Tiranë/ I arrestuari arratiset nga spitali, arrestohet oficeri që duhej ta ruante

0
201

Dyshime se krijoi kushte për arratisjen, me ndihmën e familjarëve

spitali ushtarak Një person në kërkim është arratisur nga Spitali Ushtarak në Tiranë i ndihmuar nga familja e tij, ndaj Policia e Tiranës, ka arrestuar dje oficerin që ishte ngarkuar për ruajtjen e tij.

Burime nga SHKB bënë të ditur se në pranga është vënë Eduart Laçi, oficer i patrullës së përgjithshme. Ai akuzohet se ka ndihmuar shtetasin Lulzim Jahelezi që të arratisej nga spitali. Të njëjtat burime sqarojnë se Jahelezi pas arratisjes, u arrestua në Laprakë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka kryer dje arrestimin në flagrancë të 27-vjeçarit me banim në Sauk, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3.

Duke qenë me shërbim në Spitali Ushtarak në Tiranë, ku ishte i shtruar shtetasi i plagosur Lulëzim Jahelezi, person në kërkim, për veprimet dhe mosveprimet e kryera nga ana e tij, ka pasur dyshime se i ka krijuar kushte për arratisjen e tij me ndihmën e familjarëve, sqaruan burime të SHKB-së.

Arrestimi i djeshëm i SHKB-së, pason arrestimet e dy ditëve më parë, të dy policëve të Komisariatit Rajonal të Rrugores në Tiranë, të cilët u vunë nën pranga pas denoncimit nga një qytetar, të cilit i kishin marrë para. Në datë 29. 08. 2014, në ora 21.30 minuta, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm Tiranë, arrestoi në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore. Arrestimi i shtetasve Artan Hasanaj dhe Avdulla Dafku, u krye për veprën penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.

Të njëjtat burime sqaruan se, personi me inicialet A. V., emigrant në Itali denoncoi dy policët Artan Hasanaj dhe Avdulla Dafku. Mësohet se policët i kërkuan dhe i morën para emigrantit për të mos e ndëshkuar me gjobë. Pas denoncimit të tij, dy policët janë mbajtur në vëzhgim dhe është vënë re se të njëjtën metodë përfitimi e zbatonin edhe me persona të tjerë.

Të dy punonjësit e policisë u prangosen dhe akuzohen për “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”

 

Atentati i Vlorës/ Prokuroria përcakton pistat e hetimit

Prokuroria e Vlorës, këmbëngul se vrasja e Isuf Brahimajt, gjatë një atentati me shpërthim, disa ditë më parë në këtë qytet, ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve që viktima ka pasur me persona të ndryshëm në vendet ku ka punuar e jetuar si emigrant, konkretisht Holandë e Itali.

Megjithatë, sipas prokurorisë, nuk përjashtohen as pistat e tjera, si ndonjë konflikt i mundshëm i lindur për shkak të punës si ndërtues, pasi viktima ishte pronar i një hoteli luksoz të ndërtuar në Vlorë. Hetuesit po hetojnë gjithashtu dhe në të kaluarën e vëllait të tij dhe konflikteve të mundshme që ai mund të ketë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07.15 të mëngjesit të datës 28 gusht, në rreth-rrotullimin e njohur si “Omonia”, në rrugën Transballkanike në qytetin e Vlorës. Automjeti tip “Mitsubishi”

i bardhë, me targa AA 848 JX, ishte duke udhëtuar nga Skela në drejtim të daljes së qytetit kur ka shpërthyer në ecje. Pas shpërthimit, makina është përfshirë nga flakët dhe ka ecur edhe disa metra, duke u përplasur me murin rrethues të një banese. Drejtuesi i mjetit, Isuf Brahimaj, mbeti i vdekur në vend. Forca e shpërthimit la të plagosur rëndë dhe pasagjeren Ornela Gjini. Sipas ekspertëve, lënda eksplozive ishte montuar poshtë sediljes së shoferit dhe sasia e saj është 500 gramë, çka do të thotë se ekzekutorët donin të kishin siguri që shënjestra e tyre do të vritej.

 

 Shkodër/ Sherr për një femër, plagoset me thikë 20-vjeçari

Një tjetër sherri për një femër, i ka rrezikuar jetën një 20-vjeçari i cili u qëllua me thikë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në ambientet e një lokali në lagjen “Salo Halili” në Shkodër kur K. M., 17 vjeç dyshohet se ka goditur me thikë 20-vjeçarin me iniciale E. R.

Sipas policisë, mësohet se viktima i kishte kërkuar adoleshentit të mos i ngacmonte të dashurën. Mes tyre ka nisur fillimisht një debat dhe pas fjalëve fyese të ndërsjella, 17-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe goditi të riun.

Më pas ai u largua me shpejtësi ndërsa i plagosuri u transportua në spitalin e Shkodrës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se po punohet për kapjen e adoleshentit.

 

 Durrës, me fat edhe dy gra/ Shpëtohen nga dallgët në Golem, babai me dy fëmijët e vegjël

Një baba me dy fëmijët e tij të vegjël është shpëtuar dje në det nga patrulla e Agjensisë Kombëtare të Bregdetit.

Familja nga Kosova kishte shkuar në Golem për pushime dhe kishte hyrë në det ndërkohë që kishin nisur dallgët.

Po dje, në Gjirin e Lalzit, janë shpëtuar edhe dy qytetare, 25 dhe 50 vjeçe. Policia Kufitare dhe rojet e bregdetit kanë konstatuar në distancë nga bregu, dy qytetaret që kërkonin ndihmë sepse po rrezikonin të mbyteshin dhe në ndihmë të tyre u dërgua me shpejtësi, një qytetar me pedalinë që ndodhej në afërsi, i cili u ka shpëtuar jetën.

 

 Korçë/ Dhunohet psikologjikisht nga i dashuri, 33 vjeçarja kërkon mbrojtjen e policisë

Dy ditë më parë, në dyert e komisariatit të policisë në qytetin e Korçës është drejtuar një grua 33 vjeçare, e cila ka denoncuar bashkëjetuesin e saj.

Sipas burimeve të policisë së Korçës, mësohet se, A.T., banuese në lagjen 10 në këtë qytet ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, pasi bashkëjetuesi i saj, 55 vjeçari N. T., banues në Selanik të Greqisë, ka ushtruar mbi të dhunë psikologjike.

Policia e Korçës bën me dije se materialet do t’i kalojnë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

 

 Korçë/ Kunati i dehur rreh nusen e vëllait

Dhuna familje e ushtruar mbi të nga vëllai i burrit, ka detyruar një 46 vjeçare të drejtohet në dyert e komisariatit të policisë së Korçës.

Burime nga policia e Korçës bënë të ditur se rreth orës 15.30 të ditës së shtunë, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për Myzafere Ristollari, banuese në fshatin Orman-Korçë.

Të njëjtat burime konfirmojnë se kunati i saj Roland Ristollari, i datëlindjes 20. 06. 1976, me arsim 8 vjeçar,  duke qenë në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj dhe familjarëve të saj.

E dhunuara dhe dhunuesi jetojnë prej kohësh nën të njëjtën çati. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

 

 Fier/ E rrihte i biri, gruaja nëna ndihmë në polici

 Dhuna e vazhdueshme që i biri ushtronte mbi të, e ka shtyrë një 51 vjeçare nga Fieri t’i drejtohet policisë për të kërkuar ndihmë. Burime nga policia e Fierit bënë të ditur se ditën e shtunë, kanë nisur procedimin penal dhe shpalljen në kërkim të 26 vjeçarit Klodjan B., banues në Baltëz të Fierit, pas kallëzimit të së ëmës.

Mësohet se 51 vjeçarja e cila është identifikuar me inicialet M. B., ka bërë me dije në policinë e këtij qyteti se i biri, prej disa ditësh ushtron mbi të dhunë psikologjike dhe fizike në mënyrë të vazhdueshme. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje për veprën penale  “Dhuna në familje”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency