Reagon opozita/ Basha: Propaganda dhe sekserët e pushtetit, të vetmit sektorë në ngjitje

0
122

Gëzim Saliu

lul-bashaKonferenca e Ramës, Basha: “Shqipëria digjet, kryeministri krihet”. PD: Kreu i qeverisë nuk i dha përgjigje 11 çështjeve të ngritura nga opozita

Kryetari i opozitës Lulzim Basha reagoi dje ndaj konferencës së kryeministrit Rama për bilacin thuajse 1-vjeçar të qeverisë që nga marrja e pushtetit në muajin shtator, duke theksuar se të vetmit sektorë në ngjitje janë propaganda dhe sekserët e pushtetit. Në një reagim në rrjetin social FB, Basha në përgjigje të rezultatave të publikuara nga kreu i qeverisë, tha se në çdo sektor qeveria ka shënuar regresivitet. Sipas kryedemokratit, turizmi është në ditën e tij më të keqe dhe se papunësia dhe krimi kanë shënuar rritje. “Shqipëria digjet, kryeministri krihet. Turizmi në ditën e tij më të zezë. Aksidentet janë shtuar, vrasjet po ashtu. Ekonomia në krizë, papunësia në rritje. Të vetmit sektorë në ngjitje: propaganda dhe sekserët e pushtetit!”, shkruante Basha.

 

PD për konferencën

Pas përfundimit të konferencës së kreut të qeverisë, përmes një dalje publike nga selia blu, deputeti demokrat Genc Pollo tha se Rama nuk iu përgjigj asnjë prej çështjeve që janë ngritur me shqetësim nga opozita. “Edi Rama i vuri një maskë komunikimit publik sot (dje), me një konferencë të sajuar. Komunikim do të thotë të përgjigjesh pyetejve e të sqarosh gjerat, por kryeminstri megjithëse qëndroi live e on-line për më shumë se dy orë, nuk dha asnjë shpjegim për cështjet më të mprehta të kësaj kohe; për ceshtje që shqetësojnë opozitën, por nëse zoti Rama  e ka të vështirë te respektojë opozitën, për shkak të mendësisë së tij, pritej sëpaku të respektonte opinionin publik. Edhe në këtë rast, injorim pati”, deklaroi deputeti i PD-së.  Në këtë kontekst, ai tha se kryeministri nuk dha përgjigje përse hesht prej 42 ditësh për inkriminimin e parlamentit, kur kjo gjë sipas Pollos, është vërtetuar me fakte. “Përse  i dha CEZ-it  në dorë 95 milionë euro që do ti paguajnë shqiptarët, përmes faturave ndërkohë që kompania ka 3 miliardë dollarë detyrime ndaj shtetit? Përse kërkon me insistim numrin unik të telefonave të shqiptarëve, IMEI,që mundëson përgjim masiv pa kufi kur kjo është e papranueshme në Europën ku Rama pretendon të na integrojë. Përse nuk u konsultove me ekspertë, me aktorë, me partnerët ndërkombëtarë për reformën e drejtësisë, kur të gjithë e kërkuan këtë, SHBA, BE, OSBE, juristët, shoqëria civile dhe opozita?”, pyeti ligjvënësi demokrat. Më tej, ai pyeti se pse kreu i qeverisë bëri një hartë të re të territorit të vendit, pa pyetur banorët dhe pa marrë zyrtarisht pëlqimin e komuniteteve vendore sic e kërkon Kushtetuta. “Si shpjegohet që pas një viti në detyrë, nuk ka ende një investim publik, një kantier ndërtimi, një vend të ri pune? Pse nuk mban asnjë përgjegjësi dhe nuk thua asnjë fjalë për bilancin më tragjik të minierave, ku për një vit kanë humbur jetën më shumë se 13 punëtorë? Përse është inkriminuar administrata me trafikantë e rrëmbyes fëmijësh, nga drejtoritë e rretheve e deri tek Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës? Përse pas një viti në pushtet, asnjë legalizim nuk është bërë falas, shëndetësia është më e shtrenjtë, të gjithë treguesit e rendit janë përkeqësuar, dhe janë humbur mijëra vende pune nga rritja e taksave?”, tha Pollo, duke kërkuar nga kreu i qeverisë  se pse nuk po zbaton vendimet e gjykatës dhe duke e akuzuar atë për atë cka po ndodh me zyrat e punësimit, pas skandalit të Sarandës.

 

Rama: Opozita më llafazane në këto 23 vite, për deputetët e PS-së kemi dëshmi penaliteti

Kryeministri Rama ka sqaruar heshtjen e tij lidhur me akuzat e opozitës për inkriminimin e Parlamentit dhe goditjen e deputetit demokrat, ku tha se rastet e dhunës verbale apo fizike nuk meritojnë asgjë tjetër përveç dënimit. “Unë dhe ne i kemi dënuar moralisht, por dhe sipas rregullores së parlamentit, pa parë majtas-djathtas të gjithë ata që janë përfshirë në rastet e dhunës dhe në sjellje që nuk i bëjnë asnjë nder Kuvendit dhe popullit shqiptar. Opozitë me llafazane se kjo dhe më prezente me llafe në gjithçka që përfshihet ky popull thashetheme nuk ka, dhe përpjekje për ti mbyllur gojën nuk ka. Opozita është futur në një proces vetëposhtërimi, dhe i mungon një strategji pa platformë dhe pa projekt. Kjo opozitë nuk ka asnjë projekt politikë, dhe vjen e xhiron në boshllëk duke akuzuar”, tha Rama. Ndërkaq pyetjes nëse ka trafikantë e kriminelë në Parlament, kreu i qeverisë iu përgjigj duke thënë se,: “ Flas për grupin parlamentar të PS, para se të përpilonim listën kemi kërkuar dëshmi penaliteti. Dhe dëshmi penaliteti janë ato që kush sot ka bërë cfarë dhe kush është i pastër apo i papastër në drejtësi. Kush është i gatshëm të shtojë të tjera, unë nuk kam arsye të besoj asgjë nga ato broçkulla që thotë opozita”.

 

Skandali i Sarandës/ Berisha: Rama mbrojti pedofilin, sulmoi opozitën

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha akuzoi dje kreun e qeverisë Edi Rama se mbrojti protagonistin e skandalit të Sarandës, duke vazhduar sulmet ndaj opozitës. Sipas deputeti demokrat, : “denoncimin e ngjarjes dhe të heshtjes për 36 orë të Ramës për ngjarjen, denoncimin e publikimit me urdhër të Ramës dhe në kundërshtim me ligjin të emrit të nënës që rrit tre jetim apo kërcënimin e saj me prerje koke, Edvin Kristaq Rama e quajti sot një “turp po kaq të madh” qe opozita po ripërtyp cdo ditë sa vet kërkesën e Canës së tij për marrëdhënie seksuale me 14 vjecaren. Rama mbrojti Canën sepse, pasi heshti si fija barit 36 orët e para për superskandalin, ai më pas nuk foli, nuk iu referua kurrë, nuk i kërkoi asnjëherë ndjesë, nuk shprehu dhimbje apo solidaritet nënës që rrit tre jetim dhe fëmijëve të saj të mjerë për traumën e tmerrshme që u shkaktoi atyre sekretari i PS për Saranden, mëkëmbësë i sivllaut të tij”.

 

Qëndrimi/ PD: Kryeministri i ka hapur dyert e Parlamentit, deputetëve me precedent penalë

Partia Demokratike ka vazhduar dje denoncimin ndaj çështjes që lidhet me goditjen e deputetit demokrat si edhe për atë që opozita e cilëson si fenomenin e inkriminimit të Kuvendit. Sipas koordinatores për mediat të Partisë Demokratike Silvi Bardhi, faktet tronditëse që dëshmojnë inkriminimin e Parlamentit, njihen prej 42 ditësh. Në këtë kontekst, ajo tha se çdo qytetar e di që kreu i qeverisë i ka hapur dyert parlamenteve të inkriminuar. “Çdo qytetar i vendit ka mësuar se Edi Rama i ka hapur dyert e Parlamentit, deputetëve me precedent penalë, si Arben Ndoka, i dënuar me 7 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi. Dhe çdo qytetar i vendit u bë dëshmitar i skenarit të Ramës, të goditjes dhe kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të opozitës, prej këtyre deputetëve. Ka mesa duket një arsye të fortë, pse Edi Rama ka futur në parlament deputetë me të kaluar kriminale.  Për të shantazhuar opozitën, për ti mbyllur asaj gojën. Por letrat janë hapur dhe tashmë gjithë publiku i di emrat, faktet provat.”, theksoi Bardhi.  Më tej, në deklaratë, kordinatorja e PD-së theksoi se kreu i qeverisë hesht prej 42 ditësh për këtë çështje, edhe pse sipas saj, ai është hartuesi i skenarëve të dhunës anti-opozitë. “Pavarësisht se me firmën dhe vulën e tij gëzojnë sot mandatin dhe imunitetin e deputetit persona me precedent penalë. Faktet e inkriminimit të Parlamentit nuk heshtën dot, dhe pse hesht Edi Rama prej 42 ditësh. Përkundrazi, faktet rëndojnë më shumë sa më shumë kohë kalon dhe sa më shumë thellohet papërgjegjshmëria e mosllogaridhënia e Kryeministrit”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency