioni për rekurs edhe për guvernatorin Adrian Fullani, si dhe kryeinspektoren Elivar Golemi. Të vetmit që nuk kanë çuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit janë Mimoza Bruzia dhe Ardian Bitraj. Klevis Bejtaj është nipi i Ardian Bitrajt, ish-përgjegjës i Arkës Stok në Thesarin e Shtetit, i cili dyshohet për vjedhjen e 713 milionë lekëve.

Burime nga Gjykata e Lartë bënë me dije se kërkesat për ndryshimin e masave të sigurisë do të shqyrtohen në Kolegjin Penal të përbërë nga pesë gjyqtarët si më poshtë: Shkëlzen Selimi, Aleksandër Muskaj, Tom Ndrecaj, Artan Zeneli dhe Edmond Islami.
Kërkesat për ndryshimet e masës së sigurisë “Arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Faktit, lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Bejten, Belbën dhe Ramohitajn janë regjistruar në Gjykatën e Lartë një ditë më parë dhe pritet caktimi i datës për shqyrtim.
Në Gjykatën e Lartë pritet të përfundojnë dhe një sërë ankimimesh të tjera për Bbankën, teksa një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme se dhe vetë akuza pritet të kërkoj kthimin në burg të të liruarve nga Gjykata e Apelit. Gjykata e Apelit vendosi ditën e hënë të ndryshonte masën e sigurisë në ngarkim të guvernatorit, nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”, por ky vendim sërish nuk i ka pëlqyer Fullanit, që përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia njoftoi se do të çonte çështjen në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa Elivar Golemi nuk ka përfituar lehtësim të masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi të linte në fuqi vendimin e Gjykatë së Shkallës së Parë “Arrest me Burg”, por mësohet se edhe Golemi do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për të kërkuar lehtësim të masës së sigurisë. Të vetmit që nuk kanë çuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit janë Mimoza Bruzia dhe Ardian Bitraj.

Shkodër/ Protestë për lirimin e Elivar Golemit

Dje në Shkodër rreth 30 gra e vajza protestuan për lirimin e Kryeinspektores së Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi, e cila u la në burg nga Gjykata e Apelit. Sipas tyre, mbajtja e Golemit në qelitë e paraburgimit është e turpshme dhe e padrejtë. Me pankarta në duar protestueset kërkuan që kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë të trajtohet njësoj si guvernatori Ardian Fullani, i cili u la në arrest shtëpie. Protestueset kërkojnë që “Golemi të gjykohet në gjendje të lirë, pasi është grua”. Sipas tyre, inspektorja “nuk ka pse të rrijë në burg, pasi s’është kriminele”.

Të mërkurën pritet marrja në pyetje e Elivar Golemit

 Prokuroria sekuestron raportet e auditit të Bankës së Shqipërisë

Raporti auditues i parave në Bankën e Shqipërisë nga kompania amerikane “Grant Thornton” i qershorit të 2013-ës u sekuestrua nga prokurorët e çështjes. Pavarësisht se Bitraj deklaroi se kishte nisur të vidhte para që në vitin 2010, kompania audituese nuk konstatoi mungesën e parave në kontrollin e saj. Sipas akuzës, audituesit ndërkombëtar edhe pas kontrollit disa javorë të pasqyrës financiare të bankës dhe kontrollit fizik, nuk kishte arritur të kap vjedhjen që vazhdonte prej disa viteve.

Hetuesit dyshojnë se audituesit nuk kanë kryer detyrën si duhet dhe për këtë fakt janë thirrur për t’u marre në pyetje paraditen e së mërkurës në prokurori.
Gjithashtu, hetuesit thanë se është sekuestruar edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi kontrollin e kryer gjatë vitit 2011, 2012 dhe 2013 në Bankën e Shqipërisë.
Hetuesi thanë se te mërkurën pritet që në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja” të merret në pyetje Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, e dyshuara Elivar Golemi. Gjate seancës në Apel, ajo konfirmoi faktin se nuk është marr në pyetje nga hetuesit, edhe pse që nga moment i konstatimit të vjedhjes e deri në ditën e arrestimit kishte bashkëpunuar me ta.
Mësohet se për llogari të hetimit, ende disa banka të nivelit të dytë nuk kanë kthyer përgjigje për pasurit e të dyshuarve tashmë të proceduar për akuzat e “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Krijohet Njësia Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda

Kjo njësi do të hetojë rastet e korrupsionit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë, përfshirë të të zgjedhurve vendorë
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje zyrtarisht se është krijuar Njësia Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Sipas një njoftimi zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se seksioni për Hetimin e Korrupsionit dhe Pasurive do të hetojë rastet e korrupsionit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë, përfshirë të të zgjedhurve vendorë. Kjo strukturë krijohet pas ndryshimeve ligjore, të cilat morën fuqi ligjore në Shtator 2014. Në bazë të këtyre ndryshimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka kompetencë hetimore për rastet e korrupsionit te zyrtarët e nivelit të lartë; gjyqtarë, prokurë dhe funksionarë të tjerë të lartë, përjashtuar zyrtarët për të cilët zhvillon hetime Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë mësohet se prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka urdhëruar ngritjen e seksionit të Hetimit të Korrupsionit dhe Pasurive pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Njësia do të përqendrohet në dy detyra kryesore.

Së pari, hetimin e veprave penale, të parashikuara në nenet:
-Neni 245 i Kodit Penal (“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të të zgjedhurve vendorë”) ;
– Neni 260 i Kodit Penal (“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të të zgjedhurve vendorë”);
– Neni 319 i Kodit Penal (“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”)
– Neni 319/ç i Kodit Penal (Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”)

Së dyti, kjo Njësi do të ketë në fokus hetimin pasuror. Struktura e re do të hartojë praktikat e unifikuara, si edhe do të koordinojë veprimtarinë e Prokurorisë për Krime të Rënda sa i përket hetimit pasuror. Ky lloj hetimi është një prioritet kryesor, me synim goditjen e grupeve dhe strukturave kriminale në aspektin ekonomik.
Në krye të aeksionit të Hetimit të Korrupsionit dhe Pasurive në Prokurorinë për Krime të Rënda është komanduar prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, z. Arben Kraja dhe në përbërje të saj janë caktuar dy prokurorë dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency