Krimi te ish-fusha e Aviacionit / Efektivi i SHISH, Xhevair Mzhika, vret pronarin e servisit për një gomë

0
222

Sonila Mesareja

Policia shpall në kërkim autorin, konflikti me vëllezërit nga Saranda për një gomë me difekt të blerë një javë më parë

 

vrasje3Pakënaqësia për blerjen e një gome të dëmtuar, e cila i ka shkaktuar më pas aksident familjes së tij, ka bërë që një efektiv i SHISH të konfliktohet fizikisht dhe më pas të përdorë armën e shërbimit dhe të vrasë njërin nga pronarët e servisit. Viktimë e kësaj ngjarje ka mbetur 33-vjeçari Florian Selmani, i cili së bashku me vëllanë e tij prej një viti punon në servisin e marrë me qira në zonë  e njohur si ish-fusha e Aviacionit. Ndërkohë që ai autor është identifikuar Xhevair Mzhika, efektiv i SHISH, i cili pas krimit është larguar nga vendngjarje, ndërsa është shpallur në kërkim nga policia.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 tek “ish-fusha e Aviacionit”, ndërsa mësohet se fillimisht 33-vjeçari ka mbetur i plagosur por ka humbur jetën rrugës për në spital. Sipas burimeve nga vendngjarja mësohet se Florian Selmani nga Saranda, 33 vjeç, ka qenë duke punuar në biznesin e marrë më qira bashkë me të vëllanë kur është qëlluar dy herë me pistoletë nga efektivi i Shërbimit Informativ Shtetëror. Nga të dhënat e policies, autori i vrasjes Xhevair Mzhika, 45 vjeç, ka shkuar në gomisterinë e Selmanit për t’u ankuar mbi cilësinë e një gome të montuar nga 33-vjecari, e cila i kishte plasur duke udhëtuar me makinë në afërsi të Kthesës së Kamzës. Plasja e gomës ka shkaktuar një aksident të lehtë pas dëmtime, ndërsa në makinë kishte familjen e tij. Sipas policisë, Mzhika, është kthyer pas ka debatuar ashpër me Florian Selmanin dhe vëllanë e këtij të fundit, duke kërkuar llogari për cilësinë e gomës së vendosur. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se Mzhika ka qëlluar dy herë në drejtim të 33-vjeçarit duke e lënë të plagosur rëndë. Banorë të zonës bënë të mundur transportimin e tij për në spitalin e Traumës, por Florian Selmani humbi jetën rrugës nga plagët e marra. Dyshohet se efektivi i SHISH ka përdorur për krimin armën e shërbimit, por pritet ekspertiza për të vërtetuar nëse është e njëjta armë apo jo. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit por ende nuk kanë mundur ta arrestojnë ndërkohë që në polici janë shoqëruar disa persona si dëshmitarë të ngjarjes së rëndë.

Konflikti

Çarja e gomës rrugës dhe një aksident që për fat nuk pati pasojë te familjarët ka bërë që efektivi i SHISH, Xhevair Mzhika t’u drejtohet vëllezërve Selmani për të kërkuar llogari për cilësinë e gomës. Mësohet se Mzhika ka debatuar ashpër me Florian Selmanin dhe më pas është larguar për t’u rikthyer për herë të dytë dhe këtë radhë të armatosur. Madje, sipas burimeve policore mësohet se mes tyre ka pasur edhe përplasje fizike, çka ka detyruar Mzikën të nxjerrë armën dhe të qëllojë ndaj 33-vjeçarit.

Kush është efektivi

Nga hetimet paraprake është zbuluar se Xhevair Mzhika është larguar nga Shërbimi Informativ në kohën kur shërbim drejtohej nga Bahri Shaqiri dhe është ripranuar në shërbim nga Visho Ajazi. Mzhika rezulton të jetë i punësuar në Departamentin e Survejimit në SHISH. Policia është duke bashkëpunuar me SHISH për të zbuluar nëse arma e përdorur në krim është ajo që Mazhika mban për arsye të detyrës apo armë pa leje.

Somario

Mësohet se Mzhika ka debatuar ashpër me Florian Selmanin duke u përplasur fizikisht dhe më pas ka nxjerrë armën duke qëlluar njërin nga dy vëllezërit Selmani

Vlorë

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të klandestinëve sirianë

Gjashtë persona u arrestuan nga policia e Vlorës sepse akuzohen si të implikuar në trafikun e klandestinëve siriane që hynin në Shqipëri nga Greqia. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Vlorës, të arrestuar janë shtetasit Berti Halili dhe Emiljano Baço nga Tirana, Alfons Çelaj, Jonas Isufaj, Mondi Popaj nga Shkodra, Artan Zejni nga Gjirokastra. Të gjithë këta persona, sipas policisë, u arrestuan në Tiranë aty ku dhe drejtonin trafikun e klandestinëve që vinin nga Greqia për në Mal te Zi, kundrejt shumave të konsiderueshme parash.

Tiranë

Grabitja e argjendarisë, arrestohet autori i dytë, Klodian Hoxhaj

Bie nga pranga edhe autori i dytë i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në pronësi të vajzës së Rrapo Sinanaj. Policia njoftoi dje se ndalimin e Klodian Hoxhaj është bërë në rrugën “Jordan Misja”. Ngjarja ndodhi në datë 6 gusht kur dy persona me armë hynë në argjendarinë e familjes Sinanaj në rrugën e Dibrës dhe pasi dhunuan pronaren morën sende me vlerë, në shumën rreth 50 mijë euro, duke u larguar me armë në dorë në sytë e shumë dëshmitarëve të cilët i kërcënuan duke qëlluar me armë në ajër. Ndërkohë që më 10 gusht u arrestua autori i parë i grabitjes. Andrea Bregasi u kap në një banesë në Durrës ku ishte fshehur pas grabitjes. Në oborrin e banesës ku ishte fshehur 23-vjeçari policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe motorrin që ishte përdorur në grabitjen e gati 50 mijë eurove mall në argjendarinë e Olta Sinanajt e cila mbeti edhe e plagosur nga goditja në kokë me qytën e pistoletës.

 

Vlorë

Vranë kamarierin në Dhërmi, autorët pranojnë krimin para gjykatës

Gjykata e Vlorës caktoi dje masën “arrest me burg” për tre të akuzuarit e vrasjes se kamarierit Denis Vyshka në lokalin e marrë me qira në Dhërmi. Ne seancen e djeshme, bashkpronarët Altin Ymeraj, Eris Zilfaj dhe kuzhineri Miklovan Zymeraj u paraqitën për masën e sigurisë ku prokurori I çështjes ka lexuar për togat e zeza dinamikën e ngjarjes dhe momentin e vrasjes së të riut. Sipas akuzës, në datën 14.08.2014, rreth orës 03:00, shtetasit Altin Ymeraj dhe Eris Zilfaj kanë vënë re se “në lokalin e tyre mungonte shuma prej 500.000 lekësh dhe për këtë arsye Ymeraj ka dërguar shtetasin Zilkaj të thërriste gjithë stafin e lokalit dhe pasi ka ardhur gjithë stafi dhe janë futur brenda në local, i kanë rreshtuar dhe u kanë thënë se i mungojnë 500.000 lekë dhe ata duhet t’i gjenin kush i kishte vjedhur. Shtetasi Altin Ymeraj mbante në dorë një vegël bujqësore dhe duke u kërkuar kush i kishte vjedhur lekët, ka gjuajtur me veglën që mbante në dorë në disa në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Denis Vyshka. Nga deklarimet e punonjësve të lokalit shtetasit D.S, R.SH, A.SH, A.O, E.T, S.M, F.K dhe K.C. ka rezultuar se shtetasit Miklovan Zymeri, Altin Ymeraj dhe Eris Zilfaj kanë qëlluar dhe torturuar me mjete të ndryshme të forta shtetasin Denis Vyshka. Pas goditjeve të vazhdueshme, shtetasi Eris Zilfaj së bashku me Miklovan Zymerin e kanë hedhur Denisin në bagazhin e automjetit të tyre tip Ford Focus me targa AA-417-AI. Në momentin e largimit, Altini i ka thënë që: “Futini një plumb kokës”. Makina drejtohej nga Erisi, ndërsa Miklovani vazhdonte e godiste Denisin nga sedilja e pasme. Pasi kanë shkuar për në Dhërmi janë kthyer, dhe pasi kanë folur në telefon me Altinin dhe u kishte thënë se ka ardhur policia, janë kthyer përsëri te lokali dhe i ka thënë Altinit se Denisin e kishin lënë në fund të rrugës”. Po sipas akuzës, nga deklarimet si persona ndaj të cilëve zhvillohen hetimet e pranojnë faktin se e kanë qëlluar duke akuzuar viktmën se i kishte vjedhur shumën prej 500.000 lekësh. Goditjet dhe rrahjet kanë zgjatur për rreth tre orë. “Nga këqyrja e kufomës ka rezultuar se në trupin e viktimës janë konstatuar dëmtime të shumta, djegie me cigare në pjesë të trupit, në pjesën e qafës është konstatuar një shirit ekimatik në trajtë horizontale, shenjë kjo që tregon se viktima është lidhur në këtë pjesë të trupit. Në këto rrethana, dyshohet se shtetasit Altin Ymeraj, Eris Zilfaj dhe Miklovan Zymeri kanë kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim” ka përfunduar prokurori.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency