Hetimet për vjedhjen e Bankës/ Filmimet e 3 viteve, Prokuroria kërkesë kompanisë që administron kamerat e Thesarit

0
131

Sonila Mesareja

 prokuroria e pergjithshmeAkuza e kryeqytetit pret më 18 gusht hardiskun me pamjet e 3 viteve të kaluara, deri tani disponohen nga Thesari vetëm pamjet e 40 ditëve

Hetimet për supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë vijojnë. Pas zbulimit skandaloz se Thesari nuk mbante të arkivuara filmime të mëparshme dhe se çdo 40 ditë filmimet e kamerave të sigurisë vetasgjësoheshin, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar kompanisë private që ka në menaxhim sistemin e kamerave të vendosura në këto ambiente. Të hënën e javës së ardhshme, më 18 gusht, grupi hetimor mund të ketë në dispozicion një nga provat më të rëndësishme që do të zbulojë gjithë skenarin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari. Fjala është për pamjet e hardiskut të kamerave të sigurisë të 3 viteve të fundit të departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë. Organi hetimor i ka kërkuar kompanisë private që ka në menaxhim sistemin e kamerave në institucionin e vjedhur që t’i vërë në dispozicion të gjitha filmimet që të shikohet çdo lëvizje e personave nën hetim.

 

Kërkesa

Kërkesa zyrtare është bërë nga Prokuroria e Tiranës dhe sipas burimeve ende nga ana e kompanisë nuk është kthyer një përgjigje e saktë për ekzistencën apo jo të pamjeve në fjalë, por ka konfirmuar se javën që vjen do të vërë në dispozicion materialin filmik që ka në serverët e saj. Në bazë të ligjit, çdo kompani që përgjigjet për sistemin e kamerave në institucionet, qoftë edhe shtetërore, ka detyrimin që të ruajë në server për 3 vjet pamjet filmike të fiksuara nga kamerat, në këtë rast të vendosura në arkën stok të thesarit apo edhe në ambientet e tjera të këtij institucioni. Megjithatë, sipas burimeve nga akuza, kompania nuk ka dhënë përgjigje konfirmuese për ekzistencën e këtyre pamjeve në server, por gjithsesi të hënën pritet të këtë një ballafaqim me hetuesit për këtë çështje. Ndërkohë që vetë institucioni në server ruan vetëm për 40 ditë pamjet filmike, të cilat më pas fshihen.

 

Sekuestrimi

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se kanë në dispozicion pamjet filmike vetëm të 40-ditëshit të fundit, pra pamjet e muajit korrik dhe për një pjesë të qershorit. Ato janë sekuestruar nga hetuesit, megjithatë nuk ofron prova të mjaftueshme për të provuar akuzat e ngritura ndaj Ardian Bitrajt dhe kolegëve të tij të punës.

 

Bashkëpunimi

Prokuroria bën me dije se tashmë ka dy bashkëpunëtorë për zbardhjen e vjedhjes kolosale në Bankën e Shqipërisë. Ndërsa tentonte t’i bënte bashkëpunëtorë të drejtësisë, duket se dy nga 10 të arrestuarit, përkatësisht Petrit Ramohitaj dhe Bashkim Xhilaga, kanë pranuar të ndihmojnë drejtësinë në zbardhjen e ngjarjes. Bashkëpunimi do t’u sjellë atyre përfitime në gjykatë, siç është ulja e dënimit.

 

Fier/ Përfituan paratë e CEZ-it, nën hetim pesë punonjës të Postës Shqiptare

Pesë punonjës të Postës Shqiptare janë marrë nën hetim, pasi paratë që qytetarët derdhin për llogari të kompanisë CEZ, ata i fusnin në xhepat e tyre. Kjo është akuza për të cilën drejtoria e Policisë Qarkut Fier ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 5 punonjës të filialit e Postës shqiptare Fier. Po sipas të njëjtave burime, ata akuzohen për akuzohen për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Ndaj tyre ishte kryer një hetim një mujor, ndërsa më 13 gusht kishte nisur dhe procedimi penal ndaj 5 punonjësve të postës të cilët momentalisht janë të identifikuar vetëm me iniciale: Z. B., B. K., M. B., S. I. dhe L. S. Nga një reagim i Postës Shqiptare mësohet se shkeljet e 5 punonjësve janë gjetur nga një kontroll i Drejtorisë së Postës në Fier. Denoncimi në polici është bërë nga vetë posta, ndërsa po vijojnë kontrollet për shkelje edhe në filialet e tjera në të gjithë vendin.

 

Lezhë/ Vidhnin banesat e pushuesve, arrestohet banda e hajdutëve

Policia e Lezhës shkatërroi një bandë hajdutësh të banesave të pushimit në zonën bregdetare të Shëngjinit. Sipas burimeve policore, tre të rinj kanë rënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Të arrestuar janë Klisman Marku, 18 vjeç, Ledio Jaku, 20 vjeç, dhe Ndue Lleshi, 17 vjeç. Policia e Lezhës bën me dije se ndalimi i tyre erdhi pas një hetimi 1 mujor të policisë, me metoda të specializuara. Të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim në bashkëpunim me njëri-tjetrin hynin ne banesa duke vjedhur turistët që janë me pushime në Shëngjin. Ata vidhnin kryesisht telefona celularë, ora te shtrenjta, apo dhe shuma parash. Edhe në momentin e arrestimit, ata u kapën në flagrancë duke u përgatitur për të vjedhur në një banesë. Gjatë kontrollit nga policia, tre të rinjve të arrestuar iu sekuestruan 30 kopje çelësash banesash. Ndërkaq materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

 

Tiranë/ Rinas, ekstradohet nga Italia i dënuari për vrasje Alfred Preçi

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka ekstraduar dy ditë më parë nga Italia në drejtim të Shqipërisë, shtetasin Alfred Preçi, 32 vjeç, nga Fushë-Miloti, Kurbin. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendim datë 22.1.2010, e ka dënuar me 9 vjet burgim shtetasin Alfred Preçi, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 76 dhe 278/2 Kodi Penal. I ekstraduari Alfred Preçi, më datë 23.2.2009, në fshatin Fushë-Milot, Kurbin, qarku Lezhë, ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin Eriton L.. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana, me Interpol Romën, më datën 18.6.2014, u bë i mundur arrestimi në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Alfred Preçi. Në aeroportin “Nënë Tereza“ në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency