Hapet sesionit i tretë i Legjislaturës së VIII/ Kuvendi çel sot punimet, gati rrëzimi i dekreteve

0
150

Florenc Drizari

seanceparlamentNë axhendën e seancës pesë dekretet e kreut te shtetit dhe zëvendësimi i ministres Felaj

Kuvendi i Shqipërisë nis të hënën pasdite rreth ores 17:00 sesionin e tretë të legjislaturës së tetë të tij, ndërsa në axhendën e punimeve janë një sërë ligjesh që kanë përplasur mazhorancën me opozitën edhe gjatë pushimeve të verës (muajin gusht). Në rend të ditës janë futur pesë dekretet e Presidentit Bujar Nishani për kthimin e ligjeve edhe njëherë për rishqyrtim nga Kuvendi. Dekretet e kreut të shtetit për “Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”; Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të ndryshuar”, “Për kthimin e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”; “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” si dhe dekreti “Për Shkollën e Magjistraturës” të ndryshuar” sipas qëndrimeve të fundit të përfaqësuesve të mazhorancës pritet të rrëzohen me shumicën e votave në seancë plenare. Këtë qëndrim e ka deklaruar më herët edhe Kryeministri Edi Rama pas kthimit të ligjeve nga Presidenti Nishani, ndërkohë që i njëjti qëndrim mësohet të jetë mbajtur edhe në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist.

 

Axhenda

Fillimisht Kuvendi pritet të bëjë hapjen e sesionit të tretë të Legjislaturës së VIII, duke filluar me miratimin e procesverbalit të seancës plenare, datë 31.07.2014, ndërsa më pas pritet të bëhet edhe miratimi i programit të punës për periudhën 1 shtator – 9 tetor 2014.

Axhenda e punimeve do të vijojë me miratimin e kalendarit 3 javor ( 1 – 18 shtator 2014) të punimeve dhe më pas do të vijohet me shqyrtimin e pesë dekreteteve të Presidentit të Republikës. Po ashtu Kuvendi pritet të miratojë edhe dekretin “Për shkarkimin e zotit Ilirjan Celibashi, nga detyra e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin” dhe zëvendësimine tij me emërimin e Ermonela Felaj, në të njëjtën detyrë.

 

Qeveri-Presidencë

Gjatë muajit gusht që sapo u mbyll mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kryeministrisë ka pasur shkëmbime replikash në distancë lidhur me miratimin e disa ligjeve në seacën e fundit të 31 korrikut. Kreu i shtetit ktheu për rishqyrtim pesë ligje të quajtura si tejet të rëndësishme nga mazhoranca. Me argumentet se ligjet e miratuara duhet të rishihet edhe njëherë nga ligjvnësit shqiptar për faktin se ato bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit, Presidenti nuk dekretoi miratimin e pesë ligjeve. Ndërsa mazhoranca nga ana e saj pritet ti miratojë rrëzimin e dekreteve të Presidentit Nishani në seancën e parë parlamentare të datës 1 shtator, duke lënë në fuqi ndryshimet e bëra në seancën e fundit të 31 korrikut. Pak ditë më parë përfaqësuesit e majtë në komisionet parlamentare argumentuan se dekretet e Nishanit janë qëndrime politike të pa mbështetura në ligj, ndërsa akuzuan kreun e shtetit se po mban një qëndrim të njëjtë me atë të PD-së.

 

Pesë dekretet e Presidentit

1.Dekret nr. 8675 , datë 11.08.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës” të ndryshuar””.

2. Dekret nr. 8678, datë 15.8.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 100/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””.

3. Dekret nr. 8679, datë 15.8.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të ndryshuar””.

4. Dekret nr. 8681, datë 15.8.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit””.

5. Dekret nr. 8696, datë 22.08.2014, “Për kthimin e ligjit nr. 115/2014, “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë””.

 

Qëndrimi ndaj mazhorancës, PD mbledh grupin parlamentar

Pak orë para çeljes së sesionit të ri parlamentar të vjeshtës ditën e hënë në orën 17:00, pritet të mblidhet grupi parlamentar i PD-së, ku do të merret vendimi zyrtar lidhur me marrëdhënien e ardhshme të forcës më të madhe opozitare me Parlamentin. Edhe pse qëndrimi që do të mbahet në raport me shumicën parlamentare pritet të bëhet zyrtar paradites e së hënës, burime pranë selisë blu bën të ditur për gazetën se vendimi më i pritshëm është ai i vazhdimit të bojkotit parlamentar, nisur nga fakti se që prej periudhës kur opozita shkëputi marrëdhënien me Kuvendin për shkak të goditjes së deputetit demokrat, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e mazhorancës qeverisëse. Sipas opozitës mazhoranca me vendimet e fundit ka vazhduar në rrugën e paligjshmërisë me votimin e reformës territoriale, rrëzimin pa shkak të dekreteve të Presidentit dhe shkeljen e Kushtetutës. I pyetur pak ditë më parë lidhur me qëndrimin e PD-së ndaj Kuvendit, kreu i demokratëve Lulzim Basha tha se, : “ka një vendim të grupit parlamentar të Partisë Demokratike i cili është vendim në fuqi dhe është i padiskutueshëm deri sa të ketë një vendim tjetër”, duke iu referuar vendimit të marrë më 10 korrik, pas agresionit fizik të ndodhur në parlament kundër opozitës. Lidhur me këtë ngjarje, në përgjigje të gazetarëve në konferencën e fundit për shtyp, kryeministri Rama deklaroi se rastet e dhunës janë të dënueshme, por se nënvizoi se të gjithë deputetët socialistë kanë dëshmi penaliteti të pastër, duke hedhur poshtë akuzat e PD-së të mbështetura mbi vendime gjykate. Në këto kushte, kur qeveria nuk ka ndryshuar kursin e saj, rikthimi i demokratëve në parlament duket i pamundur, pavarësisht se një pjesë e aleatëve kanë kërkuar thyerjen e bojkotit me argumentin se vendi i opozitës është në Parlament.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency