Kontrolli i celularëve/ PD, qytetarëve: Mos dorëzoni kodin e IMEI-t, privatësia, e garantuar me ligj

0
182

Gëzim Saliu

telefonat celulare“Kompanitë e telefonisë të mos ia dorëzojnë qeverisë të dhënat personale të abonentëve, ndryshe do të përballen me pasojat ligjore”

 Partia Demokratike i konsideroi dje si qesharake argumentet e qeverisë në lidhje me regjistrimin e numrit IMEI të aparateve celulare, ndërkohë u bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzojnë kodin e telefonit pasi, sipas opozitës, privatësia është e garantuar me ligj. Këshilltari ligjor i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, theksoi se shoqëria civile tek ne, ekspertët ndërkombëtarë, Gjykata e Drejtësisë së Luksemburgut shprehen absolutisht kundër marrjes nga qeveria të IMEI-t, pra kodit unik personal të telefonit të çdo abonenti. “Partia Demokratike u bën edhe një herë thirrje qytetarëve të lirë të vendit, të mos dorëzojnë kodin IMEI, sepse privatësia është e shenjtë dhe e garantuar me ligj. U bëjmë thirrje kompanive të telefonisë të mos ia dorëzojnë qeverisë të dhënat personale të abonentëve, ndryshe do të përballen me pasojat ligjore dhe me bojkotin masiv të shqiptarëve”, – tha ai.

 

Kundërshtia

Për demokratët, IMEI është një nga rrugët më të sigurta të gjurmimit, përcaktimit të vendndodhjes dhe përgjimit të bisedave e mesazheve. “Dhe nëse dikush zotëron kodin tënd të IMEI-t, jeta jote kthehet në një libër të hapur. Megjithatë, Kryeministri Rama, ministrja kushërirë kanë dalë kundër gjithë botës dhe duan patjetër të përgjojnë, të hyjnë brenda privatësisë së çdo shqiptari, një e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë”, – theksoi Bardhi. Ndërkaq, ai akuzoi edhe Komisionerin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, për qëndrimin e mbajtur ndaj vendimit të qeverisë për regjistrimin e IMEI-t. “Është bërë objekt barsaletash së fundmi edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ne nuk ndërhyjmë, thotë ai, po nëse dikujt të dhënat personale do t’i keqpërdoren, atëherë ne do të reagojmë. Pra, sipas besnikut të qeverisë, dhe jo besnikut të të dhënave personale, pasi t’i jetë shkatërruar jeta dikujt, atëherë ai do të ndërhyjë”, – pohoi ai. Në fund të reagimit, Bardhi u bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzojnë kodin IMEI tek qeveria si edhe kompanive të telefonisë që të mos ia dorëzojnë qeverisë të dhënat personale të abonentëve, pasi në të kundërt, tha ai, do të përballen me pasojat ligjore dhe me bojkotin masiv të shqiptarëve. Por akuzat e opozitës janë cilësuar si të pavërteta nga ana e qeverisë, e cila reagoi pak ditë më parë për këtë çështje përmes ministres së Inovacionit Milena Harito. Kjo e fundit theksoi se qytetarët nuk do të përgjohen përmes marrjes së kodit të IMEI-t, pasi, sipas saj, qeveria me këtë praktikë synon të luftojë kontrabandën e celularëve dhe për çdo aparat celulari që hyn në Shqipëri, të paguhet taksa. Ndërkaq, ekspertët e huaj të aparateve celulare kanë deklaruar se përmes kodit IMEI mund të përgjohet çdo gjë, përfshi bisedat zanore ashtu edhe ato me shkrim. Sipas analizës së Matthew T. Barker, dy janë mjetet me të cilat gjithkush mund të përgjojë çfarëdo telefoni celular, kodi IMEI dhe aplikacioni spiun, që mund të gjendet falas dhe pa asnjë vështirësi si në platformat e aplikacioneve Android dhe Iphone, por edhe në shumë portale në internet.

 

Universitetet/ Berisha: U mbyllën dyert për të varfrit, 8 mijë të rinj u ndalohet studimi

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi se me vendimin për mbylljen e universiteteve, qeveria u heq të drejtën thuajse 8 mijë të rinjve për të vazhduar studimet e larta. “Mbyllja e dyerve të universiteteve për 8 mijë djem dhe vajza kryesisht të shtresave të varfra është ndëshkimi i dyshes Rama-Meta për këta të rinj dhe familjet e tyre. Përveç kësaj, rritja këtë vit me 30%, pra në nivelin më të lartë në kontinent të tarifave të regjistrimit të studenteve në universitetet publike, bëjnë të pamundur për mijëra studente të tjerë që të përballojnë këtë rritje dhe i detyron ata të ndërpresin studimet. Kjo është një politike antisociale”, – tha ai. Më tej, Berisha tha se studimet në universitet për fëmijët e të pasurve, pavarësisht nga rezultati në shkolla, nuk ka qenë kurrë problem, pasi, sipas tij, për ata dyert e universiteteve janë gjithnjë të hapura. “E kundërta mund të thuhet për fëmijët e familjeve të varfra. Për të varfrit, në dekada dhe shekuj, universitetet në tërësi kanë qenë mollë e ndaluar. Vetëm nga fillimi i viteve ‘80 në vendet e lira u kalua në politikën e dyerve të hapura. Nga kjo politikë përfituan më të varfrit e këtyre vendeve. Kjo politikë solli mbitrefishimin e numrit të studentëve dhe të diplomuarve në universitete në këto vende dhe në botë në tërësi”, – deklaroi ish-kreu i qeverisë. Më tej deputeti demokrat nënvizoi se në Shqipëri në 45 vitet e diktaturës, hyrja në universitet ishte privilegj që i mohohej shumicës, ku numri i studentëve për 1 mijë banorë ishte më i ulëti në Evropë, me 2-3 studentë dhe ku, sipas tij, me 2% e popullatës ishin me diplomë universitare. “Nga viti 2005 u kalua në politikën e dyerve të hapura dhe numri i studentëve u rrit nga 12 në 52 për 1 mijë banorë, 71% e maturantëve ndiqnin universitetet. Edvin Kristaq Rama mbylli dyert e universiteteve për të varfrit e vendit dhe u rikthye tek politika e etërve të tij të pashpirt. Vetëm protesta e fuqishme rinore do t’u kthejë të rinjve universitetet që meritojnë! Shtatori po vjen, protesta na thërret!”, – mbylli komentin e tij Berisha.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency