Rendi e siguria/ Për 24 orë, 7 të vrarë. Berisha: Drejt kaosit si kurrë më parë. Ristani: Shqipëria, vend i pasigurt  

0
144

 Gëzim Saliu

BERISHAIsh-kryeministri: Bilanc lufte, Rama loz basketboll në Vlorë, kurse Tahiri pushime në jahte ultraluksoze me 30 mijë euro dita

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, shprehu dje shqetësim për situatën e rendit në vend, duke theksuar se vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 7 të vrarë dhe të plagosur te moshave 4 – 50 vjeç. Sipas tij, largimi i ekzekutivit dhe Kryeministrit Rama është përgjigjja e vetme ndaj krimit dhe qeveritarëve kumbar të tij. “Le të pyesim Edvinin se kur do lodhen vrasësit së lari hesapet në këtë vend?! Rendi është drejt kaosit si kurrë më parë. Vetëm në muajin korrik ka pasur 13 viktima e të vrarë kundrejt 10 të vrarëve në qershor dhe në korrikun e vitit 2013, pra 22% më shumë, ka patur 54 të plagosur kundrejt 41 të plagosurve në qershor 2013, apo 13 të plagosur më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, apo thënë ndryshe 26% më shumë. Në korrik 2014 kishte 41 vetëvrasje dhe 39 tentativa për vetëvrasje, kundrejt 33 vetëvrasjeve dhe 30 tentativave për vetëvrasje në qershorin që kaloi”, – shkruante Berisha në rrjetin social “FB”. Më tej, ai theksoi se kemi të bëjmë me një bilanc lufte, pasi në 24 orët e fundit ka 7 të vrarë dhe të plagosur të moshave 4 – 50 vjeç. “Rama loz basketboll në Vlorë, kurse zëdhënësi i tij për rendin bën pushime në jahte ultraluksoze me 170 mijë euro java, ose thuajse 30 mijë euro dita. Për të justifikuar dështimin total dhe degradimin e rendit drejt kaosit, Rama, si asnjë politikan tjetër, inkurajoi krimin me deklaratën e tij se “vrasjet janë larje hesapesh mes kriminelëve të dorës së pare”. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të pyesim Edvinin, që premtoi se për 300 dite do vendoste rendin, edhe për sa kohë nuk do lodhen vrasësit së lari hesapet, që në Shqipëri të vendoset rendi?”, – theksoi ish-kreu i qeverisë. Në mbyllje te komentit të tij, Berisha i bëri thirrje qytetarëve të ngrihen kundër qeverisë e të kërkojnë largimin e Kryeministrit Rama. “Të dashur qytetarë, këta janë byrazerët e krimit dhe trafiqeve, ndaj dhe sundimi i krimit do të bëhet çdo ditë e më i fortë në vendin tonë. “Rama IK” është përgjigja e vetme ndaj krimit dhe qeveritarëve kumbar të tij!!”, – përfundoi Berisha.

 

Ristani

Ndërkaq, më herët nga selia blu, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, duke marrë shkas nga situata e rendit në vend, ironizoi Kryeministrin Edi Rama, i cili së fundmi bëri me dije se po kalon disa ditë pushime me familjen në bregdetin e Vlorës. Sipas deputetit demokrat, Rama ngrohet në diell në kohën që në Shqipëri kanë pllakosur vrasjet. “Në Shqipëri, për fat të keq, kanë pllakosur vrasjet, ndërsa Edi Rama kujdeset për reklamat në rrugë dhe propagandën qeveritare, në krye të mashtrimit më të madh për rendin dhe sigurinë në vend. Për 24 orë, vrasje në Vlorë, vrasje dhe plagosje në Tropojë, atentat në Shkodër. Viktima nga aksidentet. Kryeministri që shkatërroi policinë e shtetit, me ministrin e tij të paaftë, nuk dihet se ku ngrohen në diell”, – tha ai. Më tej, Ristani pohoi se Kryeministri dhe ministri i Rendit kanë lënë vendin në kaos, ku pasiguria ka arritur kulmin në vend. Sipas tij, Rama dhe Tahiri nuk kanë shprehur asnjë fjalë për vrasjet që kanë tronditur vendin apo për aksidentet e shumta me pasoja dramatike. “Shqipëria është bërë një vend i pasigurt dhe krimi sfidon çdo ditë, nën hundën e qeverisë që organizon parada për 300 ditët. Krimi sfidon çdo ditë poshtë reklamave të sukseseve me rendin në 300 ditë”, – u shpreh deputeti demokrat, duke shtuar se PD që në ditët e para të qeverisë ka ngritur zërin me forcë për deprofesionalizimin e Policisë së Shtetit, për politizimin e skajshëm të saj, për shpërqendrimin e fokusit të punës së policisë dhe për humbjen e lidhjeve të saj me terrenin. “Pasojat janë kjo pasiguri që jetojmë çdo ditë”, – përmbylli deklaratën e tij, deputeti i PD-së Arben Ristani.

 

Reagimi i Ramës

“Po mos kishin bërë gjithë vitin po këtë kundër Policisë së Shtetit do thoshim gjynah u ka rënë dielli në kokë, po s’ka faj dielli . ‎Vaj medet PD”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency