Ligji/ Dëshmia e trashëgimisë te noterët, procedurat dhe kostot për qytetarët

0
6373

Sonila Mesareja

vula noter Çelja e dëshmisë, kur mund të ankimohet nga i interesuari dhe cilit organ duhet t’i drejtohet. Gabimet në dëshmi, kujt mund t’i drejtohesh për ndreqjen e tyre

Pas kalimit të nxjerrjes së dëshmive të trashëgimisë te noterët, qytetarëve u është shkurtuar mjaft koha e nxjerrjes së tyre. Tashmë ata nuk enden dyerve të gjykatës duke regjistruar kërkesën, duke pritur të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin apo kohën e gjatë të seancave deri në daljen e vendimit për nxjerrjen e kësaj dëshmie. Tashmë, sipas noterëve, pas bërjes së kërkesës për çeljen e dëshmisë së trashëgimisë, brenda dy ditëve bëhet verifikimi në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe nëse nuk konstatohen problem, bëhet çelja e dëshmisë. Më pas, një kopje e noterizuar e kësaj dëshmie dorëzohet në Hipotekë, ndërsa tjetra mbahet nga i interesuari. Origjinali mbahet nga noteri, i cili e regjistron çeljen e kësaj dëshmie në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve. Sipas noterëve, nuk përben asnjë problem koha për çeljen e kësaj dëshmie, vetëm se për personat që kanë interesa pronash, për shitje apo dhënie për ndërtim, duhet patjetër të kryejnë këtë procedurë për kalimin e pronësisë në emër të tyre.

 

 Procedura

 Për të nxjerrë dëshminë e trashëgimisë duhet të dorëzohen nga familjarët certifikata e vdekjes së personit që është pjesë e trashëgimisë apo pronar i kësaj trashëgimie, si dhe certifikatat e të gjithë familjarëve të tij që lë pas. Pasi merr këto dokumente, për një periudhë dyditore, noteri verifikon në Dhomën Kombëtare të Noterisë vërtetësinë e dokumentacionit dhe nëse personi që ka vdekur ka lënë ndonjë testament para vdekjes. Nëse nuk ka lënë, atëherë noteri përfundon procedurën dhe nxjerr dëshminë e trashëgimisë, ku origjinalin e mban vetë dhe dy kopje të njësuara me origjinalin dhe të noterizuara ia jep personit që kërkon çeljen e trashëgimisë. Kjo procedurë mund të nisë menjëherë pas vdekjes së personit apo dhe më pas. Pas nxjerrjes së kësaj dëshmie, familjarët e çojnë në kopje në Hipotekë, duke bërë të mundur përmes këtij dokumenti kalimin e pronave në emër të gjithë personave që janë pjesë e familjes së trashëgimlënësit. Lidhur me tarifën që duhet të paguajë qytetari pranë noterëve, bëhet me dije se nxjerrja e dëshmisë së trashëgimisë kushton 12 mijë lekë të reja. Të gjitha dëshmitë e trashëgimisë të lëshuara nga noterët regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve.

 

Çelja e trashëgimisë

Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar, fillon procedurat e tij të verifikimit para se të lëshojë këtë dokument për familjarët e interesuar. Së pari, ai kontrollon kompetencën vendore të tij në përputhje me parashikimet e Kodit Civil. Më pas, dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, së cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit. Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimisë nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është bërë çelja e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter. Brenda tri ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri drejton personin e interesuar tek noteri i cili ka çelur trashëgiminë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka. Nëse nuk ka ndonjë testament, procedon me çeljen e trashëgimisë ligjore /testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit. Për rastet e trashëgimisë testamentare, noteri duhet të kontrollojë elementet e pavlefshmërisë, parashikuar nga Kodi Civil, dhe të lëshojë dëshminë e trashëgimisë vetëm në rast se asnjë prej këtyre elementeve nuk ka prekur testamentin. Në rastin kur testamenti preket nga një element pavlefshmërie, noteri, me vendim të arsyetuar, refuzon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i dërgon palët përpara gjykatës kompetente për zgjidhjen e çështjes.

 

Përmbajtja

Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga noteri në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Civil, si dhe në këtë ligjin për “Noterinë”. Përveç elementeve të parashikuara në nenin 49 të ligjit, dëshmia e trashëgimisë duhet të përmbajë bazën ligjore dhe elementet mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë; të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin; të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes; të dhënat e trashëgimtarëve: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa; të dhëna mbi regjimin pasuror martesor të trashëgimlënësit; të dhëna mbi padenjësinë ose heqjen dorë nga trashëgimi, nëse ka; të dhëna mbi legun dhe barrën, nëse ka; pjesët takuese të secilit prej trashëgimtarëve; çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi. Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë të njësuara me origjinalin. Noteri shënon në një regjistër të posaçëm, të dhënat e çdo personi të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.

 

Ankimi në gjykatë

 Pavarësisht parashikimeve të nenit 41, të ligjit “Për noterinë”, ndaj çdo vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo shfuqizimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë nga çdo person që ka një interes të ligjshëm, në përputhje me nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile. Gjykata, në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta, ndreq, ndryshon ose shfuqizon dëshminë e trashëgimisë ose urdhëron noterin të ndreqë, ndryshojë a shfuqizojë dëshminë e trashëgimisë.

 

Kush e pezullon dëshminë e trashëgimisë

Pezullimi i efekteve të dëshmisë së trashëgimisë ndodh nga noteri dhe gjykata. Efektet e dëshmisë së trashëgimisë mund të pezullohen nga noteri me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, gjatë procedurës së ndryshimit ose revokimit të dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimit të paragrafit 2, të nenit 53/2; si dhe nga gjykata gjatë shqyrtimit të padisë sipas përcaktimit të nenit 53/3. Gjykata ose noteri, sipas rastit, njoftojnë menjëherë për pezullimin e efekteve të dëshmisë së trashëgimisë, të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1,të këtij ligji. Në rast pezullimi të efekteve të dëshmisë së trashëgimisë dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij pezullimi nuk mund të lëshohen kopje të tjera të dëshmisë së trashëgimisë.

 

Ku regjistrohet dëshmia e trashëgimisë

Pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë krijohet Regjistri Kombëtar i Testamenteve, në të cilin noterët duhet të regjistrojnë testamentet e nënshkruar pranë tyre dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit, në të cilin noterët regjistrojnë çeljen e një trashëgimie ligjore apo testamentare. Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit administrohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë. Rregullat e hollësishme për Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe për Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit janë miratuar me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

 

Ndreqja e gabimeve apo revokimi i dëshmisë së trashëgimisë

 Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim ose në llogari apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë. Gjithashtu, noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndryshojë ose revokojë dëshminë e trashëgimisë në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta. Noteri njofton menjëherë të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, për çdo ndreqje gabimesh, ndryshim ose revokim të dëshmisë së trashëgimisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency