Shkodër/ Mohon të ketë qëlluar ndaj policisë, Gjykata lë në burg Pal Dushkun

0
152

Sonial Mesareja

gjykata shkoder Gjon BunguNuk denoncoi kultivimin e kanabisit, caktohet burg me afat për kryekomunarin e Pultit. Prokurorisë i kërkohen prova shtesë

Mohon akuzën para gjykatës, duke pretenduar se nuk ishte në shtëpi kur është zhvilluar operacioni antikanabis i policisë në zonën e Dukagjinit. Por, provat e paraqitura nga akuza i mbushën mendjen togave të zeza për implikimin e 19-vjeçarit Pal Dushku në grupin e zjarrit, duke caktuar masën “burg pa afat” ndaj tij. Ndërkohë që po e njëjta trupë gjyqësore dha masën burg me afat 15-ditor për kryekomunarin e Pultit, Gjon Bungu, i cili bëri me dije se ka qenë në spital kur ka ndodhur ndërhryja e policisë dhe sapo ka mësuar për operacionin, ka shkuar në komisariat.

 

Seanca

Gjykata e Shkodrës ka caktuar dje masat e sigurisë për kryeplakun e Pultit dhe një 19-vjeçar që akuzohet për sulm ndaj policisë. Të dy të arrestuarit kundërshtuan akuzat si dhe treguan se në polici kishin shkuar vetë sapo dëgjuan emrat e tyre nëpër media. Të vetëdorëzuar në polici, Dushku e Bungu kundërshtuan akuzat lidhur me sulmin ndaj helikopterëve gjatë aksionit antikanbis. Sipas vendimit të gjykatës, kryeplaku i fshatit Pult do të qëndrojë ne burg deri në 10 shtator. Gjykata e Shkodrës vendosi për Bungun këtë masë sigurie deri në grumbullimin e provave për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Vetë i akuzuari Gjonë Bungu para gjykatësit të çështjes ka deklaruar se gjatë gjithë muajit qershor ka qenë në Itali nga data 04.06.2014 deri me 24.06. 2014 ndërsa nga data 1  gusht 2014 e deri me 1 shtator 2014 ai është me raport për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale që ka pasur në  këmbë, ndërhyrje këtë që e ka kryer në Torino të Italisë. I pyetur nga gjykatësi i çështjes, Arben Zefi duke qenë se në deklaratën e tij ka depozituar se  është banues në lagjen Partizani të Shkodrës, sa herë ka qenë në zonën  e Planit të Dukagjinit gjatë këtij viti ai ka thënë se ka qenë gjithsej 2-3 herë për shkak të pa mundësisë së lëvizjes nëpër zonë. Ai gjithashtu deklaroi se ka shkuar vetë në Drejtorinë e Policisë Shkodër sapo ka marrë vesh lajmin për aksionin policor në zonën e Planit duke qenë se në ato moment ndodhej në Tiranë në Spitalin Ushtarak për një vizitë mjekësore. Më e rëndë ishte masa për 19-vjecarin Pal Dushku, për të cilin u vendos “arrest me burg”. I akuzuar si pjesëtar i “grupit të zjarrit”, Dushku deklaroi në sallën e gjyqit se ndodhej tek e motra e tij në komunën Shosh kur dëgjoi emrin në televizione dhe menjëherë u paraqit në polici. Gjithashtu, mësohet të ketë deklaruar se nëse vërtetohet qofte edhe 1% e akuzave ai pranon burg të gjatë. Avokati mbrojtës ka kërkuar shpalljen të pa ligjshëm të ndalimit të 19 vjeecarit si dhe caktimin e një mase tjetër të sigurisë, pasi në këtë rast prokuroria nuk ka asnjë provë për të implikuar klientin e tij Pal Dushku në ngjarjet e Dukagjinit.

 

Peqin/ Pranga çiftit të bashkëshortëve, tentuan t’i fusin sëpatë në burg djalit

Një çift bashkëshortësh janë arrestuar nga policia, pasi kanë tentuar t’i fusin një sëpatë djalit të tyre në burgun e Peqinit. Sipas burimeve policore, Isuf dhe Margarita Osmani, 47 dhe 43 vjeç nga Levani i Fierit mësohet se kishin shkuar për të takuar në burg, djalin e tyre Mici Osmani, i dënuar me 20 vjet burg. Ata janë kapur në kushtet e flagrancës nga I.E.P.V Peqin, pasi gjatë kontrollit të sendeve personale që do t’i jepnin të birit, kishin fshehur një sëpatë mes rrobave. Nga ana e policisë vijojnë hetimet rreth arsyes së fshehjes së një mjeti të tillë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

 

Shkodër/ Qëlloi me armë në Shirokë një shtetas, pranga 31-vjeçarit Plisi

Policia e Shkodrës arrestoi dje një person të shpallur në kërkim. Sipas burimeve policore, Eder Plisi, 31 vjeç, banues në Shkodër u ndalua gjatë ditës së djeshme, pasi ky shtetas me datën 11. 08. 2014, në vendin e quajtur Shirokë, ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit A. V., vjeç 50. Kapja e 31-vjeçarit u bë në banesën e tij pas një operacioni të mirëorganizuar të forcave të policisë të DPQ Shkodër. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Automatik Model 56 mm si dhe 47 copë fishekë model 56. Ndërkaq materialet lidhur me këtë shtetas iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për hetime të mëtejshme.

 

Pogradec/ Gjenden trupat e pajetë të dy kushërinjve të mbytur në liqen

Policia dhe polumbarët e RENEA-s, pasi tri orësh kërkime, mesditën e djeshme kanë gjetur trupat e pajetë të dy djemve që u zhdukën dy ditë më parë në liqenin e Pogradecit. Viktimat Adrian Kosturi 18 vjeç dhe kushëriri i tij 14 vjeç nga Liboniku janë gjetur 100 m larg bregut të liqenit. Nuk dihen ende shkaqet e mbytjes së tyre, ndërkohë që në breg të liqenit ishin grumbulluar dje shumë familjarë dhe të afërmit e tyre. Ata hodhën dyshime mbi vdekjen e fëmijëve të tyre. Dy kushërinjtë, 18 dhe 14-vjeç nga Liboniku i Korçës rezultonin të zhdukur prej orës 12:00 të dy ditëve më parë, 1 orë pasi hynë për t’u larë në liqen. Shkas për nisjen e kërkimeve nga strukturat policore u bë një varkë me pedale që u gjet bosh në ujërat e liqenit. Brenda në mjetin lundrues u gjetën 2 telefona celularë dhe dy portofola, ndaj policia hodhi menjëherë dyshimet se kishte të bënte me 2 persona të zhdukur. Dy netë më parë, policia arrestoi Ilia Shytën dhe Çelnik Fyferin pronarët e varkës që të rinjtë kishin marrë me qera. Ata akuzohen për “shkelje të rregullave të lundrimit”.

 

Durrës/ Arrestohen grupi i drogës, sekuestrohet kokainë dhe marijuanë

Pesë persona përfunduan në pranga pasi policia e Durrësit sekuestroi gjysëm kg kokaine dhe 110 kg marijuane në Fushë Krujë. Sipas policisë, të arrestuarit janë pjesëtarë të një grupi që kryente grumbullimin e lëndëve narkotike nga disa rrethe të vendit me qëllim tregtimin e saj në tregun e brendshëm. Operacioni u realizua në disa qytete, përkatësisht Shkodër, Krujë, Laç, Fushë Krujë, ndërkohe që një person i gjashtë, Alfred Balloku, 33 vjeç nga Laçi u shpall në kërkim. Të arrestuarit janë shtetasit Bardhok Përndoi, 40 vjeç nga Laçi, Gjon Shponi 31 vjeç nga Guri i Zi dhe Bledi Shyti (Zefi) 31 vjeç nga Vau i Dejës nga Shkodra, Arjan Boka, 55 vjeç nga Kruja dhe Isuf Rama, 57 vjeç nga Fushë Kruja. Efektivët e antidrogës në Policinë e Durrësit kanë sekuestruar në orët e para të ditës së djeshme rreth gjysmë kilogrami kokainë dhe 110 kg marijuane, ndërsa kanë arrestuar 5 shtetas. Lënda narkotike e llojit kanabis sativa (boçe e thatë), u gjet në banesën e shtetasit Isuf Rama në Fushë Krujë, e paketuar në 8 thasë. Nga peshimi rezultoi në masën e 110 kg lëndë si dhe rreth 500 gr lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë, të cilat u sekuestruan. Për llogari të hetimit u sekuestrua edhe automjeti Benz C Class me targa AA002 Ç dhe 12 copë telefona celularë. Kapja e drogës u bë e mundur gjatë finalizimit të operacionit policor të koduar “Stacioni”, i cili kishte si objekt goditjen e një grupi që kryente grumbullimin e lëndëve narkotike nga disa rrethe të vendit, me qëllim tregëtimin në tregun e brendshëm. Materialet proceduriale iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Krujë për veprën penale “Prodhim, shitje lëndësh narkotike “.

.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency