INSTAT sajon ulje të paqenë të papunësisë

0
133

Ervin Kaduku

–  Ulja e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit, thjesht efekt statistikash: të punësuarit në bujqësi u ulën në tremujorin e parë dhe u rritën në të dytin; 34 mijë të punësuar u shtuan në fshat në tremujorin e dytë

 

PapunesiaShifrat e publikuara nga INSTAT-i këto ditë për ecurinë e të punësuarve në gjysmën e parë të këtij viti flasin për një rritje të dobët të vendeve të punës neto. Por, njëkohësisht ato flasin edhe për punën “me porosi” të Institutit të Statistikave, i cili, në vend që të mbajë një angazhim për paanshmëri të shifrave zyrtare, në fakt, interpreton humoret e qeveritarëve dhe përdor metoda të ndryshme në periudha të ndryshme për të llogaritur punësimin dhe shkallën e papunësisë, falë të cilave rezultatet dalin në mënyra të ndryshme.

Sipas tabelave të publikuara nga INSTAT-i, në fund të 6-mujorit të parë 2014, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor (gjeneruesi kryesor i punësimit në vend) ishte 314,130 vetë, duke u rritur neto (hyrjet e reja minus daljet në pension) me vetëm 2.462 persona në raport me dhjetorin 2013. Të punësuarit në shtet ishin 163,700 në fund të qershorit 2014, duke u reduktuar me 220 persona në raport me dhjetorin 2013.

Ndryshimet më të mëdha në statistikat e INSTAT-it kanë ndodhur tek të punësuarit në sektorin bujqësor. Tabelat e INSTAT-it raportojnë se të punësuarit në sektorin bujqësor u ulën ndjeshëm në tremujorin e parë, duke zbritur me 35 mijë persona, duke rezultuar në këtë mënyrë një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen e papunësisë në total në nivel rekord prej 18.6%. INSTAT raportoi gjithashtu se ulja e papunësisë kishte ardhur nga rritja e ndjeshme e punësimit te femrat.

Më pas në tremujorin e dytë, të punësuarit në bujqësi u rritën sërish me rreth 33 mijë persona, duke bërë që papunësia të bjerë në 17.7% në tremujorin e dytë, sipas INSTAT-it.

INSTAT i shpjegon këto lëvizje me faktin se pas publikimit në maj 2014 të shifrave të plota të popullsisë për vitet 2001-2014, të cilat pasqyronin ndryshimet e popullsisë që vinin nga Censusi i Popullsisë dhe i Banesave 2011, ka rishikuar serinë kohore të Anketës Tremujore të Forcave të Punës. Informacioni demografik ka pësuar ndryshime të ndjeshme në strukturën e popullsisë dhe të njësive ekonomike familjare dhe si rrjedhim ka ndikuar në ndryshimet e treguesve të tregut të punës për periudhën nga tremujori i parë i vitit 2012 deri në tremujorin e parë 2014.

 

Absurdi

Nëse punësimi do të rritej me ritmet e tremujorit të dytë të vitit, sipas tendencës së evidentuar nga INSTAT-i, i bie që papunësia në vend të zhduket jo më larg se gjysma e dytë e vitit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, të dala nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës, mësohet se në tremujorin e dytë të vitit, numri i të punësuarve na qenka rritur me rreth 70 mijë persona në krahasim me tremujorin e parë. Kjo rritje, sipas INSTAT-it, i takon punësimit në bujqësi. Ekspertët shpjegojnë se kjo rritje lidhet me zhvillimet sezonale që krijon sektori i bujqësisë, pasi sektorët e qëndrueshëm nuk kanë shenja të dukshme përmirësimi në këtë drejtim. Qarkullimi i parasë në ekonomi që duhet të vinte nga investimet e qeverisë dhe nga kreditë bankare, përkundrazi është ulur, duke i pakësuar shanset për më shumë investime e për rrjedhojë për rritje të punësimit. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 8,1% të të punësuarve gjithsej.

Shkalla e punësimit është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë (70,2%), pasuar nga ata me arsim të mesëm profesional (62,4%).Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë, dhe e kundërta vërehet tek të punësuarit me arsim 8/9 vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes. Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 50,1% dhe për meshkujt 73,2%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 3,5%. Ky tregues është rritur si për femrat ashtu dhe për meshkujt përkatësisht me 2,1 pikë përqindje dhe 5,3 pikë përqindje.

 

Shifrat

Gjatë tremujorit të dytë 2014 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 216.087 persona, raporton INSTAT. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 17,7%. Për këtë grupmoshë, shkalla e papunësisë mbetet më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,8% dhe 14,7%. Krahasuar me tremujorin e parë 2014, vihet re se shkalla e papunësisë për meshkujt ka mbetur pothuajse e njëjtë, ndërsa për femrat ka një rënie prej 2,1 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 25,1% ose 7,5 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 16,1%. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ata me arsim deri në 8/9-vjeçar shkalla e papunësisë është 15%.

Gjatë tremujorit të dytë 2014 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 33,5%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 3,3 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e dytë 2014 shkalla e papunësisë është 12,8%.

Për sa u përket mënyrave të kërkimit për punë, 85% të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës (51,4%) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, personat që po kërkonin punë për herë të parë përbënin 59,2% të punëkërkuesve të papunë.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.006.307 persona.

 

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014 në Shqipëri:

Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,7% (nga 18.6% në tremujorin e mëparshëm).

Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 33,5%.

61,3% e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.

Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 50,5%.

 

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013 për popullsinë 15-64 vjeç:

Numri i të punësuarve është rritur me 15.869 persona.

Numri i personave të papunë është rritur me 21.864.

Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 18.074.

 

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:

Numri i të punësuarve është rritur me 70.707.

Numri i personave të papunë është rritur me 1.719.

Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 66.874

 

 

 

FMN: Trazira financiare, në rast pavarësie të Skocisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar i është bashkuar debatit për referendumin e pavarësisë në Skoci, duke paralajmëruar se një votë pro mund të shkaktojë trazira në tregjet financiare.

“Efekti kryesor i menjëhershëm do të jetë i paqartë, pasi do të përballemi me një periudhë tranzicioni, monetare, financiare dhe fiskale në Skoci”, – deklaroi zëdhënësi i FMN-së, William Murray, për gazetarët. “Përderisa kjo pasiguri mund të shkaktojë një reagim negativ të tregjeve në terma afatshkurtër, në terma afatgjatë efektet do të varen nga vendimet që do të merren gjatë periudhës së tranzicionit”, – shtoi ai. Komentet e zyrtarit të FMN-së nxjerrin në pah pikëpyetjen e mëdha, si: çfarë monedhe do të përdorë Skocia e pavarur, kuadri rregullator i bankave dhe pozicioni i buxhetit, gjatë negociatave që do të zhvillohen për t’u ndarë nga Mbretëria e Bashkuar.

Sondazhet e fundit të opinionit publik kanë treguar se vota e së enjtes së ardhshme do të jetë shumë e ngushtë. Për këtë arsye, zyrtarët ekonomikë në Uashington po përpiqen të shpjegojnë rrezikun e një goditje financiare që mund të dëmtojë investimet në të dyja anët e kufirit që do të vendoset. Një nga shumë çështjet që Skocia e pavarur do të duhet të zgjidhë është edhe anëtarësimi i saj në Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Si një vend i ri, Skocia fillimisht duhet të aplikojë për anëtarësim, në mënyrë që të njihet monedha e re. Aktualisht, Mbretëria e Bashkuar e ka drejtorin e saj ekzekutiv pranë FMN-së dhe është një ndër 5 fuqitë me të drejtë vote. Ashtu si Franca edhe Britania ka 4.29% të votave të përgjithshme të institutit të Uashingtonit. Me një popullsi prej 5.3 milionë banorësh, Skocia do të jetë shumë e vogël për të pasur drejtorin ekzekutiv pranë këtij institucioni.

 

 

Rënie e ndjeshme e investimeve të huaja direkte

 

Investimet e huaja direkte ranë me 13.5% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zbritur në 334 milionë euro nga 386 milionë euro, që ishin në periudhën janar-qershor 2013. Të dhënat bëhen të ditura në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e këtyre investimeve vijnë nga kapitali i rritur nga kompanitë ekzistuese në vend dhe pak janë hyrje kapitali e re.

Peshën kryesore në investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit 2014, sipas BSH, e zënë hidrokarburet, të cilat kanë pasur dhe prirje në rritje.

Ulja në gjashtëmujorin e parë ka ardhur nga rënia e investimeve në sektorin e telekomunikacioneve dhe të shërbimeve financiare, sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, zëri i fitimit të riinvestuar është kthyer në pozitiv në tremujorin e dytë, në 15 milionë euro, por, për gjashtë mujorin ai ka qenë negativ, në minus 8 milionë euro.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency