Samiti i Berlinit, si shans dhe mundësi

0
133

Enver Bytyçi

enver bytyci “Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”.

Woodrow Wilson, 4 korrik 1918

Kjo deklaratë e ish – presidentit amerikan të vjen vetiu në mendje kur dëshiron t’i kthehesh një teme të rëndësishme si ajo e Samitit të Berlinit, i cili prej dje po vijon punimet nën drejtimin dhe kujdestarinë e kancelares Angela Merkel. Në këtë samit janë mbledhur dhe po diskutojnë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perendimor krerët e shtetit ose të qeverive të shtatë vendeve, përkatësisht, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Shkurt, shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, plus Shqipëria. Kjo formulë e integrimeve euroatlantike është përdorur para një dekade në Europë, por u kundërshtua nga disa vende, sidomos Shqipëria, Sllovenia dhe Kroacia, për të shmangur çdo keqinterpretim në përqasjen me federatën Jugosllave të kohës së sundimit komunist.

Ka ditë që kjo ngjarje përflitet si një sukses i jashtëzakonshëm i kryeministrit shqiptar, për shkak se Ai, pra zoti Rama, në përfundim të Samitit do të përfaqësojë kolegët e tjerë në konferencën e përbashkët për shtyp. Sigurisht që përzgjedhja e kryeministrit të vendit tonë për pjesëmarrje në konferencën e përbashkët për shtyp është një vlerësim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rolin pozicionin e ri që ata kanë fituar në rajonin e Europës Juglindore. Unë e shoh këtë edhe si simbolikë të vlerësimit që Merkel ka për zotin Rama personalisht e njëkohësisht si përpjekje të saj  për ta inkurajuar atë në zhvillimin e demokracisë e vendosjen e shtetit ligjor në vendin tonë.

Se Shqipëria ka një rol parësor në integrimet rajonale, kjo tashmë është një fakt i provuar dhe një mendim i  konsoliduar me politikat konstruktive të saj përgjatë 23 viteve të shkuara, me kontributet e saj permanente për implementimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe në vatrat e tjera të konfliktit në botë, me politikat e vazhdueshme të integrimeve rajonale dhe zgjidhjes me dialog të problemeve dypalëshe ndërkufitare. Ndërkohë thuajse të gjitha vendet e tjera, përfshirë dhe Greqinë, kanë dëshmuar në vazhdimësi ose herë pas here se i përkasin një epoke tjetër, kur Ballkanin e sundonin periudhat konfliktuale, luftrat shfarosëse, urrejtja, ndjenja e hasmërisë dhe fobi të shumta kundër njëri-tjetrit.

Samiti i Berlinit është i pari Samit që zhvillohet me tematikën e integrimeve europiane e rajonale me iniciativën e një kancelari gjerman.  Në këtë kuptim ky Samit ose Konferencë duket të luajë një lloj roli si Samitet e Kartës së Adriatikut, të cilët patën dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në procësin e anëtarësimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit në NATO. Vetëm se, Kartën e Adriatikut e ideuan dhe udhëhoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi lider i Aleancës së Atlantikut. Iniciator i saj ishte ish- presidenti Xhorxh W. Bush. Ndërkohë që Samiti i sotëm u ideua dhe udhëhiqet nga Gjermania, si vend lider i Bashkimit  Europian. Kancelarja Merkel luan të njëjtin rol si presidenti Bush, por tashmë me një objektiv tjetër, integrimin e rajonit në BE.

Konferenca e Berlinit ka domethënien e saj të shumanshme. Kryesimi i saj prej Angela Merkel është garanci se ky samit nuk do të mbetet si një akt formal në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perendimor. Ai do të jetë një takim, në të cilin do të vendosen themelet e të ardhmes Europiane të Ballkanit Perendimor dhe mbi të gjitha një konfirmim i faktit se, integrimi në BE do të jetë një proces i pakthyeshëm.

Samiti i Berlinit tërheq vëmendjen në disa aspekte historike dhe aktuale. Ai mbahet një shekull pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Po të kemi parasysh faktin së Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan me vrasjen e princit austriak, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, pra se kjo luftë ishte pasojë e një sherri të madh ballkanik, ku shquhej ambicja e Serbisë për ta sunduar gjithë rajonin, atëherë duhet të themi se Samiti i Berlinit konfirmon një ndryshim rrënjësor në gjeopolitikën dhe sjelljen e shteteve dhe popujve të këtij rajoni. U desh ndërhyrja e NATO-s në Kosovë si dhe angazhimi politik e diplomatik i Uashingtonit dhe Brukselit që të vinim deri te kjo situatë, në të cilën të sundojë tashmë paqja, siguria, stabiliteti dhe harmonia, ndonëse ende në kufijtë e brishtësisë. Pra,edhe një paqe, siguri dhe stabilitet i imponuar nga nevoja e të gjitha këtyre vendeve për një ardhmëri më të mirë për veten e tyre.

Gjermania, duke qenë iniciatore e takimit të gjashtë vendeve ballkanike, duket dëshiron të konfirmojë faktin që pas një shekulli në rajonin tonë është implementuar thuajse identik vizioni i Perandorisë Austro-Hungareze dhe vetë Berlinit për një Ballkan të modelit të asaj që aso kohe e proklamoi presidenti amerikan, Woodrow Wilson, sipas të cilit: “Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”. Vjena dhe Berlini erdhën në konfliktin e verës së vitit 1914 për shkak të vizioneve të ndryshme midis Boshtit dhe vendeve të Antantës sa i përket gjeopolitikës së rajonit tonë. Dhe ndonëse në Konferencën e Paqes së Parisit Gjermania dhe Austro-Hungaria u ndëshkuan rëndë, duke anashkaluar për herë të parë që prej 1648-ës parimin e ruajtjes së ekuilibrave të Fuqive të Mëdha, Wilson në princip mbështeti vizionin e para Luftës të Fuqive të mundura në Luftën e Parë Botërore. Sot ky vision është realizuar në praktikë, Bosnjë-Hercegovina tashmë është një shtet sovran dhe i pavarur. Eshtë krijuar shteti i Maqedonisë, fatmirësisht pa luftë dhe konflikt të armatosur. Kosova ka shtetësinë e saj dhe shqiptarët kanë rifituar pozitën e tyre gjeopolitike në rajon. Pikërisht ajo çfarë kishte projektuar Austro-Hungaria me mbështetjen e Gjermanisë më 1912-1914.

Në këtë kuptim Angela Merkel  e rikthen vendin e saj në rolin e një fuqie fituese të Luftës së Parë Botërore, duke rikonfirmuar në këtë samit të së enjtes, se vizioni i vendit të saj dhe aleatit të natyrshëm, Austrisë, tashmë është një realitet i padiskutueshëm. Ndërkohë ajo duket se bën me dije se bota nuk do të hynte në luftë para 100 vjetësh, nëse Fuqitë e Mëdha që fituan luftën për shkak të forcës, por jo të ideve e vizionit për rajonin e Ballkanit Perendimor, do të kishin pranuar projektin Austro-Hungarez dhe gjerman të ndërtimit të hartës politike të Ballkanit. Në këtë rast vetë kombet ballkanike nuk do të kalonin në një kalvar vuajtjesh, si rezultat i konflikteve të pandërprera midis kombeve dhe popujve të rajonit.

Konferenca e Berlinit është një ngjarje, një ngjarje që dallon nga samitet e tjera të BE-së gjatë periudhës mbi 20 vjeçare për shkak të seriozitetit, momentit politik dhe zhvillimeve dramatike në lindje të Europës, ku kam parasysh krizën dhe konfliktin ruso-ukrainas.

Gjermania për herë të parë i rikthehet interesimit të saj për rajonin e Europës Juglindore në mënyrë direkte dhe komplementare. Mesa duket ajo e sheh këtë rajon si mundësi për të gjeneruar resurse të mëdha për popujt e shtetet ballkanike, por edhe për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Konflikti në Ukrainë e ka nxitur Gjermaninë dhe kancelaren Merkel që të implementojë një program e projekt zhvillimi të gjithanshëm në rajonin tonë.

Në këto projekte bën pjesë ndërtimi i infrastrukturës si dhe investimet kapitale për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Kriza në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për dominim në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, bëjnë që Gjermania të tërheqë gradualisht një pjesë të kapitalit të saj nga Rusia dhe ta investojë atë në vendet e rajonit tonë.

Shqipëria i ka të gjitha shanset të shfrytëzojë momentin e “artë”, do ta quaja, për të. Ajo duhet të dëshmojë vullnet dhe partneritet të sinqertë me Gjermaninë dhe partnerët e miqtë e saj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, Turqinë dhe vende të tjera. Dy janë elementët themelorë ku duhen adresuar zgjidhjet:

Së pari, politikës dhe diplomacisë shqiptare i nevojitet të punojë me sinqeritet me aleatët e saj strategjikë, të lartpërmendur ose me fqinjët dhe vendet e rajonit, me të cilët synohet ndërtimi i urave të paqes, sigurisë, stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit të ndëersjelltë e të dyfishtë. Kjo do të thotë që shqiptarëve nuk u lejohet të bëjnë politikë e diplomaci të bazuar në ideologji, por në interesat kombëtare. Kjo do të thotë që strategjitë e bashkëpunimit të mos ndikohen nga nevojat elektorale, por nga interesat nacionale. Kjo do të thotë diskutim në tavolinë i të gjitha çeshtjeve që kërkojnë zgjidhje dhe jo vendimmarrje të njëanshme. Kjo do të thotë transparencë në marrëdhëniet me partnerët e aleatët tanë dhe jo qëndrime të dyfishta e të ndikuara nga “armiku i armikut tim”.

Së dyti, lehtësi maksimale për investime publike e private. Gara e krijimit të lehtësive të tilla është garë konkurence midis të gjitha vendeve tona të rajonit. Projektet e mëdha, të cilat prodhojnë punësim, prodhim, eksport, të ardhura e mirëqenie janë destinacion i të gjitha vendeve të rajonit përfshirë edhe Greqinë dhe Bullgarinë e ndoshta Rumaninë dhe Turqinë, përveçse vendeve tashmë pjësmarrëse në Samitin e Berlinit. Ato i fiton ai vend, i cili krijon mekanizma të qëndrueshëm e bindëse për mbrojtjen e investimeve të huaja. I fiton ai vend, i cili udhëhiqet nga parimet e një demokracie funksionale dhe liberale si dhe parimet e ndërtimit të shtetit ligjor.

Retorika e shtetit ligjor mbetet vetëm retorikë, nëse nuk shoqërohet me funksionimin normal të institucioneve qeverisëse të vendit. Për pasojë demokracia nuk funksionon, nëse mungon dialogu i brendshëm, përfshirja e të gjithë faktorëve e grupeve të interesit në vendimmarrje e kështu me radhë. Nuk mjafton të ndërtosh një diskurs pozitiv për sytë e ndërkombëtarëve dhe një diskurs dhe qëndrim të papranueshëm e negative për sytë e opozitës dhe kundërshtarëve politikë. Përkundrazi, nëse qëndrimet për politikat e brendshme merren të shkeputura dhe të veçuara nga qëndrimet dhe partneriteti me ndërkombëtarët, atëherë dështimi është i garantuar.

Mund të duket se ka një sukses të pjesshëm e të përkohshëm, por kurrsesi një sukses të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Konkurenca midis kombeve ballkanike për investime ka tashmë përvojat e veta, nëse kemi parasysh investimet miliardëshe të Kinës në portet greke dhe investimet po ashtu miliardëshe të Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi e Beograd.

Konferenca e Berlinit është një shans, madje një shans i barabartë për të gjitha vendet e rajonit pjesmarrëse të saj. Diferencën do ta bëjë implemtnimi i një politike dhe diplomacie të shkathët, të drejtpërdrejtë e transparente, me qëllim që të fitohet besimi i partnerëve dhe aleatëve. Pa besim nuk ka bashkëpunim në asnjë segment te jetës politiko-shoqërore. Vetëm me anën e besimit mund të garantohet suksesi i lidhjeve të gjithanshme të Shqipërisë me botën. Besimi nuk fitohet me mburrje si në kohën e Titos, Stalinit, Hrushovit e të Mao Ce Dunit, por me qëndrime dhe veprime korrekte. Nuk fitohet as me batuta dhe kritika ndaj partnerëve, shpesh herë pa vend dhe në kohën e gabuar. Ndërtohet me dialog dhe diskutime të sinqerta, me zgjidhjen e problemeve në tavolinë. Dhe probleme Shqipëria ka me disa vende të rajonit. Ka me Greqinë sa i përket çeshtjes çame dhe vendosjes së dëmarkacionit kufitar në ujrat detare të Jugut. Ka me Maqedoninë sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ka probleme me Serbinë, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Kosovës si dhe të mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por ka dhe me vende të tjera për shkak të trajtimit të gabuar të pakicave shqiptare në këto vende. Kohët e fundit flitet për herë të parë që prej kur vendin e drejtonte udhëheqësi komunist, Enver Hoxha, për grindje dhe konflikte midis politikës shqiptare dhe asaj të Turqisë.

Të gjitha këto na bëjnë të besojmë se Samiti i Berlinit është vetëm fillimi i asaj që duhet të ndërtohet në planin politik, integrues, ekonomik, kulturor e në fushën e sigurisë në rajonin tonë. Euforia është dhe mbetet aleati më i keq i qeverisë dhe të gjithë faktorëve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e rajon, sa i përket rolit që duhet të luajmë në implementimin e shpejtë të projeketeve politike, ekonomike e më gjerë, të diskutuara dhe miratuara në Berlinin e datës 28 gusht 2014. Thelbi i gjithë kësaj që thamë mbetet përsëri te ideja e ish-Presidentit amerikan Wilson të cituar në fillimin e këtij shkrimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency