PËRGJIMET TELEFONIKE/ Opozita kundër dorëzimit të të dhënave IMEI.  Ja ligjet që lejojnë marrjen e informacionit  

0
155

 Florenc Drizari

imeiPD: IMEI, qeveria thellon mashtrimin. Abonentët dhe kompanitë celulare të mos dorëzojnë të dhënat personale, në të kundërt do të përballen me ligjin dhe braktisjen e shërbimeve

Vendimi i qeverisë për regjistrimin e aparateve celulare nëpërmjet kodit IMEI vijon të kundërshtohet ashpër nga opozita si cenim i hapur i privatësisë së qytetarëve shqiptarë. Prej disa ditësh, përfaqësues të Partisë Demokratike akuzojnë publikisht Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, se nëpërmjet nismës për luftuar informalitetin në fushën e telefonisë, kanë si qëllim keqpërdorimin e të dhënave personale.

Këshilltari ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike deklaroi dje se Edi Rama po thellon mashtrimin për çështjen e IMEI-it të telefonave, si dhe po dështon të bindë qytetarët në dorëzimin e të dhënave personale. Sipas opozitës, IMEI është një e dhënë personale, unike e përdoruesit të telefonit, me anë të së cilës gjurmohet, përcaktohet vendndodhja dhe përgjohet komunikimi.

Ligji ynë për telekomunikacionin, neni 101, e mbron si të dhënë dhe përcakton rastet e dhënies së IMEI-it, vetëm atëherë kur e kërkon Prokuroria, në rrethanat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Në reagimet e tyre për median, përfaqësues të PD-së citojnë edhe vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me 8 prill të këtij viti, e cila mbrojtur IMEI-in si të dhënë personale, dhe se qeveritë nuk mund të kenë akses. Sipas opozitës, edhe ekspertë të komunikimeve elektronike shprehen se nëse dikush merr qofte edhe për pak minuat IMEI-n, atëherë të dhënat personale nuk janë më të tilla.

Opozita kundërshton argumentin e qeverisë se po merr të dhënat e IMEI-t për të luftuar kontrabandën, duke e quajtur atë si qesharak, pasi, sipas saj, që prej vitit 2009, që çdo telefon që kalon në doganat shqiptare kontrollohet dhe shënohet IMEI i tij, ndërsa thekson se nuk shënohet se kush e ka këtë telefon, pra kjo e dhënë personale ruhet.

Një ditë më parë Partia Demokratike u bëri sërish thirrje qytetarëve të mos e dorëzojnë privatësinë e tyre në duart e qeverisë, ndërsa e njëjta thirrje iu bë edhe kompanive celulare në vend, për të mos dorëzuar pranë qeverisë të dhënat e IMEI-t. Partia Demokratike paralajmëron këto të fundit se në të kundërt do të përballen me pasojat ligjore dhe me bojkotin masiv të abonentëve. “Sipas pikës 6 të nenit 101 këto të dhëna operatorët u a japin autoriteteve shtetërore sipas Kodit të Procedurës Penale me miratimin e prokurorit të Përgjithshëm për përgjim operativ dhe me miratim të Gjykatës për përgjim procedural. Në asnjë rast ky ligj nuk i jep tagrin një instance të ekzekutivit (ministrit të Financave sipas VKM) të mbledhë e të ruajë pa afat këto të dhëna. Si dhe të ketë akses të pakufizuar vetë dhe të autorizojë aksesin policisë, tatimeve, doganave etj. Praktikisht ai uzurpon pushtetin që Kushtetuta e Kodi i Procedurës penale i njeh prokurorit të Përgjithshëm e Gjykatës. Dhe mendoni që praktikisht ky ministër e të tjerë si ai do të disponojnë të dhënat personale të tre milion shqiptarëve banues në Shqipëri. Absolutisht e kundërligjshme!”, – ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo. Reagimi i opozitës vjen pak ditë pasi ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për regjistrimin e celularëve.

 

Ministrja Harito për kodin IMEI

 “Pretendimi për gjoja kontrollin e të dhënave të qytetarëve përmes celularëve është pjesë e propagandës së vjetër, që ngre akuza për të përbaltur kundërshtarin ose, edhe më keq, është rrjedhojë e budallallëkut që karakterizon të paaftit, kur duan edhe ata të thonë fjalën e tyre. Qeveria nuk ka asnjë punë me të dhënat personale të qytetarëve, por qeveria ka detyrë të luftojë kontrabandën e celularëve dhe qeveria ka gjithashtu, detyrë që për çdo aparat celulari që hyn në Shqipëri të paguhet taksa përkatëse. Kodi IMEI, i famshmi kodi IMEI, nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e komunikimit. Është vetëm një kod makineri, si me thënë një kod i shasisë së makinë apo një numër serie i një kompjuteri. Është njëlloj si të thuash që nëpërmjet kodit të shasisë së veturës, qeveria kontrollon cili është shoferi”, – tha pak ditë më parë ministrja e Shtetit për Inovacionin, Milena Harito, pas akuzave të opozitës.

 

KREU I PD-SË, LULZIM BASHA: QEVERIA MASHTRON PËR IMEI-N

“Gjendja është më skandaloze se kurrë. Nuk u janë turrur vetëm pasurive të shqiptarëve. Tani u janë turrur dhe lirive të shqiptarëve. Shikoni vendimin e fundit për të regjistruar atë që kushërira ministre na thotë! – Aq sa mund të gjendet shoferi nga shasia, aq mund të gjendet dhe përdoruesi i celularit nga IMEI. IMEI është kodi unik i aparatit të celularit, me anë të së cilit përcaktohet vendndodhja, bëhet i mundur gjurmimi dhe përgjimi i aparatit celular. Kë gënjen, se këtë edhe një fëmijë i klasës së katërt e gjen?! Dhe ti del aty e pasi e ke marrë këtë masë tërësisht të paligjshme, del dhe i mashtron shqiptarët. Të gjithë energjinë dhe paranë e taksapaguesve e përqendrojnë tek propaganda”, – ka deklaruar Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimet që ka pasur pak ditë më parë me të zgjedhurit e rinj në degët e PD-së.

 

Çfarë parashikon ligji për komunikimet elektronike (i ndryshuar) për të dhënat personale

 Neni 101

1. Pavarësisht përcaktimeve të tjera në këtë ligj, sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike detyrohen të ruajnë dhe të administrojnë, për një afat 2-vjeçar, skedarët e të dhënave për pajtimtarët e tyre.

2. Skedarët duhet të përmbajnë të dhëna në lidhje me komunikimin zanor dhe me SMS/MMS, që mundësojnë: a) identifikimin e pajtimtarëve, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre;

b) identifikimin e pajisjes fundore, të përdorur gjatë komunikimeve;

c) përcaktimin e vendndodhjes, datës, kohës, kohëzgjatjes së komunikimit dhe numrit të thirrur dhe thirrës, përfshirë të dhënat për thirrjet pa përgjigje.

3. Në rastin e komunikimeve në internet, skedari duhet të përmbajë:

a) të dhëna të nevojshme për ndjekjen dhe identifikimin e burimit/origjinimit të komunikimit:

i) identitetin e pajtimtarit (user ID) të caktuar;

ii) identitetin e pajtimtarit (user ID) dhe numrin e telefonit të caktuar për komunikimet që hyjnë në rrjetin publik telefonik;

iii) emrin dhe adresën e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar, të cilit i është caktuar një adresë IP, identitetin e përdoruesit (user ID), ose numër telefoni i caktuar gjatë kohës së komunikimit;

b) të dhëna të nevojshme për identifikimin e destinacionit të komunikimit:

i) në rastin e telefonisë në internet, identitetin e përdoruesit (user ID) ose numrin e telefonit të numrit të thirrur…

 

Neni 101/1

Shkatërrimi i të dhënave të ruajtura

Operatorët e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike janë të detyruar të shkatërrojnë të dhënat e ruajtura, në përfundim të afatit të ruajtjes, kur nuk është parashikuar ndryshe në legjislacionin në fuqi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency