Shifrat/ INSTAT: Humbjet e energjisë në rrjet 38.4%

0
123

nenstacion elektrikProdhimi neto vendas i energjisë elektrike përbën 58,5 përqind të energjisë në dispozicion për konsum. Sasia gjithsej e prodhuar në vend gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014 është 2.353 GWh nga 4.429 GWh e prodhuar gjatë të njëjtës periudhë në 2013

 INSTAT ka publikuar bilancin e energjisë për gjashtëmujorin e parë 2014. Sipas INSTAT, Energjia elektrike në dispozicion e përftuar nga të gjitha burimet, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 u rrit me 1,1 përqind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2013. Sasia e energjisë së prodhuar, importuar dhe eksportuar rezultoi 4.022 GWh. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike përbën 58,5 përqind të energjisë në dispozicion për konsum. Sasia gjithsej e prodhuar në vend gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2014 është 2.353 GWh nga 4.429 GWh e prodhuar gjatë të njëjtës periudhë në 2013, e cila rezultoi me rënie prej 46,9 përqind. Burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike është prodhimi nga hidrocentralet. Sasia e energjisë së prodhuar prej tyre është ulur 46,9 përqind krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2013. Prodhimi nga hidrocentralet publike përfaqëson 66,7 përqind të prodhimit neto vendas, ndërsa prodhimi i energjisë nga prodhues të pavarur privatë dhe koncesionarë përbën 33,3 përqind.

 

Importi

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti 1.786 GWh në gjashtëmujorin e parë 2014 dhe përbën 44,4 përqind të energjisë në dispozicion nga 20,2 përqind që zinte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie), si pasojë edhe e rënies së prodhimit neto vendas, rezultoi me ulje prej 1.140 GWh.Në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, humbjet në rrjet janë ulur 7,3 përqind nga 1.668 GWh në 1.546 GWh. Ato përbëjnë 38,4 përqind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum, nga 41.9% ne gjashtemujorin e pare te vitit te kaluar. Humbjet në shpërndarje përbëjnë 94,7 përqind të humbjeve në rrjet, të cilat rezultuan me rënie 5,2 përqind.Konsumi i energjisë elektrike nga konsumatorët në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 është rritur 7,2 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, nga 2.309 GWh në 2.476 GWh. Konsumi i energjisë elektrike nga familjarët dhe jo familjarët u rrit respektivisht me 7,6 dhe 6,8 përqind.

 

Të dhënat nga INSTAT

Konsumi dhe humbjet vetjake i referohet energjisë elektrike të përdorur nga veprimtaritë ndihmëse të  stacionit të energjisë të lidhura direkt me prodhimin si psh. ftohje e ujit, shërbimet e stacionit të energjisë, ngrohje, ndriçim, etj. Prodhues të pavarur privatë dhe koncesionarë u referohen prodhuesve private të energjisë elektrike të cilët në rastin e Shqipërisë përbëhen nga impiante ish-publike të privatizuara ose impiante të ndërtuara nga subjektet private vendëse apo të huaja përmes kontratave koncesionare me Republikën e Shqipërisë. Këta prodhues lidhen direkt në sistemin e transmetimit dhe linçensohen nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe mund të shesin kapacitete ose energji OST-së dhe OSHEE-së, për të mbuluar humbjet në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes, si edhe tek klientë të tjerë.Prodhues të tjerë i referohet prodhimit të energjisë elektrike nga burime të tjera të energjisë, duke përjashtuar energjinë hidro dhe termo. Shkëmbimi i energjisë elektrike i referohet diferencës midis eksportit dhe importit të energjisë

elektrike. Kjo përfshin edhe tranzitet dhe shkëmbimet (dhënie – marrje energjie) e nevojshme të  energjisë elektrike me vendet e rajonit. Konsumi i energjisë elektrike i referohet përdorimit nga konsumatorë familjarë dhe jo familjarë dhe sasisë së humbjeve në rrjet të energjisë elektrike. Humbjet në rrjet përbëjnë humbjet në transmetim duke përfshirë edhe konsumin vetjak në transmetim  si edhe humbjet në shpërndarje. Humbjet teknike në shpërndarje janë të vlerësuara nga OSHEE sh.a. Humbjet jo teknike i referohen diferencës së humbjeve gjithsej në shpërndarje me humbjet teknike në shpërndarje.

 

7-mujori/ Tatimet e doganat mbeten mbrapa me planin

Ndonëse të ardhurat në total për 7 mujorin u rritën me rreth 11% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2014, duke qenë 1.5% më larta se plani, performanca e tatimeve e doganave rezulton në rënie, sipas të dhënave më të detajuara të publikuara nga Ministria e Financave. Në total, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 1.5 miliardë lekë, apo 1.1% më pak se plani, kryesisht e mbledhjes më pak se parashikimi të tatim fitimit, akcizës dhe taksës nacionale (që ishin përkatësisht 6.8, 16.6% dhe 10.2% më pak se plani). Mungesa e këtyre të ardhurave në buxhet u kompensua kryesisht nga zëri më i lartë i të ardhurave jo tatimore, që ishin rreth 1.9 miliardë lekë më shumë se plani për periudhën në fjalë. Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, Doganat mblodhën 82 miliardë lekë të ardhura për periudhën janar-korrik (më TVSH-në që zuri 66% të totalit) , ndërsa tatimet 96.6 miliardë lekë, duke përfshirë dhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet. Në total, për 7 mujorin, doganat ishin 1.1% më pak se plani, si rrjedhojë e të ardhurave më pak se plani nga akciza (-16.6%) dhe renta (-15.6%). Tatimet mblodhën 0.8% më pak se plani, si rrjedhojë e performancës së dobët të tatim fitimi (6.8% më pak se plani) dhe taksave nacionale (-8.4%). Vetëm për korrikun, të dhënat tregojnë se doganat kanë mbledhur 38% më pak se plani nga renta, ndërsa tatimet performancën më të keqe në korrik e kishin me TVSH-në, 23.4% më pak se plani.

 

Ankandi/ Shiten 11 miliardë lekë bono, rriten interesat për 3-mujoret

Banka e Shqipërisë ka shitur dje në ankand rreth 11 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe 3 mujor. Për bonot 12 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 9.1 miliardë lekë. Kërkesa nga investitorët ishte pak më e ulët, në rreth 8.88 miliardë lekë, nga e cila u pranuan 8.69 miliardë lekë. Yield-i (interesi) mesatar i ponderuar i pranuar ishte 3.19%, duke shënuar ulje në krahasim me ankandin e mëparshëm , kur ishte 3.21%. Për bonot tre mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 2.3 miliardë, ndërkohë që kërkesa e investitorëve arriti në 2.8 miliardë lekë. Megjithëse kërkesa ishte e lartë, yield-i mesatar i ponderuar shënoi një rritje të lehtë, në 3.07%, nga 3.06% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency