“Vjedhja në BSH”/ Ish-inspektorja bën përgjegjës Këshillin Mbikëqyrës. Braçe, letër Kuvendit për shkarkimin e Golemit

0
115

 Florenc Drizari

Komisioni i Ekonomise“Refuzimi i seancës dëgjimore në Kuvend shkel rëndë Kushtetutën,  rregulloren e Kuvendit, ligjin për Bankën e Shqipërisë”

 Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi dje seancë dëgjimore me ish-inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë gjatë viteve, Teuta Baleta, ndërkohë që dështoi për herë të dytë i raportimi i inspektores se Përgjithshme të BSH-së, Elivar Golimi. Kjo e fundit kishte paralajmëruar dy ditë më parë se, sipas legjislacionit në fuqi, e kishte të pamundur të raportonte në emër të Bankës së Shqipërisë në Komision, ndërsa shprehu gatishmërinë për të dhënë informacione me shkrim për çdo kërkesë që mund të kishin deputetët.

Mosprania e inspektores Golemi për të dytën herë radhazi në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë u interpretua nga kryetari i këtij Komisioni, Erjon Braçe, si një shkelje e rëndë e ligjit dhe e institucionit që e përzgjodhi në këtë detyrë, Kuvendit të Shqipërisë. Mësohet se Braçe i ka dërguar një shkresë Konferencës së Kryetarëve për të futur në axhendën e punimeve shkarkimin e inspektores së Përgjithshme. Pas skandalit të zbuluar në Bankën e Shqipërisë në fillim të muajit gusht, gjatë të cilit u konstatua një vjedhje prej 713 milionë lekësh nga punonjës të kësaj Banke, Kuvendi ka nisur pak ditë më parë procedurat për zhvillimin e seancave dëgjimore lidhur me zbardhjen e kësaj çështjeje, ndërkohë që paralel me këto zhvillime, prokuroria po heton skandalin.

 

Braçe

“Neni 36, pika 1 dhe neni 80, pika 3 e Kushtetutës së Republikës dhe nenet 2, 41 dhe 54 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Gjithashtu, është mbështetur posaçërisht në faktin e njohur ligjërisht se inspektori i Bankës së Shqipërisë propozohet, zgjidhet dhe shkarkohet vetëm, po e përsëris, vetëm nga Kuvendi; faktin e njohur botërisht se inspektori i Bankës së Shqipërisë është paraqitur edhe pa e kërkuar kush në Komisionin e Ekonomisë në një seancë dëgjimore. Inspektori i Bankës së Shqipërisë propozohet, zgjidhet dhe shkarkohet vetëm, po e përsëris, vetëm nga Kuvendi, prandaj refuzimi i seancës dëgjimore në Kuvend shkel rëndë Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit, ligjin për Bankën e Shqipërisë. Pikërisht ky fakt e bën refuzimin shumë të rëndë”, – tha Braçe në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë.

 

Ish-inspektorja

Për rreth një orë ish-inspektorja e Bankës së Shqipërisë, Teuta Baleta, iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo bëri përgjegjës Këshillin Mbikëqyrës, për të cilin tha se ka dështuar të kryejë funksionet e tij, ndërsa theksoi se gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e saj ka pasur ndërhyrje në kompetencat e inspektorit të Përgjithshëm.

“Plani për përmbushjen e objektivave hasi në pengesa, Auditimi duhet të jetë i pavarur, problematikat ishin disa, nuk u zbatua programi për trajnimin e inspektorëve rekomandim edhe i FMN-së. Vonesa në strukturimin e departamentit të kontrollit, për 1 vit e gjysmë pa dhënë shpjegime. Kam pasur mungesë në burime njerëzore, burimet në departamentit të kontrollit u kufizuan në disa aspekte, u kufizua aksesi në informacion për inspektorët e kontrollit, raste kur nuk jepej fare emri i tyre, problem profesionalizmi i audituersve, mosmarrja e përgjegjësisë së pranimit të rrezikut, ka pasur ndërhyrje është prekur pavarësia”, – deklaroi Baleta. Ajo shtoi se nga Inspektori i Përgjithshëm i Bankës, në asnjë rrethanë nuk mund të hedhë poshtë kërkesat e Kuvendit të Shqipërisë. “Nuk do t’ju referoj dot cilën bankë, por unë jam konsultuar edhe me Inspektorin e Përgjithshëm të një banke tjetër qendrore, që gjithashtu raportonte në Kuvendin e shtetit përkatës se si do të vepronte ai në një rrethanë të tillë, pasi ligji nuk shprehet. Pra, nuk e pengon, por dhe nuk shprehet për modalitetin e informimit. Dhe përgjigja ka qenë e qartë: Në asnjë rrethanë nuk mund të hidhen poshtë kërkesat e Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht, informimi do të bëhet mbi bazat që vendos ligji”, – tha Baleta, e cila sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ishte thirrur në seancë dëgjimore në rolin e ekspertes.

 

Pyetje-përgjigjet në Komisionin e Ekonomisë mes deputetëve dhe ish-inspektores së BSH-së

 -Blerjet e mëdha, prokurimet, a kontrolloheshin? 

Baleta: Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, është autoriteti që harton vetë rregullat e prokurimeve. Këto rregulla nuk bëhen kundrejt një logjike të pacaktuar. Por kam studiuar edhe praktikat e bankave të tjera botërore. Ajo që është vërejtur në Bankën e Shqipërisë është se rregullorja në tërësi hartoheshin në mënyrë të tillë që të mos kryheshin sisteme kontrolle të mjaftueshme. Në rregullore sigurohej që Këshilli Mbikëqyrës të caktonte prokurimet e drejtpërdrejta se ai që caktonte rregullat e këtij procesi deri në një farë mase bëhej pjesë e këtij procesi, gjë që binte ndesh.
– Sa përgjegjës është guvernatori i Bankës së Shqipërisë?
Baleta:
Jam këtu të jap dëshmi jo në lidhje me vjedhjen, sepse nuk kam informacion dhe nuk do të dëshiroja të shprehesha.
– Kjo është shumë e qartë, keni të drejtën tuaj
Baleta:
Jo, por, nuk do ishte etike në rastin tim…
– Asgjësimi i parave, si bëhej procesi?
Baleta:
Dhe këtu nuk mund të flas, sepse është një proces që nuk duhet të bëhet publik. Dikur ka qenë më djegie, tani bëhet me një tjetër formë që nuk kam dijeni dhe nuk e di si organizoheshe procesi.
-Dokumentohet procesi në çdo hallkë të tij?
Baleta:
Po sa kohë kam qenë unë, po. Unë kam një shkëputje prej 4 vitesh dhe ne i rifreskonim sa herë bënim auditim, sepse ka pas shumë rregulla që nuk mbaheshin mend
– A cenohet pavarësia e institucionit nga prania e familjarëve të politikanëve në BSH?
Baleta:
Këtë ta zgjidhë Kuvendi.
-Nga sa dëgjuam, konstatova se ju keni vërejtur gjatë auditeve tuaja 3 problematika: Cenim në aspektin juridik, kufizim në burime njerëzore dhe kufizim të aksesit të informacioneve. Kush është përgjegjës, guvernatori apo Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë?
Baleta:
Këshilli Mbikëqyrës. Së pari që ata që refuzuan të japin informacionin dhe deri tek Këshilli Mbikëqyrës. Raportet ligjërisht i kalojnë Këshillit Mbikëqyrës. Sa herë janë dërguar raportime, janë informuar strukturat, sa herë janë bërë auditet. Për raste të veçanta janë bërë dhe raportime të rregullta dhe sa është numri, për këtë duhen numëruar raportet.

 

Elivar Golemi: Ja pse nuk mund të raportoj në Kuvend

 Çfarë me tërheq vëmendjen në shkresën e Komisionit te Ekonomisë dhe Financave drejtuar mua, citoj: “Ka nevojë të dëgjojë nga ju… dëshminë tuaj…”. Pra, në këtë shkresë nuk kërkohet raportim apo informacion, por dhënie dëshmie. Dëshmia është koncept procedural penal, jo administrativ. Dëshmia jepet para prokurorit, gjykatës ose komisionit hetimor parlamentar. Marrëdhëniet me Kuvendin apo me komisionet e Kuvendit vendosen nëpërmjet raportimeve dhe informacioneve, jo nëpërmjet dhënies se dëshmive. Raportimet dhe informacionet i kam dërguar pranë Këshillit Mbikëqyrës në përputhje të plotë me nenin 54 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë i ka përcjellë të gjitha këto raportime pranë Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Meqenëse edhe në ftesën e dytë për seancë dëgjimore, drejtuar inspektorit të Përgjithshëm nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, me nr. 28382 prot., datë 3.9.2014, kërkohet, citoj: “…të paraqiteni para Komisionit për të dhëne dëshminë tuaj…”, theksoj se nuk mund të dëshmoj përpara Komisionit, për sa kohë ligji nuk më lejon të veproj në këtë mënyre. E vetmja mënyrë e komunikimit, bazuar në dispozitat ligjore, janë raportet dhe informacionet, pas miratimit të tyre nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

 

Erjon Braçe në “Facebook”

 Pas një përpjekje dy ditore për të dëgjuar në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit inspektorin e Përgjithshëm te Bankës së Shqipërisë; Pas një refuzimi tërësisht antikushtetues e në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit e ligjin për Bankën e Shqipërisë; Në kushtet kur inspektori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë propozohet, zgjidhet dhe shkarkohet vetëm, po e përsëris vetëm nga Kuvendi i Shqipërisë; Në kushtet kur inspektori i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë është paraqitur në Komisionin e Ekonomisë tamam në një seancë dëgjimore por pa e kërkuar e ftuar kurrkush, as unë e as Komisioni; Në kushtet kur nga raportet e saj ka pranuar hapur që nuk ka përmbushur një nga tri detyrat e saj të përcaktuara me ligj; Komisioni vendosi t’i paraqesë Konferencës së Kryetarëve kërkesën për shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency