Taksa e rrugës/ Kosova, tolerante me qytetarët: S’ka pagesë për Rrugën e Kombit!

0
141

Ervin Kaduku

rruga e kombit –  Por, “kërbaç” shoferëve kosovarë që ngasin makina të firmave shqiptare që operojnë në Republikën e Kosovës…

 Çudira në Kosovë… Pavarësisht nga një frymë “idilike”, që u konstatua vetëm gjatë muajve të parë pas ardhjes në pushtet të socialistëve të Edi Ramës dhe disa mbledhjeve-show të përbashkëta të kabineteve qeveritare të të dyja vendeve, secila qeveri po vepron “me kokë të vet” dhe duket se nuk ka asnjë lloj koordinimi të premtuar, të paktën përsa u përket çështjeve që u interesojnë qytetarëve të të dyja vendeve, si p.sh. fushat e transportit, tregtisë dhe turizmit.

 

Kosova godet shoferët e makinave shqiptare

Kohëve të fundit, Dogana dhe Policia e Kosovës kanë shtuar kontrollin për automjetet me targa të huaja, të cilat drejtohen nga shtetas të Kosovës, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve. Por kjo më shumë nga të gjithë ka prekur biznese të Shqipërisë, të cilat kanë përfaqësitë e tyre në Kosovë, duke krijuar kështu pengesa në shfrytëzimin e automjeteve me targa shqiptare nëpër territorin e Kosovës. Jo pak shoferë kosovarë, të cilët janë të punësuar në biznese të Shqipërisë, që operojnë në Kosovë, ndalohen nga policia dhe doganat, me arsyetimin se nuk kanë të drejtë të ngasin automjetin me targa shqiptare, pavarësisht prej autorizimit nga kompania. Në këtë rast ata rrezikojnë gjobë dhe konfiskim të automjetit.

Një qasje e tillë konsiderohet si pengesë për funksionimin e bizneseve nga Aleanca Kosovare e Bizneseve. Drejtori Agim Shahini ka thënë se ka kërkuar nga dogana që të ofrojë zgjidhje afatgjatë.

“Kërkojmë që bizneset e Shqipërisë që operojnë në Kosovë e që kanë mjetet e tyre, të mos pengohen e të operojnë lirshëm në Kosovë sepse po punësojnë njerëz këtu, si dhe kanë nevojë t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre. Për këtë, kemi hasur në mirëkuptim me palën e doganës, të cilët kanë garantuar se kjo nuk do të ndodhë, gjithsesi kemi raste kur atyre u janë sekuestruar makinat, duke u trajtuar njësoj si me të huajt e tjerë. Mendoj se doganat e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit ndaj bizneseve”, – ka thënë Shahini.

Në fakt, është ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, i cili nuk lejon drejtimin e automjetit me targa të huaja nga shtetasit e Kosovës. Ekziston periudha prej 8 ditësh, brenda së cilës duhet të paguhet dogana e automjetit me targa të huaja, i cili konsiderohet si import. Kjo, pa dyshim, vlen edhe për automjetet që hyjnë nga Shqipëria. “Mjeti i regjistruar jashtë territorit të Kosovës nuk mund të drejtohet nga personi tjetër ose nga personi i autorizuar. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm në rastet kur pronari i mjetit është prezent. Policia e Kosovës, në rastet kur has persona të tillë, që janë në kundërshtim me këtë nen, ndërmerr veprimet e saj duke ndaluar mjetin dhe menjëherë kontakton me doganën e Kosovës, e cila është kompetente për të vazhduar me procedura të mëtejshme”, – është shprehur Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Por, edhe në këtë pikë duket se ka një zgjidhje. Kodi Doganor i Kosovës, përkatësisht udhëzimi administrativ që interpreton Kodin, thotë se për të pasur mundësi që një biznes i huaj t’i shfrytëzojë makinat e veta në Kosovë, duhet që shoferi – i cili është i punësuar në kompani – ta ketë të shkruar detyrën e tij në kontratën e punës.

Sipas zyrtarëve të doganës, shoferi duhet të mbajë edhe një kopje të kontratës në mesin e dokumenteve të automjeteve, me të cilin do të dëshmojë se ka të drejtë ta drejtojë makinën e punës me targa të huaja. Kjo përfshin bizneset e të gjitha shteteve të huaja, pa ndonjë dallim për Shqipërinë.

“Drejtuesit e makinave, që janë të përfaqësive të kompanive të huaja që operojnë në Kosovë, qoftë të Shqipërisë apo të vendeve të tjera, duhen të jenë të pajisur me autorizimin që tregon se është i punësuar i asaj kompanie dhe ka një kontratë të vlefshme, në të cilën precizohet saktësisht që ky person ka të drejtë të drejtojë automjetin brenda territorit të Kosovës. Përndryshe, sa i përket dënimeve, deri tani s’ka pasur asnjë gjobë për asnjë prej këtyre përfaqësive të bizneseve, pavarësisht se kemi pasur ndalime për të kontrolluar nëse ai automjet po përdoret për qëllimet e biznesit, apo thjesht për të shmangur taksat”, – shprehet Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Në një rast tjetër, kur automjeti shfrytëzohet në mënyrë sistematike pa e lëshuar Kosovën, atëherë Kodi Doganor parasheh importin e përkohshëm në këtë rast të automjeteve nga kompania. Për ta bërë importin e përkohshëm, një biznes i huaj duhet të ofrojë garanci bankare në vlerën e taksës doganore të automjetit. Bizneset e interesuara duhet të aplikojnë në doganë, ndërsa garancia bankare mund t’u kthehet në momentin që kompania vendos ta kthejë automjetin në vendin e origjinës.

 

Taksa e rrugës

Ndryshe nga Këshilli shqiptar i Ministrave, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës thanë këto ditë se ende nuk parashikohet të taksohen automjetet që shfrytëzojnë autostradën tek pjesa kosovare e Rrugës së Kombit, shkruan “Koha ditore”. Lah Nitaj, këshilltar politik i ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë se shqetësimet e qytetarëve, që kishin kaluar në këtë segment dhe kishin parë mbishkrime “Pagesë rrugore”, janë të kota, pasi tabelat e vendosura më parë në rrugë kishin qenë të mbuluara dhe së fundi mbulesat me ngjitëse kanë rënë vende-vende. “Akoma nuk është caktuar diçka e tillë lidhur me pagesën. Nuk do të ketë pagesë edhe për një kohë të pacaktuar”, – ka thënë ai.

Nitaj nuk ishte në gjendje të thoshte se kur do të taksohen qytetarët që kalojnë nëpërmjet autostradës, çfarë tarifash do të paguajnë dhe në sa pika do të bëjnë pagesa. Megjithatë, ai tha se Ministria e Infrastrukturës është interesuar për praktikat në rajon dhe Evropë sa i përket mënyrës se si do të realizohen pagesat në një të ardhme ende me kohë të panjohur.

 

Tregtia

Këto ngjarje ndodhin në një kohë kur po përjetohet edhe një skandal i qeverisë “Rama” në marrëdhëniet “e rilindura” me Kosovën. Sikurse ka raportuar pak ditë më parë “Standard” (31 korrik 2014), Kosova duhet t’i përgjigjet në mënyrë të ndërsjellë Shqipërisë, e cila po bllokon depërtimin e produkteve mjekësore “Made in Kosova” në tregun shqiptar, tha kryetari i Odës së Tregtisë së Kosovës, Safet Gërxhaliu në një konferencë për media, në të cilën pohoi se raportet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mbeten shqetësuese. Kjo deklaratë është tejet e rëndë dhe shpreh faktin se, pavarësisht nga tentativat për të paraqitur “rozë”, marrëdhëniet zyrtare midis dy vendeve nuk janë aspak normale, të paktën në sferën ekonomike.

“65 produkte farmaceutike të Shqipërisë janë të pranishme në tregun tonë, ndërsa produktet “Made in Kosova” nuk mund të jenë të pranishme në tregun e Shqipërisë. Andaj i bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë të përdorë masa reciprociteti për produktet e Shqipërisë”, – tha Gërxhaliu. Edhe Arian Zeka, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, po ashtu kërkoj që urgjentisht të zgjidhet problemi, duke shtuar se përveç deklaratave politike, shfaqjeve teatrale të dyanshme, duhet të krijohen kushte reale për zhbllokimin e produkteve farmaceutike të Kosovës. “Këto barriera të vendosura nga Shqipëria janë shkelje e rregullave të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe CEFTA-s”, – tha Zeka.

Drejtori ekzekutiv i Trepharm, Mërgim Prishtina, theksoi se produktet e kësaj ndërmarrje janë tashme që katër vite të prezantuara suksesshëm në tregun e Kosovës, ndërkohë që refuzimi nga Shqipëria vazhdon nga qeveria Berisha dhe qeveria e re. Refuzimi i fundit, sipas tij, është i pakuptimtë, i pajustifikueshëm dhe joligjorë.

“Autoritetet shqiptare nuk i njohin certifikatat e institucioneve të Kosovës, edhe pse produktet e Trepharm i plotësojnë të gjitha kushtet dhe standardet evropiane të cilësisë”, – theksoi Prishtina.

Një pyetje retorike: Ku përfundoi atmosfera “rozë” e paraqitur me bujë si një risi e padëgjuar më parë nga Edi Rama, shoqëruar me ca mbledhje të përbashkëta të ty Ekzekutivëve, që në fakt nuk zgjidhnin asgjë? Sikurse e tregojnë faktet, vazhdojnë problemet doganore me bllokada të njëanshme, të tilla pikërisht si ato që ish-opozita, sot në pushtet, i ka anatemuar për vite me radhë për qeverinë e mëparshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency