Atentati pranë komisariatit/ Tritol vilës 3-katëshe në Fushë Krujë, dyshime për konkurrencë në biznes

0
162

Sonila Mesareja

tritoli ne Fushe Kruje Esat KarajBanesa e shtetasit Esat Karaj përdorej me qira për lojëra fati, nuk pati të lënduar por vetëm dëme materiale

Vendosja e tritoleve në Fushë Krujë nuk ka të sosur, duke tronditur banorët e këtij qyteti të vogël. Madje, edhe më e rëndë kur autorët sfidojnë policinë duke i vendosur edhe në ndërtesa shumë pranë komisariatit. Kështu, në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një vilë 3-katëshe, vetëm 30 metra larg komisariatit, e cila rezultoi të ishte në pronësi të shtetasit Esat Karaj, por që me qira përdorej nga dikush tjetër për lojëra fati. Nga shpërthimi për fat të mirë nuk ka pasur dëmtime në njerëz por vetëm dëme materiale. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, për shkak edhe të distancës jo shumë të madhe, dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se shkak është konkurrenca në biznes, por nuk janë përjashtuar as pistat e tjera.

 

Ngjarja

Shpërthimi i fuqishëm në qendër të qytetit të Fushë Krujës, shumë pranë komisariatit, ndodhi pak pas mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, përkatësisht rreth orës 01:30 të së dielës. Nga burime policore bëhet me dije se dyshohet se në katin e parë të vilës, e cila përdorej si qendër biznesi, të jenë vendosur 200 gr tritol. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se si pasojë e shpërthimit pasi dëmtime të mëdha materiale por jo në njerëz. Policia bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes, mori në pyetje personin që kishte në pronësi vilën, por edhe ata që ushtrojnë biznes në të dhe pritet që shumë shpejt të zbardhen autorët e vendosjes së tritolit. Sipas burimeve policore, kati i parë, aty ku dhe ka ndodhur shpërthimi, rezulton se ishte në funksion të biznesit të lojërave të fatit. Për këtë arsye, nga grupi hetimor janë ngritur dyshimet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konkurrencës.

 

Hetimi

Policia e Fushë Krujës ka ngritur disa pista për hetimin e shpërthimit që tronditi dje qendrën e qytetin të Fushë Krujës, i cili nuk është i pari në këtë qytet. Pista më kryesore shihet ajo e konkurrencës, pasi sasia e tritolit ishte vendosur pikërisht në katin ku ndodheshin edhe lojërat e fatit. Deri tani nuk janë identifikuar ende autorët, por nga policia po punohet për zbulimin dhe arrestimin e tyre, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga 20 janari ky qytet është terrorizuar nga shpërthimet për motive nga më të ndryshme. Ne disa raste  është sulmuar Komisariati Fushë-Krujë, bashkia, tre raste një efektiv policie dhe dy të burgut Fushë-Krujë. Por nuk ka munguar sulmi ndaj qytetarëve të thjeshtë me profesione të zakonshme, bizneseve.

 

Tiranë/ Plumb në kokë një javë më parë, vdes në spital 18-vjeçari Ibraj

Pas një jave mes jetës dhe vdekjes, dje ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në kryeqytet, 18-vjeçari Briken Ibraj, i plagosur në qytetin e Durrësit. Sipas mjekëve të këtij spitali, 18-vjeçari nuk mundi t’i rezistonte plagëve të marra më datë 6 shtator, ku u qëllua me armë nga një 17-vjeçar, i ndihmuar edhe nga shokët e tij. Ngjarja u regjistrua pranë Unazës së Shkozetit. Ndërkohë që policia ka arritur të arrestojë autorin e ngjarjes, shtetasin Ervin Gërguri, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit. Burime policore bënë të ditur pas ngjarjes se autori Gunguri njihet si person me precedentë penalë dhe në harkun kohor të 2 viteve të fundit është përfshirë edhe në dy ngjarje të tjera kriminale, me pasojë plagosjen me dashje. Ndërkohë që bëhet me dije se më 5 Prill të vitit të kaluar, Briken Ibraj, gjatë një konflikti banal, u qëllua me thikë dhe mjete të forta gjatë sherrit në një “Internet caffe”, ku mbeti i dëmtuar dhe pronari i lokalit. Në Shkurt të vitit 2012, i dyshuari për vrasje Gërguri pati plagosur me kaçavidë një bashkëmoshatar 15-vjeçar. Autori i krimit u arrestua dy ditë pas ngjarjes në vendin e tij të origjinës në Burrel, ku kishte shkuar për t’u strehuar. Tensioni mes Ibrajt dhe Gërgurit është rritur pas ngjarjes së muajit prill të vitit 2013, kur Ibraj mbeti i plagosur rëndë. Për të shmangur një hakmarrje të mundshme nga ana e Ibrajt, Gërguri dyshohet se ka vendosur të veprojë rishtas kundër tij, por kësaj radhe duke i shkaktuar vdekjen.

 

Shkodër/ Dhuna në stadium pas ndeshjes Vllaznia-Tirana shkarkon drejtorin Nexhi

Përleshjet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në përfundim të ndeshjes Tirana -Vllaznia, nuk kanë kaluar vetëm me ndëshkimin e dy klubeve, por edhe në radhët e uniformave blu. Ato i kanë kushtuar vendin e punës edhe drejtorit të policisë së qarkut, Shaban Nexhi, teksa shkarkimi i tij erdhi për shkak të mosorganizimit për rendin dhe sigurinë gjatë ndeshjes, çka solli më pas edhe përleshjet. Ndërkohë, si pasojë e përplasjes mes tifozëve mbeten të plagosur 12 persona nga të cilët katër policë. Tashmë, pas shkarkimit nga detyra të Nexhit, pritet emërimi i drejtuesit të ri të policisë në këtë drejtori.

 

Itali/ U kap me heroinë në pjesët intime, pranga 32-vjeçarit shqiptar

Një 32 vjeçar shqiptar është arrestuar pasi është kapur më 20 gram heroinë të fshehur në pjesët intime. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, është arrestuar në zonën e Chietit. Arrestimi i tij u bë pas një kontrolli, ndërsa ishte duke pritur në një pikë karburanti në automjet. Dyshimet për të lindën pasi makina ishte e regjistruar në emër të një bashkëatdhetari të tij, i cili jetonte në një krahinë tjetër, por që ishte person me precedent. 32-vjeçari shqiptar u arrestua dhe u dërgua në burg në Chieti për gjykim.

 

Gjirokastër/ Operacion antidrogë, kapet me 10 kg kanabis Ylber Pula

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 34-vjeçar, i cili u kap me 10 kg drogë në posedim. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se efektivët e komisariatit të Policisë së këtij qyteti, në bashkëpunim me specialistët e antidrogës, kane goditur dje një tjetër rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, duke sekuestruar rreth 10 kg kannabis sativa. Sipas policisë, në pranga u vu 34-vjeçari Ylber Pula, të cilit iu gjet sasi e drogës në posedim. Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e 34-vjeçarit nga Zhulati i Gjirokastrës, atij iu gjet një thes plasmasi i mbushur me lëndë të dyshuar narkotike. Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Arrestimi i Pulës u bë për veprën penale “Prodhim e shitje të narkotikeve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

 

Tepelenë/ Identifikohen 622 bimë narkotike, asgjësohet parcela me drogë

Një tjetër operacion i koduar “Meshanik”, është zhvilluar nga policia e Tepelenës duke asgjësuar 622 bimë të llojit kannabis sativa. Sipas policisë, bimët ishin kultivuar në dy parcela të hapura rishtas në vendin e quajtur Meshanik mbì fshatin Nivicë. Bimët varionin 80  deri 120 centimetra të larta dhe janë asgjësuar nga ana e policisë më djegie. Grupi hetimor ka grumbulluar prova në vendngjarje, si dhe janë siguruar informacione në rrugë operative për autorët. Sipas burimeve zyrtare, nga ana e policisë po vijon puna për evidentimin dhe kapjen e autorëve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency